Reflektime rreth librit “Transedencë & transformim” Nga Dr. Thimi Nika

Reflektime rreth librit “Transedencë & transformim”

Nga Dr. Thimi Nika

Johan Galtung, autori i këtij libri tejet të vyer, është ndër autoritetet më të spikatura të botës së sotme në fushën e konflikteve. Ai ka merita të padiskutueshme jo thjesht për mënyrën e të shkruarit dhe të paraqitjes së konkluzioneve aq të qarta dhe mbresëlënëse, por për përmasat shumëdimensionale që u jep atyre. Kjo është rrjedhojë logjike e pozicionit të tij si mediator e këshillues – ndër më të njohurit – por edhe si pjesëmarrës i drejtpërdrejt në zgjidhjen e shumë e shumë konflikteve, ku ndihmesa e tij shpesh herë ka qenë vendimtare.

Lexuesi që merr në duar librin “Transedencë & transformim” duhet ta konsiderojë veten me fat! Sigurisht që do ta ketë të vështirë të shkëputet prej tij pa e përfunduar me një frymë. Është një libër që të mban në tension të vazhdueshëm, që të servir bukur një informacion tejet të bollshëm, të grumbulluar gjatë një përvoje mbi 40-vjeçare, por që të shërben edhe si një udhërrëfyes shumë i mirë në çdo rast analog që mund të të paraqitet në jetë, si për konfliktet e thjeshta, ashtu edhe për ato gjeopolitike

Mesazhet e shprehura nëpërmjet rrëfimeve të këtij personaliteti të shquar të kujtesës historike të kohës janë tejet të qarta, të pandërmjetme, bindëse dhe të argumentuara deri në fund. Ndër to mund të veçoja: të gjitha konfliktet, qofshin ato të jetës së përditshme, qofshin gjeopolitike, janë njësoj të barabarta; analiza dhe zgjidhja me transedencë e tyre për t’i transformuar është detyrim që kërkon angazhim maksimal nga cilido që, me dashje a padashje, bëhet mediator, këshillues apo edhe pjesëmarrës i tyre. Natyrisht që nuk humbet në detaje e në përshkrime të hollësishme, por thekson gjërat që rrezatojnë një simbolikë e një kuptimësi të rëndësishme, shumësore e komplekse. Së këndejmi, brenda hedhjes në letër të mendimeve dhe përvojës konkrete për çdo konflikt të asistuar, autori mjeshtërisht nxjerr në pah më qenësoren, që edhe ndikimi i saj të jetë më i madh dhe i pamëdyshtë. Kjo e bën lexuesin të meditojë, pse jo dhe ta vërë veten në pozicionin e pjesëmarrësit për zgjidhjen e konfliktit real e jo të sajuar, si dhe të formulojë “recetën” e tij personale për rastin konkret  a raste të tjera të ngjashme.

Themelore është fryma e konsensusit që krijohet ndërmjet lexuesit dhe mesazheve e mendimeve të autorit të librit.

Ndër meritat e librit është edhe strategjia e perceptimit dhe ndërtimit të tij me kapituj që emërtohen me ditët e javës. Në këtë mënyrë, reflektohet për gjithçka që ndodh në harkun e një jave, duke krijuar një atmosferë optimiste e njëherësh shqetësimi të ligjshëm, fryt i pjekurisë intelektuale, i kuvendimit dhe vlerësimit real të gjendjes e gjallimit të konflikteve, përherë në funksion të konceptimit të veprës dhe idesë e qëllimit të autorit.

Libri “Transedencë & transformim” është njëri ndër rreth njëqind librat e shkruar nga Johan Galtung. Libri nuk është i vlefshëm vetëm për mënyrën e perceptimit e zgjidhjes së konflikteve të botës së sotme dhe për rrafshin e gjerë të problemeve që ngërthen, por edhe për gjuhën e thjeshtë e tejet të pasur, përkatësisht për nuancat e ngjyrimet kuptimore e shprehëse të mesazheve, për ritmin që e karakterizon dhe, veçmas, për aspektin krahasues. Të gjitha këto së bashku i japin veprës një domethënie të jashtëzakonshme e simbolikë të shumëfishtë.

Veprën e Prof. Johan Galtung do ta konsideroja një thesar të parapëlqyer për bibliotekën e cilitdo intelektuali që mëton të përzgjedhë vlerat më të mira në tregun e jashtëzakonshëm të sotëm të librit. Natyrisht, ai është me interes të gjithanshëm teorik e praktik veçanërisht për mësuesit, punonjësit e shkencave politike e sociale, për studentët e këtyre fushave e më gjerë.

Foto kryesore

Pikturë, Thimi Nika, realizuar nga Emin Shaqja

Foto I

Ballina e librit

Foto II

Dr. Thimi Nika dhe gazetarja Rezarta Reçi, gjatë xhirimeve për emisionin “Arratia e Peshkut të Kuq” në News 24, transmetuar dt.  6 qershor 2014.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.