Profeti modern i shqiptarizmit Nga Riza Braholli

Profeti modern i shqiptarizmit (ese kritike)
Nga Riza Braholli
Shënime për poezinë “Vallja shqiptare” të Ismail Kadare

Ky shkrim e ka zanafillën kohë më parë, gjatë një ore mësimi, teksa u shpjegoja nxënësve gjuhën dhe llojet e shumta të komunikimit, ndërsa për të qenë sa më interesant në ato që referoj, bazohem në poezinë “Vallja shqiptare” të Ismail Kadaresë. E lexoj shpesh këtë poezi dhe gjithmonë më ngjall një lloj shije të mirë e pikante, ndërsa imazhet tejet origjinale, thellësia e mendimit dhe mesazhi duken drita e shkëlqyer që ndriçon një monument madhështor.

Tash vonë m’u kujtua përsëri, në një nga ditët e kësaj vjeshte, duke pirë kafe me një nga miqtë e mi më të dashur, me poetin zemër e mendjedritur Petrit Ruka dhe bisedonim rreth poezisë e folklorit, poetëve e krijuesve që kanë hapur hulli e kanë lënë gjurmë të thella me lëvrimin e tyre të shkrimit shqip. E nëse bëhet fjalë për letërsinë e sotme shqipe, nuk ka si të mos shkojë fjala te kontributi estetiko-poetik i Ismail Kadaresë. Aty u përforcua edhe më ideja e një shkrimi për poezinë në fjalë që sot po përpiqem ta konkretizoj.

“Vallja shqiptare” e Ismail Kadaresë, me të gjitha detajet e imazhet e saj, shërbyen si një pikënisje për të folur rreth valles, shenjave, marrëdhënieve të saj me muzikën, shenjimin e një bote në erë, nevojën njerëzore për të shprehur nëpërmjet kësaj gjuhe atë marrëdhënie që ndodh midis trupit e shpirtit, midis tokës dhe qiellit; diçka që është e prekshme nga syri, e perceptueshme nga mendja dhe e ndjerë nga zemra. Arti i ngritur mbi vallen më kishte dhënë kështu një tempo më shumë në ligjërimin tim, sepse pashë që nxënësit atë ditë po më dëgjonin më të heshtur, më të përqendruar, me më shumë mendje e zemër të hapur.

Pse? Mbase, sepse vetë poezia i dha ligjërimit tim përjetime e pamje të pashlyeshme, që më vinin edhe nga fëmijëria. Që sa e mbaj mend këtë botë, vallja ka qenë bashkudhëtarja ime. E kam parë si hiqej, hidhej e dridhej nëpër dasma, festa apo skena; si mrekulloheshin njerëzit e si përfshiheshin në të, duke harruar ku ishin e kush ishin: rangun, shtresën, radhën, racën apo gjininë. Ritmet dhe lëvizjet e tyre i çonin njerëzit në një tjetër hapësirë, në një tjetër mendësi, ndjesi sociale e demokratike, që t’i iknin realitetit të përditshëm.

Më kujtohet Devolliçja magjike, valltarët e veshur me takije, xhamadanë të qëndisur, këmisha të bardha, fustanella e opinga me xhufka. Hynin në skenë të lehtë si ajri, duke tundur shamitë në erë. Fillonte muzika dhe opingat e tyre, me ato zjarret e kuqe të vegjël mbi to, trokisnin lehtë, sikur nuk i mbante dheu e donin të niseshin. Në fillim rrëshqisnin me majat e gishtave, centimetër për centimetër, pastaj me hapa të vegjël, e pastaj mbi thembra mbi dyshemenë apo lëndinën, ku hiqej vallja, mbështetur mbi gjokset e supet e njëri-tjetrit me krahët e lidhura, sikur të donin të pushtonin tokën, hapësirën, kohën: ngadalë, të vendosur e të sigurt, derisa ajo kthehej në një vrundull energjie të papërmbajtur, një qerthull ere e çuditshme që dilte nga shpirtrat e atyre burrave të dalldisur pas muzikës e lëvizjes, në një tjetër kohë, në një tjetër hapësirë përjetimi: valltarët ngriheshin drejt tavanit, më saktë, drejt qiellit dhe e godisnin me kokë apo i jepnin dyshemesë një të goditur me thembrën e këmbës, sa tundej krejt shtëpia, si për të thënë se dhoma ishte e ngushtë, e vogël dhe donin t’i thyenin muret, tavanet, dyshemenë dhe marrëdhënia e tyre duhet të ishte me tokën, me qiellin. Në lëndinat ishte ndryshe, vëmendjen e merrte shamia që tundej në erë sipas ritmit; mua më dukej sikur në dorë mbanin një copëz reje të bardhë, që lëkundej nga erërat e buta të jugës midis qiellit të kaltër. Dhe, të jem i drejtë, me xhelozinë e të qenit bir i asaj treve, ku kërcehej e luhej ajo valle, ma donte zemra që Kadareja ta kishte marrë flakën e krijimit të kësaj poezie atje, prej saj, prej Devolliçes apo Gorarçes, që janë gati e njëjta valle, por me rifinitura të veçanta të lëvizjeve; te ato xhufka të kuqe mbi opinga që kisha parë dhe unë dhe që seç më ndiznin ca zjarre adhurimi e mitizimi në zemër.

