Rruga e mundimshme e shkollës shqipe Autor Valbona Nathanaili

Rruga e mundimshme e shkollës shqipe. Çështje, politika & veprimtari në fushën e arsimit, 1912-1944

Autor Valbona Nathanaili (monografi)

Me parathënie nga Prof. Dr. Aleko Minga

Botues: UET Press, Çmimi në librari 1200 lekë, 330 faqe, formati 230 x 275 m, ISBN 978-9928-190-68-0 Botimi i parë, 7 mars 2016

Libri shoqërohet me një dokumentacion shumë të pasur, faksimile dokumentash, bibliografi, indeks emrash (731 emra), indeks vendesh dhe indeks tematik.

Libri përbëhet nga pesë kre, të ndarë mbi bazën e parimit kronologjik dhe të ngjashmërive në zhvillim. Kreu i parë përfshin periudhën 1912-1920, nga shpallja e Pavarësisë deri në kongresin e Lushnjës. Kjo periudhë shënon fillimin ligjor dhe formal të shtetit shqiptar, gjatë së cilës ndërrohen pesë qeveri dhe vetë epiqendra e shtetit zhvendoset nga Vlora, në Durrës dhe, më tej, në Shkodër. Ministri më jetëgjatë është Luigj Gurakuqi, i pranishëm në këtë post, herë në rolin e Ministrit dhe herë në atë të delegatit të arsimit në 3 qeveri, me një kohëzgjatje, në total, me më shumë se 5 vjet, ose 71.5% të kohës në drejtim (nga 7 vjet që zgjat gjithë kjo periudhë). Të gjitha këto qeveri e kanë shtrirjen e ndikimit dhe të pushtetit të tyre në hapësira më të vogla se ato të shtetit të njohur dhe kemi kapërcim strukturash nga shtet i lirë dhe i pavarur, në principatë dhe nën pushtim. Zgjedhja e Luigj Gurakuqit në krye të punëve të arsimit në 3 qeveri, formalisht dhe parimisht krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, i ka shtuar kësaj periudhe vlerat dhe kontributet në fushën e arsimit kombëtar. Periudha më e konsoliduar në arritje në fushën e arsimit është ajo nën pushtimin austro-hungarez, – vështirë ta artikulosh, por e drejtë ta pranosh.
Kreu i dytë përfshin periudhën 1920-1925, kohë në të cilën shteti shqiptar shtrihet pothuaj në të gjithë territorin që është edhe sot. Ky kre fillon me kongresin e Lushnjës e qeverinë e dalë prej tij dhe mbyllet me shpalljen e Shqipërisë Republikë. Një nga figurat më të spikatura të kësaj kohe është Sotir Peci, në postin e Ministrit të Arsimit në qeverinë e dalë nga kongresi i Lushnjës dhe më vonë përsëri, në qeverinë e drejtuar nga Iliaz Vrioni, 11 korrik 1921 – 16 tetor 1921, ndonëse aktiviteti dhe përfshirja e tij në fushën e arsimit evidentohen që më vitin 1909, me hapjen e shkollës normale të Elbasanit.
Kreu i tretë përfshin periudhën 1925-1939, kohë në të cilën Shqipëria është nën drejtimin e Ahmet Zogut. Pavarësisht formës që ka shteti këtë periudhë, fillimisht republikë dhe më vonë monarki, është periudha më e konsoliduar në drejtim të zhvillimit të arsimit, sepse jo vetëm ka vijimësi dhe pothuaj çdo veprimtari është e dokumentuar, por për herë të parë merr formë një nga reformat më të mëdha në fushën e arsimit, ajo e luftës kundër analfabetizmit. Abdurrahman Dibra, Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj janë nga personalitetet më të spikatura të kësaj periudhe. Kontributet e tyre, ndërmjet të tjerave, lidhen me krijimin e legjislacionit të shkollës, krijimin e një sistemi të vetëm shkollor në të gjithë vendin, me programe e tekste krejtësisht të konsoliduara, si dhe me përpjekjet për zgjerimin e sistemit shkollor në të gjitha nivelet.
Në dy kretë e fundit, zhvillimi i arsimit bëhet në kushtet e pushtimit: kreu katërt përfshin periudhën 1939-1943, kur vendi gjendet nën pushtimin italian, ndërsa kreu i katërt përfshin periudhën 1943-1944, kur vendi gjendet nën pushtimin gjerman. Ernest Koliqi është një nga ministrat e arsimit në periudhën e pushtimit të Shqipërisë që ka qëndruar për një kohë më të gjatë në këtë post.
Secili nga kretë copëzohet në periudha më të vogla, të njëjta me ato të qeverive përkatëse, ndërsa aktiviteti i vetë qeverisë fokusohet vetëm në fushën e arsimit. Në rastin e punës dhe aktivitetit të kryer nga ministria e arsimit nën pushtimin italian dhe atë gjerman, është paraqitur në vijimësi, pa e ndarë punën dhe aktivitetin e një qeverie nga një tjetër, sepse ministrat nuk kanë pasur funksion politikëbërës dhe, për më tepër, koha e qëndrimit në detyrë ka qenë relativisht e shkurtër.
Kur është parë e nevojshme, trajtimi i punës dhe veprimtarisë së ministrisë së arsimit paraprihet me një analizë të shkurtër të sfondit historik e politik, pjesë e së cilës ka qenë kjo veprimtari. Më tej, struktura e ndërtimit të përmbajtjes ndjek të njëjtën formë: çështje dhe problematika që lidhen me arsimin, raportime dhe çështje nga rrethet, statistika dhe të dhëna për shkollat e mësuesit, botime në fushën e arsimit, kryesisht tekste shkollore të hartuara e miratuara nga kjo ministri, emërime dhe në detyrë. Disa nga ligjet dhe rregulloret e hartuara dhe të miratuara janë paraqitur të plota, duke i kushtuar kujdes paraqitjes së tyre me të njëjtën gjuhë të përdorur. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shkollave të hapura nga të huajt dhe shkollave të minoriteteve, duke u ndalur jo vetëm në marrëdhëniet që janë ndërtuar me shtetin shqiptar, por edhe në të dhëna konkrete dhe statistika.
Përmbajtja e librit ndjek veprimtarinë e Ministrisë së Arsimit dhe pasqyron aktivitetin e kryer në zonat që përfshin shteti, si në qeveritë e para, kur shteti shtrihet në vetëm disa nga qytetet e sotme, ashtu edhe në qeveritë e fundit, kur pjesë e Shqipërisë janë edhe Kosova e Tetova. Për disa qeveri, veprimtaria e të cilave ka qenë shumë e kufizuar në kohë, nga një ditë në disa muaj, është mjaftuar vetëm evidentimi i tyre, më shumë për statistikë, se për punën e kryer. Për shumë nga ministrat e arsimit është paraqitur edhe një përmbledhje e jetëshkrimit dhe veprimtarisë së tyre si individë, jo vetëm ajo në detyrën e titullarit të ministrisë së arsimit.

