Shënime kritike gjuhësore: Fjalori i Angelo Leotti-t Nga Aleksandër Xhuvani

Shënime kritike gjuhësore: Fjalori i Angelo Leotti-t
Nga Aleksandër Xhuvani

Fjalori i Leotti-t âsht i katërti Fjaluer Shqip-Italisht që kemi deri sot. I pari âsht Fjalori i Junkut, i dyti i Bashkimit, i treti i Cordignano-s dhe i katërti ky i Leottit, përveç atij të vjetrit të Rossit, që âsht Italiano-Epirotico dhe Epirotico-Italiano. Ky âsht mâ i ploti i tre të tjerëve, ka mâ se 30 000 fjalë e 2 500 proverbe, sikurse e kallzon edhe auktori në parathanëjen e tij. Për bazë gjuhe auktori ka marrë Toskënishten, sado që ka shtimë edhe fjalë të Gegënishtes; po shembëllat janë toskënisht, të qëmtueme prej librash të ndryshme, ndoshta edhe prej ndonjij kumtimi me gojë. Puna që Fjalori âsht plot me shembëlla të zgjedhuna e, mâ të shumtën, të qëllueme mirë i jep veprës nji vlerë, që s’e kanë Fjalorët e tjerë. Por auktori kishte mundë me mbledhë shembëlla nga vepra auktrësh s’onë të shquem, si nga të Kristoforidhit (nga i cili ka marrë disa), të Naimit e të G. Fishtës, tre auktorët t’onë që kanë, mbas mendjes s’eme, fraseologjinë mâ të zgjedhun e mâ shqipe që mundet me qenë, i pari në prozë dhe dy të tjerët në poezi. Në fraseologjin’ e këtyneve e mâ fort n’atê të Fishtës, flet goja vetë e popullit.

Përveç nga shembëllat e shumta e nga shumica e madhe e fjalëvet, Fjalori i Leottit ndryshon prej atij të Cordignano-s edhe nga puna se fjalët e hueja nuk shenohen me asterisk, sikurse ndodhë në Fjalort të këtij të fundit. Kjo më duket një e metë, e mâ fort në kët vepër të Leottit, ku janë përdorë fjalë të hueja pa farë, por edhe pa vend e pa dobi. Më ngjan se të huejt, kur marrin me bâ një Fjaluer të Shqipes, nuk bâjnë mirë që shtien në tê edhe fjalë të hueja, të papërdoruna sot e që ua kanë zanë vendin fjalë shqipe. Ata ndoshta kanë të drejtë, se e marrin gjuhën në tanësinë e saj dhe duen të hartojnë nji Fjaluer të plotë, që të përfshijë, sa âsht e mundun, gjithë fjalët që gjinden ndër libra e që bredhin në gojë të popullit, pa u-kujdesë që t’i vëzhgojnë mirë, t’i pastrojnë e t’i harrin. Mirë po për ne Shqiptarët, që i kemi hý punës së pastrimit të gjuhës nga mbeturinat e hueja, kjo punë na duket e papëlqyeshme, e çudiçme, medjè edhe e pazakonshëme. Sepse më bâhet se âsht nji-për-nji si me futë në nji Fjaluer të huej, të frangjishtes a t’italishtes bie fjala, gjithë fjalët e dialektevet të foluna t’asaj gjuhe, që nuk përdoren mâ në gjuhë të shkrimit. Asht e vërtetë se ato gjuhë janë të unjisueme, të nguluna e përparueme; mirë po edhe gjuha e jonë qysh-kur i u-ka përveshë kësaj pune edhe vjen gjithënji tue u-qërue – nënkuptohet prej atyne shkrimtarëve, prozatorëve e poetëve, që dishrojnë e rreken me shkrue nji gjuhë të pastër, e jo prej Gazetarëvet e të tjerëvet, që s’e çajnë fort kokën dhe i veshin mendimet e tyne me çdo zhele a leçkë t’onën a të huej.

Që âsht tue u-bâ ky spastrim i gjuhës duket edhe prej se sot nuk përdorim mâ disa fjalë tyrqishte, që i përdorshim shpeshë herë mâ përpara; p.sh. fjalët hapsane e iktiza nuk i përdorim mâ, po përdorim në vend të tyne fjalët burg e nevojë. Madjè sot âsht tue u-provue me ja zanë vendin fjalës nevojë, që âsht slavisht, po me gjith’ atê mjaft e vjetër në gjuhë t’onë, fjala mbëhi, e cila më duket se âsht shqip, por mâ parë duhet vëzhgue mirë semasiologjikisht dhe etimologjikisht. Mirë po në Fjalort të Leottit ato dy fjalë gjinden pa farë nevoje. Veç kësaj, Fjalori ka edhe shumë fjalë të tjera, që sot në gjuhë ua kanë zanë vendin fjalë shqipe: harzuall (f.335), bereqaves (f.41), evlat (f.167), masllahat (f.615), felaqèt (f.198), maksus (f.636), meash (f.684), madàm (f.629), zamàn (f.1666), e plot të tjera sa ujë, a thue se kemi përpara një leksik tyrqisht.

Qè disa fjalë të tjera të çudiçme nga tyrqishtja: sagllamëri = certezza; saktësonj = confermare; i salltanashëm = trionfale; i nurçim = grazioso, etj. etj. Dihet se të tilla fjalë s’janë për t’u përdorë aspak. Mbasandej kemi: marrëzi e marrëzillëk, preçartje e preçartllëk, njerëzi e njerëzillëk, etj., kurse mjaftonte fjala shqip pa prapashtim tyrqisht llëk.

Fjalë greqishte të panevojshëme e të formueme për çudi: adhjasenj, akastasi, aformi, aksafna, kseshpërblej, ksigjis, ksetaks, mollisem (= mbodhisem), etj. etj.

