Pozita juridike e Shqipërisë gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Pozita juridike e Shqipërisë gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore

Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Në këtë artikull, një objekt i posaçëm trajtimi është çështja shumë e rëndësishme, se cili ishte qëndrimi i shqiptarëve ndaj të ardhmes politike të zgjedhur, përcaktuar e vendosur nga Fuqitë e Mëdha në shpërfillje të plotë të vullnetit te tyre, të cilën e shprehu në rrugë e formë institucionale e juridike të përshtatshme. Ata u ndodhën para revizionimit të vendimeve të adoptuara prej tyre rreth të ardhmes së vendit. Europa dekonsideroi gjithçka që ata kishin ndërtuar në Shqipëri mbi bazën e vendimeve të Kuvendit të Vlorës dhe mënjanoi pa shkak bindës Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe një varg organesh të krijuara në shërbim apo në varësi të saj nga Kuvendi i Vlorës. Ajo imponoi vendime të tjera që anulonin dhe ribënim mbi një bazë dhe mbi përmasa të tjera, më modeste atë që shqiptarët kishin krijuar me forcat e veta. Gjithçka që ndërtoi Konferenca e Londrës, përfshirë edhe strukturat e krijuara prej saj, ishte në dimensione të papërshtatshme. Shqiptarët nuk i pranuan, por nuk patën mundësinë t’i kundërshtonin me forcë. Vendi u përfshi nga flakët e Luftës së Parë Botërore dhe përpara tyre u shtruan imperativa të tjerë, më ekzistencialë.

Me këtë çështje lidhet ngushtë edhe domosdoshmëria e  sqarimit se kur dhe në çfarë mënyre mori fund neutraliteti i Shqipërisë. Kjo do të thotë, se prej cilës kohë Shqipëria nuk e kishte më statusin e shtetit neutral të zgjedhur për të nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Ka dy përgjigje. 

Njëra lidhet me aspektet formalo-juridike dhe pikërisht me një akt veçanërisht të përmendur në historinë diplomatike të Çështjes shqiptare dhe në përgjithësi në veprimtarinë diplomatike të Fuqive të Mëdha në fillimet e Luftës së Parë Botërore dhe gjatë saj. Është fjala për të ashtuquajturin Traktat të fshehtë të Londrës, nënshkruar më 26 prill 1915 ndërmjet Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe Italisë. Ai, duke iu referuar një akti diplomatik të përfunduar gati njëçerek shekulli më parë, Traktatit të Tretë të Aleancës Tripalëshe, ndërmjet Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Italisë, nënshkruar në Berlin, më 6 maj 1891, trajtonte edhe pozitën e  Shqipërisë pas Luftës. Në shtojcën e Nenit 5, të Traktatit të fshehtë të Londrës, të 26 prillit 1915, thuhej:

Katër fuqitë Aleate, do t’i ndajnë tokat e Adriatikut, të përmendura më poshtë, midis Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi. Në Adriatikun e poshtëm (në viset që i interesojnë Serbisë dhe Malit të Zi), do të përfshihet e gjithë vija bregdetare që fillon prej Kepit të Plamkës e deri në lumin Drin, dhe që përfshin portet e rëndësishme të Splitit, Dubrovnikut, Kotorrit, Tivarit, Ulqinit dhe Shëngjinit. Ndërsa porti i Durrësit do t’i dorëzohet shtetit të pavarur mysliman të Shqipërisë.

Neni 6 sanksiononte se:

  •  Italia do të marrë nën sovranitet të plotë Vlorën, ishullin e Sazanit dhe  territorin përqark me një shtrirje të mjaftueshme për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave (nga Vjosa drejt veriut dhe lindjes, afërsisht deri në kufirin verior të rajonit të Çamërisë në jug).

Në nenin 7 përcaktohej:

  • Nëqoftëse Italia do të merrte Trentinon dhe Istrian në përputhje me nenin 4, së bashku me Dalmacinë dhe ishujt e Adriatikut brenda kufijve të përcaktuara në nenin 5 dhe gjirin e Vlorës, (neni 6)  dhe në se pjesa qëndrore e Shqipërisë rezervohet për krijimin e një shteti të vogël autonom dhe asnjanës, Italia nuk do ta kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë veriore dhe jugore midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë në qoftëse këtë e dëshirojnë Franca, Britania e Madhe dhe Rusia. Bregdeti, që nga kufiri jugor i territorit italian të Vlorës (shih nenin 6) deri te Kepi i Stillos do të neutralizohet. Italia do të ngarkohet me përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhëniet me fuqitë e huaja. Për më tepër Italia pranon të lerë një territor të mjaftueshëm në Lindje të Shqipërisë, për të siguruar ekzistencën e një vije kufitare midis Greqisë dhe Serbisë në perëndim të liqenit të Ohrit.

