Rekomandimet e Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerances në raportin e tij të tretë për Shqipërinë

Rekomandimet e Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerances në raportin e tij të tretë për Shqipërinë

Këshilli i Evropës

9 qershor 2015

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) botoi sot një raport të ri për Shqipërinë, i cili analizon zhvillimet e fundit dhe çështjet pezull dhe jep rekomandime për autoritetet.

Instrumentet juridikë ndërkombëtarë

1. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përfundojnë sa më shpejt procesin e ratifikimit të Konventës evropiane për pjesëmarrjen e të huajve në jetën publike në nivel lokal. Ai u rekomandon po ashtu të bëjnë një deklaratë në bazë të nenit 14 të Konventës për zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit racial dhe për nënshkrimin e Kartës evropiane të gjuhëve rajonale ose të minoritetit, Konventës Evropiane lidhur me statusin e punonjësve migrantë dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punonjësve migrantë.

Dispozita kushtetuese dhe dispozita të tjera themelore

2. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të miratojnë legjislacionin e nevojshëm të prejardhur, që të sigurojë zbatimin në praktikë të garancive kushtetuese lidhur me racizmin, barazinë dhe mosdiskriminimin. ECRI rekomandon gjithashtu të ndërmerren nisma për të sensibilizuar publikun dhe juristët për mundësitë për të shprehur drejtpërdrejt këto garanci kushtetuese.

Dispozita në fushën e së drejtës penale

3. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të parashikojnë shprehimisht, në ligjin penal, që motivi racist të përbëjë një rrethanë rënduese të veçantë për të gjitha veprat penale.

4. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të marrin masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e dispozitave penale lidhur me racizmin, diskriminimin dhe intolerancën. Përveç masave të përgjithshme që synojnë të përmirësojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë penale, ECRI rithekson rëndësinë për t’u dhënë të gjithë atyre që punojnë në sistemin e drejtësisë penale – polici, prokurori dhe gjyqësor – formimin e veçantë lidhur me dispozitat e zbatueshme të legjislacionit kombëtar dhe të sensibilizojnë punonjësit e funksionit publik me problemet e racizmit, diskriminimit dhe intolerancës.

5. ECRI rekomandon gjithashtu të mblidhen të dhëna plotësuese për zbatimin e dispozitave të së ligjit penal në këtë fushë, me qëllim që të vlerësohet efektshmëria e tyre.

Dispozita në fushën e së drejtës civile dhe administrative

6. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të forcojnë edhe më shumë kuadrin ligjor në këtë fushë, duke hartuar një legjislacion të plotë për luftën kundër diskriminimit të drejtpërdrejtë e të tërthortë në fushat kryesore të jetës. Për këtë qëllim, ai u rekomandon autoriteteve të mbajnë parasysh Rekomandimin e tij n° 7 të politikës së përgjithshme mbi legjislacionin kombëtar për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racial. Ai vë përsëri në dukje rolin edukativ dhe parandalues që ky legjislacion mund të luaj dhe nevojën e tij për të nxjerrë në pah praktika diskriminuese.

Administrimi i drejtësisë

7. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë e të forcojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar funksionimin e sistemit gjyqësor.

Organet e specializuara dhe institucionet e tjera

8. ECRI i rekomandon Zyrës së Avokatit të Popullit t’i kushtojë vëmendje të veçantë faktit se ankesa për një çështjeje të marrë, mund të përmbajë në vetvete një element diskriminimi, për më tepër që ky element jo gjithnjë i bie në sy menjëherë qoftë edhe viktimës, konkretisht kur është fjala për diskriminim të tërthortë. Për rrjedhojë, do të ishte me vend trajnimi i personelit të Zyrës me shfaqjet e ndryshme të mundshme të racizmit dhe diskriminimit.

9. ECRI i rekomandon nga ana tjetër Zyrës së Avokatit të Popullit të parashikojë të mbajë parasysh origjinën etnike apo kombëtare të ankuesve në kuadrin e veprimtarive të veta të zakonshme, pikërisht sepse këto të dhëna mund të jenë thelbësore për të zbuluar forma diskriminimi të drejtpërdrejta ose të tërthorta.

10. ECRI mbështet Zyrën e Avokatit të Popullit që parashikon t’i kushtojë vëmendje të veçantë të drejtave të fëmijëve romë dhe i rekomandon fuqimisht të jetë në mënyrë të veçantë po aq i vëmendshëm edhe ndaj të drejtave të fëmijëve egjiptianë.

11. ECRI mbështet autoritetet shqiptare që parashikojnë të krijojnë një organi të specializuar në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racial, duke mbajtur parasysh Rekomandimet e tija N° 2 dhe N° 7 të politikës së përgjithshme.

