Pasojat e modernitetit. Autor Anthony Giddens

Pasojat e modernitetit. Autor Anthony Giddens

Përkthyen Fatos Tarifa, Valbona Nathanaili, Blerjana Bino

Botuesi: UET Press Faqe: 209 ISBN 978-99956-39-67-9 Viti i botimit: prill 2013

Synopsis

Në veprën e tij “Pasojat e modernitetit”, Anthony Giddens jep një këndvështrim tejet tërheqës e të ri rreth natyrës së modernitetit, si dhe të marrëdhënieve të veçanta që ai arrin të krijojë me format shoqërore tradicionale. Që nga koha e sociologëve klasikë, Giddens shquhet për mënyrën si e përthith gjithë traditën e mendimit në këtë fushë dhe si arrin të ‘luajë’ me teori të ndryshme, duke i vënë përballë njëra-tjetrës dhe përdorur si mjet në formësimin e argumentit të tij. Baza e veprës së tij është jo vetëm e gjithë tradita e krijuar, por edhe punët e mëparshme

Pikëpamjet që shtjellon Giddens në këtë vepër mund të formulohen në këto pyetje dhe në përgjigjet e tyre respektive: Cila është origjina e modernitetit? Cila është natyra e modernitetit? Cilat janë pasojat e modernitetit? A është tejkaluar shoqëria moderne dhe a është zëvendësuar ajo nga një shoqëri postmoderne? Për të zhvilluar një përshkrim sa më të qenësishëm të natyrës së modernitetit, autori përqendrohet në temat e sigurisë versus rrezikut dhe të besimit versus riskut. Për të, zhvillimi i institucioneve shoqërore moderne ka krijuar mundësi shumë më të mëdha tek qeniet njerëzore për të gëzuar një ekzistencë më të sigurt dhe jetesë më të vlerësueshme se në çdo lloj tjetër sistemi para-modern. Por moderniteti mbart, gjithashtu, edhe një anë të errët, e cila zë një vend të rëndësishëm në shekullin e tanishëm dhe që lidhet me natyrën periodike degraduese të veprave moderne industriale, me rritjen e totalitarizmit, kërcënimin për shkatërrimin e mjedisit dhe zhvillimet shqetësuese të fuqive ushtarake dhe armatimeve. Sot, Giddens konsiderohet si një figurë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe është shndërruar në një ikonë për shumë sociologë në mbarë botën; ndjekësit e mendimit të tij e konsiderojnë gjerësisht si një klasik të ri. Vlerësohet shumë për kritikën ndaj pozitivizmit në shkencat sociale dhe ndaj postmodernizmit, për rëndësinë që i kushton agjencisë sociale dhe për besimin në të ardhmen.

Për të zhvilluar një përshkrim sa më të qenësishëm të natyrës së modernitetit, autori përqendrohet në temat e sigurisë versus rrezikut dhe të besimit versus riskut. Moderniteti është një “thikë me dy presa”. Zhvillimi i institucioneve shoqërore moderne ka krijuar mundësi shumë më të mëdha tek qeniet njerëzore për të gëzuar një ekzistencë më të sigurt dhe jetesë më të vlerësueshme se në çdo lloj tjetër sistemi para-modern. Por moderniteti mbart, gjithashtu, edhe një anë të errët, e cila zë një vend të rëndësishëm në shekullin e tanishëm dhe që lidhet me natyrën periodike degraduese të veprave moderne industriale, me rritjen e totalitarizmit, kërcënimin për shkatërrimin e mjedisit dhe zhvillimet shqetësuese të fuqive ushtarake dhe armatimeve.

Herbert Lindenberger, Stanford University

 Përmbajtja

Ndërprerja e modernitetit/ Siguria dhe rreziku, besimi dhe risku / Sociologjia dhe moderniteti/ Moderniteti, koha dhe hapësira / Çrrënjosja / Besimi / Refleksiviteti i modernitetit / Modernitet apo post-modernitet? / Përmbledhje / Dimensionet institucionale të modernitetit / Globalizimi i modernitetit / Dy perspektiva teorike / Dimensionet e globalizimit / Besimi dhe moderniteti / Besimi në sistemet abstrakte / Besimi dhe ekspertiza / Besimi dhe siguria ontologjike / Para-modernia dhe modernia / Sistemet abstrakte dhe transformimi i intimitetit / Besimi dhe marrëdhëniet personale / Besimi dhe identiteti personal / Risku dhe rreziku në botën moderne / Risku dhe siguria ontologjike / Reagimet përshtatëse / Një fenomenologji e modernitetit / Ç’aftësimi dhe riaftësimi në jetën e përditshme  / Kundërshtimet ndaj post-modernitetit / Udhëtimi me “juggernaut”  / Realizmi utopik  / Orientimet e ardhshme: Roli i lëvizjeve shoqërore  / Post-moderniteti  / A është moderniteti një projekt perëndimor? / Shënimet përmbyllëse

Pjesë nga libri

“Pse ndarja e kohës nga hapësira është kaq e rëndësishme për dinamizmin e jashtëzakonshëm të modernitetit?”

Së pari, kjo lidhet me kushtin kryesor të proceseve të çrrënjosjes, analizuar shkurtimisht më poshtë. Ndarja e kohës nga hapësira dhe formatimi i tyre në dimensione të standardizuara “të zbrasëta” të normalizuara, shkëputi lidhjet ndërmjet aktivitetit shoqëror dhe “rrënjosjes” së tij në veçantitë e kontekstit të prezencës. Institucionet e çrrënjosura zgjeruan shumë distancimin kohë-hapësirë dhe, në të njëjtën kohë, për të pasur këtë ndikim, u mbështetën në koordinimin e kohës me hapësirën. Ky fenomen shërbeu për të ofruar mundësi të shumëfishta ndryshimi nëpërmjet çlirimit nga shtrëngesat e traditës dhe praktikave lokale.

