SCAR VLADISLAS DE LUBICZ MILOSZ Nga ZIMO KRUTAJ

OSCAR VLADISLAS DE LUBICZ MILOSZ – POETI PROFET, Saga e jetës…

Nga ZIMO KRUTAJ

Pjesë nga parathënia e librit “OSCAR VLADISLAS DE LUBICZ MILOSZ”. POEZI

Zgjodhi dhe përktheu: ZIMO KRUTAJ

Shtëpia Botuese: PIKA PA SIPËRFAQE, TIRANË, 2015

Oskar Vladislas de Lubicz Milosz lindi më 28 maj 1877, në Cereja (Dukati i Madh i Lituanisë, Bjellorusia e sotme), në një familje polako-lituane me prejardhje fisnike. Të parët e tij kishin gjak mbretëror. (Poeti nobelist Cezlav Milosz është kushëri i largët dhe një nga studiuesit më në zë të veprës së tij.) Oskar Milosz-i i ri u rrit në një “kullë të vërtetë Babeli”: në familje flitej polonisht dhe rusisht, e ëma ishte hebreje, gjuha e vendit ishte lituanishtja, guvernantja alsaziane i mësoi frëngjisht; kjo e fundit do të bëhej gjuha e shkrimeve të tij të ardhshme. Më 1889, familja e tij u zhvendos në Paris, ku Milosz-i përfundoi studimet në Lice, më 1996. Më pas ndoqi shkollën e gjuhëve lindore, studioi hebraishten dhe iu përkushtua studimit të teksteve biblike. Qysh në atë kohë Oskar Milosz-i u afrua me disa rrethe letrare të Parisit. Në vitet 1894 -1896, shkroi poezitë e para, të cilat i grisi. Ato u botuan vetëm pas vdekjes së autorit, nga miku i tij Roland Boris, nën titullin “Fletorja e grisur”.

Më 1899 botoi përmbledhjen e parë poetike “Poema e dekadencave” dhe, rreth vitit 1900, poeti i ri, që tashmë njihej me Oskar Uajldin e Zhan Moreasin, zuri miqësi me Maks Xhakobin, Gijom Apolinerin, Pol Fortin, Kristian Gausin etj. Pikërisht këtij të fundit, më 12 shkurt 1901, Milosz-i do t’i shkruante: “… Më 1 janar të këtij viti, aty nga ora njëmbëdhjetë e mbrëmjes, krejtësisht i qetë e me cigaren në buzë, – shpirti njerëzor është vetiu një gjë fort e çuditshme – ia hoqa vetes me një plumb pistolete afër zemrës. Siç e shihni, nuk ia dola mbanë – kur jeta e mbërthen mirë prenë e vet, nuk e lëshon kollaj…”.  Nuk dihet saktësisht çfarë e çoi Milosz-in në këtë veprim të skajshëm, por nuk përjashtohet ndikimi i gjendjes së të atit. Czeslav Milosz-i, në pasthënien e antologjisë poetike të Oskar Milosz-it “Berlina e ndalur në natë”[1] shkruan: “I ati, në vitet e fundit të jetës vuante nga mania e persekutimit; me flokët e gjatë deri në brez, qëndronte për ditë të tëra në bodrum, duke shtrënguar mbi gjunjë një sëpatë të mprehur mirë.”

Pas përpjekjes për vetëvrasje mjekët ia prenë shpresat, por  Oskar Milosz-i shpëtoi për mrekulli. Në vitin 1902 i vdiq i ati. Vitet 1903-1908 i kaloi në udhëtime të shumta mes Parisit e vendlindjes, Gjermanisë e Rusisë, për t’u vendosur përfundimisht në Paris, në vitin 1909. Gjatë kësaj kohe ai ishte shpesh i pranishëm në sallonet letrare të Parisit dhe udhëtoi shumë, në të gjitha vendet e Europës e në Afrikën e Veriut. Përsëri një letër e kësaj periudhe, (janar 1904) drejtuar mikut të tij Gaus, është një dëshmi unike e qasjes krejt të veçantë të  Oskar Milosz-it ndaj botës, realitetit, filozofisë dhe letërsisë: “Prej një viti e gjysmë jetoj krejt vetëm në Lituani, provincë baltike, toka e të parëve të mi… Verës udhëtoj me kalë e shkruaj mijëra vargje, dimrit eci me slitë dhe rilexoj Kantin, Shopenhauerin e Platonin, duke tymosur me llullë. Herë pas here, bëj edhe udhëtime të shkurtra me dy miq: në Spanjë me Don Kishotin dhe në Itali me Hajnrih Hajnen. Mund të mësohesh me gjithçka: e rëndësishme është të jetosh sa më pak në atë që quhet bota reale”.

