Odiseja me gjobat e policisë rrugore

“Makina e gjashtë” dhe “polici i palexueshëm”

Nga Valbona Nathanaili

Të qenit “makina e gjashtë” që kaloja në një semafor, përpara pak ditësh, më kushtoi 21,000 lekë.  Vendimi i dhënë nga një punonjës i policisë rrugore, u pranua edhe nga një komision i përbërë nga tre anëtarë – një në mungesë. Verdikti: kisha hyrë me të kuqe. Pak a shumë një lloj si me faturat e tejfryra të energjisë elektrike: e ka shkruar faturuesja, do e paguash se nuk ke çfarë bën. Por nëse për faturat e energjisë është, të paktën, aparati matës dhe ngushëllohesh me faktin që muajin tjetër, do paguash më pak, komisioni në fjalë nuk kishte asnjë material faktik, për shembull regjistrim në kamera, ose të dhënë tjetër, që të vërtetonte se arsyetimi i policit, përveç se një e dhënë statistikore, ishte i bazuar edhe mbi një vëzhgim korrekt. Asgjë e tillë. “Të jemi të sinqertë, – u shpreh një prej dy anëtarëve të pranishëm, – nuk kemi kamera”.
Komisioni më sugjeroi dy gjëra: e para, ta paguaj gjobën brenda pesë ditësh, sepse përfitoja edhe ulje 20%, ose, e dyta, t’i drejtohem gjykatës administrative. Shumë mirë, por po filloj me sugjerimin e dytë. Si qytetare, mendoj dhe besoj se më shumë se një gjyq civil, rasti im dhe i shumë të tjerëve të ngjashëm me të, duhet të shndërrohen në një gjyq publik, vlera e të cilit shkon përtej kompensimit të një gjobe të paguar. Nuk është përballja e një individi me një tjetër, por e qytetarit me shtetin e tij. Një lloj përballjeje e mbushur me arrogancë institucionale, fyese, indiferente, zhgënjyese, shtypëse, e cila pavarësisht hallkave ku shfaqet ose formës që ka, të çon me qindra vjet larg, në shtetin nopran të mesjetës, të le vetëm, pa mëshirë. Përfytyroni çfarë do ndodhte, larg-qoftë, sikur edhe mjekët të punonin me statistika? Për shembull, nëse shefi u thotë mjekëve të urgjencës: “Dëgjoni! Mosha mesatare e popullsisë është 72 vjeç. Mos të guxojë të paraqitet ndonjë nga ata që ka kaluar mesataren”. Çfarë tragjedie!
Tani po i kthehem sugjerimit të parë, i cili, në fakt, ishte një arsye më shumë për këtë denoncim publik. Pagesa e gjobës që të vendos policia rrugore mund të bëhet pranë disa institucioneve, por më është dashur të përballem me dy prej tyre: Postën Shqiptare dhe Western Union. Pagesa e gjobës si “makina e gjashtë” u bë pranë Postës Shqiptare, por ndërkohë që bëja këtë pagesë, punonjësja e postës më thotë: ke dhe një gjobë tjetër pa paguar. E ke marrë më 25.9.2015, numri serial 570015, polici që e ka vendosur: emri i palexueshëm, sasia 1000 lekë. Këto ishin disa nga të dhënat që jepte sistemi. Por lënia e një gjobe pa paguar penalizohet rëndë. Më datë 25.11.2015 paguaj, pa bërë dy, ndonëse me mëdyshjen si mund të kem lënë një gjobë pa paguar, edhe 1650 lekë (shtuar 600 lekë arkëtim kamat-vonesë pagesë gjobe dhe 50 lekë komision gjoba-policia). Sigurisht, të më thuash sot se ku ke parkuar para 2 muajsh në një vend të gabuar, e pamundur ta kujtoj. Por sa të pamundur do e ketë pasur edhe polici që, aq shumë ka vrapuar të kapë xhamin e makinës sime në prehje, sa nuk i ka dalë koha të radhisë drejt emrin e mbiemrin e tij, që me aq gëzim e dashuri ja kanë dhënë të bekuarit prindër, me shpresën që ka mbaruar aq klasë për së mbari sa për të shkruar kaq. Mirë që nuk ka firmosur me gishta. Por të gjitha këto janë hamendësime që shërbejnë vetëm për të zbutur disi dhimbjen, e cila kaloi në zemërim dhe indinjatë të thellë, kur zbulova se të njëjtën gjobë, e kisha paguar pranë Western Union, më datë 26.9.2016, ora 13.00.07, pranë agjencisë NOKA-2010, të nesërmen e ditës që ishte marrë gjoba (minus 200 lekë vlera e zbritur dhe plus 100 lekë komisioni). Si ka mundësi? 2 muaj gjoba e paguar dhe akoma del në sistem e papaguar? Te shteti i mësipërm, fillimisht, do më duhet të kërkoj lekët e mia. Dhe nuk e di si do i marr përsëri. Përpos humbjes së kohës, shpresoj të mos më thonë: gjobën e pagove dy herë, por këtë të dytën e ke paradhënie për ndonjë gjobë tjetër që do të marrësh në të ardhmen.

P.S. Disa këshilla praktike për ju që keni një makinë dhe guxoni ende të lëvizni rrugëve të Tiranës

1. Nëse proces-verbali i konstatimit të gjobës e përmban daljen para komisionit dhe ju e keni marrë në një datë teke të muajit (për shembull më datë 1,3,5…), duhet të paraqiteni në degën e kinostudios, ndërsa proces-verbalet e konstatimit të datave çifte shqyrtohen pranë OASh nr. 2 (komisariati nr.4).
2. Ruani me fanatizëm, një lloj si pasaportën ose mjetin e identitetit, edhe mandat-arkëtimet e pagesave të gjobave që keni marrë nga policia rrugore. Nuk i dihet asnjë herë.
3. Nëse e përdorni internetin, mos harroni të kontrolloni faqen online të policisë rrugore për gjobat që mund të keni marrë, por ju duhet edhe numri i shasisë. Në se e keni paguar, por ju del pa paguar, bëni durim dhe, zbatoni me kujdes, pikën 2 më lart. Nëse nuk e përdorni internetin, nuk kam ndonjë këshillë më të mirë përveç se “Zoti qoftë me ju dhe e paçi kuletën plot”.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.