Prelud dhe fugë vikinge

Collapse: How societies choose to fail or succeed. Revised Edition Autor Jared Diamond

Përkthyen: Besiana Lushaj, Tritan Verteniku, Artemis Luma 

Kolaps është zgjedhur si ‘Libri më i mirë i vitit’ nga ‘The Washington Post’, ‘The Boston Globe’, ‘Los Angeles Times’, ‘San Francisco Cronicle’, ‘The Economiser’ dhe ‘Discover Praise’.

 

Pjesë nga kapitulli VI Prelud dhe fugë vikinge [1]

Kur dëgjojnë fjalën “vikingë”, disa të pasionuar pas filmave që i përkasin brezit tim, kanë parasysh kryetarin Kirk Douglas, yll i filmit të paharrueshëm epik Vikingët, veshur me këmishën e ngrënë prej lëkure, zbukuruar me perçina, ndërsa u prin barbarëve të tij mjekëroshë nëpër udhëtime bastisjesh, përdhunimesh dhe vrasjesh. Pothuaj një gjysmë shekulli pasi e kam parë atë film, në një takim me një të mik të dashur kolegji, mundem ende ta përsëris me mend pjesën hapëse, në të cilën luftëtarët vikingë shembin portën e një kështjelle, ndërsa banorët dëfreheshin brenda saj pa dyshuar për asgjë; ulërimat e njerëzve pas shpërthimit viking dhe ndërsa i masakrojnë dhe pastaj Kirk Douglas që i lutet robinës së tij të bukur Janet Leigh t’ia ndezë dëshirën, duke bërë sikur gjoja po i kundërshton. Ka shumë të vërteta brenda këtyre imazheve të përgjakura: vikingët e terrorizuan vërtet Evropën mesjetare për disa shekuj me radhë. Në gjuhën e tyre (old norse), edhe vetë fjala víkingar do të thotë “bastisës/rrëmbyes”.

Por pjesë të tjera të historisë së vikingëve janë njëlloj romantike dhe më shumë domethënëse për këtë libër. Përveç se ishin piratët më të frikshëm, vikingët ishin fermerë, tregtarë, kolonizatorë dhe eksploratorët e parë evropianë të Atlantikut verior. Vendbanimet e themeluara prej tyre patën, të gjitha, fate të ndryshme. Vikingët që u vendosën në Evropën kontinentale dhe ishujt britanikë u shkrinë me popullsitë lokale dhe luajtën një lloj roli në formimin e disa shteteve-kombe, veçanërisht në Rusi, Angli dhe Francë. Kolonia e Vinlandit, që përfaqëson përpjekjen e parë evropiane për krijimin e ngulimeve në Amerikën Veriore, u braktis shpejt; kolonia e Groenlandës, për 450 vjet kufiri më i largët i shoqërisë evropiane, u zhduk; kolonia e Islandës vuajti për shumë shekuj, për të rilindur kohët e fundit si një nga shoqëritë më ndikuese në botë; edhe kolonitë e Orkney-t [Orknei], Shetland-it dhe Faeroe-s mbijetuan me pak vështirësi. Të gjitha ato koloni vikinge erdhën nga e njëjta shoqëri e lashtë: fatet e tyre të ndryshme u lidhën qartësisht me realitetin e mjediseve të ndryshme në të cilat  u gjendën.

Kështu, ekspansioni i vikingëve drejt perëndimit, përmes Atlantikut verior, ofron një eksperiment natyror, prej të cilit mund të nxjerrim mësime, siç nxorëm nga ekspansioni polinezian drejt lindjes, përmes Paqësorit. E vendosur brenda këtij eksperimenti të gjerë natyror, Groenlanda na ofron, më e pakta, këtë: vikingët atje takuan njerëz të tjerë, inuit-ët, përballja me problemet mjedisore e të cilëve ishte krejt ndryshe ajo e vikingëve. Kur ky eksperiment i vogël përfundoi, pesë shekuj më vonë, vikingët e Groenlandës kishin vdekur të gjithë nga të ftohtit, duke e lënë Groenlandën të pakontestuar në duart e inuitëve. Tragjedia e norsëve të Groenlandës (skandinavët e Groenlandës) ka brenda një mesazh shpresëdhënës: edhe në mjedise të vështira, kolapset e shoqërive njerëzore nuk janë të pashmangshme; varet nga mënyra si njerëzit zgjedhin të reagojnë.

