Për atë që dua(m)… Nga Atjon V. Zhiti

Për atë që dua(m)… Nga Atjon V. Zhiti

Ese, statuse në facebook, recensa, poezi e përkthime të një 19 vjeçari të përhershëm

“…shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne…” Atjon Zhiti

Autor: Atjon V. ZHITI  Përgatiti për botim: Visar ZHITI

NJË FILLIM DRITE, I VRARË… Rrëfim nga babai i Atjonit… me copëza jete dhe e-maile…

Kisha menduar, jo rrallë, për vdekjen time. Përfytyroja time shoqe, vejushë të bukur me të zeza së bashku me djalin tonë, të gjatë e të hijshëm, sa i qeshur, po aq dhe serioz.
Nuk i doja të dëshpëruar, gjithsesi. I shihja tek linin trëndafila të kuq mbi varrin tim dhe ndjeja një si qetësi të shenjtë…
Ime shoqe u vesh vërtet me të zeza, por, ah, e pabesueshme dhe tragjike! Për djalin! E rriti gjithë përkujdesje, vërtet mama e mrekullueshme, u jam mirënjohës për atë lumturi të përbashkët që u krijua në familjen tonë. Me të drejtë latinët thoshin: na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë…
Tani, kur shkojmë në vendet ku kemi qenë me djalin tonë, (teksa dalim nga shtëpia, puth gjithmonë këpucët e mëdha të Atjonit), ndjejmë se si shpirti kërkon të na shkëputet prej trupit dhe të rendë qiejve, andej ku duhet të jetë Ai. Ndalim pa frymë… dua të them diçka për Atjonin…
* * *
On Tuesday, February 11, 2014 12:58 PM, atjon zhiti
<atjonzhiti3@yahoo.com> wrote:

...kam tmerrësisht shumë qejf të botohet… Dua të botohet, ndoshta dikush e lexon dhe beson, mbas tij me radhë etj., etj., dhe vijojnë ndryshimet me ngacmime… kështu fillojnë gjërat…
Sent from Yahoo Mail for iPhone

Atjon Zhiti po sillte kështu shkrimin e tij të parë, me besimin, dyshimet dhe ngazëllimet e moshës, kurse tani, pas një viti, përmes dhembjes më të madhe e zisë për të, po plotësojmë mbase një dëshirë të fshehtë, “një amanet” të pa thënë, nxjerrjen e një libri, që ai nuk e kishte menduar fare, por, gjersa nisi të botojë, duhet të ketë qenë brenda tij si një projekt, besoj, si një kërkesë komunikimi me veten dhe botën.
Mblodhëm ndërkaq shkrimet e tij, ato pak që la, të parat i botoi vetë, një pjesë të mbetura në kompjuter, ia gjeti mami, duke shtuar dhe nga statuset që hidhte në fb, mendime dhe ide, përjetime apo përgjigje interesante, një pjesë na i dhanë shoqet dhe shokët e tij, Dea, Livia, Denisi etj., recensa librash që ua kërkonin në shkollë, nja dy i kishte ruajtur Sabiela D., poezi e përkthime “të rastësishme”, shenja të një fillimi të bukur ashtu si fëminia e tij gazmore, adoleshenca hokatare dhe mençuria e rinisë.

Nuk e dimë në do ta donte një libër të tillë, megjithatë është i tij, gjithçka e ka shkruar ai, por sigurisht do t’i dukej herët, nuk do ta pranonte, kur kishte aq shumë për të nxënë, teksa ndërgjegjësohej për fjalën dhe mendimin, thellësinë e tyre, estetikën e ndërthurjes, të cilat i vlerësonte duke iu druajtur dhe joshur njëkohësisht, në përleshjen mes të cilave po triumfonte kjo e dyta, joshja për të thënë. E ndjente dhe, nëse vetëbindej se duhej, shkruante. Po, të bëhet një libërth i hollë dhe i gjatë, fin si vetë Atjoni, na nxiti së pari gazetari Alfred Lela, ai i cili e promovoi dhe ia botoi të gjitha shkrimet e mëpastajme.

Është dhe dëshirë e fortë e miqve të tij të shumtë për ta risjellë Atjonin ashtu siç e njohën, plot ngazëllim dhe dritë…

At’jon,
që je në qiell, bir dhe shpirt! E si mund ta besojmë që ke pushuar, jo, kurrë, që të mposhti absurdi, e rëndomta dhe mizerja?
Pa u rritur mirë, t’u vërsul fundi, të mori me motorin e tjetrit, të moshatarit prej terri… përplasshëm… vdekja jote është gjallë, e pa gjykuar, ah, në ç’gjyq, në atë të fundit?…
Ti ikën, tretesh në qiellnajë, endesh yjeve, shok dhe shenjt… ndërsa emri yt, që duhej të ishte në regjistrat e universiteteve e në kartelat e bibliotekave, në kompjuterat e projekteve të së ardhmes, ka rënë në tokë, nuk e shoh dot mbi atë copëz mermeri të bardhë… ashtu gërryeshëm, që më ka kaluar në mish, e ka çarë si fatin…
Në universin bosh të ndjekim lart me sytë e ënjtur, kemi ngrirë si dy trarët e një kryqi të zi, të djegur nga rrufeja, shëmbur nga stuhia e shiu… i lotëve. Mos je ti kjo flatër zërash engjëllorë, kjo ëndërr Zoti?… Duheshe më shumë në qiell? Dhe shkove. Po edhe tokës i duheshe, bir!
Ktheje kokën e bukur, buzëqeshna! A do ta sundoje botën vetëm me buzëqeshje? Dhe me punë të pashtershme, kështu thoshe, për të mirën e njeriut… Po ti je njeriu, ti je bota… për ne asgjë nuk ka kuptim pa ty. Kthehu! Derën s’e mbyllim me çelës, të presim, pa ty s’ka as derë horizontesh,
as çelës dëshirash. Le të vijnë netët si të duan, hajdutshe, se nga vdekja s’kemi më frikë, shkove ti më parë, guximtar, s’e dimë pse, ndoshta prandaj, por nga jeta po, kemi frikë tani.
Eja ti, eja ta qetësosh gjithësinë tonë! Mbi tryezë është çanta jote, siç e le, me librat brenda, me ato vizimet e tua që vazhdojnë në lëkurat tona, përthellohen, bëhen humnera zemre, le të kullojë gjaku i dritës tënde në to, se asgjë tjetër s’i mbush dot e nuk duam t’i mbushë…

Lutemi… ka rënë më gjunjë dhimbja jonë e koha ka shtangur si e tradhtuar nga jeta. Kohë s’kemi më, vetëm të shkuar. Një kalendar tjetër na rri varur në murin prej ajri të hidhët. Ditët, stinët, viti ndahen ndryshe tani: me ty dhe pa ty. Ne besojmë në Ty, në praninë tënde gjithandej…
Amen!

Tiranë-Romë, në prag të datëlindjes tënde të 20-të.

Të dhëna për librin dhe fotot e përdorura

Redaktorë: Alfred LELA, Valbona NATHANAILI
Fotot: Nga arkiva personale e familjes.

ISBN 978-9928-190-37-6 F. 243 Tiranë: UET Press.

Foto kryesore: Ballina e librit – Foto, Atjon Zhiti, Riga, Letoni 2014.

Foto e dytë: Atjon Zhiti, student.

Foto e tretë: Kopertina e pasme e librit: Foto, “Atjoni dhe librat”, Milano, Itali 2014.

Foto e katërt: Atjoni me këngëtarët Ricardo Cocciante e Elhajda Dani.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.