Politika e politikës së jashtme të ShBA Rosati & Scott

Politika e politikës së jashtme të ShBA

Autorë: Jerel Rosati & James Scott

Fifth edition/ Wadsworth, Cengage Learning: 2011, 2007, 2004.

Politika e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara është komplekse, e çrregullt dhe plot kontradikta. Ajo është mjaft politike dhe ka të bëjë me të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën. Shpesh politika është e mërzitshme, e megjithatë është interesante, madje ndonjëherë edhe tërheqëse. Ajo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, për jetët e amerikanëve, po aq sa për pjesën tjetër të botës dhe shumicën e qytetarëve të saj. Edhe pse për një të huaj ajo mund të konsiderohet e mistershme e deri-diku tepër e ndërlikuar, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë e kapshme për të gjithë, pavarësisht ligjërimit erudit të akademikëve e specialistëve së bashku me stereotipet politike të thjeshtëzuara e simbolikës që shpesh mbizotëron mes analistëve, praktikantëve, gazetarëve dhe politikanëve. Të tilla janë arsyet dhe sfidat që do të gjeni në këtë libër.

Gjithashtu, zhvillimet e shumta nëpër botë dhe brenda shoqërisë amerikane katër dekadat e fundit kanë shtuar kriticizmin e procesit të kuptimit të politikës së jashtme amerikane. Lufta e Vietnamit, përfundimi i standardit të arit, Watergate, detanta, embargo e naftës, kriza e pengjeve në Iran, buxheti i fryrë federal dhe deficiti tregtar, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe rrënimi i komunizmit në Evropën Lindore, fundi i Luftës së Ftohtë, Lufta e Gjirit Persik dhe, më pranë kujtesës së përbashkët, sulmet e 11 Shtatorit 2001, lufta kundër terrorizmit që pasoi – janë disa prej zhvillimeve që sugjerojnë nevojën për të analizuar dhe kuptuar politikën e jashtme amerikane. Ky libër ka si qëllim të paraqesë thelbin e politikës së jashtme amerikane në kuadrin e ngjarjeve historike, nëpërmjet këtyre objektivave:

  1. Të sigurojë njohuri dhe informacion të kuptueshëm, të arritshëm e interesant për lexuesit. Shumë libra janë të mbingarkuar me qëllime enciklopedike dhe me zhargon të rënduar. Por nga këndvështrimi studimor një gjë e tillë mund të rezultojë pa rendiment.
  2. Të jetë i kuptueshëm dhe arrijë të hapë debat të gjerë rreth qeverisë, shoqërisë dhe kontekstit historik e ndërkombëtar. Përveç njohurive të përgjithshme për presidentin dhe Kongresin, pjesa më e madhe e studiuesve i njohin fare pak institucionet kryesore dhe administratën e politikës së jashtme, si Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Shtetit dhe komunitetin e inteligjencës. Për këtë arsye këto institucione janë analizuar në thellësi. Libri hedh dritë edhe mbi institucione të tjera që shpesh injorohen, si ushtria, administrata e ekonomisë së jashtme, gjykatat, qeverisja e shteteve dhe ajo lokale si dhe kultura politike në Uashington. Duke qenë se edhe studentët mund të kenë mungesa në njohuritë e tyre rreth shoqërisë amerikane dhe rolit historik të ShBA në arenën ndërkombëtare, edhe këto dy tema meritojnë të analizohen. Shumica e teksteve akademike nënvlerësojnë rolin e opinionit publik, kulturës dhe ideologjisë politike, ushtrimin e të drejtave të njeriut, politikat elektorale dhe lobingjet, si dhe ndikimin e medias në procesin e politikës së jashtme. Ata lënë gjithashtu mënjanë mënyrat sesi ndikojnë mjedisi ndërkombëtar dhe ndryshimet në rolin historik të ShBA në këtë mjedis në politikën e saj qeveritare dhe të brendshme. Bazat për të kuptuar politikën e jashtme të ShBA mund të krijohen vetëm duke integruar këto tre perspektiva: kontekstin historik dhe ndërkombëtar, qeverisjen dhe shoqërinë amerikane.
  3. Të analizojë sesi funksionon politika e jashtme amerikane. Kjo arrihet përmes disa pyetjeve që kanë zgjuar veçanërisht interesin e studiuesve: Cili ka qenë modeli historik dominues i vazhdimësisë dhe ndryshimit në procesin e politikës së jashtme përgjatë kohërave? Si ka ndikuar fundi i Luftës së Ftohtë dhe sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001? Deri në ç’masë ka qenë i aftë presidenti të menaxhojë dhe drejtojë politikën e jashtme? Si ka evoluar tensioni i përhershëm mes sigurisë kombëtare dhe demokracisë?
  4. Të sigurojë një pasqyrim të plotë të politikës, si pjesë e rëndësishme në procesin e formësimit të politikës së jashtme. Shumë pak libra arrijnë të rrokin “realitetin” dhe natyrën dinamike të politikës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të përfitosh jo vetëm njohuri bazë mbi institucione me peshë dhe procesin politikëbërës, por edhe një vlerësim mbi mënyrat sesi këta përbërës operojnë mjedisin politik. Për të kuptuar praktikën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, studiuesit duhet ta ndjejnë dhe të përfshijnë nocionin e politikës – në qeverisje dhe shoqëri. Ata duhet të njohin lojtarët, mënyrën sesi ata operojnë, ndërveprojnë, përplasen, fitojnë, bashkëpunojnë dhe humbasin. Kështu, studentët duhet të njihen me bindjet dhe personalitetet që dominojnë politikën amerikane, po aq sa edhe gjuhën e politikës. Një gjë e tillë do të tërheqë vëmendjen dhe interesin e tyre dhe do t’u hapë dyert për të kuptuar pushtetin dhe simbolikën në një proces tepër politik, kompleks, kundërshtues dhe i ngatërruar në një vend si Shtetet e Bashkuara me popullsi prej 270 milionë banorë.
  5. Qëllimi final i këtij libri është integrimi i teorisë dhe praktikës në mënyrë që studentët të shtyhen drejt mendimit analitik dhe teorik. Koncepte dhe përqasje teorike të ndryshme (si teoria e paqes demokratike) janë prezantuar në faza të caktuara të librit në mënyrë që të harmonizohet dhe kuptohet materiali i trajtuar, si dhe të theksohet rëndësia e mendimit konceptual në rrugën e të kuptuarit. Kjo është vendimtare në parandalimin e problemit që mund të ndodhë nëse jepet informacion i tepërt pa mjetet e nevojshme analitike që i lejojnë studentëve nxënien dhe të kuptuarit e këtij teksti. Ndryshe nga shumë libra të tjerë akademikë, shpeshherë unë paraqes përqasjet më të rëndësishme teorike pasi ngre kontekstin, në mënyrë që studentët të çmojnë vlerat e teorisë në analizën e procesit të politikës së jashtme.

Pjesë nga libri

“Lufta kundër Drogës” e Administratës Amerikane

Gjatë presidencës Reagan, prioritet kryesor i administratës amerikane u deklarua “lufta kundër drogës”. Që atëherë, është luftuar në plan kombëtar dhe ndërkombëtar, duke u përqendruar në kontrollin e furnizimit me narkotikë në tre nivele të tregtisë ndërkombëtare të drogës. Eva Bertram, Morris Blachman, Kenneth Sharpe dhe Peter Andreas, në librin e tyre me titull ‘Politika e luftës kundër drogës’ shprehen se agjencitë amerikane të antidrogës goditën:

  1. Burimin prej nga vinte droga, duke bërë presion mbi qeveritë e huaja për të eliminuar prodhimin e kokainës, hashashit dhe marijuanës, si dhe për të goditur infrastrukturën që transformonte bimët narkotike në heroinë ose kokainë.”
  2. Goditën drogën që vinte në kufijtë ose gjatë itinerarit për në ShBA, duke përdorur patrullimet nga ajri, toka, deti dhe oficerët e doganave.
  3. Në bashkëpunim me policinë në nivel lokal organizuan luftën kundër  drogës brenda ShBA, duke u përpjekur të lokalizojnë, arrestojnë dhe çojnë për ndjekje penale çdo shitës e shpërndarës droge.