Ndërkohë, më 1906, pasi kishte botuar përmbledhjen me poezi “Të shtata vetmitë”, i dha dorën e fundit dramës “Don Zhuani” dhe nisi romanin “Zborovskët”.  Gjatë një udhëtimi në Venedik, do të njihet me mbesën e Hajnrih Hajnes, “gruaja e vetme që dashurova”, e cila, edhe pse do të martohet pas një viti me një baron, do të frymëzojë disa poezi e një roman të Milosz-it, (“Amoureuse Initiation”) e do të bëhet figura qendrore e poezisë së mëvonshme “Simfoni nëntori” si dhe e shumë poezive të tjera. Në vitin 1911 del në dritë vëllimi poetik “Elementet” dhe më pas ai shkroi misteret “Migel Manara”, “Mepfiboseth” e “Sauli i Tarsit”, ku ngjarja, siç thotë studiuesi Zhak Byzh, “zhvillohet njëkohësisht në Qiell, në Tokë e në Ferr”.

Më 14 dhjetor 1914, Milosz-i pati një ekstazë mistike, një vizion për të cilin të nesërmen i thotë një miku, (Karlos Larond) edhe ai shkrimtar e poet: “Pashë Diellin engjëllor.” Në veprën e tij të mëvonshme “Të fshehtat” (1927) Milosz-i betohet “mbi nderin e tij prej shërbëtori të Krishtit Mbret” se ngjarjet e asaj nate janë të njëmendta e nuk lenë pikë dyshimi. Ai e quan herë “Dielli engjëllor”, herë “Engjëlli i Jehovait” atë vizion që iu shfaq dhe e ngriti, sa hap e mbyll sytë, majë një mali madhështor, në lartësi të papërfytyrueshme:  “Atëherë një palëvizshmëri e plotë, e përkryer, mblodhi diell e re, duke më sjellë ndjenjën e pashprehshme të një përmbushjeje të epërme, të një qetësie të mbrame, të një ndalimi të plotë të çdo përpjekjeje për mendim, të një realizimi mbinjerëzor të Ritmit të fundit”. Të njëjtin vizion mistik kishin përjetuar më parë dijetarë e filozofë si Paskali, Dekarti e Svedenborgu.

Kjo ngjarje do të lërë një vulë të pashlyeshme në gjithë jetën dhe krijimtarinë e mëpasme të Oskar Milosz-it. Përpos botimit të përmbledhjeve me poezi “Simfoni” (1915), “Adramandoni” (1918), “Rrëfimi i Lemuelit” (1922) ai do të thellohet gjithnjë e më shumë në studimin e Biblës e të Kabalës, sidomos në prejardhjen iberike të hebrenjve dhe deshifrimin e “Apokalipsit” të Shën Gjonit, në analiza etnolinguistike etj. Gjatë kësaj kohe themelon dhe drejton Shoqërinë Teozofike dhe ushtron praktika ezoterike, duke u bërë Mjeshtër i Madh i Urdhrit Mistik të Ringjalljes. Në vitet tridhjetë ai do të botojë veprat “Apokalipsi i Shën Gjonit i deshifruar” (1933); “Prejardhjet iberike të popullit hebre” (1933); “Prejardhja e kombit lituanez” (1937) dhe “Çelësi i Apokalipsit” (1938). Pas dhjetë vjet heshtjeje poetike u botua, më 1937, në Tunis, vëllimi “Shtatëmbëdhjetë poezi”.

