Qeveria e kryesuar nga Fan Noli dhe programi për arsimin

Qeveria e kryesuar nga Fan Noli dhe programi për arsimin

Revolucioni Demokratik i Qershorit

Burimi: Valbona Nathanaili

Fan Noli, për gjashtë muaj (16 qershor 1924 – 24 dhjetor 1924), udhëheq një qeverisje demokratike, e cila në mënyrë të dëshpëruar provon të përballet me problemet katastrofike, me natyrë politike dhe ekonomike, që paraqet shteti i ri shqiptar.

I ashtuquajturi “Revolucioni Demokratik i Qershorit”, së bashku me propagandistët kryesorë të tij, ka edhe mbështetjen e Faik Konicës, i cili në gazetën “Dielli”, botim i Federatës panshqiptare “Vatra”, në Amerikë, pasqyron ngjarjet kryesore që ndodhin në Shqipëri. Shkrimet e Konicës mbështesin Fan Nolin e Stavro Vinjaun dhe kritikojnë ashpër, në këtë periudhë, Ahmet Zogun dhe gjithë klasën politike shqiptare për “korrupsion dhe injorancë”. Por sipas Ersoy et al (2010: 177), duhet theksuar se, “Konica nuk ishte radikal në opozitën që i bënte politikës së Ahmet Zogut dhe nuk e mbështeti revolucionin si të vetmen zgjidhje”.

Më 16 qershor, Sotir Peci, i vetmi anëtar i Këshillit të Lartë, cakton Fan Nolin, peshkopin e Durrësit, si kryeministër dhe e fton të krijojë qeverinë e re.

Qeveria e kryesuar nga Fan Noli dhe programi i saj 

Programi me 20 pika i qeverisë së Nolit për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përmban: çarmatimin e përgjithshëm dhe pa përjashtim të popullsisë; rivendosjen e qetësisë, rregullit dhe pushtetin e ligjit; lartësimin e rolit të shtetit; “shrranjosjen e feudalizmit, shlirim i popullit dhe vendosje definitive e demokratis në Shqipni”; reduktim të burokracisë, ulje e numrit të të punësuarve në administratën shtetërore, emërimin e tyre në bazë të aftësive, moralit e patriotizmit, sigurimi i të drejtave dhe detyrave të nëpunësit të shtetit nëpërmjet ligjit; organizim me kompetencë të komunave për të përmirësuar gjendjen e katundeve dhe të katundarëve; kursime në buxhet; ndryshim të sistemit të taksave, me synim që popullit të lehtësohet sa më shumë; lehtësira në hyrjen e kapitalit të huaj dhe mbrojtje e organizim të kapitalit të brendshëm; rritje të prestigjit të shtetit shqiptar në botën e jashtme; pavarësi të gjyqësorit dhe reforma radikale në legjislacion; organizim më të mirë të shëndetësisë dhe të arsimit; marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet, veçanërisht me fqinjët.

Qeveria e kryesuar nga Fan Noli dhe programi për arsimin

Ministër i Drejtësisë në kabinetin e Fan Nolit dhe, për një periudhë, edhe i Arsimit është Stavri Vinjau (Deputet i Këshillit Kombëtar, dalë nga zgjedhjet e para të zhvilluara në Shqipëri, më 5 prill 1921). Sipas Austin, Vinjau ka pikëpamje të majta, sepse në qeverinë e Nolit është mbështetës i krahut të majtë dhe përkrahës i idesë së njohjes së BRSS në arenën ndërkombëtare.

Në programin me 20 pika të qeverisë së Nolit, përfshihet edhe çështja e organizimit të arsimit kombëtar (pika 19):

  • 19) Organizim i Degës s’arsimit mbi baza moderne, kombëtare e praktike në mënyrë që prej shkollave t’ona të dalin qytetas të vlefshëm, patriotë e puntorë të mirë.

Për shkak të kohës jashtëzakonisht të shkurtër sigurisht që kjo qeveri nuk arriti të zbatojë programin e saj. Por sipas kronologjisë, ngjarja më e rëndësishme në fushën e arsimit është Kongresi i tretë Arsimor Kombëtar, i cili u mbajt në gusht të vitit 1924, në Tiranë. Në Kongres marrin pjesë 33 delegatë nga i gjithë vendi. Më 21 gusht 1924 Ahmet Gashi i njofton Ministrisë së Arsimit të 11 pikat e vendimeve të Kongresit, midis të cilave, kërkohet: arsim në bazë demokratike e kombëtare; shkollat e Shqipërisë duhet të jenë një e të përbashkëta, në çdo vend e nga çdo pikëpamje; zbatimi i arsimit të detyruar edhe për femrat; hapja e shkollave gjysmë-gjimnaze në Elbasan, Durrës e Berat; themelimin e “Lidhjes së Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë”; ngritjen e sistemit të konvikteve për fëmijët e zonave malore.

Më 2.12.1924, kuadri i Ministrisë së Arsimit (AQSh. Fondi nr. 295, viti 1924, dosja nr.72, fl. 1-2.) përbëhet nga 14 persona. Ministri e ka rrogën 800 franga ar. Pjesë e kuadrit të kësaj ministrie janë:

  • Mihal Sharko        Drejtor i përgjithshëm                  400 fr.ar
    Ahmet Gashi         Shef i seksionit A                           320 fr.ar
    Gulielm Luka       Shef i seksionit B                            320 fr.ar
    Nebil Çika             Sekretar i parë i seksionit A         260 fr.ar
    Selim Stërmasi    Sekretar i dytë i seksionit A          220 fr.ar
    Nuri Mara             Sekretar i parë i seksionit B         220 fr.ar
    Mahmud Basha    Protokollist                                     200 fr.ar
    Mustafa Banka     Arkivist                                            180 fr.ar
    Shyqyri Fortuzi    Kopist i parë                                   150 fr.ar

Foto kryesore: Fotokopje e një pjese të programit të qeverisë së Fan Nolit. Burimi: Rregullore dhe ligje, viti 1924.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.