Megjithatë, sapo çlirohesh nga hapësira e ngushtë, përjetimi shkon më tej e më përtej fushave, kodrave e maleve, lëndinave e livadheve të këtyre trojeve, në festat pagane e ato fetare, në dasmat e në sheshet e luftës, para e pas saj; dhe që nga vallja e Osman Takës apo vallet e Labërisë, vallja e Librazhdit, Myzeqarja, e Kolonjës e Librazhdit, apo Dardharja me finesën e kërcimit të grave veshur me kostumet kuq e zi e deri te vallet e skajeve më veriore të etnisë sonë: Rrugovarja, Vallja e Tropojës, e Kukësit, e Dibrës apo Vallja e Shpatave. E më përtej këtyre, vallja kthehet në një simbol të fuqishëm shprehjeje e komunikimi artistik të paimagjinueshëm. Gjuha e saj nëpërmjet kodifikimit të këtyre lëvizjeve nëpërmjet muzikës dhe shpesh, e shtuar në vlera edhe me peshën e fjalës, shenjave në erë apo në sinjalet që i jep tokës dhe njerëzve përreth, bëhet menjëherë e perceptueshme dhe e asimilueshme, deri në atë shkallë, sa nxit dëshirën për t’u përfshirë në të, në atë vorbull të një realiteti tjetër, që e jep vetëm arti i valles, drejt një lumturie, shprehje dashurie, ëndërrimi, guximi apo trimërie.

Sa herë e lexoj këtë poezi më habit thjeshtësia dhe madhështia e fillimit të saj; më duket kaq tokësor e njëherësh aq edhe i pazëvendësueshëm vargu i saj i parë:

  • Tri herë opinga rahu dheun…

Ka muzikë aty, pezulli, heshtje para gjëmimit; një uverturë e tërë mund të ngjizet e të luhet me të. Të sjell ndër mend një stuhi që pritet të fillojë pas kësaj qetësie, që prishet nga tri trokitje që fshehin e mbartin në vete gjëmime e vetëtima. Kështu je i detyruar të hapësh, jo vetëm veshët, por krejt kraharorin, krejt qenien për ta shijuar, për ta përballuar e për ta festuar atë që do të vijë. Nuk është një shenjë dokudo, por një sinjal që e animon dheun, një komunikim me tokën, me Perëndinë e lashtë, mbase, me më të lashtën, me Gjean. Pra, troket në derën e Perëndisë … Sikur kërkoi leje prej tij. Ç’lajm do të japë e ç’lajm do të marrë? Marrëdhënia, njëherësh, shndërrohet në një marrëdhënie kozmike e mistike të qenies me botën. Mesazhi nuk është më aq i thjeshtë e komunikimi nuk është më vetëm njerëzor: është i gjithë universi, e gjithë plotësia që merr pjesë në këtë marrëdhënie dhe shkëmbim të mesazheve mes tyre me një pafundësi interpretimesh.

Dhe më pas:

  • tri herë shamia palët ndehu…

Po pse tri herë e jo katër dy apo pesë? Edhe këmba, e zëvendësuar me opingën – duke na dhënë një metonimi të goditur – aq trokitje jep: tri herë opinga rrahu dheun. Simboli i treshit? Duket si interpretim i sforcuar, por nuk mund ta shmangim këtë simbol fatik e biblik, aq shumë të përdorur në poezinë botërore, sidomos kur vetë marrëdhënia që krijohet është metafizike, në kufijtë e abstraktes: marrëdhënia e përjetshme midis qiellit e dheut, tokës apo trupit e shpirtit që na sjell kështu në një përfundim të veçantë, siç është përzierja e të përjetuarit pagan me atë teik, duke i dhënë rëndësi e peshë asaj çka ndodh dhe jo filozofimit për të arritur në përfundime për to. Kështu kemi trinomin tokë-njeri-qiell. Pra, midis tokës dhe qiellit, njeriu, valltari që luan dhe që është mesazher midis tyre, që çon e merr lajme, një Hermes që e bën këtë botë të qenësishme e të njësishme me të gjitha shtresimet, valencat apo ngjyrimet e saj.

