Otello i Blushit “emigron” në Kroaci (dhe pritet shumë ngrohtë) Nga Valbona Nathanaili

Otello i Blushit “emigron” në Kroaci (dhe pritet shumë ngrohtë)

Nga Valbona Nathanaili

Të paktë janë autorët shqiptarë që, në vijimësi, arrijnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe të ngjallin debat në publik dhe, akoma më të pakët, ata, të cilët, veprës së tyre, mund t’u kthehesh e rikthehesh disa herë, pasi jo vetëm gjithmonë gjen diçka të re, e cila ndoshta i ka shpëtuar leximit të parë, por mbeten aktualë. Ben Blushi është pjesë e këtij grupi krijuesish dhe “Otello. Arapi i Vlorës”, është një libër që fare bukur mund të quhet se është krijuar për t’i bërë jehonë emigrimit, pothuaj biblik, të ditëve të sotme në vendet e Europës.

“Otello. Arapi i Vlorës” më vitin 2014 fitoi Çmimin e Bashkimit Europian të letërsisë për cilësinë dhe kreativitetin e saj. Por ndryshe nga fati i personazhit kryesor të Blushit, vetë vepra e tij po pritet shumë ngrohtë pothuaj në të gjithë Europën.

Më 23 tetor 2015, me ftesë të “Koordinacioni i Këshillave dhe Përfaqësive të Pakicave Kombëtare” të qytetit të Zagrebit”, në bashkëpunim me “Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare” të Qytetit te Zagrebit dhe Shoqatën e Shkrimtarëve Kroatë, Ben Blushi ishte i pranishëm në Zagreb, për të folur rreth veprës së tij, në një mbrëmje letrare. Në takim ishin të pranishëm Raško Ivanov, përfaqësues i Këshillit Koordinues dhe përfaqësues i Qytetit të Zagrebit; Božidar Petrač, President i Shkrimtarëve Kroatë; Šuip Ziberi, president i pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit; znj. Ivana Simić Bodrožić, shkrimtare dhe Xhevat Abrashi, përfaqësues të Shtëpisë Botuese Ljevak, e cila ka të drejtën për përkthimin, në kroatisht, të librit “Otello. Arapi i Vlorës”; zv. Ambasadori i Shqipërisë në Zagreb, z. Ilir Qorri dhe zv. Ambasadori i Kosovës në Zagreb; Valbona Nathanaili, përfaqësuese e UET Press dhe znj. Luljeta Minxhozi, përfaqësuese e UET; shkrimtarë, gazetarë e përfaqësues të medias, si dhe shumë lexues të rregullt të Blushit, shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që me vite jetonin e jepnin kontributet e tyre në Zagreb, mjekë e arkitektë, studentë e mësues.

Për më shumë se dy orë, në një mjedis shumë të ngrohtë e dashamirës, në një nga sallat qendrore të kryeqytetit kroat, Blushi bashkëbisedoi me lexuesit e tij rreth letërsisë e librave, mënyrën se si është shkruar Otello dhe mesazhin që jep, pse Otello është kaq i veçantë dhe i ndryshëm nga Otello i Shekspirit, ndonëse të dy njëlloj vdesin në fund.

Për Ben Blushin, diferenca në kohë, nga krijimi i Othellos deri në ngjarjet e ditëve të sotme është, të paktën, disa vjet dhe, me kohën kur zhvillohen ngjarjet në roman, është disa qindra, por romani është një këmbanë alarmi për qëndrimet e njëjta që vazhdojnë të mbajnë shoqëritë europiane ndaj të “ardhurve” dhe të ashtuquajturve “njerëz të ndryshëm”. Një Otello i varfër që shitet në Venedik dhe e shpërngulin në Vlorë në fundin e viteve 1300, ka pothuaj të njëjtin fat me ata mijëra emigrantë, të ardhur ndoshta po nga nga i njëjti vend si Otello, në fillim të viteve 2000, që njëlloj si personazhi kryesor i veprës paragjykohen, përbuzen, lihen mënjanë dhe, jo rrallë, vazhdojnë të shërbejnë si kavie për të shpjeguar ose ilustruar teoritë tona statike për zhvillimin. Paralelja është shumë e thjeshtë për t’u hequr, por shumë e vështirë për t’u shpjeguar.

Romani pritet të dalë në kroatisht në shtator 2016, por pjesë të tij në këtë gjuhë kanë filluar të qarkullojnë këto ditë. Në mbrëmjen letrare të Zagrebit, artistë kroatë e shqiptarë, lexuan, në dy të dyja gjuhët, pjesë nga libri. Në një sallë me afro 60 veta, shqipja dhe kroatishtja ndërthurreshin vazhdimisht, duke dhënë të njëjtat mesazhe dhe ngjallur të njëjtat ndjenja.

Sipas Xhevat Abrashit, për lexuesin kroat, letërsia shqipe është pak e njohur. Ben Blushi është autori i tretë që përkthehet në këtë gjuhë, pas Ismail Kadaresë dhe Visar Zhitit. Nëse ne kemi fatin t’i lexojmë këto vepra në shqip, duam që t’ia paraqesim edhe bashkëqytetarëve tanë, – vazhdon Abrashi.

Për drejtoren e revistës “Ilyria”, që botohet në Zagreb, në shqip dhe kroatisht, biseda me Blushin është një dritare kulturore për komunitetin shqiptar. I kam lexuar të gjithë librat e Blushit dhe jam e gëzuar që do botohet këtu së shpejti. Vizita të tilla janë aq të rralla dhe jam e emocionuar që z. Blushi do të jetë përsëri në Zagreb, me rastin e promovimit të librit.

Për Ziberin, president i pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit, një nga organizatorët e takimit, letërsia shqipe duhet të flasë edhe kroatisht, pasi këtu jeton një komunitet i madh shqiptar dhe marrëdhëniet janë shumë të mira e lidhjet shumë të thella. Botime të tilla janë në funksion të njohjes të njëri-tjetrit.

Sejfedin Prekazi, redaktor teknik pranë “Informatori”, mujore e Unionit të Bashkësive shqiptare në Republikën e Kroacisë, shprehet se takime të tilla duhet të jenë sa më të shpeshta.

“Otello. Arapi i Vlorës” është në proces përkthimi në shtatë gjuhë të huaja.

Kopertina e “Otello. Arapi i Vlorës” në maqedonisht.

 

 

Kopertina e “Otello. Arapi i Vlorës” në kroatisht.

 

 

Kopertina e “Otello. Arapi i Vlorës” në hungarisht.

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.