Posë këtyne, Fjalori ka edhe fjalë të tjera me shumicë, që janë formue kundra rregullavet të gjuhës me nji mënyrë të çudiçme: gjithëditurëtore = università; çpordhës = esofago; fushëtirë = aerodromo; godinor = dell’edificio; urtashësi = saggezza; tjetërllojshëm; tokmbledhje; varrnatore = fornimento; varrtrazonjës; shumësendërsuar; shumësojëshmësi; gjëvërtetues, etj. etj. Asht e ditun se edhe të tilla fjalë nuk janë për t’u-zanë ngoje asfare; janë plehe fjalësh.

Ik prej asaj, ka mbledhë prej librash fjalë, që i kanë farkue skallapuri disa shkrimtarë në kohë të vjetra, sikurse janë këto, që i ka marrë nga veprat e Papa Kristo Negovanit: kteatonj = acquistare; kteatar = proprietario; akështonj = ritenere degno; i akështuar = degno; tesvetonj = disputare; kuturis, kuturesë, dhamakshitorëri etj. etj. Kët fjalë të fundit auktori e ka toskëzue nga trajta gegënishte dhamakshituni, që e ka fjalori i Bashkimit dhe për të cilën kam shkrue në f. 10 të “Kritikës mbi Fjalorë të Shqipes”. Të tilla përgjërata fjalësh Fjalori ka me shumicë. Tue i këndue njeriu këto jet pa mend ase lë mendjen dhe i vjen keq, që do të mirren më qafë te huejt, kah kanë për t’i marrë për shqip fjalë, që s’kanë të bâjnë as me natyrën, as me origjinën, as me strukturën e gjuhës, d.m.th nuk janë shqip.

Ndërmjet këtyne përbindshave ka edhe foljen tethem = fecondare (f. 1472) e derivatet e saj, që i ka marrë, duket, nga Fjalori i Cordignano-s. Kjo përgjëratë fjale ka dalë, në mos u gabofsha, nga verbi shqip: me u-ethë (ethen lopët); prej neutrit t’adjektivit verbal të ethun-it u-farkue folja tethem me kuptimin fecondare. Tash a nuk duhet t’u falemi nderës lopëvet, që me veprimin e tyne trashigiumer për shumëzimin e skotës së tyne na puellën foljen tethem për fecondare? Më duket se kët fjalë lopare e ka farkue z. Logoreci, prej të cilit e rrëmbeu shpejt porsi margaritar Cordignano e prej këtij e shtini me kujdes në Fjaluer edhe Leotti.

Me parafjalën mbi auktori ka bâ a ka mbledhë nji varg të math fjalësh të reja, që nuk i qas aspak gjuha.

Për fjalën aeroplan, e cila po përdoret sot ungji në kët formë, Fjalori ka këto fjalë të çudiçme: aeroanie, aeror, ajrani.

Disa fjalëve auktori u ka dhënë veshtrime të ndryshme, kurse ato ndryshojnë vetëm nga forma: andej e andejë; acarim a acërim; i brëndazm (?) e i brëndesm (?) (f.55); bëtajë e bëtajë, bëtejë e betejë etj. Disa fjalëve të tjera nuk ua ka marrë mirë vështrimin: handrak nuk do me thanë sfogo. Kjo fjalë (nuk dij a âsht shqip), që nuk gjindet nëpër Fjalorët, por haset ndër libra e në gojë të popullit, ka veshtrimin e njij gjâje të zhyeme, të ndyeme të ndohtur. Fjala shpirt-grymur (ma mirë shpirt-grymët), që përdoret në Shqipni të mesme, nuk do të thotë animo impotente o pusillanime, por maligno, malizioso; shpirt-grymët (thohet edhe: i u-grymtë shpirti) do me thanë shpirt- lig, shpirt-keq. Edhe fjala yrt-i nuk ka at domethanëje që i jipet gabimisht në Fjaluer. Kjo fjalë duket se vjen nga latinishtja hortus dhe do të thotë kopësht; yrti âsht nji kopësht pranë shtëpisë.

Këto e shumë vërejtje të tjera mund t’i u-bâjshin Fjalorit të Leottit; por me e pasë vëzhgue e analizue shkoqitun e imtisht, nuk kishte me mjaftue gjymsa e faqevet të kësaj Reviste. Po e mbaroj pra tue thanë se Fjalori nuk âsht pa vleftë fare: shumë fjalëve auktori ua ka dhanë kuptimin tue i zdritë plot me shembëlla, shumë herë të pagabueshme. Fraseologjija pastaj âsht e pasun, e mbledhun me kujdes gjithandej. Sikurse e thotë edhe në parathanie, auktori ka punue me zell për nji kohë të gjatë mbi kët vepër, tue pasë shkue nëpër duer e sy shumë vepra të Shqipes. Për kët zell e mund e kujdes auktorit i âsht për t’u-ditë për të mirë, âsht për t’u nderue e për t’u-lavdue. Por, tue u-marrë para sysh çka u-tha mâ nalt, âsht për t’u-verejtë se Fjalori i Leottit âsht nji hambar i math, që ka mbrenda gjithfarë drithi e koqinash: misër, grun, elb, tërshanë, thekën, përcjellë, urov, bathë, qiqëra, fasule, thjerra, të pjekuna e të papjekuna, të njoma e të thata, ushtrè, por edhe të kalbëta e plot me mollëza, me molica e me egjëra. Prandaj e tanë kjo landë do pastrue e qërue mir’ e mirë, do shoshë e setë fund e krye, medjè me setë të komtë, që të mund të dali Fjalori i vjefshëm për ata nesh a të huejsh, që kanë për ta përdorë mbasandaj pa droe gabimi.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.