Arsyet mjedisore të kolapsit i vikingëve të Groenlandës dhe luftërat e Islandës kanë paralele kolapset mjedisore të Ishullit të Pashkës dhe Mangarevas, të anasazi-ve, majave dhe shumë shoqërive të tjera paraindustriale. Gjithsesi, ne kemi përparësinë e të kuptuarit të kolapsit të Groenlandës, si dhe historinë e mundimshme të Islandës. Sidomos për Groenlandën dhe historinë e Islandës, zotërojmë dokumente të shkruara nga vetë ato shoqëri, ashtu si edhe partnerët e tyre të tregtisë  – dokumentime fragmentare deri në zhgënjim, por gjithsesi shumë më mirë se mungesa totale e përshkrimeve të dokumentuara, si në rastin e shoqërve të tjera paraindustriale. Anasazi-t vdiqën ose u shpërndanë dhe shoqëria e atyre pak ishullorëve të Pashkës që mbijetuan u transformua nga ndikimet e jashtme, kurse shumica e islandezëve modernë janë ende pasardhësit e drejtpërdrejtë të burrave vikingë dhe grave të tyre kelte (celtic), që ngritën të parët në fakt vendbanime njerëzore në Islandë. Veçanërisht shoqëritë evropiane mesjetare të krishtera, si ato të Islandës dhe norsëve të Groenlandës, që evoluan drejtpërdrejt në shoqëri moderne të krishtera evropiane. Prandaj, dimë të interpretojmë shumë më qartë rrënojat e kishave, artin e ruajtur dhe veglat e nxjerra arkeologjike nga toka, ndërkohë qëështë dashur të bëhen shumë interpretime për mbetjet arkeologjike të këtyre shoqërive të tjera.Për shembull, kur u gjenda për herë të parë brenda një hapjeje në murin perëndimor prej guri, të ruajtur në gjendje shumë mirë, të një ndërtese të ngritur rreth vitit 1300 e.s. në Hvalsey të Groenlandës, unë kuptova, nëpërmjet krahasimit me kishat kristiane në vende të tjera, se edhe kjo ndërtesë ishte një kishë kristiane, madje, një kopje pothuaj e saktë e një kishe në Eidfjord në Norvegji, dhe se hapja në murin perëndimor ishte e njëjta hyrje kryesore, si në kisha të tjera kristiane (fig. 15). Për kontrast, nuk mund të shpresojmë të kapim me kaq detaje kuptimin e statujave prej guri të Ishullit të Pashkës.

Fatet e vikingëve të Islandës dhe të Groenlandës tregojnë një histori edhe më komplekse, si rrjedhim edhe më të pasur në mësimet që mund të nxjerrim, në krahasim me historitë për fatin e Ishullit të Pashkës, të fqinjëve të Mangarevës, të anasazi-ve dhe majave. Të pesë grupet e faktorëve që kam diskutuar gjatë Prologut, kanë luajtur nga një rol. Vikingët dëmtuan mjedisin e tyre dhe vuajtën pasojat e ndryshimeve klimaterike, por edhe reagimet e tyre e vlerat kulturore specifike ndikuan mbi rezultatet historike. I pari dhe i treti ndër këta tre faktorë gjithashtu vepruan edhe në historitë e Pashkës dhe fqinjëve të Mangarevës, të tre vepruan për anasazi-t dhe majat, por si shtesë ishte tregtia me partnerë miqësorë, që luajti një rol thelbësor në historitë e Islandës dhe Groenlandës, ashtu si edhe për fqinjët e Mangarevës dhe anasazi-t, edhe pse nuk luajtën rol për Pashkën dhe majat. Së fundi, ndërmjet këtyre shoqërive, vetëm për vikingët e Groenlandës qe përcaktuese ndërhyrja armiqësore e të huajve (inuitëve). Kështu, nëse historitë e Pashkës dhe fqinjëve të Mangarevas janë ‘fuga’ që gërshetojnë së bashku respektivisht dy dhe tri tema,[2] si disa fuga të Johan Sebastian Bahut, edhe problemet e Islandës janë një fugë me temë katërshe [në katër variacione], ngjashëm me kompozimin madhështor të lënë përgjysmë, krijimi i tij i fundit i madh, Arti i fugës, të cilin Bahu u përpoq ta mbaronte deri në frymën e fundit. Vetëm rënia e Groenlandës na e jep idenë e asaj që tentoi të bënte Bahu, një fugë të plotë me temë pesëshe. Për këto arsye, shoqëritë vikinge do të prezantohen, në këtë kapitull dhe dy të tjerët pas këtij, si shembujt më të detajuar në libër: i dyti shembull përnga madhësia, ndër dy delet brenda boas sonë shtrënguese.[3]

