Oskar Milosz Përktheu: Zimo Krutaj  

Poezitë janë zgjedhur nga vëllimi me të njëjtin titull

Poezi Autori: Oskar Milosz Përktheu: Zimo Krutaj  

Shtëpia Botuese: PIKA PA SIPËRFAQE, TIRANË, dhjetor 2015

173 faqe, 700 Lekë

Milosz vlerësohet si një ndër poetët më të mirë të fillimshekullit XX. Jetoi më së shumti në Francë, dhe shkroi në gjuhën frënge. U vlerësua së tepërmi si nga bashkëkohësit (Apollinaire, Valery e shumë të tjerë), edhe nga brezat e mëvonshëm (Czeslaw Milosz, Milan Kundera). Kjo përmbledhje përmban poezi nga e gjithë krijimtaria poetike e autorit

  KTHIM (nga “POEMA E DEKADENCAVE”, 1899)

Buzët tuaja kanë ende shije boronicash

Por ari i vakët i qeshjes suaj ka nisur të çahet

Dhe shoh në sytë tuaj, laguna të palëvizshme,

Kemin e lodhur të një mbrëmësoreje vjollcë tek përndahet…

Gumëzhima e praruar e grerave në dritën lëbyrëse

Nesër do të përzihet me fjalët që i donit shumë;

Por këtë mbrëmje lërmëni t’ju quaj e vdekura ime

Dhe t’ju flas nën zë, sikur të ishit në gjumë,

Se të ngjashme me zambakët në sokëllimën vjeshtore

Fjalët që dashuronit në zërin tim bëhen copë e grimë;

Shpirti im i sotshëm ju vështron dhe befasohet

Kur rishtas njeh tek ju të dikurshmin shpirtin tim…

Meqenëse ju gjej prapë në vendin tonë të moçëm,

Përkundni me një refren plot vaj o me një qeshje të hidhur

Ëndrrën time të lodhur ashtu si hëna e ngrënë

Që ngjethet, në mbrëmjen me aromë të bardhë mërtisur,

Dhe, sido që ju mendoni për dashurinë e përkohshme

E të egër si lulja e rimtë e shkreptimës,

Prisni ëmbëlsisht nën dritën e qëmotshme

Kthimin tim ende të zbehtë prej lamtumirës.

SË VDEKURËS (nga “FLETORJA E GRISUR”, 1894 – 1896)

Mermeri dhe graniti me myshk do të jenë veshur

Dhe bari i qivureve trupin tënd do përqafojë

E ti, mes luleve të kuqe, do të jesh e vdekur

Por në zemër pendimi nga krenaria do lulojë.

Në petkun dimëror do dremitin shermashekët

Dhe kopshtet e moçme ku, e qetë, shihje ëndrra;

Vjeshta do të fshijë emrat edhe përgjërimet

Në granitin e zi të varrit tënd të gdhendura;

Gjethet do t’u bien ditëve, njëlloj si kurorës sate

Dhe kambanat e Tetorit do kenë tinguj copë e çikë;

Emri yt do të jetë veç një legjendë zbehtake

Që këndon në pragun e pallateve antikë.

Ngandonjëherë vetëm krojet ëndërrimtare,

Ku sytë t’i pa tek shuhen uji i ftohtë e plot mendim,

Do pasqyrojnë buzën tënde, dhe, në netët shkëlqimtare,

Shpirti i qenit tënd plak do vijë drejt teje me rënkim.

Zemra jote agullimet më të mira do të kujtojë

Ku motrat e tua ëndërrojnë në paqe pranë liqeneve të fjetur,

Shpirti yt në oqeanin e orëve do të lundrojë

Dhe ti do të përgjumesh nën mermerët e ngjeshur

Si një lule krenarie, një lule e padukshme,

Një zambak në savan bardhësie e harrimi pllakosur,

– Zambak që ëndërron, në mes fletëve të Biblës,

Për zbehtësinë e duarve që e kanë varrosur.

HIMNI I PRANVERËS (nga “POEZITË E MBRAME”, 1924 -1937)

Pranvera u kthye nga udhëtimet e saj të largëta,

Duke na sjellë paqen e zemrës.

