Post panair: Sale, zucchero e caffé! Nga Valbona Nathanaili

Post panair: Sale, zucchero e caffé!

Panairi i Librit Tirana 2014

Nga Valbona Nathanaili

Thonë që gjërat e mira vinë andej nga s’i pret! Ndryshe nga sa pritej, panairi i librit “Tirana 2013” ofronte një mjedis të qetë, ndjellës e komunikues. Vizitorë që shëtisnin nga stenda në stendë në kërkim të autorit apo titullit të preferuar, biseda, aktivitete të ndryshme dhe, me pak fat ose informacion të mirë mund të takoje edhe autorin e kërkuar. Botuesit ishin kujdesur jo vetëm për zgjedhjen e titujve dhe të autorëve, por edhe me paraqitjen e këtyre të fundit në stendë në orare të ndryshme të ditës.

Trendi i zgjerimit të mediave me shtëpi botuese

Botimet e viteve ‘990 të Shtëpive Botuese private që u shfaqën në tregun shqiptar, ishin kryesisht tituj klasikë e autorë të njohur më parë nga lexuesi, pra tituj që e kthenin shpejt investimin në parà fizike. Në atë kohë ishte e vështirë të bëje profilin e një shtëpie botuese, kaq të larmishëm ishin titujt: në fakt, çdo gjë që shitej, botohej. Sot, afro 20 vjet më vonë, me një përvojë që nuk mund të thuhet më e re, pothuaj të gjitha shtëpitë botuese shqiptare kanë krijuar fizionominë e tyre. Por përditë e më shumë po bëhet e qartë se puna e botuesit është bërë jo vetëm më e vështirë, por dukshëm edhe konkurruese, pasi forma të ndryshme komunikimi ofrojnë mundësi pa fund për të botuar dhe promovuar një vepër personale, një fenomen që në botë po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Kështu në ShBA, për herë të parë në vitin 2009, numri i librave të vetëbotuar në ueb e tejkaloi numrin e librave të botuar nga botuesit konvencionalë. Nga ana tjetër, në përpjekje për të ‘rrëmbyer’ sa më shumë lexues, botuesit promovojnë me të gjitha mënyrat autorët e tyre: në lajme, reklama, gazeta, emisione të ndryshme televizive, rrjete sociale, kudo ku ekziston një potencial për të krijuar opinion, për të ngacmuar ose ngjallur kërshëri. ‘Imazhi shet’, është një aksiomë që funksionon kudo ku ka marrëdhënie mall-treg. Botimi në analizë të fundit është biznes dhe, si i tillë, kërkon që likuiditetin t’a shndërrojë në para. Falë rolit parësor që luan media në krijimin e këtij imazhi, edhe në Tiranë po vihet re trendi i bashkëpunimit të Shtëpive Botuese me mjedise të ndryshme mediatike, kryesisht me gazeta e televizione dhe, në një vështrim më të vëmendshëm, fenomeni i zgjerimit të mediave vizive e atyre të shkruara edhe me shtëpi botuese, duke e rimodeluar biznesin në funksion të një të ardhme me shumë të panjohura.

Sale, zucchero e caffé.

Ky është në fakt titulli i librit më të ri të Bruno Vespës që sapo ka dalë në qarkullim në Itali. Ndoshta jam nga lexuesit e parë shqiptarë që pata fatin ta kem në dorë kaq shpejt. Mondadori, shtëpia botuese e Vespës në Itali, pati mirësinë të na dërgonte një kopje që mbërriti po atë ditë që Vespa merrte avionin e kthimit në Rinas për në atdhe. Libri e ka marrë titullin nga një periudhë e hershme e jetës së Vespës, kur gjyshja, Aida, sa herë e çonte në dyqan e porosiste: mos harro të blesh kripë, sheqer e kafé. Një zakon, thotë Vespa që e ruaj edhe sot e kësaj dite dhe, sa herë ime shoqe shkon në pazar, e porosis: blej kripë, sheqer, kafé dhe ndonjë gjë tjetër. Libri përshkrohet nga kujtime të ëmbla e të hidhura. Nga tri asortimentet që mbushin çantat e të shoqes së Vespës kur bën pazar, dy prej tyre, kaféja e sheqeri, edhe për mua janë burim emocionesh e ndjenjash të ngrohta. Sa herë shkoja te ime vjehrrë – për fat të keq nuk jeton më -, e dija se më priste një kafé e ngrohtë dhe e mirë. Çfarëdo të ishte duke bërë, i linte të gjitha dhe më thoshte: ty po të prisja për kafénë. E bëj unë, se ti je lodhur, vjen nga puna. Pastaj, ty të pëlqen vetëm nga dora ime. Vërtet, bënte kafénë më të mirë në botë! Sot, sa herë shkoj të shoh time ëmë, të vjetër e të sëmurë, më pyet: nuk e di, të vajti mendja të më sjellësh sheqer? Çdo gjë i shijon me sheqer. Dy gra të ëmbla, që secila me mënyrën e saj, më kanë dhënë gjithmonë nga vetja dhe u jam mirënjohëse për dashurinë që më kanë falur.