Preludi i fugës së Islandës dhe Groenlandës ishte shpërthimi viking, që tronditi Evropën mesjetare pas vitit 793 p.e.s. nga Irlanda dhe Balltiku, deri në Mesdhe dhe Konstandinopojë. Kujtohuni se të gjithë elementet bazë të kulturës së Evropës mesjetare u ngritën përgjatë 10000 viteve paraardhëse, pranë Gjysmëhënës Pjellore,[4] forma gjeografike e të cilës përfaqëson sot Azinë jugperëndimore nga Jordania në veri në juglindje me Turqinë dhe lindje Iranin. Nga ai rajon erdhën të korrat e para të botës dhe kafshët e para shtëpiake dhe transporti me rrota, mjeshtëria e koperit, e më pas bronxit dhe hekurit dhe ngritja e fshatrave dhe qyteteve, prijësave dhe mbretërve dhe feve të organizuara. Të gjitha këto elemente gradualisht nisën të shpërndaheshin dhe të transformonin Evropën nga juglindja deri në veriperëndim, duke nisur me ardhjen e agrokulturës në greqi nga Anatolia rreth viteve 7000 p.e.s., Skandinavia, cepi më i largët evropian nga Gjysmëhëna Pjellore, ishte pjesa e fundit e Evropës që do të transformohej dhe ku agrokultura mbërriti vetëm rreth vitit 2500 p.e.s. Ajo ishte gjithashtu cepi më i largët ndaj ndikimit të qytetërimit roman: ndryshe nga zonat e Gjermanisë moderne, tregtarët romanë nuk arritën kurrë deri atje, ata nuk i ndanë asnjëherë kufijtë me Perandorinë Romake. Kështu, deri në Mesjetë, Skandinavia mbeti moçali i Evropës.

E megjithatë, ajo zotëronte dy nga burimet natyrore me përparësi, që prisnin të shfrytëzoheshin: peliçet dhe lëkurat e kafshëve të pyllit, lëkura e fokave, dylli i çmuar i bletëve, si mallra luksi që importoheshin në pjesën tjetër të Evropës; së dyti (në Norvegji ashtu si Greqi), kishte një bregdet të thyer, që e bën udhëtimin nëpërmjet detit potencialisht më të shpejtë se udhëtimi në tokë, gjë që i ofron shumë të mira atyre që dinë të zhvillojnë teknikat e lundrimit. Deri në Mesjetë, skandinavët kishin vetëm anije me rrema, pa vela. Teknologjia e anijeve me vela nga Mesdheu mbërriti më në fund në Skandinavi rreth vitit 600 p.e.s, në kohën kur ngrohja klimaterike dhe shpikja e plugimit të përparuar të tokës nxitën prodhimin ushqimor, si dhe një rritje të popullsisë së Skandinavisë. Në Norvegji, shumica e territorit është i thepisur dhe malor, prandaj vetëm 3% e hapësirës së saj tokësore mund të përdoret për agrokulturë; kjo tokë e punueshme po vihej gjithnjë e më shumë nën trysninë e shtimit të numrit të popullsisë rreth vitit 700 p.e.s., sidomos në Norvergjinë perëndimore. Me pakësimin e mundësive për të ngritur ferma të reja pranë shtëpive të tyre, popullsia në rritje e Skandinavisë nisi ekspansionin e saj përtej detit. Menjëherë pas ardhjes së velave, skandinavët nisën të ndërtonin anije të shpejta me vela, me bark të cekët, që ishin ideale për t’i dërguar eksportet e tyre të luksit tek blerësit të etur për to në Evropë dhe Britani. Ato anije i çuan deri përtej oqeanit, por ishin të afta edhe të ndalonin në çdo breg të cekët, ose të hidhnin spirancën buzë një lumi, pa u kufizuar nga numri i pakët i porteve të thella detare.