Por le të mbetemi te shamia, që:

  • …palët ndehu / me qetësi dhe madhështi.

Me një ligjërim metonimik, ajo animohet si gjymtyrë e qenies njerëzore, një zgjatim i saj dhe simbol e shenjëzim, pikërisht, i lëvizjes. Madje të fokusimit te ky send që i tejkalon përmasat e qenësinë e një objekti të zakonshëm. Shamia gati kthehet në një shpend, në një shqiponjë. Mjafton të zëvendësojmë palët ndehu me krahët ndehu, të shoqëruar me dy epitete epike: me qetësi dhe madhështi. Krahët mund t’i ndehë vetëm një shpend i madh; dhe nga të gjithë shpezët që njohim krahët mund t’i ndehë e shpalosë me qetësi dhe madhështi vetëm shqiponja. Vini re: jo, t’i hapë, por t’i ndehë, ku lëvizja përfundon me një pozicionim statik e të palëvizshëm në erë, në qiell, siç rëndom ndodh me këtë zog të fuqishëm e madhështor, që është dhe simboli i flamurit tonë. Kështu, ky element bëhet pjesë e një qenieje më shumë se njerëzore, e një vepruesi që është i ndërthurur e i pashkëputur nga elementet e sendet përreth, diçka që është send e ide, qenie e mesazh bashkë, duke e çuar përpara e duke e dimensionuar edhe më përfytyrimin, mendimin dhe idenë për atë ç’ka përfaqëson lëvizja, këmba, muzika, veshja, ngjyrat, mjetet e shpesh edhe fjala me të cilat realizohet kjo marrëdhënie mistike e poetike; madje, të gjitha bashkë, si një shfaqje e plotë dhe unike e mesazhit poetik dhe estetik.

Pastaj poeti na çon në zanafillë:

  • Kështu midis qiellit edhe botës / Vallja u lind, vallja u shpall…

dhe më tej na shpjegon dhe qëllimin dhe mesazhin e saj të madh, përse u lind e përse u shpall. Të bën përshtypje mënyra sesi ai e jep këtë lajm: me një timbër të gëzuar që zakonisht jepet nga lindja e diçkaje të madhe, të paimagjinuar, fjala vjen, siç ndodh me lindjen e ngjalljen Krishtit: “Krishti u ngjall”. Vallja u lind, vallja u shpall. Pra ajo, lindet dhe shpallet, ashtu siç lindet dhe shpallet një mbretëri apo një kushtetutë, një kumt i madh; dhe lajmi kalon me shenja nëpërmjet syve e gojës së erës, vesh më vesh, fushë më fushë, mal më mal, siç kalojnë vetëm lajmet a kumtet e mëdha që ndryshojnë historitë.

Vallja, ky monument artistik njerëzor i gjithkohshëm, me një kod të gjithkuptueshëm e gjithënjerëzor, ashtu si edhe muzika, përtej ndarjes së kombeve, erdhi si një mjet universal:

  • Këmba sinjale i çon tokës / Dhe dora qiellit i jep lajm.

Pra, siç e thamë dhe më lart, valltari bën, pikërisht, atë që bëjnë profetët, mesazherët apo të dërguarit e mëdhenj të njerëzimit, marrin e japin, bëhen ndërlidhës të tokës me qiellin, kryejnë atë që në filozofi quhet marrëdhënie midis tokësores dhe qiellores, midis materies e shpirtit. Mos është i fshehur dhe Dionisi aty? Mbase… edhe Dionisi edhe Apoloni. Sipas Niçes po: Apoloni nuk mund të jetonte pa Dionisin! Pra, ajo që është materie dhe ajo që rrjedh prej materies e natyrës vetë e që quhet ideale, iluzion, ëndërr, shpirt. Kështu ndodh dhe me lëvizjet dhe me ndjesitë që rrjedhin prej tyre. Kur njerëzimi filloi të hyjë në erën e moralit, një mënyrë për të fshehur lakuriqësinë e trupave dhe të veprimeve e ndjenjave ishte edhe nëpërmjet lëvizjeve dhe tingullit, si gjuhët më të gjithkuptueshme, por edhe me kuptimet më të fshehura.