Oskar Milosz-i, që prej vitit 1919, ishte bërë qytetar lituan; edhe pse nuk e fliste lituanishten ai u emërua përfaqësues diplomatik i Lituanisë pranë qeverisë franceze dhe zhvilloi një veprimtari të dendur e të vazhdueshme si diplomat. “Ditën jam diplomat… kurse natën jam poet” do t’i shkruante asohere një miku të tij. Ishte koha revolucioni bolshevik i rrëmbeu gjithçka: pronat, pasurinë, dhe i hoqi mundësinë për t’u kthyer në vendlindje.

Në fillim të viteve tridhjetë Milosz-i u bë qytetar francez, dhe më 1931 u dekorua “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Po atë vit u takua për herë të parë me Cezlav Milosz-in, në Fontenbló. Për takimet me kushëririn e tij, nobelisti i ardhshëm do të pohojë më pas: “Dhoma e tij në rrugën Shatobrian nuk kishte veçse një shtrat, një tryezë e disa libra dhe, në këndvështrimin tim, kjo oshënari me muret cullakë e shenjoi përgjithnjë këtë rrugë me një ndjenjë ironie: mu përballë, në pensionin elegant Atala banonte në një luks pa pikë shije poeti–snob që ishte atashe kulturor i ambasadës polake.”[2]

Në vitet e fundit të jetës së Oskar Milosz-it, disa dëshmitarë të kohës, miq e të njohur të poetit, flasin për dobësimin e shëndetit mendor të njeriut të vizioneve të çuditshme, të mistikut modern të fjalës poetike, të studiuesit e deshifruesit të mistereve biblike. Por poeti-profet, nuk mund të mos ishte i tillë edhe kur kthehej, herë pas here, në atë që në të ritë e vet e kishte quajtur, thuajse me përçmim, “bota reale”. Petras Klimas, që kishte zëvendësuar Milosz-in si përfaqësuesi i Lituanisë në Francë,  në vitet 1937-38, e kujton kështu: “Një ditë Milosz-i erdhi të më takonte në zyrën time, mbylli derën me çelës dhe, nën zë, më tha se duhej të më komunikonte disa zbulesa të rëndësishme. I ulur kundruall meje, nisi të më përshkruante të ardhmen e Europës e të botës. [Sipas tij] …pas pak kohe, do të shpërthente një luftë botërore, gjatë së cilës Gjermania do ta zhbënte Poloninë në shtatëmbëdhjetë ditë e do të shkatërronte Francën dhe pjesën më të madhe të Europës. Do të pushtonte Lituaninë, që do të copëtohej, dhe do të arrinte deri në thellësi të Rusisë, ku, më në fund, gjermanët do të dërrmoheshin, dhe “kuajt e kozakëve do të çukërmojnë me patkonjtë e tyre kalldrëmin e rrugëve të Berlinit”. Milosz-i ma tha këtë me një bindje të thellë, por në atë kohë kjo dukej krejtësisht e pamundur”. Lufta e Dytë Botërore shpërtheu vetëm një vit më pas dhe profecia e poetit, fatkeqësisht, u përmbush thuajse plotësisht.

Ndoshta ky qe vizioni i fundit apokaliptik i Oskar Milosz-it. Dashuria e tij e fundit ishin zogjtë. Pranë shtëpisë së tij, në pyllin e Fontenblosë, ai ngriti me dhjetëra korita e kafaze për “miqtë e tij me krahë”, i ushqente e kujdesej për ta. Miq e të njohur të poetit dëshmojnë se, asokohe, mjaft të fishkëllente një arie të Vagnerit dhe, veçanërisht në dimër, zogj të çdo lloji i uleshin mbi supe…

Më 2 mars 1939, Oskar Milosz-i u gjet i vdekur në shtëpi, pranë kafazit të hapur të kanarinës së tij.

Po atë vit, në qershor, në një numër të posaçëm të revistës “Dëshmi”, kushtuar Oskar Milosz-it, Pol Forti shkruante: “Ky princ lituan, ky poet i madh, ky njeri i madh, është Gëtja ynë francez. […] Milosz-i është dhurata më e bukur që Europa i ka bërë Francës”.