Për skandinavët e Mesjetës, ashtu si edhe për lundërtarë të tjerë në historinë njerëzore, tregtia i hapi rrugën kusarisë. Pasi skandinavët e parë hartuan itineraret për tregtarët e pasur, të cilët i paguanin me lëkura, argjend dhe flori, vëllezërit e vegjël dhe ambiciozë të këtyre tregtarëve kuptuan se mund të kishin të njëjtin argjend dhe flori, por pa paguar për të. Anijet e përdorura për tregti, mund edhe të lundronin duke përshkruar të njëjat rrugë detare për të sulmuar papritur qytetet detare ose gjatë brigjeve të lumenjve, përfshirë edhe qytete në brendësi të tokës, larg brigjeve lumore. Skandinavët u bënë kështu vikingët ose ndryshe “rrënuesit”. Anijet vikinge dhe marinarët e tyre u bënë shumë më të shpejta se anijet e tjera evropiane dhe mund të largoheshin gjithnjë pa u kapur nga anijet e ngadalta të lokalëve, Evropa nuk tentoi kurrë të bënte kundërsulme të atdheun e vikingëve, për të shkatërruar bazat e tyre. Tokat që sot janë Norvegji dhe Suedi, nuk ishin atëherë të njësuara nën ndonjë mbret, por të ndara ndërmjet prijësve ose mbretër të vegjël, të etur për të pasur sa më shumë të ardhura nga jashtë, me anë të të cilave do të tërhiqnin dhe shpërblenin ata që e ndiqnin. Prijësit që humbnin nga betejat kundër prijësve të tjerë në shtëpinë e tyre, ishin sidomos të motivuar të provonin fatin përtej detit.

Bastisjet e vikingëve nisën papritur në 8 qershor 793 p.e.s., me një sulm në manastirin e pasur, por të pambrojtur, të ishullit Lindisfarne, bregdeti verilindor anglez. Që këtej e tutje, bastisjet vazhduan çdo verë, kur detet ishin më të qetë dhe më të përshtatshëm për lundrim, derisa, pas disa vitesh, vikingët nuk bezdiseshin më të ktheheshin në shtëpitë e tyre në vjeshtë, në vend të kësaj, ndërtuan vendbanime dimërore në brigje të caktuara, në mënyrë që të nisnin bastisjet sa më parë në pranverën tjetër. Këto fillesa, nisën të formonin një miks strategjish të  alternuara për të grumbulluar para, që vareshin nga fuqitë relative të anijeve vikinge dhe njerëzve të caktuar. Me rritjen e numrit të vikingëve ndaj numrit relativ të banorëve lokalë, metodat kaluan nga tregti paqësore në kërkesa për haraç, në këmbim të premtimit se nuk do t’i bastisnin, gjatë plaçkitjes dhe tërheqjes dhe arritën kulmin me pushtimin dhe themelimin e shteteve vikinge përtej detit.