Vështrimi kozmik e poetik i Kadaresë na e rrokullis vallen në kohërat sikur të ishte një gur hobeje në një hapësirë pa kahje: “tutje”, në një cak pafundësie, sa në gjenezën e lashtë, aq edhe drejt ardhmërisë, vetëm me dy vargje për nga fryma e përfytyrimit epik homerik:

  • Dhe vallja rrokulliset tutje / Në kohëra hedhur si hobe.

Zhvendosja që u bën tablove, si për nga fuqia e krijimit, ashtu edhe ajo e përfytyrimit është me përmasa epike. Tërë historia e zhvillimit të valles është thukur, në mënyrën më të mundshme, vetëm në këto dy vargje. Me dy vargjet e tjerë ai na jep një thelbësim të saj, gjithë epizmin, lirizmin e dramacitetin që mbart, në tërë kompleksitetin e tyre, duke e metonimizuar sikur të ishte një qenie e perëndishme apo si një Hermes, lajmëtar mitologjik që fluturon në mënyrë të përhershme midis qiellit e tokës, për të përmbushur misionin, duke mbartur sa lulet e prillit, sa borërat e dimrave:

  • Prilli përsipër i hedh lule, / Dhjetori borën shkund atje.

Ajo është mesazhere dhe vetëm mbart mesazhe tragjedi, dramë apo bubullima gëzimesh e finesa lumturie. Duket sikur na thotë se ky është fati i saj (valles), me mision epik e lirik, destinuar të përshkruajë historinë e qenies njerëzore dhe të një etnie e kombi të veçantë.

Nëse në tre strofat e para, Kadare përqendrohet te simbolika e valles dhe çfarë ajo është në shumësinë e pafundësinë e universit e në marrëdhënien që ka me qenien e me botën, në dy strofat e fundit përqendrohet në mënyrë të posaçme te “Vallja shqiptare”:

  • Valle shqiptare, shenja n’erë / Ylbere tirqesh tej-tëhu / Kush ju kërceu ju njëherë / Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju?

Këtu do të na duhet të ndalemi tek një veçori e tërë veprës së Kadaresë, të fillit që e përshkon krejt veprën e tij, fillit historik e kombëtar. I dashuruar me atdheun e tij, në pamundësi të datave dhe fjalëve të shkruara, nga ato që quhen dokumente historike, me një grusht vlerash e të dhënash të nxjerra, pikërisht, nga folklori nga këngët, vallet dhe, duke marrë lëndën e tij e duke e kaluar nëpër enzimën e tij krijuese të pashoqe, ai gjakon dhe arrin të krijojë një Shqipëri ashtu siç e gjen në lëndën artistike të popullit: një Shqipëri të begatë arbërore, si te folklori ynë i arbëreshëve, ashtu siç ai e përfytyron dhe e ëndërron, pa ndryshkun osman dhe tjetërsimin kulturor e asimilues; dhe jo që t’i shërbejë shkrimit të historisë, por ngulitjes së vetëdijes kombëtare në zemrat e mendjet e shqiptarëve. Kështu, pa pikën e drojës, na duhet të pohojmë se Kadareja kthehet në një mesazher e nuk e teproj nëse them një profet i ri e modern i shqiptarizmit, që filloi me Rilindjen kombëtare. Në veprën e tij, shqiptari, kombi dhe liria, janë tre elemente, tre dimensione të pandashëm të një trupi apo qenësie që plotësojnë njëra-tjetrën në një tërësi tridimensionale, që në veprën e tij shfaqet si një konvergim drejt një pike, te historia e qenësia e kombit shqiptar, me synimin e ngjizjes së mëtejshme të një ndërgjegjeje kombëtare, por me thelb modern.

Në këtë vijimësi na duhet ta nënvizojmë edhe këtë krijim. Ajo është valle si gjithë simotrat e tjera në botë, por ai e sjell edhe me të veçantat e saj. Cilat janë karakterizimet që i bën? Shenja n’erë dhe Ylbere tirqesh tej-tëhu. Vërejmë dy sintagma pa folje. Pra, nga ana stilistikore, shikojmë një ndërtim mungesor, që i jep dorë dendësimit të kuptimësisë e domethënieve, përveç metonimisë që përdor për heqjen e valles: tej-tëhu. Tej-tëhu e kthen hapësirën në përmasa të papërcaktuara e të stërmëdha për një lëvizje valleje, duke e kthyer në një supervalle e, kështu, në një valle mbarëshqiptare. Pra, shohim përpjekjen e tij, deri në gjakim, për të shkruar dhe ngulitur në mendjet e zemrat e shqiptarëve vlerat, qenësinë e historinë e kombit tonë, duke vazhduar programin e Rilindjes sonë kombëtare në kushtet e sotme moderne. Kjo dhe virtuoziteti me të cilin është krijuar e gjithë vepra e tij na çon në atë që unë nuk kam pikën e drojës ta them dhe që e kam shpallur që në titull: I. Kadare, profet i shqiptarizmit.

