Përtej propagandës së MAS me universitete publike dhe private   Nga Valbona Nathanaili

Përtej propagandës së MAS me universitete publike dhe private  

Nga Valbona Nathanaili

Katër muaj mbasi kanë mbyllur shkollën e mesme, përsëri pjesa më e madhe e maturantëve të brezit 2015-2016, ende nuk e dinë se ku do të vazhdojnë studimet. Të vjen keq ndërsa i sheh të sorollaten nga një derë në tjetrën, në pritje të ngjitjes së emrit sipër vijës së kuqe në listën e fituesve, ose të zgjedhjes që do të bëjë kandidati me notë mesatare më të mirë me vetëm një a dy shifra mbas presjes dhjetore, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre në Europë tashmë po përgatiten për të mbrojtur provimet e këtij sezoni. Por ndonëse sistemi i përzgjedhjes së kandidatëve për studentë për në shkollën e lartë ka disa muaj që denoncohet, në mënyrë sistematike dhe pothuaj nga të gjithë, – pedagogë e studentë, – si dhe pavarësisht pakënaqësisë e padrejtësisë që prodhoi, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit vazhdon të ngulet këmbë, me kokëfortësi dhe me të njëjtën retorikë, se çdo gjë shkon mirë.

Kur nuk e bën dot një gjë më mirë, lëre ashtu si është, – kjo do ishte këshilla më e mirë që duhej t’i kishin dhënë ministres së arsimit dhe të gjithë atyre që kanë dalë në mbrojtje të këtij sistemi diabolik përzgjedhjeje. Por jo. Argumentet më të përdorur në mbrojtje janë, citoj: “Arsimi i lartë në Shqipëri është dhe duhet të jetë shërbim dhe e mirë publike; regjistrimet në universitete janë në zbatim të ligjit, ndërsa vetë ligji është një reformë që sjell cilësi në universitete, ndaj u shërben, në radhë të parë, studentëve dhe, më pas edhe prindërve; ligj në mbështetje të shtresave në nevojë etj. etj.” Sigurisht që kishte ardhur koha për një ligj të ri për arsimin e lartë, por ligji nuk i jep zgjidhje asnjë prej problemeve në emër të të cilave pretendohet se është hartuar. Të paktën sa kohë do vazhdojë të jetë në këtë formë, sepse në rastin më të mirë e lë tablonë sikurse është sot, pra ruan status-quonë, që shoqërohet me forcimin e vazhdueshëm të universiteteve private dhe degradimin e vazhdueshëm të universiteteve shtetërore. Por ndërsa skema e regjistrimit në universitet nuk ka asnjë lidhje me ligjin e ri, futja në një emërues i universiteteve private dhe publike është thjesht përgjegjësi e ministrisë, në vijim të frymës së ligjit.

Zbatimi i ligjit të ri për arsimin e lartë ka një faturë financiare, e cila nuk përmendet në asnjë deklaratë për shtyp, në asnjë nga daljet e përditshme të ministres së arsimit, në asnjë dokument. Faturë financiare për të cilën kanë nevojë jashtëzakonisht shumë universitet shtetërorë (do vazhdoj t’u referohem në këtë mënyrë, ndonëse kanë ndryshuar status, – të vetmit) nëse duam që ata të vazhdojnë të punojnë të qetë edhe në vitet në vijim e të pranojnë normalisht studentë.

Po të krahasojmë shpenzimet për student në universitetet shtetërore dhe ata privatë tabloja bëhet shumë e qartë. Për të bërë krahasimin, kushtëzuar nga mungesa/ prania e  transparencës në secilin prej tyre do përdor dy referenca: për universiteteve shtetërore do i referohem shpenzimeve për student që bëhen në këtë lloj universiteti, ndërsa për universitet privatë do i referohem pagesës për vit të një studenti, ndonëse janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, veçanërisht kur i referohemi synimit sepse funksionojnë, por që na ndihmon të kemi një kuadër të qartë.