Vikingë nga pjesë të ndryshme të Skandinavisë u nisën të plaçkisnin popullsitë e tjera në drejtime të ndryshme.  Ata nga zona e Suedisë e sotme, të quajtur Varangian, lundruan në lindje në Detin Balltik, duke u ngjitur nëpër lumenjtë që rridhnin nga Rusia në Detin Balltik, vazhduan në jug për të arritur burimet e Vollgës dhe lumenjve të tjerë që rridhnin në Detin e Zi dhe atë Kaspik, bënë tregti me perandorinë e pasur bizantine dhe themeluan principatën e Kievit, që u bë paraardhësja e shtetit modern rus. Vikingët nga Danimarka e sotme shkuan në perëndim drejt brigjeve veriperëndimore të Evropës dhe brigjeve lindore të Anglisë, u ngjitën lumenjve të Rinit dhe Loerit, u vendosën në derdhjet e tyre dhe në Normandi dhe Bretanjë, themeluan ligjin e shtetit danez, në lindje të Anglisë dhe dukatin e Normandisë në Francë, si dhe rrethuan bregun atlantik të Spanjës, për të hyrë në Mesdhe drejt Gjilbraltarit, me synin që të bastisnin Italinë. Vikingët nga Norvegjia e sotme lundruan për në Irlandë dhe në veri dhe perëndim të bregut britanik, duke themeluar qendra të mëdha tregtare në Dublin. Në secilën hapësirë në Evropë ku u vendosën, vikingët u martuan me pjesëtarë të popullsisë vendase, duke u asimiluar brenda saj dhe kjo është arsyeja pse gjuhët skandinave dhe vendbanimet e njohura skandinave jashtë Skandinavisë u zhdukën me kalimin e kohës. Vikingët suedezë u shkrinë me popullsinë ruse, ata danezë me popullsinë angleze, ndërsa ata që u vendosën në Normandi, gjithashtu e lanë gjuhën e tyre norse dhe nisën të flisnin frëngjisht. Gjatë procesit të asimilimit, fjalët në skandinavisht, ashtu si edhe gjenet, u thithën në teksturën e popullsive uniforme. Për shembull, anglishtja moderne i detyron asaj fjalët “awkward” [o:kuard] “die” [dai], “egg” [eg’], “skirt” [skwrt’]  dhe një dyzinë fjalësh të tjera të përditshme të marra nga pushtuesit skandinavë.

Gjatë këtyre rrugëtimeve nëpër tokat e pabanuara të Evropës, shumë anije vikinge u shtynë jashtë itinerarit nëpër veriun e oqeanit Antlantik, i cili, në ato kohë me mot të ngrohtë, ishte zbrazur nga akulli në det; riformimi i mëvonshëm i akullit u kthye në pengesë për lundrimin e anijeve, gjë që ndikoi në fatin e kolonisë së norsëve të Groenlandës, ashtu si për fatin e transoqeanikut “Titanik”. Duke humbur me ato anije vikingët zbuluan dhe u vendosën në toka të panjohura më parë nga evropianët ose ndonjë popullsi tjetër: në ishujt e pabanuar Faeroe disa kohë pas vitit 800 p.e.s. dhe në Islandë, rreth vitit 870 p.e.s.; rreth 980-tës në Groenlandë, në atë kohë e zënë vetëm lart, në veri nga pasardhësit e amerikanëve autoktonë të inuitëve, të njohur si popullsia dorset; kurse në vitin 1000 p.e.s Vinland-in, një hapësirë eksplorimi që përfshinte Newfoundland, gjirin e St. Lorencit, mundet edhe disa zona bregdetare të verilindjes në Amerikën e Veriut, mbushur plot me amerikanë vendas, prania e të cilëve i detyroi vikingët të iknin vetëm pas një dekade.