Siç vihet re, Fuqitë e Mëdha sanksionuan ndryshimin rrënjësor të kufijve të caktuara prej tyre në Londër dhe vendosën copëtimin dhe ndarjen e një pjese të konsiderueshme të Shqipërisë, të cilën e kishin njohur si shtet të pavarur. Gjithëçka bëhej sepse duhet të plotësoheshin interesat dhe ambicjet territoriale të Italisë, Serbisë dhe Greqisë, për t’i tërhequr ato në bllokun e Antantës në rreshtimin ushtarak të Luftës së Parë Botërore. Traktati u nënshkrua nga Eduard Grei, Pol Kamboni, Marquis Gulielmo Imperiali dhe A. K. Benkendorfi, përkatësisht në emër të Britanisë së Madhe, të Francës, të Italisë dhe të Rusisë. Me firmat e tyre ata anuluan pjesët substanciale të akteve ndërkombëtare për pavarësinë, neutralitetin dhe kufijtë e Shqipërisë, të cilët i kishin firmosur një vit e ca më parë, po në Londër, së bashku edhe me përfaqësuesit e Austro-Hungarisë dhe të Gjermanisë. Për skenarin e parashikuar në Traktatin e fshehtë të Londrës për Shqipërinë Nicole Guy ka thënë se “Kur çështja shqiptare nuk e kërcënonte më paqen dhe ekuilibrin ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe më pak të mëdha, Fuqitë e Mëdha e braktisën Shqipërinë.” Akoma më saktë është shprehur Edith Durham, e cila shkruante në atë kohë se “shteti i sapolindur shqiptar do t’u hidhej ujqërve, për të shpëtuar mëkonjësit e tij.”

Konferenca e Ambasadorëve dhe Traktati i fshehtë i Londrës

Eshtë diskutuar jo pak se cila ishte baza dhe vlera juridike e dy dokumenteve ndërkombëtare, të cilat u nënshkruan pothuajse nga të njëjtat palë, për koincidencë nga të njëjtit përfaqësues të tyre dhe në të njëjtin qytet, por që kundërshtojnë njeri tjetrin. Është fjala për vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit  1913 dhe për Traktatin e fshehtë të Londrës  të 1915. Çështja e mësipërme e trajtuar gjerësisht në fushën e doktrinës juridike mori trajtën e një debati të ashpër në forumet ndërkombëtare në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Aty u tentua që të argumentohej juridikisht se Traktati i Londrës i 26 prillit të 1915-s atakonte dhe anulonte vlerën juridike të akteve të viteve 1912-1913, për Shqipërinë. Si i tillë ai duhet të prevalonte ndaj vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve. Në fushën e doktrinës nuk do të ishte e vështirë të bëheshin interpretime dhe të gjëndeshin përgjigje që, sipas rastit dhe interesave, mund të ishin mohuese apo pohuese. Asnjëherë nuk ka qënë e vështirë për politikën e Fuqive të Mëdha për të improvizuar aparenca juridike për zgjidhje të padrejta e arbitrare. Në të kaluarën e drejta ishte edhe formalisht në anën e më të fortit, sipas parimit la raison du plus fort est toujours la meilleure. Duke gjykuar në kontekstin e kohës si dhe brenda kuadrit të ngjarjeve për të cilat flitet, mendojmë se Traktati i Fshehtë i Londrës, nuk e kishte autoritetin e nevojshëm juridiko-institucional për të abroguar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 1912-1913. As ai as edhe ngjarjet që u vërtetuan në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, nuk çuan dhe nuk mund të çonin në shuarjen e shtetit shqiptar.