Ngrihu, kokë e dashur! Shiko fytyrë e bukur!

Mali është një ishull mes avujve: ka marrë sërish ngjyrën e tij të qeshur.

O rini! O kulpër e shtëpisë së pjerrët!

O stinë e grerëzës plëngprishëse!

Virgjëresha e çmendur e verës

Këndon në pisk të vapës.

Gjithçka është besim, hir, prehje.

Sa e bukur është bota, e dashura ime, sa e bukur!

Një re e rëndë dhe e pastër paska ardhur nga një mbretëri e errët.

Një heshtje dashurie ka rënë mbi arin e mesditës.

Hithra e përgjumur përkul kryet e pjekur

Nën kurorën e saj të bukur prej mbretëreshe të Judesë.

E dëgjon? Ja rrebeshi.

Ai vjen…ai shkon.

Gjithë mbretëria e dashurisë lule uji erëmon.

Bleta e re,

Bijë e diellit,

Fluturon sheshit në misterin e pemishtes;

Dëgjoj si blegërijnë e grigjat;

Jehona i gjegjet bariut.

Sa e bukur është bota, e shtrenjta ime, sa e bukur!

Ne do t’i biem pas fyellit në viset e braktisura.

Atje poshtë, në hijen e resë, rrëzë kullës,

Rozmarina ndjell gjumë; dhe s’ka gjë më të bukur

Se qengji ngjyrë dite.

Çasti i dhembshur na bën shenjë nga kodrina e mjegulluar.

Ngrehuni, dashuri krenare, mbështetuni në supin tim;

Do të hap floknajën e shelgut,

E do të kundrojmë luginën.

Lulja përkulet, pema fërgëllon: ato janë dehur nga aroma.

Që tani, që tani gruri

Në heshtje mugullon si në ëndrrat e të përgjumurve.

(poezia nuk është e plotë… në botimin shqip, ff. 151-153

Kanë thënë PËR OSKAR MILOSZ-IN:

Giullaume Apollinaire, Konferencë mbi “Falangën e re”, 25 prill 1908:   

Shekulli nuk është i drejtë me Oscar Miloszin, shpirti i zjarrtë i të cilit ka diçka bajroniane. Ky sllav nuk është zhgënjyes dhe ne gjejmë tek ai një fuqi imazhesh, një lirizëm kaq përkujtues, saqë nuk duhet të mëdyshemi aspak për ta vendosur ndër të parët e poetëve të rinj.

Paul Valery, Letër drejtuar Milosz-it pas leximit të Adramandonit (1919):

 [Poezia] “H” e mban të mbërthyer lexuesin tuaj falë një zëri pa fund, tmerrësisht të thellë. Ndjehesh i kapluar prej imazheve deri në fshehtësirat e shpirtit. Kurrë nuk kam parë një tekst kaq afër qenies…

André Blanchet, “Fati i çuditshëm i Milosz-it të madh”, në “Letërsia dhe shpirtërorja” II,1960:

Në vitin 1939, në varrezat e Fontenblosë, po kallnin në dhe një të panjohur; një nga poetët më autentikë, më të shquar, të gjuhës sonë dhe të çdo gjuhe. Një nga më kërkuesit, një nga, krejtësisht, më të dështuarit. I dështuar, por si Nervali dhe Bodleri, Remboja dhe Verleni. Si Van Gogu. Na fal, Milosz! Ju jeni prej atyre që Franca i shpërfill deri në frymëmarrjen e tyre të fundit, për t’u pispillosur pastaj me fatet e tyre, shumë më tepër mallëngjyese sesa tragjikisht të nënvleftësuara; prej atyre që Franca nuk i kupton kur janë gjallë dhe, më pas, do t’i dëgjojë pa ndërprerje.

Roland de Renéville, “Poezia” , në Revista e Re Franceze, prill 1939:

Letërsia franceze i ka borxh atij një vepër madhështore e të thellë, fama e së cilës nuk do të reshtë së madhuari. Është e sigurt se emri i Milosz-it do të mbahet si emri i një prej poetëve më të mëdhenj të kohës sonë…

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.