Ndër çështjet që trajtohen në libër: Administrimi i shkollave, hartimi i programeve lëndore, hapja e shkollave te reja, sigurimi i kuadrit arsimor, kualifikimi i mësuesve, inspektimi i shkollave, çështja e botimit të librave mesimore, frekuentimi i rregullt i shkollave prej nxënësve, lufta kundër analfabetizmit, disiplina në shkolla, fillimi i botimit të revistave arsimore, vleresimi i nxënësve, ndalimi i mesimeve private (1919), ndarja e shkollës nga feja, shkollat e huaja dhe minoritetet, ngritja e bibliotekave shkollore, ruajtja e traditës dhe vlerave kombëtare, sistemi i akordimit të bursave për nxënësit, zhvillimi i arsimit profesional, zhvillimi fizik dhe artistik i nxënësve, pagat e mesuesve, mësimi në burgje etj.

Pjesë e librit janë jetëshkrimet e Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Hil Mosi, Rexhep Mitrovica, Kristo Dako, Aleksander Xhuvani (si zv. ministër i arsimit dhe i pranishëm në organet drejtuese të ministrisë pothuaj gjatë gjithë periudhës 1916-1944),Stavro Vinjau (si zv. ministër i arsimit në qeverinë e Fan Nolit), Koço Kotta, Petro Poga (zv. ministër i arsimit), Xhafer Ypi, Abdurrahman Dibra, Mirash Ivanaj, Nush Bushati dhe Ernest Koliqi.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.