Për një filozofi të re mësimi në shkolla Nga Valbona Nathanaili

Për një filozofi të re mësimi në shkolla

Nga Valbona Nathanaili

15 prill 2016

Nisma për futjen e mësimit të besimit në shkollat publike të sistemit parauniversitar, pavarësisht kujdesit që është treguar në lidhje me emërtimin, pra janë dhënë disa alternativa, nuk është çështje vetëm e autoritetit të shtetit. Ndërsa pohimi se me përmbajtjen e saj do merren specialistët, të huaj dhe të vendit, është i parakohshëm (nënkupton që nisma po materializohet në praktikë). Vendime të tilla të rëndësishme, që lidhen jo me çfarë do ju mësojmë fëmijëve, por si do i mësojmë, pra kanë lidhje direkt me misionin e shkollës dhe filozofinë e të mësuarit, duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit publik.

A ju shërben kjo lëndë “e re” fëmijëve të sotëm për të qenë qytetarë më të mirë nesër? Më 12.6.1922, Rexhep Mitrovica, ministër i arsimit i kohës i Shqipërisë, ndër problemet që ngre lidhur me zhvillimin e këtij mësimi në shkolla, shkruan:

  • Jemi të mendimit që Ministria e Arsimit të mbajë një paanësi të plotë ndaj besimeve të ndryshme të popullit shqiptar, paanësi që do t’u mbante tue mos marrë aspak në kujdes mësimin e fesë, por tue u a lanë bashkive të qyteteve, sikurse janë tue veprue qeverit e tjera të botës, që kanë besime të ndryshme. Në këtë mënyrë kishim për t’u shpëtuar kritikave që mund të na vinë nga anë të ndryshme, veçanërisht nga ana e zonat e Jugut.
    Tue largue mësimin e besimit kishim për të pasë një fitim të madh në orë, që kishin për t’u kushtue landëve të tjera e kishim për të shpëtue një kakofoni që çudit tue këndue nëpër lista të mësuesvet se në një shkollë fillore kemi tre mësues besimi, bie fjala në Durrës.

Për z. Mitrovica, po aq të rëndësishme janë edhe dy çështje të tjera: orët e mësimit të besimit marrin shumë nga dita e mësimit në shkollë të fëmijëve që, fare mirë, mund t’u kushtohen  lëndëve të tjera, si dhe fondi i konsiderueshëm që duhet për pagat e mësuesve të besimit, “a thua se jemi Ministri e fesë”, – e mbyll raportin.

Duke qenë e vetëdijshme se dy shqetësimet e fundit janë po aq aktuale edhe sot, pra futja e kësaj lënde të re rrit ngarkesën mësimore të fëmijëve, sikundër ka edhe një faturë financiare, shqetësimi i parë që ngre z. Mitrovica, sot, 94 vjet më pas, ka nevojë të riformulohet. Sigurisht që askujt nuk i shkon në mend që mësimi i besimit, sot, në shkollat publike, do jetë predikim, sikundër ka qenë në atë kohë. Këtë e përjashtojmë. Edhe Mitrovica, me vizionin e tij, nuk e donte, por shkolla është projeksion i shoqërisë. Nuk ka vend as ilustrimi që në shkollat e filan shteti ka lëndë (me zgjedhje ose jo) për mësimin e besimit. Me të njëjtin argument të shkollës si projeksion, kundërshtimi lidhet me faktin se kemi histori të ndryshme zhvillimi dhe kulture, veçanërisht sa i takon besimit.

Sot nuk na lejohet të bëjmë hapa prapa, por të punojmë për të ardhmen. Do riprodhojmë po këtë shoqëri që është edhe sot, apo do punojmë për një shoqëri të së nesërmes? E nesërmja duhet të jetë një shoqëri tolerante, ku identiteti fetar nuk është shkak për ndarje, por diversitet që e bën më të pasur dhe më të bukur. Për shumë njerëz, identiteti fetar është vijë ndarjeje nga njerëzit e një identiteti tjetër dhe, përsëri për shkak të të qenit njerëz, kërkojmë ose zgjedhim të bashkëpunojmë, kryesisht, me anëtarë të të njëjtit identitet. Si t’i mësojmë fëmijët të reflektojnë në mënyrë kritike për identitetin e tyre fetar, të zhvillojë ndjenjën e “vetes” si pjesëmarrës në një shoqëri demokratike, e cila përfshin të kuptuarit dhe respektin për identitetin e tjetrit? Si t’i mësojmë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin? Si t’u sigurojmë qëndrueshmëri sociale? Si t’u zhvillojmë aftësinë për të gjykuar dhe për të vënë veten në vendin e tjetrit, pra ta shohë tjetrin jo me njollat e errëta të kulturës ku është rritur? Si të krijojmë, në shkolla, një kulturë të përbashkët?

Kjo kërkon një filozofi të re shkollimi, që nuk mund të realizohet vetëm me futjen e një lënde të re, por me gjithë kurrikulën në funksion të saj. Për këtë arsye, jam kundra futjes së mësimit të besimit në shkolla, pavarësisht emërtimit që mund të marrë dhe programit a përmbajtjes së saj. Mjaftojnë lëndët që zhvillohen në shkolla sot, por është e nevojshme të rishikohen përmbajtja dhe mënyra e zhvillimit të tyre dhe, në një perspektivë më të gjerë, gjithë jeta që bëjnë fëmijët në shkollat publike. Pra, theksi është më shumë si t’i mësojmë se sa çfarë t’u mësojmë. Çdo përpjekje për të shtuar një “lëndë të re”, vetëm sa na largon vëmendjen nga problematikat kryesore që kemi në shkollat tona sot.

Foto kryesore: Gjimnazi “Mahir Domi”, Elbasan. Sipas të dhënave nga drejtoria e shkollës, viti 2016, 27% e nxënësve vinë nga fshatrat rreth Elbasanit. Shkolla gjendet në periferi të qytetit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.