Së pari 

Traktati i Fshehtë i Londrës ishte akt i të ashtuquajturës diplomaci të fshehtë, e cila pas më pak se 6 vjetësh do të nxirrej jashtë ligjit, do të konsiderohej e papranueshme. Presidenti amerikan U. Uillson (W. Willson), në 14 pikat e tij të vitit 1918 do ta denonconte si një praktikë të papranueshme, kurse statuti i Lidhjes së Kombeve do të sanksiononte zyrtarisht në Statutin e vet qëndrimin negativ ndaj kësaj përvoje me pasoja të rënda për popujt dhe vendet e ndryshme.

Së dyti

Akti kishte vese (cene) juridike, sepse firmëtarë të tij ishin vetëm dy të tretat e vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1912-1913 dhe jo quorumi i plotë i saj. Si rregull, e drejta ndërkombëtare ka sanksionuar parimin që traktati ndërkombëtar shumëpalësh mund të ndryshohet, të amendohet apo të abrogohet me të njëjtin quorum që është nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi, nëse në tekstin e tij nuk është parashikuar ndryshe. Vendimi i Londrës i 29 korrikut 1913 për statusin e pavarur të Shqipërisë dhe pozitën e saj të shtetit me neutralitet të përhershëm e të garantuar nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, sikurse edhe dy vendimet e tjera për delimitimin e kufijve veriorë e verilindorë dhe jugorë e juglindorë të saj, janë miratuar me konsensus, pra me unanimitetin e të gjashtë Fuqive të Mëdha, pjesëmarrëse në Konferencë. Për rrjedhojë ato nuk mund të abrogoheshin me shumicën e dy të tretave, sikurse ndodhi me Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit 1915. Ato, edhe pse u shkelën, juridikisht mbetën në fuqi. Aq e vërtetë është kjo sa që edhe përpjekjet e vazhdueshme të ndërmarra në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-1920, për ta zbatuar Traktatin e Fshehtë të Londrës, përfunduan pa sukses. Përveç realitetit në terren, një ndër arsyet formalo-juridike ishte edhe vështirësia e karakterit juridiko-ndërkombëtar për të justifikuar legjitimitetin dhe fuqinë e tij juridike. Për këtë flet edhe një dokument që gjendet në arkivat e Lidhjes së Kombeve, por edhe në Arkivin Qëndror Shtetëror të Shqipërisë, të titulluar Albania. Në pjesën “Is the Governement recognised de jure ou de facto, and by which states”, me sa duket, në referim të dëbimit të italianëve nga Shqipëria në përfundim të Luftës së Vlorës,  në qershor-shtator 1920, thuhet: “Në mbarim (të Luftës së Parë Botërore) qeveria italiane vendosi të hiqte dorë tërësisht nga të drejtat e saj mbi Shqipërinë dhe Traktati i 1915, në këtë kuptim, mbeti pa fuqi.”

Kjo çështje është prekur dhe është diskutuar në planin juridiko-ndërkombëtar edhe gjatë debateve të zhvilluara në Lidhjen e Kombeve, me rastin e shqyrtimit të kërkesës shqiptare për pranim. Në betejën procedurale të zhvilluar në nënkomisionin e pranimeve si dhe në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, u shfaqën në rolin e aktorëve profesionistë përfaqësuesit e dy dominioneve britanike, Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, përkatësisht Lordi Robert Sesil (Robert Cecil) dhe  Rouell (N. W. Rowel). Juristi dhe personaliteti i shquar britanik Lordi Robert Sesil bëri një arsyetim të spikatur nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare  të efekteve juridike të Traktatit të fshehtë të Londrës ndaj statusit të Shqipërisë dhe kufijve të saj të përcaktuar nga vendimet e Konferencës së Londrës. Mbrojtja e Lordit Cecil u dallua jo vetëm për elokuencën, elegancën dhe oratorinë e jashtëzakonshme, por edhe për argumentimin e fuqishëm dhe konsistent juridiko-ndërkombëtar. Ai bëri një përshkrim të hollësishëm të rastit të Shqipërisë dhe, duke kundërshtuar tezën se Traktati i fshehtë i Londrës, i 26 prillit 1915, kishte zhveftësuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913, theksoi se rregullimi i ri i çështjes shqiptare, që ishte propozuar gjatë bisedimeve të Fuqive të Mëdha për rregullimin politik të Evropës pas Luftës së Parë Botërore, kishte mbetur vetëm një propozim që nuk ishte vënë kurrë në zbatim. Argumentoi se nga pikëpamja juridike, një propozim i bërë nga disa Fuqi, nuk mund të abrogonte një traktat të nënshkruar zyrtarisht nga Fuqi të tjera. Kjo, sipas tij, do të shkallmonte themelet e të drejtës ndërkombëtare, do të mohonte karakterin e shenjtë të traktateve, ruajtja e të cilit ishte thelbësore për Lidhjen e Kombeve.