Bastisjet e vikingëve në Evropë ranë pasi vendet e sulmuara përvetësuan teknika mbrojtëse, shoqëruar kjo edhe nga rritja e pushtetit të mbretërve anglezë dhe francezë si dhe forcimi i perandorit gjerman; ndërkohë vetë mbreti i Norvegjisë nisi të ushtronte pushtetin mbi oborrin e prijësve të tij të pakontrollueshëm, duke i nxitur t’i drejtonin përpjekjet për formimin e një shteti të respektueshëm tregtar. Në kontinent, francezët i larguan vikingët nga lumi i Senës në vitin 857 p.e.s., fituan kundër tyre në një betejë të madhe në Louvain të Belgjikës së sotme, në vitin 891 era jonë dhe i përjashtuan nga Bretanja në vitin 939 të erës sonë. Në ishujt britanikë vikingët u nxorën jashtë nga Dublini në vitin 902 e.s., kurse mbretëria e tyre daneze në Angli u shpërbë në vitin 954 të erës sonë, edhe pse pastaj u rivendos përmes bastisjeve të pandërprera gjatë viteve 980 deri 1016 të erës sonë. Viti 1066, i famshëm për betejen e Hastings-it, në të cilën Uilliami i Normandisë [William of Normandy] i udhëhoqi pasardhësit frëngjishtfolës të plaçkitësve të dikurshëm vikingë të pushtonin Anglinë, mund të shënohet edhe si fundi i bastisjeve të vikingëve. Arsyeja pse Uilliami arriti ta mundte mbretin anglez Harold në Hastings, në bregun juglindor të Anglisë, më 14 tetor, ishte thjesht sepse Haroldi dhe ushtarët e tij ishin tej mase të lodhur. Ata patën bërë rreth 220 milje në jug për vetëm tri javë, pasi kishin mundur ushtrinë e fundit vikinge, duke vrarë mbretin e tyre në Stamford Bridge [Ura Stamford], në qendër të Anglisë, më 25 shtator. Pas kësaj, mbretëritë skandinave evoluan në shtete normale, që bënin tregti me vendet e tjera të Evropës dhe, në disa raste, përfshiheshin në luftëra, që ishin ndryshe nga plaçkitjet e vazhdueshme të dikurshme. Norvegjia mesjetare u bë e njohur jo për plaçkitësit e saj të frikshëm, por për eksportin e merlucit të tharë.

Nën dritën e historisë që tregova, si mund ta shpjegojmë pse vikingët i lanë shtëpitë e tyre duke rrezikuar jetën nëpër beteja ose mjedise kaq të vështira, si ishte Groenlanda? Pas qëndrimit mijëvjeçar në Skandinavi, duke e lënë në paqe pjesën tjetër të Evropës, pse u zhvillua aq shpejt ekspansioni i tyre, duke kulmuar në vitin 793 dhe pse do të mbërrinte pastaj në një ndalim total, tre shekuj më vonë? Në secilin prej ekspansioneve historike mund të ngrihet pyetja nëse u shkaktuan si një “detyrim” (rritja e popullsisë dhe mungesa e shanseve brenda vendit), si një “joshje” (mundësi të mira dhe hapësira boshe për t’u kolonizuar përtej detit) apo të dyja. Shumë prej valëve të ekspansionit janë nxitur nga kombinim i “detyrim-joshjeve”, kjo është e vërtetë edhe për vikingët: ata i detyroi rritja e popullsisë dhe konsolidimi i pushtetit mbretëror në atdhe, si dhe i joshën vendet e reja të pabanuara për t’u vendosur, por edhe drejt atyre të banuara, gjithsesi toka të pambrojtura dhe të pasura për grabitje. Në mënyrë të ngjashme, emigrimi evropian në Amerikën Veriore arriti kulmin në vitet e 1800-ës dhe fillimi i 1900-ës, pikërisht si kombinim i “detyrim-joshjes”: rritja e popullsisë, zija e bukës dhe shtypja politike në Evropë i shtynë emigrantët jashtë vendit të tyre, ndërsa mundësia për të pasur një tokë bujqësore me pjellori të pakufishme, si dhe mundësitë ekonomike, i tërhoqën drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Lidhur me arsyen pse forca shtyj/tërheq ndryshoi në mënyrë aq të papritur pas vitit 793 e.s., nga joatraktive në atraktive dhe më pas pushoi së ndikuari po aq shpejt, rreth vitit 1066, vikingët janë një shembull i mirë për atë që është quajtur si procesi vetëkatalizues. Në kimi, termi katalizë do të thotë përshpejtimi i një reaksioni kimik nga përbërës të shtuar, siç mund të jetë një enzimë. Disa procese kimike prodhojnë një produkt, i cili vepron gjithashtu edhe si katalizator; pra, përshpejtimi i reaksionit nis nga asgjëja dhe pastaj zhduket, ndërsa fiton cilësitë e një produkti të ri, katalizimi dhe përshpejtimi i reaksionit prodhon edhe më shumë produkt të ri, i cili i jep edhe më shumë shpejtësi reaksionit. Për një reaksion të tillë zinxhir, të quajtur vetëkatalizim, shembull primar është shpërthimi i një bombe atomike: në një masë kritike të neuroneve të uraniumit, bërthama ndahet duke u veçuar në bërthama të tjera uraniumi, që lëshojnë energji, plus edhe më shumë neurone, të cilat përsëri ndajnë më shumë bërthama.