“Administrata e luftës kundër drogës e nisi ekzistencën e saj në vitin 1914, si një zyrë e vogël në Departamentin e Thesarit (që më pas u shndërrua në Zyrën e Kontrollit të Pijeve Alkoolike dhe Narkotikëve), që kontrollonte në vazhdimësi për të siguruar që shitja e ilaçeve me përmbajtje kokaine dhe heroine të realizohej vetëm nga doktorët dhe farmacistët.” – përpjekja e parë për të kufizuar përdorimin e këtyre ilaçeve dhe narkotikëve. Nxjerrja jashtë ligjit e më shumë drogave, bëri që administrata e lidhur me këtë luftë të zgjerohej. Deri në vitet ‘960, administrata e kontrollit mbi drogat ishte një sipërmarrje e vogël, me më pak se 100 agjentë.

I pari që nisi transformimin e saj në një “kompleks kontrolli të narkotikëve” ishte Presidenti Nikson. Në vitet ‘980, Presidenti Reagan kërkonte afro 30 milionë USD / vit nga Kongresi për të vendosur kontroll mbi prodhimin dhe transportin e drogës në Amerikën Latine, Azinë juglindore dhe jugperëndimore. Gjatë presidencës së Bush Sr., lufta kundër drogës mori përmasa të tjera brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që burime edhe më të mëdha iu akorduan përpjekjeve ndërkombëtare për të kontrolluar narkotikët. Gjatë fundit të viteve 90’, në kohën e presidentit Clinton, buxheti total për programet kundër drogës në plan kombëtar dhe ndërkombëtar,  arriti në 15 miliardë USD në vit, ndërkohë që ka pësuar rritje të konsiderueshme në kuadër të luftës kundër terrorizmit të Bush Jr. Sot, lufta kundër drogës ka krijuar një administratë të madhe.

Agjencitë tradicionale për sigurinë kombëtare dhe agjencitë me orientim kryesisht më shumë në drejtim të problematikës brenda vendit, po përfshihen në luftën kundër drogës, ku kryqëzohen politika e jashtë dhe ajo e brendshme. Në vitin 2002, agjencitë e Departamentit të Drejtësisë, Thesarit dhe Mbrojtjes ishin më aktivet dhe përfitonin pjesën më të madhe të buxhetit anti-drogë.

Drug Enforcement Administration (DEA), pjesë e Departamentit të Drejtësisë, është agjenci lider në luftën kundër drogës, me një buxhet që i kalon 1 miliardë USD, 3,000 agjentë specialë dhe 6,000 nëpunës në më shumë se 170 zyra të shpërndara në ShBA dhe 48 shtete të huaja. Megjithatë, “në Departamentin e Drejtësisë, në vitin 1993, DEA ishte vetëm një prej 15 agjencive ose programeve që lidheshin me luftën kundër drogës… FBI ndërmerrte investigime brenda grupeve të organizuara të trafikut të drogës. Shërbimi i Emigracionit dhe Natyralizimit gjurmonte e kapte kontrabandistë droge dhe ilegalë në kufijtë amerikanë. Shërbimi Marshall i ShBA, mori fonde për sigurinë gjyqësore, transportimin dhe ndalimin e të burgosurve, ndjekjen e të arratisurve dhe menaxhimin e pronave të konfiskuara. Zyra e Burgjeve siguronte kujdesin në burgje ndaj të dënuarve federalë për drogë dhe të burgosurve të tjerë në të gjithë vendin, ndërtonte dhe kujdesej për infrastrukturën e burgjeve.”

Të paktën shtatë agjenci në Departamentin e Thesarit, angazhohen në luftën kundër drogës. Shërbimi Doganor i ShBA, ka për detyrë zbulimin dhe ndalimin e çdo lloj trafiku droge nga ajri, toka dhe deti. Edhe Shërbimi i Brendshëm i Taksave është i përfshirë: roli i tij është “të identifikojë dhe të ndalojë të ardhurat e prodhuara nga droga, si dhe të pengojë dhe zbulojë –përmes investigimit, ndjekjes dhe konfiskimit– organizatat më të mëdha të drogës në vend, si dhe atyre që pastrojnë paratë e nxjerra nga droga”.

Departamentit të Mbrojtjes i takon pjesa tjetër më e madhe e buxhetit në kuadër të luftës kundër drogës. “Për të realizuar misionin e tij të luftës kundër drogës, Pentagoni krijoi tre grupe të ndërhyrjes së shpejtë të përbashkëta. Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, e cila ishte krijuar fillimisht për të gjurmuar bombarduesit dhe raketat sovjetike, shfrytëzon tashmë 50 për qind të kohës së saj për të zbuluar shpërndarësit e drogës. Komanda Jugore e ShBA (SOUTHCOM) në Panama u riorganizua për të goditur trafikun e drogës në Amerikën Latine; detyrë e saj ishte stërvitja e forcave të sigurisë panameze për operacione anti-drogë”. Garda Kombëtare “është e përfshirë në fushata ndalimi dhe shfarosjeje në 54 shtetet e ShBA; garda kontrollon dërgesat, patrullon kufijtë, realizon kontrolle të herë pas hershme ajrore, shkatërron marijuanën e kultivuar dhe u huazon eksperiencën dhe pajisjet e saj agjencive për mbrojtjen e ligjit”.

