Reforma e shkollave të mesme – iniciuar datë 13.5.1937

Reforma e shkollave të mesme – iniciuar datë 13.5.1937

Shkëputur nga libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”

Burimi: Valbona Nathanaili

Më datë 13.5.1937, me vendim Nr. 438, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Arsimit, autorizon ngritjen e një komisioni që do të merret me studimin e organizimit të arsimit fillor e të mesëm, si dhe me çështje që lidhen me numrin e nxënësve në nivele të ndryshme të shkollimit, unifikimin e programeve shkollore, vlerësimin dhe përpilimin e teksteve shkollore. Në shkresë shkruhet:

  • Këshilli Ministruer, në mbledhjen e tij të sotshme, mbajtur nën kryesinë e z. Koço Kotta kryeministër, zv.Ministër i Punëve të Jashme dhe zv.Ministër i Punëve Botore, me anëtarë zz. Thoma Orolloga Ministër i Drejtësisë, Musa Juka Ministër i Punëve të Brendshme, Kol Thaçi Ministër i Financave, Faik Shatku Ministër i Arsimit, Terenc Toçi Ministër i Ekonomisë Kombëtare, pati në bisedime shkresën datë 4.5.1937 të Ministrit të Arsimit, me anë të së cilës kërkohet caktimi, në vija të përgjithshme, i politikës arsimore, sipas nevojave të gjendjes së sotshme

VENDOSI

  • formimin e një komisioni permanent pranë asaj Ministrie, të përbërë prej zz. Aleksandër Xhuvani, Drejtor i Shkollës Normale, Elbasan, Sotir Papahristo, Drejtor i Institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë dhe Beqir Sinani, Shef i Seksionit të Arsimit Fillor e Normal, të cilët kanë për të studiuar:
  1. Organizimin e arsimit përgjithësisht;
  2. Organizimin e konvikteve fillore me i dhanë drejtime praktike bujqësore;
  3. Kufizimin e shkollave të mesme;
  4. Kufizimin e numrit të nxënësve që do të pranohen në shkolla të mesme të ndryshme;
  5. Mënyrën e rregullimit të shkollave profesionale e bujqësore të mesme;
  6. Shqyrtimin e programeve shkollore;
  7. Shqyrtimin dhe përpilimin e teksteve shkollore;
  8. Përgatitjen e ligjeve dhe rregulloreve të arsimit, tue i’a parashtrue Këshillit Ministror përfundimin e studimit me një raport shkoqitës, bashkë me një Projekt-Ligjë mbi mënyrën e funksionimit, si dhe të drejtën e rrogave të anëtarëve të Komisionit Permanent.

Një nga rezultatet e punës së këtij komisioni është hartimi dhe miratimi i “Ligj për reformën e shkollave të mesme”, votuar nga Parlamenti me shkresë Nr. 451/I, datë 19.4.1938 të Kryesisë së tij dhe botuar në Fletoren Zyrtare më 25 maj 1938. Ligji përmban 213 nene dhe hyn në fuqi për vitin e ri shkollor, 1938-1939.

Në krahasim me dekret-ligjin e vitit 1934, shkollat e mesme e zgjerojnë shumë fushën e përmbajtjes dhe të përgatitjes së nxënësve.

Ligji trajton llojet e shkollave të mesme, oraret, programet e tekstet shkollore, nxënësit, provimet, taksat, personelin drejtues, arsimor, të sekretarisë e të shërbimit, gjendjen juridike dhe ekonomike të drejtorëve, mësuesve, personelit, zëvendësit dhe ngarkesat e tyre, konviktet e shtetit, ndërtesat dhe pajisjet e tyre dhe përmban edhe disa dispozita të ndryshme e transitore.

Sipas ligjit të ri, shkolla të mesme në Shqipëri janë (neni 1): shkolla e punës, instituti teknik, shkolla normale dhe liceu. Po sipas këtij neni, shkalla e tyre është e ulët dhe e lartë. Janë shkolla të shkallës së ulët: shkolla e punës, kursi i ulët i institutit teknik, kursi i ulët i shkollës normale dhe kursi i ulët i liceut; janë shkolla të shkallës së lartë: kursi i lartë i institutit teknik, kursi i lartë i shkollës normale dhe kursi i lartë i liceut. Themelimi i shkollave të mesme, të çdo lloji e shkalle, bëhet vetëm me dekret mbretëror, bazuar në propozimin e Ministrisë së Arsimit, me vendim të Këshillit të Ministrave. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, mësuesit në shkollat e mesme do të pranohen me konkurs. Numri i nxënësve në klasë është i kufizuar (neni 4): klasat e shkallës së ulët nuk mund të kenë më shumë se 45 nxënës, ndërsa ato të shkallës së lartë jo më shumë se 40.

Afro mbas një viti, po këtij ligji i bëhen disa ndryshime të tjera, botuar në Fletoren Zyrtare datë 31.3.1939, nr. 24.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.