Mitizimi i valles, si vlerë shpirtërore e artistike jepet thjesht, por duke mihur në krenarinë që e ruajnë pikërisht vallja apo kënga. Tek të dyja strofat, ky mitizim i saj, me të gjithë vlerat që mbart, është i tërthortë e metonimik: Kush ju kërceu ju njëherë / Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju. Si tek këto dy vargje dhe te dy vargjet e tjera: Kush ra midis vorbullës suaj / Dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak, ai e potencon shprehjen dhe i jep jetë e hapësirë qëllimit të tij, pikërisht, duke na dhënë atë çka reflekton kjo gjë e shpirtëzuar si një magji e përkryer, që ne i shohim vetëm pasojat dhe prej tyre na duhet të ndërtojmë madhështinë e saj. Kjo vjen nëpërmjet një shtresimi figurativ, metaforik e metonimik, duke na dhënë analogji apo zëvendësim kuptimesh, si p.sh. pasojën për objektin: varësinë e këmbëve që janë të urdhëruara nga dëshirat e pasioni i magjisë që fsheh vallja; dhe zjarrin, më saktë vorbullës së flakës, që përzhit e përflak si një perëndi zjarri.

Dhe për ta mbyllur me një dyvargësh përsëri metaforik, të pakrahasueshëm për nga bukuria, epizmi dhe fuqia shprehëse që përcjellin:

  • Ju bubullima me opinga, / Që nëpër shekuj bridhni varg

duke ia dhënë të gjithë ngarkesën kuptimore një pranëvënieje të tillë të paimagjinueshme, siç është: bubullima me opinga, por që ia jep abstraktimi i thellë dhe logjika koherente artistike e kuptimore e tërësisë ideore dhe poetike. Le të ndalemi te secila fjalë; secila është një figurë më vete, po aq sa është e varur dhe e plotësuar kuptimisht nga njëra-tjetra. Metonimia “bubullima”, që nënkupton valltarët apo vallet e tyre, plotësohet e rritet kuptimisht me metoniminë tjetër me opinga, që me mjetin për lëvizjen, zëvendëson kuptimisht hapat në valle, por, gjithashtu, me pranëvënien e tyre, duke na dhënë një sintagmë të plotë metonimike: bubullima me opinga që bredhin nëpër shekuj, kohëra, ashtu si vetë Kadareja, që nuk do të ndalet në shekujt e afërt, por rreket e bredh edhe ai larg, për t’i çelur udhën e prosperitetit kombit tonë, duke u shndërruar në një profet modern të shqiptarizmit.

Foto kryesore

Alexandre Gabriel Decamps “Albanian Dancers” (Private collection)

http://www.artchive.com/web_gallery/A/Alexandre-Gabriel-Decamps/Albanian-Dancers.html

Vallja shqiptare Nga Ismail Kadare

Tri herë opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij;
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi.

Kështu mes qiellit dhe tokës
Vallja u lind, vallja u shpall;
Këmba sinjale i çon tokës
Dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
Mbi kohra hedhur si hobe;
Prilli përsipër i hedh lule,
Dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shënja në erë
Ylbere tirqesh tej-e-tehu;
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë tek ju?

Kush ra midis vorbullës suaj
Dhe s’u përzhit dhe s’u përflak,
Ju bubullima me opinga
Që nëpër shekuj brodhët varg?

2 replies
  1. Alfred says:

    Ja e ndërkombëtarizuar:

    Ismail Kadare.

    ALBANIAN CIRCLE-AROUND DANCE.

    Loafer shoe on soil knocked thrice
    as though of it to ask permittance,
    the handkerchief unfolds the pleats
    up in the glory an’ peaceful brilliance.

    Between the realm of sky an’ earth
    the dance was born, they’d notify,
    the foot gives signals to the earth
    hand sends the news up in the sky.

    The dance rolls over far in love,
    over the times off sling a throw
    April sends flowers from above,
    December shakes the flakes of snow.

    Albanian dance, signs in the air
    ribbons of rainbow far away,
    who danced a single time in there
    his feet held captive night and day.

    Whoever fell into your buzz
    and didn’t singe, aflame to go,
    you thunders put on loafer shoes
    for centuries wandering in row.

    *******
    Translation from Albanian into English
    By Alfred Kola
    Korçë, November 8, 2016

    Reply

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.