Zyra e Departamentit të Shtetit për Trafiqet Ndërkombëtare të Drogës dhe ajo e Çështjeve Ligjore financon ndihmën ndërkombëtare për forcimin e ligjit dhe çrrënjosjen e aktivitetit kriminal. Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar siguron asistencë për programet. Roja Bregdetare, pjesë e Departamentit të Transportit, godet shpërndarës droge në itinerarin detar, Administrimi i Aviacionit Federal ndihmon në identifikimin e “trafikimit në rrugë ajrore, duke përdorur radarët dhe avionët e survejimit për të gjurmuar lëvizjet e dyshimta të mjeteve në fluturim”.

Në Departamentin e Brendshëm, Zyra e Menaxhimit Tokësor ka si detyrë shkatërrimin e bimëve narkotike në një sipërfaqe prej 270 milion akrash tokë publike nën kontrollin e saj. Shërbimi Kombëtar i Parqeve dhe Shërbimi i Peshkimit, Florës dhe Faunës janë të përfshirë në luftën kundër prodhimit dhe shpërndarjes së drogës në territorin e gjerë që mbulojnë. Në Departamentin e Bujqësisë, Shërbimi Pyjor është gjithashtu i përfshirë në luftën kundër drogës, në territorin që ka nën juridiksion – 156 pyje kombëtare dhe një sipërfaqe prej 191 milionë akrash. Shërbimi Kërkimor Bujqësor prodhon herbicide për shkatërrimin e bimëve të paligjshme narkotike, kryesisht kokainës. Përtej ekzekutivit, “sistemi i madh gjyqësor në nivel federal, shtetesh dhe lokal i jep një dimension kompleks luftës kundër drogës”.

Gjatë viteve, presidentët janë përpjekur të koordinojnë dhe menaxhojnë luftën kundër drogës dhe administratën e përfshirë në këtë luftë. Presidentë të ndryshëm, kanë krijuar mjaft agjenci. Në vitin 1998 Zyra e Politikës për Kontrollin Kombëtar të Narkotikëve u krijua për të koordinuar dhe për t’i dhënë koherencë pafundësisë së agjencive administrative –rreth 50 departamente, agjenci dhe zyra– pjesë të luftës kundër drogës. Drejtori i kësaj zyre, i ashtuquajturi “cari i drogës”, emërohet nga presidenti me konsensusin e Senatin.

Mes kësaj morie agjencish ekziston një lloj decentralizimi administrativ. Krijimi i Departamentit të Sigurisë së Atdheut dhe transferimi i disa prej agjencive të mësipërme në departamente të tjera, kanë komplikuar edhe më shumë këtë sistem tepër kompleks administrativ. Megjithatë, administrata zbaton politika duke zhvilluar programe në varësi të misioneve organizative, strukturave dhe nën-kulturave individuale, e karakterizojnë. Kështu, edhe pse presidenti luftës kundër drogës i ka kushtuar vëmendje të veçantë në axhendën e qeverisë dhe shoqërisë amerikane, administrata e stërmadhe e bën të vështirë arritjen e suksesit.

Jerel Rosati has been a Professor of International Studies and Political Science at the University of South Carolina since 1982. His areas of specialization are international relations, American politics, and the theory and practice of foreign policy, focusing on the United States policymaking process, decision-making theory & bureaucratic politics, and the psychological study of political leaders and human cognition. His scholarly and intellectual interests include American history, the Vietnam War and the sixties, the dynamics of world politics and global change, and the rise and decline of civilizations. He has educated and taught hundreds of academics, practitioners and policy-oriented personnel in acquiring post-baccalaureate degrees and certificates all over the world as a Professor, Visiting Scholar, and Fulbright with the support of host institutions and often the Educational and Cultural Affairs Bureau (ECA) of the U.S. Department of State.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.