Së dyti, kjo ecuri solli përftimin dhe përdorimin e mekanizmave që kanë të bëjnë me tiparin dallues të jetës shoqërore moderne: organizimin racionalizues. Organizimet (përfshirë shtetet moderne) mund të kenë ndonjëherë cilësi statike, inerciale, të cilat Weber i asocioi me burokracinë, por ndërkohë ato kanë zakonisht një dinamizëm që bie ndesh shumë me rendet paramoderne. Organizimet moderne janë në gjendje të lidhin bashkësitë lokale me ato globale në nivele të pakonceptueshme për shoqëritë tradicionale çka sjell, rrjedhimisht, që këto organizime të ndikojnë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Së treti, historia radikale që i bashkëngjitet modernitetit mbështetet mbi modelin e “futjes” në kohë dhe në hapësirë, gjë që nuk ndodhte në civilizimet e mëparshme. “Historia”, si shumatorja sistematike e së shkuarës dhe që na ndihmon në formësimin e së ardhmes, e ka fillesën e parë të madhe me shfaqjen e hershme të shteteve agrarë, por që zhvillimi i institucioneve moderne i dha një shtysë të re thelbësore. Një sistem i standardizuar datimi, tashmë i njohur universalisht, na ofron një përmbledhje të njësisë së kaluar, megjithëse shumë nga “historitë” që e përbëjnë atë mund të jenë subjekt për interpretime kundërshtuese. Për më tepër, marrja si e mirëqenë e kartografimit të përgjithshëm të globit, bën që njësia e së shkuarës të merret një për të gjithë botën; koha dhe hapësira rikombinohen për të formuar një kornizë historiko-botërore të qartë të veprimit dhe përvojës.

 Çfarë është paraja?

Ekonomistët nuk kanë qenë asnjëherë të aftë të pranojnë një përgjigje të përbashkët për këtë pyetje. Sidoqoftë, shkrimet e Keynes japin ndoshta përgjigjen më të mirë mbi fillesën e shpjegimit të kësaj pyetje. Keynes tërheq vëmendjen kur kërkon të theksojë tiparin e dallueshëm të parasë nëpërmjet një analize rigoroze, falë së cilës vepra e tij ndahet nga versionet neoklasike të mendimit ekonomik, në të cilat, sikundër shprehet Leon Walras, “paraja nuk ekziston”. Pikë së pari Keynes dallon paranë si llogari nga paraja si përdorim. Në format e saj të hershme, paraja identifikohet me huadhënien dhe huamarrjen. Kështu, projektimi i “komoditetit-para” është hapi i parë në rrugën e transformimit si mjet shkëmbimi në një ekonomi bazuar në para. Tranzicioni thelbësor i saj nis atëherë kur pranimi i debitit zëvendësohet me komoditete, që u japin udhë një sistemi transaksionesh. Ky “pranim spontan debiti” mund të lëshohet nga çdo bankë dhe përfaqëson “paratë e bankës”. Para banke është njohja e një borxhi privat, ndërkohë që përdorimi i këtij koncepti përhapet gjerësisht në këtë mënyrë. Kjo formë e lëvizjes së parave ndoshta përfshin ndërhyrjen e shtetit, i cili vepron si një garantues i vlerës së tyre. Vetëm shteti (ku këtu kemi parasysh shtetin-komb modern) është në gjendje të shndërrojë shkëmbimet (shitblerjet) e borxheve private sipas një mënyre standarde të pagesës, që do të thotë balancimi i borxhit dhe i kredive në lidhje me një numër të papërcaktuar shitblerjesh apo shkëmbimesh. Kështu, paraja, sipas modelit të saj të zhvillimit, pikëtakohet në termat e kredisë dhe borxhit, ku të gjitha këto përcaktime kanë të bëjnë me një shumësi të shitblerjeve (shkëmbimeve) të përhapura gjerësisht. Kjo është arseja se pse Keynes e lidh kaq ngushtë paranë me kohën.[3] Paraja është një model i lehtësimit, i cili mundëson sigurimin e mjeteve për lidhjen midis kredisë dhe borxhit, në rrethanat kur është e pamundur shitblerja (shkëmbimi) e menjëhershme e mallrave. Ne mund të themi se paraja është mjet i distancimit të kohë-hapësirës. Ndikimet që shfaq paraja në hapësirë përshkruhen nga Simmel, si vijon:

Roli i parasë shoqërohet nga distanca hapësinore që ekziston midis individit dhe pozicionit të saj… Vetëm në rastet kur fitimi i një sipërmarrjeje merr një formë, e cila mund të përçohet lehtë në çfarëdolloj vendi tjetër, vetëm atëherë ai (fitimi) i garanton pronës dhe pronarit një shkallë të lartë të pavarësisë nëpërmjet ndarjes së tyre hapësinore, me fjalë të tjera vetëlëvizshmëri. Pushteti i parasë mundëson lidhjen e distancës ndërmjet pronarit dhe kapitalit të tij, deri aty sa secili prej tyre mund të ndjekë rregullat e përdorimit dhe të zgjerimit në një shkallë shumë më të lartë lirie, sesa në kohën kur pronari dhe kapitalet e tij ishin në marrëdhënie të dyanshme tejet të drejtpërdrejta, pra, kur çdo angazhim ekonomik ishte thjesht personal.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.