“Revue Internationale des études Balkaniques”, 1936, Beograd: Institut Balkanique Nga Branko Merxhani

“Revue Internationale des études Balkaniques”, 1936, Beograd: Institut Balkanique, f. 629

 V. Nathanaili: Branko Merxhani, në revistën “Përpjekja Shqiptare” , rubrika “Jeta dhe librat” (1936: 274), ka një përmbledhje lidhur me disa artikuj të botuar në revistën “Revue Internationale des études Balkaniques”, 1936, Beograd: Institut Balkanique, f. 629, nga Eqrem Çabej, Skënder Luarasi dhe Perikli Mborja. Përmbledhja është paraqitur pothuaj e plotë. Merxhani vlerëson domosdoshmërinë për më shumë studiues nga Shqipëria me botime të tilla.

 Nga Branko Merxhani

Kemi përpara syve volumin e fundit (dy numra të përbashkëta) të kësaj reviste të madhe balkanologjike, botimi i së cilës filloi vjet, në Beograd, si organ i Institutit Balkanologjik t’atjeshëm. Është një punë me të vërtetë për t’u lavdëruar, sepse përmban bashkëpunimin e vlyer, jo vetëm të shkencëtarëve më të njohur të vendeve të ndryshme të Balkanit, por edhe atë të pjesës më të zgjedhur të balkanologëve t’Evropës.

Mund të themi pa frikë se është revista më e pasur balkanologjike që ka parë gjer më sot dritën botimit. Del rregullisht dy herë në vit me format të madh dhe me shkrime origjinale, të shkruara në frëngjisht, gjermanisht, inglisht dhe italisht.

Përveç kësaj, përmban kërkime të ndryshme që kanë të bëjnë, drejt për së drejti, edhe me Albanologjinë. Volumi i fundit ka më tepër se 12 artikuj dhe shënime që i përkasin historis dhe gjuhës s’onë. Rëndësi të posaçme, nga pikëpamja albanologjike, kanë këto: “Gjendja e sotëshme e kërkimeve illyriane” nga Karl Kerenyi (Budapest), “Gjurmime balkano-latine” nga Norbert Jokl (Wien), “Një suffix shqip në rumanishten” nga Th. Capidan (Bukuresht), “Gjuhët balkanike” nga Kr. Sandfeld etj.

Veç këtyre, janë për t’u kënduar edhe “Një artikull i dokumentuar mbi studimet islamike në Jugoslavi” nga Fehim Bajraktareviç (Beograd), “Ballkani nën sundimin e Romës” nga Rudolf Egger (Wien), “Qytetrimi balkanik n’epokën byzantine” nga Charles Diehl (Paris), “Balkani dhe perandoria bizantine” nga N. Jorga (Bukuresht), “Jeta ekonomike e Balkanit në epokën mesjetare” nga Ivan Zakazov (Sofia), “Shpirti kulturo-historik i Balkanit” nga Vladimir Dvornikoviç (Shkup), “Balkani dhe Evropa” nga A.H.Kober (Frankfurt) etj.

Midis bashkëpunëtorëve dallohen edhe një tokë emna shkencëtarësh të radhës së parë të Balkanit. Nga ana e jonë muarnë pjesë, në redaktimin e këtij volumi të fundit, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi dhe Perikli Mborja, kontributet e të cilëve, gjithsej, zënë 25 faqe. Eqrem Çabej, i cili shkruan një gjermanishte të bukur, jep disa shënime rreth elementeve gjuhësore rumune në shqipen dhe shqipe në rumanishten. Kontribut i tij i dyt përmban disa shënime studimesh të shkurtra të bëra në kornizën e artikullit të linguistit rumun Papahagi mbi “Shprehjet paralele në gjuhët rumune, shqipe, greqishte të re dhe bulgarishte”. Ky artikull është botuar në vitin 1908 në “XIV Jahresbuch” të institutit gjuhësor rumun të Leipzigut. Paralelizmat gjuhësore kërkojnë njohje të gjera dhe tej kufirit të linguistikës indogjermane …

Skënder Luarasi shkruan një skicë të vogël frengjisht mbi letërsinë t’onë. Gjithsej 4 faqe. Zë në gojë me pak fjalë punëtorët e parë të shqipes, poetët e rinj, sidomos Lasgush Poradecin, të cilin e quan “beniamin të poezis shqipe”. Është për të vënë re se Skënderi në këtë shënim të tij të shkurtër në vend që të bënte një ekspoze të paanshme dhe të gjallë, kërkon të rrëfehet si një kritik me tendenca estetike të modës së fundit. Dhe bile çuditërisht na paraqet Lasgushin, poet me kuptimin më të lartë të fjalës dhe përpara çdo gjëje tjatër artist dhe filozof si një “proletar” (!) nga origjina”, i cili paska ecur “mbi një rrugë të gabuar” …

Dhe bashkëpunimi i Perikli Mborja nuk kalon 3 faqe të shkruara në një frëngjishte të bukur dhe plot shije. Arti shqiptar, pa histori dhe pa traditë, – thotë Perikliu, – ësht lindur “impresionist”. Dhe krijonjësit e këtij “impresionizmi shqiptar” janë Vangjush Miho që vjen nga “Shkolla italiane” dhe zonjusha Androniqi Zongo, e cila u formua nëpër “Bukurit artiktekturale të Greqisë”.

Siç shihet, bashkëpunimi shqiptar në këtë volum të madh prej 600 e ca faqesh zë një vend shumë mikroskopik. Për të merituar një vend më të gjerë nëpër botime shkencore të huaja do punë më tepër dhe fuqi më të dendur.

Foto kryesore: Ballina e “Revue Internationale des études Balkaniques, 1936”, të cilës i referohet Branko Merxhani

Foto e dytë: Përmbajtja e revistës, imazhi i së cilës është përpunuar për të paraqitur vetëm punimet shkencore të autorëve shqiptarë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.