Rreth librit “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët” të autores Eleni Laperi Valbona Nathanaili

Rreth librit “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët” të autores Eleni Laperi

Valbona Nathanaili

Rose Wilder Lane njihet nga lexuesi shqiptar si autore e librit “Majat e Shalës”, por pak njihet jeta dhe veprimtaria e saj në Shqipëri dhe, akoma më pak, kontributet si gazetare, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe një nga themelueset e neoliberalizimit amerikan, së bashku me Ayn Rand dhe Isabelle Paterson. Eleni Laperi ka marrë përsipër të na e paraqesë të plotë, me këtë libër, të gjithë figurën e Rose, ose të Drandes, sikundër e quanin shumë nga miqtë e saj malësorë shqiptarë, të cilët në shenjë mirënjohje për dashurinë që falte dhe ndihmën që ofronte, dashuri dhe ndihmë që nuk e kurseu deri në fund të jetës, kishin gjetur sinonimin shqip të emrit të saj.

Një Drande amerikane në malësitë e Shqipërisë në fillimet e viteve ‘20. Pse? Cilat janë arsyet që e shtynë ta bënte Shqipërinë vendin e veprimtarisë së saj, që i kthyen vëmendjen drejt Shqipërisë e shqiptarëve? Aventurë, rastësi, pasion, përmbushje morale, dëshirë për t’i dhënë përmbajtje tjetër jetës?

Në fizikë, kur duam të shpjegojmë shumë dukuri që kanë lidhje me dritën, i referohemi, ndërmjet të tjerave, një parimi shumë të rëndësishëm, të quajtur parimi Ferma. Sipas këtij parimi, për të vajtur nga një pikë në tjetrën drita zgjedh rrugën më të shkurtër. Duke folur me gjuhën e shkencave sociale, drita është racionale në zgjedhjet e saj, thotë Amartya Sen. A është Rose Wilder Lane racionale me zgjedhjen e Shqipërisë? Për shumë studiues, racionaliteti i zgjedhjes lidhet me arsyet dhe vetë parimi i minimizimit të dritës çon drejt maksimalizimit: sa më të shumta të jenë arsyet, aq më racionale është zgjedhja.

Duke lexuar librin, shkruar dhe argumentuar me shumë mjeshtëri nga Eleni, arsyet e para janë personale: aventurë, rastësi, pasion. “Nëse nuk sheh Shqipërinë, ke humbur një rast në jetën tënde” – këto janë fjalët me të cilat një mikja e saj i ndërron jo vetëm destinacionin e radhës të udhëtimit Rose, që ishte Stambolli, por ndryshojnë gjithë rrjedhën e jetës së saj dhe të shumë shqiptarëve me të cilët pati rast të takohet e njihet. E bindur nga këto fjalë, shkruan Laperi, Llejn iu bashkua grupit dhe u nis drejt aventurës së saj shqiptare e cila filloi, pikërisht, në majat e Malësisë së Dukagjinit.

Ardhja e parë në Shqipëri frymëzohet vërtet nga arsye personale, por jo të tjerat, sepse ato fillojnë e marrin kahe sociale, bëhen pjesë e kauzës së saj në funksion të lirive të njeriut, të luftës e përpjekjeve për ta bërë të aftë të marrë vetë në dorë fatin e tij

Nga ana tjetër, Shqipëria e shndërron vetë Rose Wilder Lane: e bën më të mirë dhe më të zgjuar.

E bën më të mirë si një cilësi morale, të cilën, gjithsesi, duket se e ka pasur me tepri – në libër do gjeni ndihmën e paçmuar që i jep të ëmës në botimin e librave të saj, pa e vënë emrin e vet; ndihmën ekonomike që u jep shumë familjeve shqiptare dhe veçanërisht Rexhë Metës gjatë studimeve në Oxford dhe, më tej, edhe gjithë familjes së tij.

Shqipëria e bën më të zgjuar sepse i jep aftësinë për të menduar më qartë rreth objektivave, synimeve, vlerave që duhet të ketë jeta, të kuptojë se është në gjendje të ndikojë në veprimet e atyre që e rrethojnë, t’i ndërgjegjësojë për përgjegjësitë që kemi si qenie sociale. Në këtë optikë duhen gjykuar këshillat  për dashurinë që duhet të ushqejë për atdheun e bashkatdhetarët, për vlerat e fesë dhe të besimit që i jep Rexhës, ose përkushtimi për të promovuar vlerat më të mira të traditës e kulturës shqiptare kudo në botë nëpërmjet artikujve të panumërt.

Nga faqja në faqe figura e Lane rritet gradualisht. Shqipëria është si një stacion, ku ajo le një tren për të kapur një tjetër. Ardhja në Shqipëri është një udhëtim në kohë, për t’i dhënë vlera të tjera kohës së saj, që nuk duhej humbur më, – sikundër shprehet vetë, që duhej vënë në dispozicion të diçkaje të bukur e me vlerë.

Libri është një homazh edhe për mirënjohjen ndaj atyre të huajve që kanë punuar për Shqipërinë. Mid’hat Frashëri shkruante, “në një kohë ku miqtë t’onë s’janë të shumtë, ç’do manifestë simpatije ka të drejtën për gratitudën t’ënë”. Sikundër shprehet vetë autorja: “Ne kemi nevojë për mirënjo­hjen, pasi ajo do të na ndihmojë të krijojmë rreth vetes një mjedis të ri njerëzor, me sa më pak errësirë mesjetare, e cila gëlon ende midis nesh”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.