Paralele “përthyerjesh” Nga Valbona Nathanaili

Paralele “përthyerjesh”  

Nga Valbona Nathanaili

Tema e trajtuar reflekton shqetësimin, e ngritur përsëri së fundmi, sa i takon punës që bëjnë përkthyesit. Me shumë dashamirësi, që në krye të radhëve, kërkoj mirëkuptimin e z. Tupe që në titull kam përdorur variantin e tij sa i takon fjalës “përkthyes” që e ka shndërruar në “përthyes”, ndonëse, përsëri me shumë dashamirësi, ligji për mbrojtjen e të drejtave të autorit e përjashton nga mbrojtja, pasi idetë, teoritë e konceptet nuk përfshihen në të (ligji nr. 9380, neni 9, rastet e përjashtimit). Me këtë hyrje aspak të zakonshme, paralelja që dua të krijoj sa i takon “përthyerjeve” që përkthyesit i bëjnë veprës nga një gjuhë në një tjetër, lidhet me përkthimin nga frëngjishtja në anglisht të një prej veprave më të lexuara, ndoshta, deri dje: “Remembrance of Things Past (Kujtim i gjërave të së shkuarës)” ose “In Search of Lost Time (Në kërkim të kohës së humbur)” me autor Marcel Proust dhe të përkthimit në shqip të një prej dramave më të njohura të Henrik Ibsen “Shtëpia e kukullës” ose “Shtëpi kukulle” ose “Një shtëpi kukulle”.  Plus një lutje për procedurë në fund.

Për të shmangur çdo keqkuptim, synimi është shumë i thjeshtë: problemet e përkthimit nga një gjuhë në një tjetër janë të njohura në të gjithë botën, por në vendin tonë dhe në të tjerë me popullsinë e historinë tonë, janë më të shumta për shkak të faktit se numri i përkthimeve që duhet të bëjmë është shumë i madh, përpos faktit që komunikimi në një gjuhë të huaj për një pjesë të mirë të popullsisë, përfshirë edhe studentë, është një “mision i pamundur”. Akoma, natyra e debatit nuk duhet gjykuar vetëm nga veprat dhe përvojat e përkthimit të tyre që kam sjellë si argument, qoftë ajo në gjuhë të huaj ose shqip, por nga kontributi i paçmuar që sjellin, mendoj, në gjetjen e mekanizmave që na ndihmojnë për t’u orientuar në hapësirën djerrë të përkthimeve këtu te ne. Dëshira për të qenë sa më objektive, lehtëson përpjekjet e çdo lexuesi që të përfshihet në këtë debat dhe, nga ana tjetër, njëlloj sikundër unë, të gërshetojë faktet e sjella me vlerën që kanë.

***

Botimi i parë i veprës së Marcel Proust (1871-1922) “À la recherche du temps perdu” në anglisht, u bë nga Dover Thrift Editions, në ShBA dhe Angli, më 1922, me përkthimin e Charles Kenneth Scott Moncrieff. Për botimin anglisht Moncrieff zgjodhi si titull “Kujtim i gjërave të së shkuarës”, sipas titullit të një prej sonetave të Shekspir. Ndonëse vetë Proust ishte kundra këtij ndryshimi, pasi humbte domethënia e fjalëve “kohë” dhe “kërkim” që janë në titullin frëngjisht, me këtë titull dhe me të njëjtin përkthim, novela njohu botime dhe ribotime të shumta deri më vitin 1981. Në vitin 1981, në botimin anglisht, për herë të parë mbas 59 vjetësh, emrit të Moncrieff si përkthyes i shtohet edhe Terenc Kilmartin. Arsyeja: botimi frëngjisht i vitit 1954 nga Pléiade kishte ndryshime të shumta. Shtëpia botuese franceze kishte skanuar çdo shënim, dorëshkrim a shenjë që gjendej në kopjen origjinale dhe të gjitha ishin pasqyruar në botimin e ri. Përpos ndryshimeve në tekst, Kilmartin ndryshoi edhe titullin: “Në kërkim të kohës së humbur”. Me vlerë është të përmendet edhe fakti që botimi tjetër i rishikuar i Plejad i viteve 1987-1989 çoi në rishikimin e përkthimit të Moncrieff & Kilmartin nga D. J. Enright.