Në mënyrë të ngjashme, nga ekspansioni vetëkatalizues i një popullsie njerëzore, përfitimet e para (si risitë teknologjike) u sjellin njerëzve përfitime ose zbulime, të cilat në këmbim nxisin më shumë njerëz të kërkojnë përfitime dhe zbulime, që sjellin më shumë përfitime dhe zbulime, duke nxitur edhe më shumë njerëz të ikin nga vendi, deri sa njerëzit të mbushin gjithë zonën në dispozicion me këto përparësi dhe, në këtë pikë, ekspansioni vetëkatalizues pushon së katalizuari veten dhe e nxjerr energjinë jashtë. Dy ngjarje specifike nisën veprimin zinxhir të vikingëve: bastisja e vitit 730 p.e.s. në manastirin Lindisfarne, prej të cilës nxorrën një fitim të majmë, i cili vitin pasardhës nxiti pasurimin nëpërmjet bastisjeve të tjera; si dhe zbulimi i ishujve Faeroe, të përshtatshme për të rritur dele, që shpuri në zbulimin e Islandës më të madhe dhe më të largët dhe, më pas, ende më e madhe dhe e largët Groenlanda. Vikingët që ktheheshin në shtëpi me fitimet ose që tregonin për ishujt e pasur për të krijuar vendbanime, i vunë flakën imagjinatës së vikingëve të tjerë, të cilët u nisën në kërkim të edhe më shumë fitimeve dhe ishujve të pabanuar. Shembuj të tjerë të ekspansioneve vetëkataklitike përfshijnë ato të polinezianëve të lashtë drejt lindjes në oqeanin Paqësor, në fillim të viteve 1200 p.e.s. dhe të portugezëve e spanjollëve nëpër botë, në fillim të viteve 1400, sidomos pas “zbulimit” të Botës së Re nga Kolombi, në vitin 1492.

Po ashtu si ekspansionet polineziane portugeze/spanjolle, edhe ai i vikingëve nisi të ftohet, kur të gjitha hapësirat lehtësisht të arritshme nga anijet e tyre ose ishin toka të sulmuara ose ishin kolonizuar për një kohë dhe, kur vikingët që ktheheshin në shtëpi, pushuan së treguari historitë përrallore për toka të pambrojtura ose të pabanuara përtej detit.  Ashtu siç ndezën reaksionin zinxhir të vikingëve dy ngjarjet specifike, dy ngjarje të tjera simbolizojnë shuarjen e tij. Njëra ishte beteja e Stamford Bridge [Ura Stemford], në vitin 1066, që i bashkëngjitej një serie të gjatë humbjesh për vikingët, të cilat treguan kotësinë e organizimit të sulmeve të mëtejshme. Shkak tjetër ishte braktisja e detyruar e kolonisë më të largët vikinge, Vinland, rreth vitit 1000, vetëm pas një dekade. Dy sagat e ruajtura norse tregojnë shprehimisht se Vinlandi u braktis pas luftimeve me popullsinë e dendur të amerikanëve vendas, shumë më e lartë në numër për t’u mundur nga disa vikingë të aftë për të kaluar Atlantikun me anijet e atyre kohërave. Me Faeroes, Islandën dhe Groenlandën, tashmë plotësisht të mbushura me vendbanime vikinge, me përvojën e Vinland-it, një territor i vështirë dhe i rrezikshëm, si dhe pa zbulime të ndonjë ishulli të ri në Atlantik, vikingët arritën në pikën kur pionerët që rrezikonin jetën në të stuhishmin Atlantik Verior nuk sillnin më shpërblime për t’u përshendetur.