 Komiteti kombëtar i posaçëm për minoritetet

12. ECRI i rekomandon Komitetit kombëtar të posaçëm për minoritetet të drejtojë vëmendjen përi çështjet diskriminuese, përfshirë edhe diskriminimin e tërthortë.

13. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të bëjnë të mundur që Komiteti kombëtar i posaçëm për minoritetet të ketë burime të nevojshme financiare e njerëzore, me qëllim që të arrihet funksionimi i tij sa më i mirë.

Pritja dhe statusi i shtetasve jo shqiptarë

Refugjatët dhe azil-kërkuesit

14. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë të miratojnë legjislacionin e domosdoshëm dytësor dhe të përcaktojnë masat e tjera të nevojshme për të marrë tërësisht përsipër përgjegjësinë e procedurës së azilit.

15. ECRI nxit autoritetet shqiptare të përkujdesen që, në kuadrin e formimit fillestar e të vazhdueshëm, punonjësit shtetërorë kompetentë të vazhdojnë të marrin formimin e duhur për procedurën e azilit dhe për të drejtat e azil-kërkuesve.

Migrantët në një situatë ilegale  

16. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë të bëjnë të mundur që shtetasit jo shqiptarë që gjendet në Shqipëri në mënyrë ilegale të mos trajtohen si kriminelë.

17. ECRI rekomandon fuqimisht të respektohet parimi i mossprapjes dhe t’u sigurohet mundësi hyrjeje personave që kanë nevojë për mbrojtje dhe asistencë ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ai u rekomandon autoriteteve shqiptare të shtrijnë sa më parë procedurën e shqyrtimit paraprak në zonat kufitare dhe në “zonat neutrale” në kufi.

Edukimi dhe ndërgjegjësimi

18. ECRI mbështet autoritetet shqiptare në përpjekjet që bëjnë për rishikimin e programeve shkollore ; ai rekomandon përsëri ë programe shkollore, në të gjitha nivelet, të përfshihen materiale që kanë të bëjnë me tolerancën, respektimin e dallimit dhe kontributet që japin minoritetet etnike në shoqëri. Mësuesit gjithashtu duhet të përfitojnë formim të nevojshëm në këtë drejtim.

19. ECRI u rekomandon po ashtu autoriteteve të përkujdesen që materialet pedagogjike, konkretisht tekstet e historisë, të mos nxitin stereotipe negative ose mostolerance ndaj ndonjë bashkësie etnike, cilado qoftë ajo, por të zhvillojnë në të kundërt vlerësimin e larmisë kulturore. Për më tepër, ECRI rekomandon që përfaqësuesit e bashkësive të ndryshme etnike të marrin pjesë në këtë proces.

Regjistrimi në gjendjen civile

20. ECRI u rekomandon fuqimisht autoriteteve shqiptare të marrin masa që të gjithë fëmijët romë dhe egjiptianë të regjistrohen në gjendjen civile. Mund të përcaktohen në këtë rast masa pozitive , si fushatat e ndërgjegjësimit dhe zgjatja e afatit prej dyzet e pesë ditësh parashikuar për regjistrim, po ashtu edhe zgjatja e periudhës së heqjes së shpenzimeve për regjistrim, ose masa të tjera të ngjashme që lehtësojnë regjistrimin.

Strehimi

21. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që romët dhe egjiptianët e dëbuar nga banesat e tyre të gëzojnë të njëjtat mundësi ristrehimi dhe të përfitojnë kredi banese, ashtu si dhe qytetarët e tjerë shqiptarë. ECRI u rekomandon po ashtu që çdo dëshmi diskriminimi gjatë një dëbimi të studiohet në mënyrë të thelluar.

22. ECRI mbështet autoritetet në përpjekjet që bëjnë për të rregulluar gjendjet e paligjshme në fushën e strehimit dhe për të ndihmuar personat pa strehë, duke u rekomanduar të bëjnë të mundur që bashkësitë rome dhe egjiptiane të përfitojnë plotësisht nga nisma të tilla.

Përfshirja në edukim

Pjesëmarrja e fëmijëve romë dhe egjiptianë

23.ECRI rekomandon të ndërmerren sa më shpejt nisma që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve romë dhe egjiptianë në të gjitha nivelet e edukimit. Këto masa mund të jenë: dispozita financiare për t’u ardhur në ndihmë familjeve më të varfra që të përballojnë shpenzimet e shkollimit; ndërgjegjësim i prindërve për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve; marrja në punë e romëve dhe egjiptianë si mësues dhe drejtor shkollash; formim i veçantë i arsimtarëve për t’i bërë ata të ndjeshëm ndaj diskriminimit dhe nevojave të fëmijëve romë dhe egjiptianë; dhënie sigurie që tekstet shkollore nuk nxisin stereotipa negativë për sa i përket romëve dhe egjiptianëve, por përkundrazi, përmbajnë informacione për kulturën rome e egjiptiane dhe për kontributin pozitiv që japin këto bashkësi në shoqërinë shqiptare.

24. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që masat e përpunuara në kuadrin e “Strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve” të zbatohen në nivel vendor, me qëllim që të rritet pjesëmarrja e fëmijëve romë në të gjitha nivelet e edukimit. Ai u rekomandon organizatave dhe bashkësive rome në nivel lokal të marrin pjesë aktivisht në realizimin dhe zbatimin e masave që i përshtaten nevojave të bashkësisë së tyre. Përveç masave të lartpërmendura, do të ishte me vend të parashikohej, në rast nevoje, një formim paraprak dhe plotësues në gjuhën shqipe dhe mundësi mësimi të gjuhës romani. Po ashtu, ECRI u rekomandon fuqimisht autoriteteve të zgjidhin çdo problem regjistrimi dhe dokumentesh identifikimi që pengojnë fëmijët të shkollohen, dhe të bëjnë kështu të mundur që fëmijët të shkojnë në shkollë gjatë këtij procesi.

25. ECRI nxit autoritetet të mbështesin dhe të zgjerojnë nismat joqeveritare që kanë dhënë rezultate të mira, si krijimi i kopshteve për fëmijë, në të gjitha bashkësitë që kanë nevojë.

26. ECRI u rekomandon autoriteteve të kujdesen që të mos ketë diskriminim në shkollë ndaj fëmijëve romë dhe egjiptianë, konkretisht ai i caktimit të tyre në fund të klasës.

Mësimi në gjuhët minoritare

27. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të konsiderojnë dhënien e mundësive për mësimdhënie në gjuhët e minoritetit.. ECRI i rekomandon gjithashtu autoriteteve shqiptare të kenë parasysh rrugën e nxitjes së kontakteve midis fëmijëve me origjina etnike të ndryshme dhe të parashikojnë në këtë mënyrë modele të ndryshme mësimi në gjuhët minoritare, si shkolla ose klasa dygjuhëshe. ECRI u rekomandon nga ana tjetër autoriteteve shqiptare të pranojnë në këto programe fëmijë që nuk vijnë nga ndonjë grup minoritar ose që vijnë nga familje e përzier.

Media

28. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të informojnë profesionistët e mediave për nevojën e miratimit të kodeve vetdisiplinuese për luftën kundër çdo dhënieje informacioni që do nxiste racizmin, diskriminimin dhe intolerancën, duke mbështetur në të kundërt një paraqitje të paanshme dhe të ekuilibruar të fakteve, të cilat do të bënin të mundur zhvillimin e një klime të favorshme për diversitetin.

29. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të informojnë profesionistët e mediave për domosdoshmërinë e dhënies së informacione të nevojshme për jetën e përditshme, problemet dhe shqetësimet e anëtarëve të bashkësive minoritare.

30. ECRI u rekomandon po ashtu të bëjnë gjithçka për t’u lejuar anëtarëve të grupeve minoritare të futen në shtypin e shkruar dhe elektronik.

Qëndrimi i përfaqësuesve të ligjit

31. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që rastet kur policia keqtrajton anëtarë të grupeve minoritare, të jenë objekt të një hetimi të thellë dhe autorët e shkeljeve t’i jepen drejtësisë. Ai rekomandon që procedura lidhur me hetimin e ankesave të ndiqet nga një organizëm i pavarur hetimi. Hetimi të ndiqet dhe mbikëqyret në tërë fazat e procedurës nga një organizëm i pavarur nga policia dhe Ministria e Rendit Publik.

32. ECRI thekson se rastet kur policia ushtron keqtrajtime që i paraqiten gjyqit, duhen trajtuar e përfunduar në mënyrën më të shpejtë të mundshme dhe autorët të ndëshkohen siç e meritojnë, me qëllim që shoqëria të kuptojë se të tilla qëndrime nga ana e policisë janë të patolerueshme dhe të ndëshkueshme.

33. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përkujdesen që formimi me të drejtat e njeriut të jetë pjesë përbërëse e përgatitjes mësimore të policisë, në formimin fillestar dhe vazhdues, dhe të përfshijë të dhëna për racizmin dhe diskriminimin, si dhe për legjislacionin e zbatueshëm në këtë drejtim.