Në një vështrim më të përgjithshëm juridiko-ndërkombëtar ajo çka ndodhi me Shqipërinë në periudhën e Luftës së Parë Botërore nuk mund të barazohet me shuarjen ose humbjen e cilësisë së saj si shtet. Doktrina e së drejtës ndërkombëtare priret nga pikëpamja që në rast se një entitet humbet njërën nga cilësitë e shtetit, kjo nuk do të thotë se ai pushon së ekzistuari si i tillë. Për shembull, mungesa e një qeverie vepruese në një shtet si rezultat i pushtimit apo ndërhyrjes së një shteti ose një koalicioni shtetesh nuk do të thotë se ai nuk është më shtet. Pushtimi dhe përvetësimi i një territori me anë të forcës është një akt i paligjshëm. Territori i përvetësuar në këtë mënyrë nuk i përket pushtuesit. Si rregull ato që mund të pushojnë së ekzistuari si pasojë e përdorimit të paligjshëm të forcës janë qeveritë dhe jo shtetet. “Pushtimi ushtarak nuk e prek shtetshmërinë ex hypothesi pushtuesi nuk e zhvendos dot sovranitetin territorial, megjithëse karakteristikat e shtetshmërisë janë cenuar. Nuk është e drejtë t’i përshkruash qeveritë në mërgim si shtete pa popull, ose pa territor, kur zhvendosja e tyre është shkaktuar nga një pushtim ushtarak. Shtetet kukulla, sikurse qenë ngritur Sllovakia dhe Kroacia, si rrjedhim i kërcënimit apo përdorimit të paligjshëm  të forcës, përkatësisht më 1939 dhe 1941, qenë njohur nga shumë pak shtete.” 

Procese të afërta ndodhën edhe me Shqipërinë në kohën e Luftës, në periudhën 1914-1918 si dhe në periudhën e Luftës së dytë Botërore, 1939-1944. Në ato kohë nuk pati një nënshtrim të vullnetshëm të Shqipërisë ndaj sovranitetit të një shteti tjetër apo shkrirjen e saj në një organizëm tërësisht të ri. Ishte thjeshtë një pushtim faktik i paligjshëm, i justifikuar nën zbatimin e një akti juridiko-ndërkombëtar gjithashtu të paligjshëm. Për një mbështetje edhe më bindëse të karakterit juridiko-ndërkombëtar, sërish mund t’i drejtohemi juristit të shquar britanik, Lordit Robert Sesil. Në fjalën e mbajtur në Lidhjen e Kombeve, të përmendur më sipër, ai tha se Shqipëria nuk e kishte humbur kurrë pozitën e saj si shtet dhe se nga pikëpamja ligjore dhe juridike, askush nuk ishte i autorizuar të mohonte apo të vinte në dyshim situatën e saj të përcaktuar qartë si një shtet evropian. Ai e hodhi poshtë pretendimin e përfaqësuesit serb në Komision se lufta e kishte zhdukur shtetin shqiptar që ekzistonte para shpërthimit të saj, duke arsyetuar se kur një shtet është njohur ndërkombëtarisht, ai nuk mund të zhduket as nga pushtimi prej ushtrive të huaja, as nga rënia e autoritetit të qeverisë, sa kohë që shtetasit e tij ruanin ndërgjegjen kombëtare dhe aspironin për një ekzistencë të pavarur, siç kishte ndodhur me popullin shqiptar. Në të kundërtën, pohoi ai, edhe shumë shtete të tjerë që kishin qënë për një kohë të gjatë nën  pushtimin e huaj e që tashmë ishin anëtarë të Lidhjes, nuk duhet të ishin pranuar Mbi këtë arsyetim të shëndoshë juridik Sesil i bëri thirrje Asamblesë të zbatonte drejtësinë dhe të drejtën për popullin shqiptarNë praktikë vendimet e Londrës së 1913 për Shqipërinë u shkelën nga vetë Fuqitë e Mëdha dhe palët e tjera ndërluftuse, që pushtuan pjesë të ndryshme të territorit të saj, gjatë Luftës së Parë Botërore.[55] Në këtë mënyrë cenuan atë çka kishin miratuar jo më larg se një vit më parë, kufijtë e saj dhe statusin e neutralitetit, të cilët mbetën vetëm në letër.