Shqipëria shpenzon, sot, rreth 500 – 600 euro / student në universitetin shtetëror. Duke pasur referencën shtetërore, shpenzimi i shtetit për student nuk lidhet shumë me atë që paguan studenti për t’u arsimuar, ose nuk shkojnë në përpjesëtim të drejtë me të njëjtët koeficiente. Me këtë buxhet që ka vendi ynë për arsimin e lartë shtetëror, gjendja është kjo ku jemi dhe nuk ka asnjë gjasë të përmirësohet, ndërkohë i duhen të paktën 4-5 herë më shumë për t’u barazuar me Rumaninë dhe Bullgarinë, ose 8-10 herë më shumë për t’u afruar me vende, si Portugalia e Spanja. Situatën në arsimin e lartë shtetëror nuk e përmirëson as edhe ligji i ri. Përkundrazi. I bën gropën. Një universitet i varfër nuk mund të gjenerojë para. Nuk mund të gjenerojë performancë të mirë. Nuk mund të gjenerojë cilësi. Pretendimi i ligjit të ri për arsimin e lartë se “Financimi për universitetet publike, pra paratë që shteti i jep universitetit, tani do të jepen në bazë të treguesve të performancës” mbetet në kuadrin e një klisheje dhe të një parulle shumë të mirë për konsum para buke.

Nga ana tjetër, në një universitet privat, një student paguan për të ndjekur studimet, sot, mesatarisht, rreth 2000-2500 euro në Shqipëri. Në këtë të fundit, sikur marzhi i fitimit të pronarit të universitetit të jetë rreth 50%, atëherë në një universitet privat shkojnë te studenti afro 1000-1250 euro, ndërsa pronari merr po aq. Në një logjikë të thjeshtë, më shumë para, më shumë cilësi, më shumë performancë, më shumë kërkesa.

Që universiteti shtetëror të mund të mendojë të konkurrojë denjësisht me universitetin privat, sot mund ta bëjë vetëm nëse paratë që investohen për zhvillimin e tij do të rriten. Pra, nëse shteti angazhohet të shpenzojë për student afro 1000-1250 euro në vit, gjë që përkthehet në një buxhet afro 250 – 350 milionë euro në vit. Por shteti ynë është i varfër dhe nuk e ka përparësi arsimin, aq më tepër arsimin e lartë. Sipas ministres të zgjedhur nga kryeministri për të drejtuar punët e arsimit dhe të sportit bashkë, “Shteti do të jetë gjithmonë e më shumë financuesi i arsimit të lartë, por këto financa, taksa të qytetarëve shqiptarë, duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës.” Unë nuk e kuptoj se si mund të prodhohet maksimumi i vlerës me këto shpenzime që bëhen në universitetin shtetëror dhe si mund të konkurrojë ky universitet me universitetin privat.

Për t’ju kthyer edhe një herë status-quosë që përforcon ligji, ai u referohet dy lloj universiteteve, publike dhe private. Rrethi vicioz i universiteteve publike është më shumë para për më shumë arritje, por starti është me pak para, pra në përfundim edhe më pak arritje. Edhe në fund të këtij viti akademik, edhe vitin tjetër, kënga që do dëgjojmë nga universiteti shtetëror, alias publik, do jetë po ajo sa kohë nuk do ketë investime. Për më tepër, do vazhdojë të jetë i vetmi, të paktën edhe për nja 10 a 20 vitet në vijim, – nëse do vazhdojmë të mbajmë këtë ligj, – me statusin publik.

Nga ana tjetër, në mungesë të një konkurrence shqetësuese, logjika e do që vetë universitet private nuk kanë pse të ndërrojnë statusin në publik, sepse u duhet të heqin dorë nga një pushtet shumë i madh financiar, i cili në një rast jo hipotetik, mund të shndërrohet edhe në pushtet ideologjik. Gjithmonë në referencë të të njëjtit ligj, universiteti privat është i qetë të vazhdojë në të njëjtin rrugëtim që ka nisur, por nga viti në vit më i shëndoshë në financa dhe më i pranishëm në treg, pa harruar këtu të shtojmë flirtet e vazhdueshme me Ministrin e radhës së Arsimit, produkti i të cilit është në fund të fundit edhe ky ligj. Sa kohë që ligji nuk vë afate kohore për shndërrimin e të gjithë universiteteve private në publike, çdo pretendim për cilësi, financim mbi bazën e arritjeve etj., etj. është thjesht një gjetje për të mashtruar publikun, ose mungesë përgjegjshmërie ndaj shoqërisë. E shfaqur kjo dhe në zgjedhjen e sistemit për t’u regjistruar në shkollën e lartë.

Foto kryesore: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, kursi i fizikës 1983.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.