Historia interesante që shoqëron përkthimin anglisht nga Moncrieff gjendet në parathënien e botimit të vitit 2006, të Wordsworth Editions, shkruar nga Ingrid Wassennar f. 16-7.  Përkthimi është gjithmonë një art i trazuar dhe të përkthesh Proust-in është si të ecësh në një fushë të minuar. Para së gjithash, zgjatja në kohë e novelës – për afro 14 vite. Tjetër: gjatësia e fjalive. Së treti, shkalla e lartë e kulturës së referuar. E katërta, fakti që novela nuk u përfundua kurrë. Të gjitha këto shpjegojnë përse Charles Kenneth Scott Moncrieff (1889-1930) nuk ishte thjesht përkthyesi i parë i Proustit në anglisht, por mbeti i tillë deri më vitet ’980. Akoma, Moncrieff pati disa përparësi sa i takon të tjerëve, ndoshta sepse jetoi dhe punoi në kohën që Prousti shkruante veprën e tij: Swann’s Way (vëllimi i parë) është publikuar rreth vitit 1922. Moncrieff ishte i magjepsur mbas vizionit, stilit dhe përfshirjes që kishte vepra; e njëjta punë, e njëjta përpjekje për të formatuar anglishten me frëngjishten e Proustit, për të dhënë edhe për lexuesin anglishtfolës të njëjtën elegancë e përdorim individual të gjuhës, ndonëse është ‘akuzuar’ vazhdimisht se është “tepër korrekt”.

Në fakt anglishtja ka ndryshuar më shumë se frëngjishtja: gjuha frënge është mbrojtur fuqishëm nga ndryshimet, ndërkohë që anglishtja i është nënshtruar përzierjes me neologjisma të ndryshëm. Por megjithë ndryshimet e herë-pas-hershme që ka pësuar anglishtja, ose që në përkthimin anglisht mund të gjesh “shtesa” që nuk gjenden në origjinal, deri në ditët e sotme, të gjithë i referohen përkthimit të Moncrieff.

Mbas vitit 1987, duke qenë se vepra binte në “hapësirë publike”, të gjitha shtëpitë botuese që morën iniciativën për të botuar veprën, krahas përkthyesve ose redaktorëve të tyre, ruajtën ose citojnë gjithmonë përkthimin e Moncrieff. “Random House” i referohet përkthimit në këtë formë: Përkthyer nga Moncrieff & Kilmartin. Rishikuar nga D. J. Enright. Për më tepër, edhe të gjitha botimet rreth veprës së Proust, u referohen përkthimit të Moncrieff. Botimi i Cambridge “The Cambridge Introduction to Marcel Proust”, autor Adam Watt, Cambridge University Press, 2011, f. ix, shkruan: “Të gjitha citimet u referohen botimit të Vintage Classics në gjashtë volume përkthyer nga C. K. Scott Moncrieff (me përjashtim të “Time Regained”, përkthyer nga Andreas Mayor dhe Terence Kilmartin), rishikuar nga Terence Kilmartin dhe D.J. Enright (Vintage, 2000-2)”. Përjashtim bën Penguin Books që më 2003 porositi një përkthim të ri dhe morën nga një përkthyes të ndryshëm për secilin prej shtatë volumeve.

***

Paralelja lidhet me përkthimin e një prej veprave të Henrik Ibsen (1828-1906), e përqendruar përsëri vetëm tek  titulli, por e bazuar vetëm në konstatime, sepse në ndryshim nga sa më sipër, mungon historia – ne nuk dimë t’a shkruajmë historinë ndërkohë që ndodh! Me një parantezë të shkurtër, Henrik Ibsen ka vdekur më 23 maj 1906 dhe vepra e tij është në “hapësirën publike” pothuaj në të gjithë botën, pasi kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga viti që autori ka ndërruar jetë. Në vendin tonë ka hyrë në hapësirën publike në dhjetor të vitit 1976 (ose janar 1977).