Krijimtaria e Milosz-it përfshin veprën poetike e dramaturgjike, si dhe  romanet, esetë, studimet e përkthimet nga poetë të shquar gjermanë, anglezë e polakë, mes të cilëve spikatin emrat e Gëtes, Holderlinit, Bajronit, Shellit, Mickievicit etj. I vetëdijshëm për diskutimet që do të ngjallte përkatësia etnike dhe gjuhësore e tij Oskar Milosz-i ka pohuar për veten: “Jam një poet lituan që shkruan në frëngjisht”. Në një farë mënyre, ai e zgjodhi vetë atdheun e tij: për Lituaninë shkroi një sërë veprash dhe esesh letrare, politike dhe historike. Peizazhet e largëta të vendlindjes plot mjegull, shira e brymë, misteret e fryma virgjine e pyjeve dhe e kujtimeve të hershme, gjuha dhe mitet, jeta dhe bota shpirtërore e njerëzve të lidhur me natyrën, ishin toka pjellore, lënda dhe magma e errët e poezive të tij. Mbi këtë magmë u ngjiz dhe u rrit flaka e artit të Milosz-it: ai e ushqeu, e rriti dhe e mbajti të pashuar me dritën qiellore të vegimeve profetike dhe kulturën e gjerë dhe të thellë që fitoi gjatë gjithë jetës. Ai njihte mirë polonishten, anglishten, gjermanishten, italishten, spanjishten, rusishten; lexonte hebraisht dhe latinisht; vonë mësoi lituanishten dhe gjuhën baske. Milosz-i është poeti që “luftoi tërë jetën për gjuhën e vjetër lituane, për gjuhë mëmë kishte polonishten, por kjo nuk e pengoi të bëhej një poet i madh kozmopolit i gjuhës frënge”[3].

Mund të thuhet pa drojë se fëmijëria, natyra dhe viset e vendlindjes, “krojet e kujtesës”, janë pikënisja dhe stacioni i përhershëm ku kthehet e rikthehet poezia e Oskar Milosz-it. Por sado në mënyrë origjinale e të veçantë të bëhet kjo, prapë do të qe e pamjaftueshme për të shpjeguar atë fuqi mistike, atë lumë të kthjellët dashurie e përdëllimi, atë vërshim kozmik kumtesh e brengash universale, atë lëmim e kumbim hyjnor të fjalës poetike, të veshur me  një tis malli të pafund. Dhe, ndoshta, të gjitha këto as nuk mundet as nuk ka nevojë të shpjegohen.  “I mërguar, i huaj kudo, ai ishte një romantik, në mos tjetër, për vetë mallin e tij, dhe parajsa e humbur e fëmijërisë, në mitologjinë e tij vetjake, shndërrohet, krejt pa u ndjerë, në vendin ideal të njerëzimit të ardhshëm, të rilindur.” [4]

Poezia e Milosz-it, dhe jo vetëm ajo për atdheun, fëmijërinë a vendlindjen, para së gjithash është frymë, është dashuri, është dhimbje dhe mall, është harmoni, është paqe. “Dhe do të shkoj drejt e te pema ku nusja e përjetshme/ Pret e zhytur në avujt e atdheut. /E në zjarret e kohës do të shfaqen/ Arkipelagë të beftë, galera kumbuese – /Paqe, paqe”. (Poezia “H”). Por Milosz-i thekson në poezinë e tij, njëherësh si zbulim dhe si sëmbim, se ka edhe një lloj tjetër paqeje që “Është paqja e tmerrshme e njerëzve pa dashuri”. Kjo poezi është edhe ofshamë dhembshurie dhe klithmë kujtese për humbjen e rrugës, për bjerrjen dhe zvetënimin e qenies njerëzore. Pikërisht për këtë poezi (“H”) poeti Pol Valeri do t’i shkruante autorit: “ [Poezia] “H” e mban të mbërthyer lexuesin tuaj falë një zëri pa fund, tmerrësisht të thellë. Ndjehesh i kapluar prej imazheve deri në fshehtësirat e shpirtit. Kurrë nuk kam parë një tekst kaq afër qenies…” [5].

[1] O.V. De L. Milosz “La Berline arrêtée dans la nuit – Anthologie poétique; Gallimard, Paris 1999.

[2] Po aty, faqe 225-226.

[3] Massimo Rizzante: “Simfoni nëntori”, Adelfi (2008).

[4] Ceslav Milosz: ‘Toka e Ulros”, (2000).

[5] Letër drejtuar Milosz-it pas leximit të “Adramandonit” (1919).

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.