Qëndrimi i Shqipërisë ndaj statusit të saj neutral

Çështja mund të shtrohet e të shqyrtohet edhe nga një tjetër këndvështrim. Shqipëria nga ana e vet ç’qëndrim mbajti? A mori pjesë në luftë përkrah ndonjërës palë? Cila ishte pozita e saj gjatë Luftës së Parë Botërore deri në kohën e aprovimit të vendimeve të reja të pasluftës që bëjnë fjalë për Shqipërinë? A e shkeli ajo vetë statusin e neutralitetit që ia kishin zgjedhur dhe imponuar Fuqitë e Mëdha në vitin 1913? Për këtë çështje ka dy përgjigje.

Qeveria e Durrësit në memorandumin që i drejtonte në 12 shkurt 1919 Konferencës së Paqes thoshte se Shqiptarët luftuan përkrah forcave të Antantës. Që në hyrje thuhej shprehimisht:

  • …Populli shqiptar nuk iu shmang detyrës së tij ndaj Antantës… Të lumtur që dhanë kontributin e tyre modest për kauzën e lirisë, shqiptarët vijnë sot t’i parashtrojnë plot besim Areopagut të botës, rivendikimet e tyre të drejta,… Ne kërkojmë pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave sovrane të popullit shqiptar.

Delegacioni shqiptar i Qeverisë së Durrësit paraqiti në sekretariatin e Konferencës kërkesat e shqiptarëve për riafirmimin e shtetit të tyre, të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 dhe për garantimin e tërësisë territoriale brenda kufijve etnikë e historikë. Në këtë kuadër ai i kërkoi Konferencës së Paqes rikthimin e territoreve shqiptare që Konferenca e Londrës ua kishte kaluar padrejtësisht Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ku jetonin rreth një milionë shqiptarë. Ndryshe ishte përgjigja dhe qëndrimi i mbajtur nga ana e qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës. Në vendimin e shkurtit të vitit 1920, thuhej se Shqipëria ishte një shtet neutral dhe i tillë kishte qëndruar edhe gjatë Luftës së Parë Botërore. 

Zgjidhja që i dha kësaj çështjeje Kuvendi i Lushnjës i përgjigjet të vërtetës dhe shprehte më mirë interesat e shtetit Shqiptar në atë kohë. Shqiptarët nuk mund të konsideroheshin si palë ndërluftuese në Luftën e Parë Botërore, qoftë de jure, qoftë de facto. Gjatë luftës në Shqipëri nuk kishte asnjë pushtet apo autoritet publik qendror që të bënte hyrjen e Shqipërisë në luftë me anë të ndonjë akti zyrtar. Fuqitë e Mëdha që e okupuan ushtarakisht territorin shkelën edhe sovranitetin e saj. Pjesëmarrja në luftë e disa individëve të veçantë në krah të njerës apo tjetrës palë nuk u shndërrua në një lëvizje të gjerë e të përgjithshme popullore. Shqipëria nuk u përzie në konfliktin e madh midis dy blloqeve të fuqive. Neutralitetin e saj e shkelën fuqitë dhe për këtë ajo nuk mbante asnjë përgjegjësi. Për rolin e qeverisë dhe të delegacionit të saj në Paris, si dhe përqendrimin e Shqipërisë ndaj statusit të neutralitetit të saj, Robert Lari Uodëll në librin Problemet e shqiptarëve gjatë Konferencës së Paqes 1919-1920, shkruan se faktori kryesor që e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi përfundimtar, ishte veprimi i vetë shqiptarëve në mbrojtje të vendit të tyre. Duke mos gjetur mbështetje tek paqebërësit e Parisit, udhëheqësit shqiptarë formuan një qeveri në janar 1920 dhe u ngritën e dëbuan nga vendi të gjitha ushtritë e huaja  … në optikën e Fuqive të Mëdha, një Shqipëri e pavarur do të ishte një qenie e padëshirueshme dhe se duhej të bëhej coptimi i saj midis Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, duke ruajtur një pjesë të Shqipërisë së Mesme, me një pavarësi nominale, nën kujdesin e një Fuqie të Madhe. 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.