Rithemelimi i mirëqenies në optikën e pesëmbëdhjetë studiuesve Nga Valbona Nathanaili

Rithemelimi i mirëqenies në optikën e pesëmbëdhjetë studiuesve

Nga Valbona Nathanaili 

“Rithemelimi i mirëqenies” Autor Kosta Barjaba, në bashkëpunim me: Ilir Beqaj, Adrian Civici, Vangjel Dule, Grida Duma, Pandeli Garo, Besart Kadia, Muzafer Korkuti, Ethem Likaj, Arben Malaj, Nora Malaj, Luljeta Minxhozi, Valbona Nathanaili, Irsida Rusi, Kastriot Sulka, Vasil S. Tole, Selami Xhepa, Mimoza Agolli, Nevila Xhindi. Botues: UET Press, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Libri botohet në kuadrin e “Forume Publike të Akademisë së Shkencave” ISBN 978-9928-4193-9-2 Çmimi 900 lekë

“Njerëzit nuk duan ide të mëdha në varfëri, por ide të vogla në mirëqenie”

Rexhep Qosja

Në Shqipërinë e para tranzicionit, varfëria ishte një target i ndaluar, e eklipsuar nga propaganda për mirëqenie e të gjithëve njëlloj, një fenomen pothuaj i njohur për të gjitha vendet diktatoriale. Po t’u referohemi shifrave të asaj kohe, varfëria nuk ekzistonte jo vetëm në Shqipëri, por pothuaj në të gjithë vendet komuniste e diktatoriale. Në vitet ‘50 Rumania kishte rritjen ekonomike më të shpejtë në botë, Brazili i viteve ’70 nën drejtimin e një junte ushtarake cilësohej “si mrekullia ekonomike” dhe në vitet ’80, të gjithë u mahnitëm nga suksesi i disa vendeve të lindjes, të etiketuar si “tigrat e rritjes ekonomike”, përfaqësuar nga Taivani e Korea e Jugut, vende diktatoriale, po ashtu.

Retorika e asaj kohe duket se vazhdoi të ndikojë edhe atë të ditëve tona. Në Shqipërinë e tranzicionit varfëria mbeti përsëri një target i paadresuar shkencërisht, por e trajtuar dhe e kamufluar mbas shifrave për rritje e zhvillim. Për varfërinë është folur politikisht dhe mediatikisht kryesisht gjatë fushatave elektorale. Rrallë i jemi qasur me metodologji dhe teknika shkencore, përjashtuar, nëse mund të klasifikohet si e tillë “Anketa për Matjen e Standardeve të Jetesës”, organizuar me mbështetjen e Bankës Botërore, e cila ka matur dhe vlerësuar varfërinë në shifra. Të dhënat e këtyre anketave, të cilat janë zhvilluar periodikisht gjatë dekadës së fundit (2002, 2005, 2008, 2012) kanë ofruar një pamje, ndonëse jo të plotë, të varfërisë sonë, – flasim gjithmonë në termat e të ardhurave për frymë ose treguesve të tjerë që e rreshtojnë një vend në krye ose në fund të klasifikimeve sipas treguesve të përbashkët botërorë.

Megjithatë, problemi nuk qëndron te paplotëria e të dhënave, por te mungesa e vullneteve për t’i përdorur anketat për matjen e varfërisë si pikënisje për ndryshimin e politikave dhe luftës ndaj saj. Pra, përkundër nevojës për të zhdukur, ose të paktën për të reduktuar varfërinë, politikëbërësit tanë kanë preferuar apoteozat për suksese virtuale kundër saj. Në vend që të punojmë konkretisht për të përmirësuar cilësinë e jetës, kemi preferuar fjalët e fjalimet, që zakonisht mbarojnë me “arritje e suksese të mëdha”. Por, siç ka vënë në dukje dijetari ynë, akademiku Rexhep Qosja, pasqyruar në parathënien e Kosta Barjabës: “Njerëzit nuk duan ide të mëdha në varfëri, por ide të vogla në mirëqenie”. Sigurisht që asnjë nuk mund të mohojë ndryshimet që janë bërë në vendin tonë, por sa të mira ose të këqia kanë qenë këto ndryshime rrallë i janë nënshtruar një kritike të mirëfilltë.