Kur në tokat përtej detit emigrantët kolonizojnë një atdhe të ri, stil i zakonshëm jetese bëhen disa rregulla korporatash, të njëjta me ato që kanë praktikuar edhe në vendin nga erdhën: “kapitali kulturor” i njohurive, i besimeve, i mënyrës së jetesës dhe organizimi social i sjellë nga vendi i tyre i origjinës. Kjo ndodhte sidomos në rastet kur pushtonin një tokë fillimisht të pabanuar, ose të banuar, por nga njerëz me të cilët kolonizatorët kishin shumë pak kontakte. Edhe sot, në Shtetet e Bashkuara, ku emigrantëve të rinj u duhet të përqasin me një numër më të madh organizimesh etnike amerikane, secili grup emigrantësh ende ruan karakteristikat e veta të veçanta. Për shembull, brenda qytetit tim, Los Anxheles, ka një ndryshim të madh ndërmjet vlerave kulturore, niveleve të edukimit, angazhimeve dhe shëndetit të grupeve të vona të emigrantëve, si vietnamezët, iranianët, meksikanët dhe etiopianët. Grupime të ndryshme kanë pasur vështirësi të ndryshme për t’u përshtatur me shoqërinë amerikanë, pjesërisht në varësi të mënyrës së jetësës që ata kanë të trashëguar.

[1]Në original: “The Viking Prelud and Fugues”: termat “prelud” dhe “fugë” janë marrë nga fusha e muzikës. Preludi: hyrja triumfale në një poemë muzikore, para se të fillojë subjekti; fuga: kontrapunkt kompozicional në të cilin një melodi e shkurtër ose frazë (subjekti) futet ndërmjet pjesës së parë dhe asaj pasuese, duke e rimarrë temën e pjesës së parë në një nivel krejt tjetër (shën.përkth.).

[2]Vazhdon përdorimi i termave muzikore: këtu ‘tema’ [problematika] shpjegon analogjinë kuptimore dhe stilistike të titullit të kapitullit (shën.përkth.).

[3] Në origjinal, “our boa constrictor”: autori luan këtu me afërsinë auditive/vizive dhe semantike ndërmjet fjalëve constrictor (shtrëngues)dhe constructor (ndërtues, strukturues), duke iu rikthyer herëpashere mjeteve stilistike me të cilat e ka ndërtuar imazhin/strukturën që në fillim të librit (shën.përkth.).

[4] Në origjinal, “Fertile Crescent”: trevat pjellore të gjysmëhënës (islame), zonë me pjellori të lartë në Lindjen e Afërt, që shtrihet ndërmjet lumenjve Tigër dhe Eufrat, si një gjysmërreth nga Izraeli deri në Gjirin Persik, ku lulëzuan qytetërimet sumere, babilone, asiriane, fenikse dhe hebreje.

Jared Diamond është profesor gjeografie në Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxheles. Ai e nisi karrierën shkencore në fiziologji dhe u shtri në biologjinë e evolucionit dhe në biogjeografi. Është zgjedhur në Akademinë Kombëtare të Arteve dhe të Shkencës, si dhe në Shoqërinë Filozofike Amerikane. Ndërmjet çmimeve të shumta, dr. Diamond mban Medaljen Kombëtare të Shkencës, çmimin “Tyler” ‘Për arritje mjedisore’, Çmimin e Japonisë “Cozmos”, një ‘Fellouship’ nga Fondacioni ‘MacArthur’ dhe Çmimin ‘Lewis Thomas’, që e nderon shkencëtarin si artist. Ai ka botuar më shumë se dyqind artikuj në revistat “Discover”, “Natural History”, “Nature” dhe “Geo”. Ndër librat e tij të mëparshëm mund të përmenden Seksi i tretëdhe Shimpazeja e tretë. Libri i tij më i fundit, Armë, mikrobe dhe hekur, është vlerësuar me çmimin “Pulitzer”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.