Riza Braholli, mësuesi poet. Poezi të zgjedhura

Poezi të reja

Zjarri i zjarreve

E kam dashur gjithmonë atë kohë/ Kur njerëzit  bënin dashuri me Perënditë

Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë

Përtej, në botën e mjergullës ishim

Në dhera  të tilla ku kurrë s’kemi qenë

Të dy, unë e ti me mishin e shpirtin

Të dy kapërthyer si dheu nën rrënjë

 

Si ishim ashtu, as fjetur, as zgjuar?

Një shekull a dy a kush e mban mend

Lëndinash pa fund me frerët lëshuar

Mëgojëzën si kuajt e hanim me dhëmb

E prapë e sërish të unshëm, të vluar

 

Më thuaj ç’qe kjo që sytë na panë

Që eshtrat kërcisni e eshtrat vërrisnin

E drita terrohej tej kohës pa anë

Shuhej e ziente si ujët me plisin

Me plisin e shkosur në muajt e thatë

 

Sa poshtë e përmbi, sa dritë e sa natë

E ikshme si re e prekshme si tokë

Si hëna në udhën e ciklit të gjatë

Kur hedh pëshpërimat e fundit mbi flokë

E bota fundoset mes paqes së artë

 

Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë

Të shtatën e ditëve u ulëm e pamë

Se bota që nisëm ish ngritur më këmbë

Pastaj u rishtrimë për aktin e mbramë

Dhe hëngrëm çarçafët e fundit me dhëmbë

 

Nga vëllimi poetik “Mallkim Virgjërie”

Trishtimin kam zog

Përmes xhamash drita hyn me përtesë

As veten s’e pyes përse

Përgjumet zogu në fund të folesë

Harrimi në zemër më fle

 

Patkonjtë e fundit godasin mbi gurë

E troku shuhet ngadalë

E muzgu kotet e tretet ndër drurë

Përgjumet e varfëra mëhallë

 

Fillojnë e ndrijnë qirinj flakështrembër

Dritaret si shpirtërat në muzg

Kujtimi i zbrazur nga zemra në zemër

Me vramje , me hije më mbush

 

Tej xhamash shkon drita të vdes

Jo, veten s’e pyes përse

Në zemër më s’kam asnjë shpresë

Trishtimin e kam zog në fole

 

Nga vëllimi poetik “Mallkim Virgjërie”

Në ëndërr

Kockat ndjej të krisë port’ e vjetër

Çezma, Bana ime këngën rrjedh

E bekuara nëna ime vetëm

Udhëve me bastun si hënëz bredh

 

Melodi e drunjtë zbret mbi gurë

Mjegullëz e bardhë mbi kalldrëm

Gurët-gjinj të lagur feksin butë

Një trishtim i ëmbël që të dhemb

 

Pastaj përmbi plloça fshes’ e barit

Fëshfërima ledhash nëpërmend

Si e ngrohta jug’ që zgjon beharin

Si e ngrohta buz’ që mallin end

 

Shtyj jorganin e dal nga ëndrra

Përmbi Dajt një ftua hëne zverdh

Një merak më ngjizet e them: – Nëna!

 

Foto kryesore: Me rastin e 55 vjetorit të ditëlindjes së autorit, z. Riza Braholli, lokali “Muza e bardhë”. Në sfond të fotos, George Peabody Library, Johns Hopkins University, Baltimore, Maryland, ShBA (Fotocredit: Valbona Natahanaili).

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.