Reflektime rreth librit “Pasojat e modernitetit”  Nga Valbona Nathanaili

Hapësirë-koha në modernitetin giddensian

Reflektime rreth librit “Pasojat e modernitetit” 

Nga Valbona Nathanaili 

Për shumë nga ne që pretendojmë se kemi një farë njohurie rreth shkencave të natyrës, diskutimin rreth kohë-hapësirës dhe marrëdhënieve ndërmjet tyre, zakonisht e zhvillojmë duke vënë përballë pikëpamjet e Aristotelit me ato të Njutonit ose të Ajnshtajnit me ato të Hawking. Por pavarësisht faktit se në debat mund të sillen gjithmonë argumenta të shumëllojshme, si dhe ndërgjegjësimit se secili prej katër personazheve historikë të cituar më lart kanë jetuar në kohë dhe hapësira të ndryshme (bëjnë përjashtim Njutoni e Hawking që distancohen vetëm në kohë), thelbi pak a shumë ka qenë gjithmonë ky: A janë hapësira dhe koha një skenë statike ku zhvillohen ngjarjet dhe e pandikuar nga ajo që ndodh aty, apo një skenë dinamike në të cilën, jo vetëm veprimi i forcës apo ndodhia e ngjarjes ndikon në konfigurimin e kohë-hapësirës, por edhe vetë kohë-hapësira ndikon në mënyrën e veprimit të forcës apo ecurisë së ngjarjes.

Përpjekjet tona për të shpjeguar natyrën ndërthuren me ato për të shpjeguar shoqërinë dhe vetë konceptet, si pjesë e refleksionit nga një lloj dije në një tjetër, të trajtuara në perspektiva të ndryshme a të ngjashme, bëhen pjesë e njësimit të tyre. Për Anthony Giddens, autorin e “Pasojat e modernitetit” sjellë në shqip nga UET Press, koncepti hapësirë-kohë është po aq i rëndësishëm sa për shkencat e natyrës, por në një vizion të ri. Në shkencat e natyrës, e ardhmja dhe e kaluara nuk kanë asnjë dallim në të gjithë boshtin ‘kohë’ (kohë imagjinare). Kështu, ne jemi në gjendje jo vetëm të parashikojmë të ardhmen, për shembull, të llogarisim deri në të mijtat e sekondës se kur do të ndodhi eklipsi i radhës së diellit ose të hënës, por edhe sa herë të tjera ka ndodhur e do të ndodhë. Për më tepër, në fizikë ne i lidhim gjithmonë bashkë hapësirën me kohën. Për kushte fillestare të dhëna, jemi në gjendje, në boshtet karteziane të kohë-hapësirës, të parashikojmë zhvillimin e një ngjarjeje në një vend të caktuar të hapësirës dhe në një çast (ose interval) të caktuar të kohës. Në ndryshim, në shkencat shoqërore ne kujtojmë vetëm të kaluarën (atë që është mbrapa dhe gjendet, në gjuhën e fizikës, në pjesën 0, – ∞ të boshtit të kohës), ndërkohë që të ardhmen (atë që është përpara dhe gjendet, në gjuhën e fizikës, në pjesën 0, +∞ të boshtit) vetëm mund ta përfytyrojmë ose të shpresojmë se mund të ndodhë! Për Giddens-in kalimi nga shoqëritë para-moderne në ato moderne mund të shpjegohet nëpërmjet kohë-hapësirës dhe marrëdhënies së re që krijohet ndërmjet tyre. Në shoqëritë para-moderne askush nuk mund të tregonte kohën e ditës pa iu referuar shenjave të tjera socio-hapësinore: “kur” në mënyrë universale lidhej ose me “ku”, ose identifikohej nëpërmjet ndonjë fatkeqësie natyrore … . Sa më e distancuar të jetë koha nga hapësira, aq më e zhvilluar është shoqëria.

Në mbështetje të këtij argumenti, autori inventarizon të gjitha kushtet fillestare: shpikjen e kalendarit dhe të orës, zhvillimin e postës dhe të hartave, lindjen e internetit dhe të bankave e u jep kuptim të ri, tregon se si, secila prej tyre ndikoi që jeta sociale, me koordinata të lidhura kohore e hapësinore në shoqëritë para-moderne, të mund të planifikohej dhe të zhvillohej në hapësira të papërcaktuara, si dhe të nxisë marrëdhënie ndërmjet të tjerëve “në mungesë”, lokalisht në distancë nga njëri-tjetri dhe pa mundësinë më të vogël të një ndërveprimi ballë për ballë. Pra, këto singularitete ndanë kohën nga hapësira dhe çuan në lindjen e modernitetit. Në të njëjtën kohë, autori synon t’a riorientojë objektin e studimit të sociologjisë jo vetëm drejt çfarë, por edhe pse, duke qenë, në të njëjtën kohë, sociolog e analist, filozof e teknik. Duke perifrazuar Wittgenstein, Giddens nuk kujdeset “vetëm për gjuhën”, por qëndron në linjën e klasikëve të shekujve shtatëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë, pasi e vendos bazën e veprës së tij mbi parimet e shkencave të sakta, në përpjekje për të bërë atë që Ajnshtajni bëri në fizikë: të ndryshojë perceptimet tona. Sipas Giddens, ne po lëvizim sot drejt periudhës së “modernitetit të zhvilluar”. Duke kërkuar të trajtojë një teori sa më të plotë mbi modernitetin, autori një vend të rëndësishëm i kushton edhe pasojave që ky rend i ri solli në marrëdhëniet dhe institucionet shoqërore, në çrrënjosjen dhe dinamizmin e shpërndarjes së tyre. Autori vazhdimisht u referohet klasikëve të mendimit sociologjik në perspektiva krahasuese duke shprehur, në të njëjtën kohë, edhe mendimin e tij pro ose kundra. Është një libër i shkruar për t’u kuptuar jo vetëm nga një grup i vogël profesionistësh a filozofësh, por edhe nga publiku i gjerë.

Foto kryesore: Në të majtë, autori i librit “Pasojat e modernitetit”, Lord Anthony Giddens.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.