Monitorimi i situatës

34.ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të bëjnë një regjistrim kombëtar që të përmbajë një çështje lidhur me përkatësinë etnike, duke respektuar parimet e mirëbesimit dhe identifikimit vetjak të vullnetshëm. Në etapat e ndryshme të këtij procesi, duhen përfshirë përfaqësues të grupeve etnike minoritare.

35. Për më tepër, ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që disa njerëz të mos e kenë të pamundur për të bërë të njohur zyrtarisht identitetin e tyre etnik, thjesht ngaqë nuk banojnë në zona tashmë të klasifikuara si zona minoritetesh.

36. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të krijojnë një sistem të tillë mbikëqyrjeje që të lejojë mbledhjen e të dhënave për gjendjen e bashkësive të ndryshme minoritare, matjen e shkallës e të shkaqeve të diskriminimit si dhe efektin e masave që duhen marrë për ta luftuar. Një sistem i tillë duhet të respektojë parimet e mirëbesimit dhe identifikimit vetjak të vullnetshëm të njerëzve që i përkasin një grupi të caktuar. Një kontroll i tillë duhet të ketë parasysh po ashtu kriterin e barazisë midis burrit e gruas, veçanërisht në këndvështrimin e një diskriminimi të mundshëm të dyfishtë a të shumëfishtë.

 ÇËSHTJE TË VEÇANTA

Mënjanimi dhe pakujdesia ndaj romëve dhe egjiptianëve

37. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të analizojnë mënyrën se si romët dhe egjiptianët mund të jenë objekt i formave të ndryshme të diskriminimit të tërthortë në fusha të ndryshme të jetës, dhe të vlerësojnë efektin e stereotipave negative dhe të paragjykimeve që rëndojnë mbi këto grupe minoritare.

38. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të marrin masa për t’u kujdesur që bashkësitë rome dhe egjiptiane të mos jenë objekt diskriminimi nga indiferentizmi i disa drejtuesve dhe punonjësve të tjerë me funksione publike. ECRI kërkon nga këta të fundit, në nivel kombëtar e vendor, t’u kushtojnë vëmendjen e duhur problemeve dhe nevojave të veçanta të këtyre bashkësive në të gjitha fushat e jetës dhe t’u garantojnë integrim të plotë në jetën ekonomike, sociale e politike. ECRI thekson se masa konkrete mund të jenë të nevojshme për t’u siguruar barazi faktike bashkësive rome dhe egjiptiane.

39. ECRI u rekomandon autoriteteve të vazhdojnë dhe të thellojnë përpjekjet për të zbatuar “Strategjinë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve” dhe të kujdesen në mënyrë të veçantë që strategjia të ndiqet dhe të zbatohet me efektshmëri në nivel vendor.

Pjesëmarrja e minoriteteve në jetën publike

Pjesëmarrja në marrjen e vendimeve politike

40. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të marrin masa për t’u kujdesur që grupet minoritare, konkretisht romët dhe egjiptianët, të përfaqësohen efektivisht në gjirin e organeve politike në rrafsh kombëtar e vendor.

41. ECRI rekomandon të ndërmerren nisma për të rritur pjesëmarrjen e romëve dhe egjiptianëve në proceset politike, duke kryer konkretisht studime lidhur me shkaqet për të cilat një numër i madh egjiptianësh e romësh nuk janë regjistruar në listat elektorale, dhe duke marrë masa për të përballuar këto probleme.

Përfaqësimi në institucionet publike

42. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të marrin masa për të rritur përfaqësimin e anëtarëve të grupeve të ndryshme minoritare të vendit në institucionet e shtetit, konkretisht në shërbimet publike, forcat e armatosura, sistemin gjyqësor dhe polici, si në nivel kombëtar, ashtu dhe vendor. ECRI i nxit gjithashtu të kenë parasysh që nisma të tilla të mos mbeten të kufizuara vetëm në zonat e klasifikuara më parë si zona minoritare.

Konsultimi dhe pjesëmarrja e anëtarëve të grupeve minoritare

43. ECRI rekomandon krijimin e mekanizmave zyrtarë dhe jozyrtarë për të bërë të mundur që elementët dhe interesat e ndryshëm të grupeve minoritare të konsultohen dhe të marrin pjesë në vendimmarrje në rrafsh kombëtar dhe vendor.

44. ECRI u rekomandon fuqimisht drejtuesve publikë shqiptarë të mos kufizohen vetëm tek një përfaqësues ose një numër i kufizuar përfaqësuesish që bëjnë pjesë në organizma publikë ose që kanë funksione në rrafsh kombëtar, për të shprehur interesat e grupeve të ndryshme minoritare, por të kërkojnë gjithashtu zëra të tjerë në nivelin më të afërt të popullsisë, konkretisht midis njerëzve drejtpërdrejt të interesuar për një numër masash e vendimesh.

45. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të nxisin dhe të mbështesin nisma edukimi dhe formimi për të bërë më shumë të mundur që romët dhe egjiptianët të marrin pjesë aktivisht në marrjen e vendimit politik. Në mënyrë të veçantë, do të ishte me vend formimi me edukatë qytetare dhe rritja e aftësive vepruese të organizatave aktive të shoqërisë civile në terren.

46. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të nxisin e të përkrahin pjesëmarrjen në rrafsh lokal të bashkësive minoritare dhe të organizatave aktive në përpunimin, zbatimin dhe përfundimin e projekteve dhe masave për të cilat ato janë drejtpërdrejt të interesuara.

Zbatimi i Strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve

47. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përkujdesen që romët të marrin pjesë rregullisht, në të gjitha drejtimet, gjatë zbatimit dhe vlerësimit të Strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve në rrafsh kombëtar e lokal. Ai u kërkon të bëjnë të mundur që të përfshihen në të anëtarë të bashkësive rome të interesuar drejtpërdrejt për strategjinë, si dhe organizata të ndryshme rome që veprojnë në nivel vendor.

Trafiku i fëmijëve romë dhe egjiptianë

48. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë e të thellojnë përpjekjet për të luftuar kundër trafikut të fëmijëve. Këtyre përpjekjeve u duhet kushtuar vëmendja e duhur dhe burime të mjaftueshme, me qëllim që të arrihet në ndërgjegjësimin, parandalimin, kthimin e fëmijëve të zhdukur, mbrojtjen dhe përkujdesin ndaj viktimave pas kthimit, si dhe në riintegrimin e tyre.

49. ECRI rekomandon fuqimisht të përfshihen drejtpërdrejt përfaqësuesit e bashkësive egjiptiane dhe rome në përpunimin dhe zbatimin e masave që synojnë të luftojnë trafikun e fëmijëve të tyre.

50. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të bashkëpunojnë me komunitetet egjiptiane dhe rome për të përcaktuar nisma të efektshme ndërgjegjësimi, me qëllim që këto bashkësi të njihen nga afër me fenomenin dhe për të përpunuar masa parandaluese rezultative për t’u bërë ballë problemeve bazë, si: varfërisë, mungesës së rrethanave ekonomike favorizuese dhe nivelit të dobët të arsimimit.

51. ECRI thekson se autoritetet shqiptare duhet të marrin me shpejtësi masat e domosdoshme për të siguruar që Strategjia kombëtare e luftës kundër trafikimit të zbatohet në mënyrë të efektshme në rrafsh lokal. Në këtë drejtim, ECRI nxit autoritetet shqiptare të bëjnë të mundur që personat përgjegjës publikë nëpër rrethe të njohin detyrat e tyre në këtë fushë, të kenë burime të mjaftueshme për t’i realizuar si duhet dhe të marrin formimin e nevojshëm për të qenë të përgatitur në këtë drejtim. Më në fund, ECRI e sheh të dobishme të krijohet një mekanizëm koordinimi e kontrolli për veprimtaritë që do ndërmarrin përgjegjësit e rretheve lidhur me zbatimin e strategjisë kombëtare.

Diskriminim bazuar mbi identitetin egjiptian

52. ECRI u kërkon autoriteteve shqiptare të bëjnë të mundur që parimi i mosdiskriminimit të zbatohet plotësisht ndaj egjiptianëve në Shqipëri.

53. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përkujdesen që egjiptianët të mos jenë viktima të diskriminimit lidhur me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e tyre në institucionet publike të ngarkuara për t’iu përgjigjur nevojave dhe preokupimeve të minoriteteve në Shqipëri. ECRI rekomandon konkretisht që egjiptianët të përfaqësohen në Komitetin kombëtar të posaçëm për minoritetet dhe të merren në konsideratë nga Zyra e minoriteteve kombëtare.

54. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare t’i kushtojnë vëmendje të veçantë problemeve që hasin bashkësitë egjiptiane dhe të marrin në bashkëpunim me to masa të efektshme për nevojat e tyre të veçanta, konkretisht masa për luftën kundër çdo forme diskriminimi të tërthortë apo racizmi, që drejtohet ndaj tyre. Autoritetet shqiptare mund të parashikojnë miratimin e një Strategjie kombëtare të posaçme për përmirësimin e gjendjes së egjiptianëve në Shqipëri.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.