Deri në vitet 2000, të gjitha përkthimet e dramës së njohur mbajnë firmën e përkthyesit të mrekullueshëm Gjergj Zheji. Botimi i parë i takon vitit 1965. Drama e Ibsen doli në shqip me titullin “Shtëpia e kukullës” (së bashku me “Rosa e egër”), Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Në botimin e dytë të vitit 1976, afro dhjetë vjet më vonë, me të njëjtën dhe të vetmen shtëpi botuese që operonte në atë kohë, Gjergj Zheji e ndërron titullin në Shtëpi kukulle” (në botim gjendet përsëri edhe drama tjetër “Rosa e egër”, por titulli i saj është i njëjtë). Ekziston edhe një botim i tretë po nga i njëjti përkthyes, i vitit 2006, por nga Shtëpia Botuese “Argeta-LMG”.  Titulli është po ai i botimit të dytë: Shtëpi kukulle”. Duke kërkuar në libraritë e Tiranës për botime të tjera, gjeta edhe një botim tjetër, të së njëjtës vepër nga Shtëpia Botuese “Kuçuku”, viti 2013. Përkthyesi, Artan Duka, kishte zgjedhur titullin “Një shtëpi kukulle”.

Në paralelen me përkthimin e veprës së Proustit në anglisht, asnjëri nga krijuesit tanë nuk ka pasur fatin të bashkëpunojë me autorin gjatë përkthimit dhe kjo, ndoshta, mund të jetë arsyeja se pse, që në titull, të dy përkthyesit kanë pasur variacione të dukshme. Jo pa qëllim zgjodha këtë vepër, pasi jo vetëm i njëjti përkthyes e ka ndryshuar konceptimin e titullit, por edhe një i dytë ka zgjedhur një variant të ri, pra tre përkthime të ndryshme për një titull: “Shtëpia e kukullës”, Zheji 1965, “Shtëpi kukulle”, Zheji 1976, “Shtëpi kukulle”, Zheji 2006 dhe “Një shtëpi kukulle”, Duka 2013. Zheji e ka rilexuar veprën pas dhjetë vjetësh dhe ka konkluduar me një titull të ri; besoj se Duka e ka parë botimin e Zhejit dhe 37 vjet mbas botimit të dytë ka konkluduar edhe ai me një titull të ri: kohë të ndryshme japin perceptime të ndryshme – kështu ndodh me leximin e çdo vepre – nuk jemi aq të paditur sa në leximin e parë. Sigurisht që jam tërësisht e bindur se mënyra si i përdorim rregullat gramatikore është zgjedhje kryesisht konceptuale, por përmbajtja ose mesazhi që na përcjellin janë krejtësisht të ndryshëm. Përkthyesi bëhet autori i ri i veprës. Paralelja është identike: fillimisht një titull; pastaj një i dytë; pastaj disa përkthime. Dua t’a përforcoj argumentin duke shtuar se ndryshimi është pjesë e zhvillimit, por vetë ndryshimi, ose më mirë ky lloj ndryshimi, duke qenë se bëhet pjesë e kulturës sonë, shndërrohet në objekt për studim. Sikur edhe vetëm për ilustrim, si ky rast.

***

Lutja për procedurë lidhet me një pyetje të kahershme: A duhet riparë edhe një herë përkthimi që Noli i ka bërë Shekspirit? Është e vërtetë që edhe Nolin, njëlloj si Moncrieff, e “akuzojnë” se ka shtuar nga xhepi! Por në dallim nga À la recherché, vepra e Shekspirit, që nga koha e “përthyerjes” që i ka bërë Noli ynë i shtrenjtë, jo vetëm nuk ka ndryshuar, por edhe vetë gjuha shqipe, njëlloj si gjuha frënge, qoftë edhe për shkak të mbylljes gjatë periudhës komuniste, nuk ka pësuar ndryshime dramatike, të paktën zyrtarisht, duke ju referuar konferencave ndërkombëtare për këtë problem. Mendoj se Shekspiri është po aq i dashur për ne sa edhe për anglezët, falë edhe “përthyerjes” së mrekullueshme që i ka bërë Noli. Nga ana tjetër, duke qenë se vepra e Shekspirit është në hapësirë publike, gjithkush mund të marrë iniciativën për ta përkthyer, duke ju referuar ose jo Nolit, sikundër është bërë me shumë autorë të tjerë. Por duhen respektuar procedurat, që edhe në këto raste, si në rastin Moncrieff, të mund të heqim paralele.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.