Libri “Rithemelimi i mirëqenies” është një përmbledhje artikujsh kushtuar këtij problemi shumë të mprehtë të shoqërisë sonë. Për studiuesit që janë bërë pjesë e këtij botimi, konkluzioni është një: ne, shqiptarët, mbetëm të varfër se vendit tonë i kanë munguar politikat e drejta të zhvillimit, duke bërë pjesë të këtij konkluzioni jo vetëm konstatime – sa e thjeshtë është të konstatosh, por duke propozuar edhe zgjidhje, bazuar kryesisht në qasje ekonomike. Secili prej tyre, me përkushtim, kompetencë dhe vizion të qartë parqet përpara lexuesit idetë e mendimet e tij për ndërtimin e një mirëqenie reale, jo virtuale, larg fjalëve boshe dhe fjalimeve elektorale. Për ta, rritja ekonomike gjatë tranzicionit nuk ka prodhuar punësim dhe, për pasojë, ka anuar drejt një rritjeje varfëruese.

Akoma, boshti i gjithë artikujve është se lufta kundër varfërisë duhet të jetë e lidhur me zhvillimin e punësimin, një sentencë sa e vjetër dhe e re, sa e njohur aq edhe e panjohur për realitetin tonë politik.

Kosta Barjaba, pjesë nga parathënia

Ky libër, një sintezë kontributesh të kolegëve të respektuar, nuk do të kishte dalë në dritë pa largpamësinë dhe vullnetin politik të Nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule; mbështetjen dhe angazhimin e akademikëve të nderuar Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë, Ethem Likaj, kryetar i Seksionit të shkencave shoqërore albanologjike, dhe Vasil S. Tole, Sekretar Shkencor; mënçurinë dhe logjikën e njohur të Arben Malajt; analizën elegante të Grida Dumës; mprehtësinë dhe maturinë tipike për Ilir Beqen; argumentet shterruese të Selami Xhepës dhe Mimoza Agollit; përkushtimin akademiko-institucional të Nevila Xhindit; energjinë e Irsida Dimoshit (Rusit); erudicionin e thellë dhe vizionin modern të Adrian Civicit; analizën sistematike të Kastriot Sulkës; finesën e Besart Kadisë; skrupulozitetin e Luljeta Minxhozit; optikën realiste të Pandeli Garos dhe këndvështrimin origjinal të Valbona Nathanalilit. (Në këtë shprehje mirënjohjeje i rendita sipas radhës së kontributeve në përmbajtjen e librit).

Përmbajtja 

Pjesa e parë: Zhvillimi kundër varfërisë: një çështje politike, shoqërore dhe akademike

Nxitja e zhvillimit dhe reduktimi i varfërisë: Një preokupim mbarëshoqëror dhe mbarëpolitik Vangjel Dule /Një kantier idesh për zhvillim dhe mirëqenie Akademik Muzafer Korkuti / Një investim akademik në betejën kundër varfërisë Akademik Ethem Likaj / Kërkimi dhe veprimtaritë shkencore në shërbim të zhvillimit social, ekonomik dhe kulturor të vendit Akademik Vasil S. Tole

Pjesa e dytë: Varfëri që pasuron, pasuri që varfëron

Pse e kemi humbur dhe si mund ta fitojmë betejën me varfërinë? Akademik i Asociuar Kosta Barjaba / Varfëria dhe pabarazia: armiqtë që na bashkojnë. Politikat fiskale pro zhvillimit dhe kundër thellimit të pabarazisë Prof. Ass. Dr. Arben Malaj / Strategjitë rishpërndarëse si cikël përsëritës i varfërisë Dr. Grida Duma / Korrelacione midis zhvillimeve demografike, migrimit dhe urbanizimit Akademik i Asociuar Kosta Barjaba, Ilir Beqja / Vulnerabiliteti i familjeve shqiptare ndaj varfërisë: Një analizë mikro-ekonometrike, bazuar në Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës 2008-2012 Dr. Selami Xhepa, Mimoza Agolli, PhD / Punësimi i të rinjve dhe rritja e partneritetit publik-privat në Tiranë Prof. Ass. Dr. Nevila Xhindi, PhD /  Sistemi bankar, zhvillimi ekonomik dhe papunësia Doktorante Irsida Dimoshi (Rusi)

Pjesa e tretë: Varfëri shqiptare në ekonomi globale

Logjika e politikave ekonomike përballë logjikës “racionale” të tregut Prof. Dr. Adrian Civici / Politikat kundër varfërisë në Shqipëri dhe korrelacioni me kontekstin global Doktorant Kastriot Sulka / Varfëri lokale në një ekonomi globale Doktorant Besart Kadia /  

Pjesa e katërt: Arsimi dhe varfëria

Arsimi dhe rritja ekonomike në shoqërinë bashkëkohore: arsyetime teorike Prof. Dr. Luljeta Minxhozi / Liria ekonomike, edukimi dhe sjellja sociale si përcaktues të varfërisë MA Pandeli Garo / Shkollimi: sfidues i varfërisë apo i sfiduar prej varfërisë? Doktorante Nora Malaj / Lidhjet midis arsimit dhe pabarazisë: një vështrim i rishikuar  Valbona Nathanaili

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.