Përralla e minjve që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin

Përralla e minjve që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin

Përshtati në formën e përrallës, në gjuhën shqip, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishin një herë tre minj të vegjël, që vraponin lart e poshtë nëpër arë, shumë të zënë me përgatitjet për të dimëruar.

Miu i parë duhej të siguronte zahiretë. Që do të thotë, se ishte në kërkim të çdo kokrre gruri dhe fare, të cilat sapo i gjente, i çonte me shpejtësi në vrimë.

Miu i dytë duhej të siguronte si të mbroheshin nga të ftohtit. Që do të thotë, se ishte në kërkim të çdo fije kashte dhe pushi, të cilat sapo i gjente, i çonte me shpejtësi në vrimë.

Po miu i tretë? Miu i tretë duhej të ndihmonte dy shokët e tij. Që do të thotë, herë njërin dhe herë tjetrin.

Por jo! Miu i tretë mendonte se kishte gjëra më të rëndësishme për të bërë! Ai ishte i zënë me gjetjen e përgjigjeve për pyetje si: Çfarë është fusha? Pse shkëlqen dielli? Ku mbaron qielli?

Për orë të tëra vëzhgonte qiellin e tokën dhe, më pas, kur kishte menduar shumë në lidhje me to, shtrihej të pushonte për pak kohë. Pastaj fillonte përsëri, me të njëjtin rend. Por nuk mjaftohej vetëm me kaq! Dita e tij mbushej edhe me përshtypjet që merrte kur shihte gjallesa të ndryshme.

Çdo gjë që shihte, i pëlqente ta analizonte.

Dy minjtë punëmëdhenj, ndërsa rraskapiteshin për të mbyllur punët që kishin marrë përsipër, e qortonin ashpër shokun e tyre:

– Sa përtac që je! Por të shohim kur të vijë dimri, sa do të jesh në gjendje t’ia dalësh!

Miu i tretë nuk bënte as përpjekjen më të vogël për të justifikuar veten. Vazhdonte po njësoj!

Muajt kaluan dhe erdhi dimri. Dëbora mbuloi çdo gjë. Vazhdimisht frynte erë. Nata ishte e gjatë dhe dita e errët.

Të tre minjtë u mbyllën në vrimën e tyre të vogël. I kishin të gjitha: ushqim për të ngrënë dhe mjete për të mbajtur të ftohtin larg, por nuk kishin asgjë me çfarë të kalonin ditën, asnjë ide si të shtynin kohën, asnjë lodër të argëtoheshin. Filluan të mërziten!

Atëherë miu i tretë filloi të tregojë histori për dy shokët e tij:

  • Tregoi se si kishte parë, një pasdite, një fëmijë të vogël dhe përshkroi, me sytë që i shkëlqenin, çfarë kishte veshur, si luante dhe si buzëqeshte djali;
  • Tregoi se si kishte parë, një mëngjes, një burrë buzë një pellgu dhe përshkroi, me shumë gjallëri, çfarë kishte veshur, si ishte larë në ujë dhe si përgatitej të shkonte në punë;
  • Tregoi, pastaj, për bisedat që kishte bërë me minjtë e tjerë dhe këngët që kishte mësuar nga një zog…
  • Tregoi për natën dhe ditën, për të ftohtin dhe të ngrohtin, për qiellin dhe yjet…

Vetëm në atë çast, dy miqtë e tij kuptuan se miu i tretë, gjatë gjithë verës, po mblidhte për ta rrezet e diellit, për t’i ngrohur në ditët e dimrit.

Përralla është përshtatur nga libri “Konfuci sipas zemrës. Mençuria e lashtësisë për botën e sotme” Autor Yu Dan, botuar nga Minerva, Tiranë. 

Pamja kryesore: foto credit @ I. Nathanaili

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.