Përmendore mbi gjendjen e arësimit, 17 dhjetor 1930

Përmendore mbi gjendjen e arësimit / Paraqitun, Madhnisë së tij, Zog I, Mbretit të Shqiptarvet

Nga Hil Mosi 

Burimi: Valbona Nathanaili 

Paraqitur me fragmente nga libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe” (ff.158-60)

Një nga punët e para që ndërmerr Hil Mosi si ministër i Arsimit është të bëjë një përmbledhje – përmendore si e quan vetë ai – të gjendjes së shkollave në Shqipëri, të vetë arsimit në përgjithësi, si dhe të masave që mund të merren për përmirësimin e gjendjes. Më 17 dhjetor 1930 këtë përmendore ja paraqet Ahmet Zogut.

Internati i Vunojt

Internat’i varzavet, që u çel qysh vjet në Vuno âsht nji nga mjetet mâ të frytshëm për me kallë ndjenjat kombëtare ndër ato vise, të cilat nga pozita gjeografike, nga kultura që kanë ushqyem ndër kohënat e para, si dhe nga kontakt’i madh, që kanë pasun banorët me Greqinë, kanë ushqyem kurdoherë nji simpati aqë të madhe me atë shtet, sa e kanë konsideruar si atdhen e vet.
Shtet’i jonë duhet asaj krahine t’j’a api të gjith kujdesin e duhun, si në pikëpamjen administrative, tue dërguem sa mâ tepër që âsht e mundun nëpunsa prej elementit të krishterë (por që të jenë kombëtarë), ashtu edhe nji trup gjindarmërije të zgjedhun, nga më të mirët gjindarmë, që kemi, kështu që dalë nga dalë t’u hiqet edhe pleqve ajo antipathi që kanë ushqyem qysh me kohë kundër nesh.
N’internatin e varzave në Vuno sot për sot ndodhen 30 bursiste, mâ të shumëtat varza grekofone, të cilat, kur kanë ardhun së parit as që e kanë dijtun gjuhën shqipe, kur se tashi me të ndjekunit e asaj shkolle po rriten me ndjenja shqiptare e po premtojnë që të bâhen dikur filiza të vjefshëm për arsimin kombëtar.
Mjerisht godina ku ndodhet konvikti edhe shkolla femnore nuk âsht e përshtatshëme për atë detyrë. Nji klasë që ish tue u hapë tash ish e errët edhe e ulët, kur se nji tjetër odë shërbente hem si salë ngrânjeje, si edhe si klasë mësimesh. U porosit kryetar’i komunës, i cili âsht vendës, mbasi për njiheri âsht edhe kryetar i këshillit arsimuer t’atjeshëm, që të pajtojë nji ndërtesë tjetër e cila ish mâ sipër katundit e ish mâ e përshtatshëme, edhe ish e zbrazët mbasi pronari banonte në mërgim, edhe na qe dhânë premtimi se edhe ky dëshir do të kryhej sa mâ parë.
Në zbatimin e ligjës së re mbi arsimin filluer jemi të mendimit që ajo shkollë femnore të bâhet shtatë klasësh, kësilloj që prej andej varzat t’jenë të gatituna me mbaruem normalen edhe të dalin edukueset e brezit të ri femnuer.
Gjith ashtu duhet të kujdesohemi që ai internat të kompletohet sa mâ mirë që të mundi të përfshijë të paktën 50 e deri të shumtën 100 bursiste, me kusht, që këtej e mbrapa bursiste nd’atë konvikt mos të pranohen veç se varza grekofone.

Konvikti “Çamëria”

Konvikti “Çamëria” në Sarandë ndodhet mbi një ndërtesë me drrasa, ku ka pas qenë mâ përpara komanda e gjindarmërisë. Ndërtesa âsht mjaft e ngushtë për konviktorët e shumët që ka ai konvikt. Për vitin shkolluer të sivjetshëm duhet që internatit t’i jepet nji ndërtesë që âsht aty për bri, si depozitë djathi, e që âsht e zbrazët. Me dhânjen e kësaj ndërtese, që i âsht lëshue me qera nji të quejtumi Gjika Sallës, kish me i u plotsue nevoja e konviktit për ket vit shkolluer.
Duhet theksuem se rregulli e disiplina nd’at konvikt mbretnon mâ së miri edhe të gjith banorët e Sarandës lëvdohen me at institut.
Për vitin e ri shkolluer 1931-1932 duhet që konvikti të transportohej në nji ndërtesë tjetër, që të jetë mâ e përshtatshëme për me i a plotsuem nevojat; edhe si godinë mâ e gjashëme për ket qëllim âsht ndërtesa, ku ndodhet sot magazina ndezëse e “Agipit” në Sarandë. Tue qenë se ndërtesa që i shërben shoqnisë “Agip” si magazinë âsht mbrenda në qytet, edhe në rasë të nji zjarmi kish me shkaktuem djegjen e të gjith qytetit, duhet që magazina të hiqet prej andej, e shoqënija të detyrohet me ngrehë nji ndërtesë larg nga Saranda, nd’atë mënyrë si j’a imponon artikulli 8 i koncesjonit, që ka lidhun me shtetin t’onë.
Kështu arsimi, me këtë ndërtesë nën dispozicjonin e vet, kish me pasë nji konvikt, në të cilin kish me përmbledhë djelmët irredent të Çamërisë edhe ata të katundeve grekofone të Shqipnisë, në mënyrë që me u bâm nji fole e kulturës kombëtare.

Përfundim (shkëputur një paragraf)

Programi i vjetve që ndiqet sot ndër shkollat t’ona normale âsht i pakët, kësilloj që mësuesit e mësueset dalin nga shkolla në nji moshë po thuej se të mitun. Faji ka qenë edhe nd’organizimin e Arsimit filluer që âsht pesë vjeçuer. Prandaj me ligjen e re t’arësimit filluer, që kemi pregatitun, arsimi filluer do të zgjatet ndër shtatë vjetët: 4 rende fillore e 3 rende plotore. Kështu që ato fëmi, të cilët tue mbaruem detyrimin shkolluer, nuk duen mâ me i vazhduem mësimet e veta, por me u lidhë me jetën bujqsore, punëtore etj., dalin mâ të pjekum e të stërvitun, për me i përballuem vishtirësitë që gjejnë në luftën e jetës; kur se ajo pjesë e nxânsavet, që do të vazhdojë mësimet e veta në nji lice ose gjimnaz, me të mbaruem 4 rendet e fillores hyn në të parën gjimnaz, lice, ose profesjonale, a po edhe, mbasi mbaron plotoren, bân edhe gatimoren e katër rendet e normales, tue dalë nji arsimtar i pjekun për barrën e rândë të mësuesisë.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.