Norbert Jokl Nga Aleksandër Xhuvani

Norbert Jokl  

Nga Aleksandër Xhuvani

Botuar në “Përpjekja Shqiptare”, mars, 1937  me rastin e gjashtëdhjetë vjetorit të Prof. Joklit (paraqitet me shkurtime)

Studimet e rrmimet fella që ka bâ Jokli mbi gjuhën shqipe i kapërxejnë nga vlera, nga fellësija e nga gjanësija ato t’albanologëvet të tjerë, si të G. Meyer-it, të Weigand-it, të Jarnik-ut, të Petersen-it e të tjerëve. Me i rrjeshtue emën për emën veprat e studimet e tjera të Joklit mbi gjuhën shqipe, kishte me u-mbushë një varg i bukur i math… Në rivistën gjemane “Indogermanische Forschungen”, Jokli ban për çdo vjet jo vetëm nji të qekun të vepravet të ndryshme që botohen mbi Shqipen, po shumë herë edhe nji analizë e nji kritikë t’atyne veprave. Çdo vepër që flet drejt për së drejti ase tërthorazi mbi Shqipen, në çdo gjuhë qoftë, do të përmëndet sakaqë prej Joklit n’at të Përkohëshme gjermane. Po Jokli nuk vëzhgon e përmend aty vetëm veprat mbi gjuhën shqipe, që botohen kohë mbas kohe n’Evropë në gjuhë të ndryshme, por edhe çdo libër shqip që botohet në Shqipni; jo vetëm librat shqipe, por edhe gazetat t’ona e çdo shkrim e artikull që mbërthem punë gjuhe të botueme ndër gazetat e rivistat t’ona Jokli do t’i këndojë, do t’i vëzhgojë e do t’i përmendi në Indogermanische Forschungen a në Jahresbericht ose në ndonji rivistë tjetër, kur ta bjeri puna… Këtyne veprave duhet me u u-shtue edhe Fjalori etimologjik i Shqipes që po boton Jokli në Berlin e që do të jetë nji vepër me randësi e me vënjesë të madhe shumë… Prej stilit të tij të rrjedhshëm, por të shtrënguet e të prefët, ai duket se âsht shkencëtar, linguist e albanolog i math… Nuk dij ndonj linguist a shkencëtar të huej, që të ketë kundrështue a të ketë kritikue ndonji vepër a gjykim tjetër të Joklit mbi Shqipen, kurse ai vetë ka kritikue sa e sa gjâna të të tjerëvet: në blenin 50 t’ Indogermanische Forschungen (1932) Jokli në 26 faqe të tana flet gjat’ e gjanë mbi etimologjin’ e fjalës Buenë (lum i Shkodrës), tue e gjetë të gabueshëm mendimin e Bartolit, që fjalët Bojana e Barbanna nuk lidhen e nuk pjekin fonetikisht ndër vedi. Nuk dij në qoftë se Bartoli i ka dhanë ndonji përgjigje. E mbaj mend se njizet e sa vjet mâ parë albanologu Iarnik u bani nji kritikë të fellë e të bukur n’IF. të gramatikës e të Fjalorit shqip të Weigand-it, pa mundë ai, më duket, t’i përgjigjet kësaj kritike. Mirë po Joklit, në punë të studimevet e të kërkimevet të tij mbi gjuhën shqipe, s’ka burrë që t’i dali në frymët.

Për Xhuvanin, Jokli është një pikë referimi sa i takon dilemave që ai vetë ka për përdorimin e fjalëve shqip.

Për ne Shqiptarët që merremi me gjuhën shqipe Jokli âsht këshilltar i çmueshëm. Sa herë kemi ndonji dyshim ase duem të dijmë dishka mbi etimologjinë e gjithazi mbi çdo gjâ të Shqipes, nuk kemi veçse t’i drejtohemi Joklit, e ai me gatishmi e me fisniki të madhe na përgjigjet jo në gjuhët e huej, por në Shqipet. Sepse Jokli nuk e din vetëm teoretikisht Shqipen, por edhe praktikisht, ndonëse nuk ka qenë njdonji herë në Shqipni. Ai e shkruan për bukuri Shqipen, e ka zakon të shkruejë gegënisht, edhe-pse e din mirë edhe toskënishten e çdo dialekt tjetër të Shqipes… Kur ishjem tue hartue në Tiranë Psikologjinë t’eme, më duhej me gjetë nji fjalë shqip për fjalën frangjisht surmenage (intellestuelle), gjer. Uberbürdung. Pyeta Joklin, e ai m’u-përgjegj se mund të përdorshem fjalën stërmundim, të cilën edhe e shtiva në punë sakaqë. Mbas disa kohe mësova se verbi stërmundoj përdorej në gegënishten e sipërme. Pra fjala e këshillueme prej Joklit ishte me vend.
Për të gjitha këto unë ja dij shumë për të mirë Joklit. Por nji miradijë të paanë ja kemi për detyrë Joklit të gjithë sa jemi Shqiptarë: ndonëse Jokli, sikure më thoshte më 1921 në Vienë, punon “für die Wissenschaft”, por ai tërthorazi i ban nji të mirë të madhe gjuhës e kombit t’onë. Ai me veprat e me shkrimet e veta gjithfarësh e ka bâ Shqipen të njohun në nji qark bukur të madh dijetarësh; prej punës së tij janë shtymë në rrmime e studime të Shqipes edhe të tjerë dijetarë të huej; studimet e fella të Joklit hapin orizonte të rij e lëshojnë dritë të madhe mbi caktimin e ardhshëm t’origjinës të gjuhës e të kombësisë s’onë… Duhet t’i lutemi Atij që vrên e kthiell t’i japi jetë të gjatë e shëndet për të mirën e të mbarën e gjuhës s’onë.”

_____________________

Prof. Norbert Jokl njihet si një nga albanologët më të zotë (një jetëshkrim në anglisht mund ta gjeni në linkun http://geschichte.univie.ac.at/en/persons/norbert-jokl-pd-ao-prof.) Më 1913 Jokl-i filloi të jepte leksione në gjuhën shqipe në universitetin e Vjenës; më 1914 harton një raport për Akademinë Austriake të Shkencave lidhur me dialektin geg që përdorej në Shqipërinë e Veriut. Ernest Koliqi njihet për përpjekjet për shpëtimin e Norbert Jokl, me orgjinë hebreje, nga duart e nazistëve, duke i ofruar postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Ftesa përfshinte edhe transformimin e bibliotekës personale të Joklit, një bibliotekë shumë e pasur rreth albanologjisë, por nuk ja doli.

Punën e tij si albanolog dhe pedagog Norbert Jokl e vazhdon deri më 1938, kur pushohet nga nazistët për arsye të origjinës hebreje dhe vdes (ose vetëvritet) ndërkohë që i drejtohej një kampi përqendrimi në Poloni.

Foto kryesore: Faksimile e ftesës dërguar Norbert Jokl nga ministri i Arsimit, z. Ernest Koliqi, për të qenë pjesë e stafit të kësaj ministrie. Burimi: Mirënjohja për ekzistencën e kësaj shkrese shkon për studiuesin italian të pasionuar pas historisë shqiptare, z. Paolo Munner.

Foto e dytë: Prof. Norbert Jokl

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.