Me Vespën pata mundësinë të bashkëbisedoja disa minuta në stendë, në boshllëqet e pakta që krijoheshin nga nënshkrimi i një autografi në një tjetër. Përtej të qenit i mrekullueshëm në mënyrën si buzëqeshte, fliste, shkruante e jepte autografe – kishte mësuar të shkruante shqip ‘urime’-, erdhi edhe pyetja klishe për një perëndimor, që në fakt ishte shtysa e shkrimit të këtyre radhëve: cili është romani i përkthyer në shqip, më i shitur këtu në Shqipëri? Nuk dija t’i jepja një përgjigje të saktë!

Përfaqësimi në stendë – me çfarë librash të paraqitemi dhe a duhet të shesim

Kam afro tetë vjet që e ndjek Panairin e librit këtu në Tiranë në mënyrë aktive dhe gjithmonë më ka habitur fakti që të gjithë botuesit, krahas titujve të rinj, ekspozojnë edhe tituj të botuar vite më parë dhe, pse jo, edhe shumë vite më parë. Në panairin e librit në Tiranë mund të gjesh si libra që mbajnë era myk, ashtu edhe nga ata që sapo kanë ardhur nga shtypshkronja e nuk u është tharë mirë boja. Sigurisht që një nga synimet e botuesve është paraqitja sa më dinjitoze në panair dhe pjesë e kësaj paraqitje është mbushja e të gjithë hapësirës me sa më shumë libra, pasi kjo përkthehet në më shumë kërkesa për botim, por a duhet të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën filozofi? Gjithsesi, më pëlqen të sjell dy shembuj: Panairin e Librit të Londrës dhe Panairet e librit në Rusi. Sa i takon Panairit të librit në Londër, së pari duhet të regjistrohesh kohë më parë kundrejt një tarife dhe, e dyta, jo vetëm nuk shiten libra, por botuesit vinë vetëm me botimet e reja. Nuk mund të mendohet të përfaqësohet një shtëpi e madhe botuese me tituj të një viti më parë. Në Londër kanë bërë këtë zgjedhje! Ndërkohë në Rusi zhvillohen tre panaire ndërkombëtarë libri: njëri në prill, në St. Petersburg, dhe dy të tjerë në Moskë, në fillim të shtatorit dhe në fillim të dhjetorit. Sikundër te ne, të gjithë panairët rusë janë të hapur ndaj publikut dhe gjithkush mund të blejë librat që u ofrohen me çmim të ulët.

Duke u kthyer në përvojën dhe gjendjen tonë, e ndjeshme se detyrimi i paraqitjes në stendë vetëm me titujt e rinj (sipas modelit të Londrës) do nxirrte jashtë loje shtëpitë e vogla botuese, mund të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme: detyrimi për të ndarë botimet e reja në një vend të veçuar brenda stendës, verifikuar nga Shoqata e Botuesve. Jo vetëm u kursejmë kohë vizitorëve të panairit, por edhe jemi në gjendje të krijojmë një ide se çfarë ka ndodhur me tregun e librit gjatë një viti. Rrallë mund të gjesh njeri, në përfundim të Panairit, që të jetë në gjendje të thotë saktësisht se sa ishte numri i titujve të rinj, ose çfarë përkthimesh të reja kishim këtë vit, ose sa ishin shitjet, ose si ishin shitjet e një autori krahasuar me ato të një tjetri, pra të bësh një analizë të situatës reale të librit të ri. Mund të flasësh vetëm me afërsi! Për më tepër, mund të shtohet edhe versioni i pagesës së vizitorëve në hyrje, pasi ndihmon jo vetëm në identifikimin e numrit të vizitorëve – nuk flasim më në tym se sa ishte numri i tyre, por paratë mund të përdoren për qëllime të ndryshme, përfshirë blerjen e librave dhe dhurimin e tyre për shkollat publike.

Sigurisht, ne nuk mund të shpikim a prodhojmë panaire ndryshe nga bota! Detyra jonë është t’u shërbejmë sa më mirë lexuesve dhe pjesë e këtij angazhimi është edhe vlerësimi i opsioneve të ndryshme, për të zgjedhur më të mirën.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.