Post-panair 2016, ose “Kërkesa për ndryshim cilësor në organizim”

Post-panair 2016, ose “Kërkesa për ndryshim cilësor në organizim”

Nga Valbona Nathanaili  

Panairi i Librit i Nëntorit, – i Tiranës për të shmangur çdo keqkuptim, – i vetmi panair libri me përmasa kombëtare dhe realisht më i ndjekuri dhe më i rëndësishmi, sapo është mbyllur. A është ky lloj panair libri më i miri i mundshmi që mund të prodhojë kjo bashkësi kaq e nderuar botuesish, që për më shumë se 20 vjet kontribuojnë në pasurimin e fondit të librit shqip me libra të mrekullueshëm? Sigurisht jo. Shpresoj se të gjithë botuesit dhe ndjekësit e tij kanë të njëjtin mendim, ndërkohë që besoj se të gjithë botuesit pjesëmarrës në këtë panair, të paktën një herë, kanë qenë në një panair libri që zhvillohet jashtë Shqipërisë dhe patjetër kanë një sugjerim tjetër për të sjellë, një përvojë më shumë për të ndarë, për ta bërë këtë panair libri jo një lloj pazari ku shet ai që bërtet më shumë, por një treg idesh në fushën e librit dhe të botimeve.

Por ajo që vihet re është një lloj apatie dhe mungese dëshire e theksuar për të ndërmarrë nisma të reja, sikundër edhe një mungesë totale informacioni për shumë çështje që lidhen me panairin. Nga një panair në tjetrin, të vetmet kontakte që kemi në lidhje me mënyrën e organizimit të panairit dhe pjesëmarrjen në të janë kur bëhet lajmërimi se filluan pagesat për pjesëmarrje në panair dhe kur kërkohen titujt që mund të çohen për konkurrim. Nga një panair në tjetrin, sugjerojmë e kërkojmë më shumë transparencë, më shumë përfshirje, më shumë bashkërendim, por heshtje totale dhe në fund pamja e stacionit është po ajo: botues që shndërrohen në shitës librash me pakicë dhe kandidatë-blerës pothuaj me shumicë. Këtu duhet shtuar se shitës librash me pakicë bëhen edhe autorët, sipas modelit “Autor në stendë” dhe sipas motivit bamirës “Të ndihmojmë me shitjet botuesit që kanë investuar paratë për botimin e librit tim.” Nga një panair në tjetrin, të duket sikur ke marrë po atë autobus unaze, me të njëjtin shofer, me pothuaj të njëjtët udhëtarë – them pothuaj, sepse disa botues kanë filluar abandonimin e këtij lloj panairi – dhe të gjithë me po të njëjtin dëshirë për të mos i ngritur sytë nga sedilja ku janë ulur.

Dhe ndërsa botuesit, të vetmin bilanc që bëjnë është Cili ishte libri më i shitur, të bësh bilancin e  lexuesit është pak më e vështirë, sepse duhet të marrësh parasysh shumë mekanizma që i kanë detyruar të bëjnë zgjedhje të caktuara, sikundër edhe t’i pyesësh, më tej, nëse ja kanë vlejtur lekët e harxhuara. Bilanci i botuesve kufizohet nga mënyra e organizimit dhe nxitet nga  dëshira për të nxjerrë lekët e vendit që e kanë paguar me një çmim shumë të kripur; ndërsa në variabëlat që përcaktojnë bilancin e lexuesit është e rëndësishme të ndalesh në një të vetëm “Autorë në stendë.”

Autorë në stendë. “Autor në stendë” do të thotë që autori qëndron disa orë në stendën e shtëpisë botuese që i ka botuar librin dhe sheh në dritë të syrit vizitorin e radhës, me shpresën se do i blejë librin për të cilin ka kaluar vite, muaj e ditë për ta formuluar e ndoshta shumë para për ta botuar. Për blerësin, autografi i autorit është bonus. Një foto me të është bonus brenda bonusit. Veçanërisht kur është emër i njohur. Për më tepër që blerësi ka mundësinë ta reklamojë në Facebook. Kulmi i blerjes dhe i kënaqësisë së blerjes së një libri në panairin e librit të Tiranës.

Por këtë garë e fitojnë pak autorë dhe patjetër që Blendi Fevziu është një nga ata. Çfarëdo lloj libri të botojë. Edhe letërsi. Dhe këtu nuk bën dallim as mosha, as seksi i blerësit. Me plot gojën mund të quhet “Fenomeni Blendi Fevziu.” Dy librat e fundit të tij, “Ahmet Zogu” dhe “Pushteti” kanë dalë pak ditë përpara panaireve përkatëse të librit (Panairi i librit “Tirana 2014” dhe Panairi i librit “Tirana 2016”), secili dhe të dy bashkë mbi bazën e së njëjtës strategji: sa më shumë reklamë. Në çdo emision dhe stacion të mundshëm.

Zërat ndaj këtij fenomeni janë pro dhe kundra. Për disa botues, botimi i një libri të Blendi Fevziut, për shkak të vetë-reklamës që i bën librit të tij, ndikon pozitivisht, indirekt, në shtimin e vizitorëve të panairit të librit. Pra, ndërsa njerëzit tërhiqen drejt panairit të librit për të blerë librin e Fevizut, në kërkim të vlerave që gjenden në të, të një autografi dhe/ose të një fotoje, mund të vazhdojnë vizitën, – kur ju teprojnë paratë, – për të blerë edhe në stendat e tjera.

Zërat kundra mund të përmblidhen në këto argumente: manipulim i shijeve artistike të lexuesit dhe devijim i synimeve të një panairi libri, nëpërmjet përdorimit joetik të një pozicioni të favorshëm mediatik. Duke ju bashkuar këtyre zërave kundra, falë përvojës dhe konkluzioneve të nxjerra nga panairet e tre viteve të fundit, është me vlerë të sjellim një shembull të ngjashëm me Fevziun tonë, – një nga autorët më të suksesshëm të UET Press dhe MAPO Editons, – atë të Bruno Vespës në Itali, në shumë drejtime: të dy drejtojnë emisione të ndjekur (për të mos thënë që vetë emisionet janë krejtësisht të ngjashëm), të dy të pasur, të dy me shumë pushtet, të dy shkruajnë dhe botojnë libra. Por Vespa nuk e keqpërdor pozicionin që ka për dy libra më shumë të shitur. Ose edhe dy mijë. Jo sepse nuk do. Ose sepse nuk i pëlqen. Por sepse njeh shumë mirë psikologjinë e njerëzve dhe efektin bumerang që sjell çdo lojë me besimin dhe dashamirësinë e tyre.

Duke vënë në balancë zërat pro dhe kundra, sado të fuqishëm a të dobët të jenë, ajo që vlen në fund të të fundit është interesi i publikut: panairi i librit nuk duhet të ketë këtë mënyrë organizimi. Në panair mund të shiten libra vetëm në fundjavë. Autorët e një shtëpie botuese mund të jenë të pranishëm në panair, por jo me statusin e shitësit, as edhe të përkatësisë të vetëm një stende, por për të gjithë publikun që ka lidhje me librin. Televizioni Kombëtar Shqiptar, sipas shembullit të Panairit të Frankfurtit, duhet të jetë i pranishëm me kohë të plotë aty, në panairin e librit, i gatshëm për të transmetuar live çdo aktivitet të tij në një nga platformat e tij. Pra një panair që transmeton kulturë dhe librin e autorin e tij e vendos në piedestalin që i takon në bazë të vlerave që transmetojnë te publiku.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.