Përralla e iriqëve që mësojnë si të respektojnë njëri-tjetrin

Përralla e iriqëve që mësojnë si të respektojnë njëri-tjetrin  

Përshtati në formën e përrallës, në gjuhën shqip, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishin një herë dy iriqë të vegjël!

Iriqët jetonin pranë njëri-tjetrit, nën dy gëmusha ngjitur. Si komshinj, u pëlqente shpesh të dilnin për gjah natën, së bashku, pas gjumit të gjatë të ditës. Vera ishte stina më e preferuar. Çdo gjë dukej e mrekullueshme! Kishte mjaftueshëm kërpudha, që ishte ushqimi i preferuar i njërit dhe plot bretkosa, që ishte ushqimi i preferuar i tjetrit.

Pasi siguronin ushqimin, stërviteshin dhe këshilloheshin si të mbroheshin nga kafshët e tjera, sepse iriqët vërtet kanë gjemba, por jo të gjitha kafshët tremben prej tyre. Për shembull, kush shihte i pari një buf, lajmëronte me hungërimë të shkurtër edhe tjetrin, ndërsa dhelpra kishte sinjal tjetër – hungërima ishte e gjatë. Por si ndaj shpejtësisë së bufit, ashtu edhe ndaj hileve të shumta të dhelprës dinake, iriqët kishin zgjidhjen e tyre të madhe dhe të vetme: shndërroheshin menjëherë, duke u mbledhur me shpejtësi, në një topth të vogël gjembi. Kështu kalonin ditët dhe gjithë vera, derisa vinte dimri dhe binin në gjumë letargjik, për t’u takuar përsëri verën tjetër.

Por një verë bëri ftohtë, aq ftohtë sa të kujtonte dimrin që sapo kishte kaluar. Iriqët filluan të dridhen. Si të ngroheshin? Pothuaj në të njëjtën kohë, të dy propozuan:

– Sikur të afrohemi me njëri-tjetrin?

Iriqët kishin mësuar se po të qëndronin pranë, e kishin më të lehtë për të përballuar të ftohtin.

Të lumtur që kishin gjetur zgjidhjen, iriqët u afruan për t’u ngrohur, por gjembat që u mbulonin trupat i shpuan dhe…

“Ohhh, më shpove!” – bërtitën të dy në të njëjtin çast.

Kështu u detyruan të largohen… por sapo u larguan, i ftohti i madh që kishte pllakosur vendin u shkaktoi të njëjtat të dridhura.

Bërrrrr! Sa ftohtë! Duhet të afrohemi përsëri!

U afruan përsëri…

“Ohhh, më shpove!”! – u dëgjua e njëjta ankesë, shoqëruar me lot të hidhur nga dhimbja. Gjembat kishin bërë përsëri punën e tyre. Por nuk hoqën dorë!

U larguan përsëri…

Dhe përsëri “Bërrrrr!” I ftohti i kishte detyruar të lëshonin të njëjtët tinguj pakënaqësie.

Përsëri u afruan. Përsëri “Ohhh!” Përsëri u larguan…. Përsëri “Bërrrrr!”

Gjembat dhe i ftohti ishin dy kufijtë e mundshëm që përcaktonin distancën që duhej të mbanin nga njëri-tjetri.

U deshën disa prova, mbushur me gabime, me të qara dhe ankesa, që iriqët të gjenin, më së fundmi, distancën e saktë që duhej të mbanin: pra edhe të fitonin ngrohtësinë e të qenit bashkë, edhe të mos e dëmtonin njëri-tjetrin.

Foto kryesore: credit http://www.worldmostamazingthings.com/2011/04/amazing-hedgehog-hedgehogs-facts-photos.html

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.