Nocionet e gabuara të demokracisë Nga Franklin Henry Giddings

Nocionet e gabuara të demokracisë

Shkëputur nga “Elements of Sociology” (1913) Autor Franklin Henry Giddings

Një nga pengesat e para që sistemi demokratik duhet të kapërcejë është ai i nocionit të gabuar rreth natyrës së tij të vërtetë, perceptim i cili vërtitet prej kohësh në mendjen e atyre anëtarëve të komunitetit, që kanë qenë pjesë e klasave të privilegjuara. Sipas këtij koncepti të gabuar, demokracia identifikohet me sundimin absolut të pjesës së pasur dhe të ditur të popullsisë, mbi pjesën e varfër dhe injorante, e cila varet nga pagesa që i ofrohet punës së krahut.

Qeverisja e shoqërisë ka qenë për shekuj me radhë në duart e klasës së privilegjuar, ndërsa klasa punëtore përjashtohej nga çdo pjesëmarrje në legjislacion apo qeveri. Në rrjedhojë, demokracia konceptohet shpeshherë si sistemi ku qeveria është në duart e të ashtuquajturës masë, nga e cila pjesa aristokrate e komunitetit përjashtohet nga pjesëmarrjet në çështjet publike.

Është vërtetë e mundur që një gjë e tillë të ndodhë! Por sistemi që do të vijë si rezultat nuk do të jetë demokracia. Do të jetë sundimi i një klase mbi një tjetër, ashtu siç ishte dhe aristokracia sunduesja e radhës. Demokracia është pjesëmarrja e të gjithë popullit në qeveri dhe përdorimi i pushtetit të qeverisë për përfitimin e të gjithë popullit. Një demokraci e vërtetë quhet ai sistem, të cilin Abraham Linkolni e përshkroi si “qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin”.

Megjithatë, duke qenë se qeverisja demokratike është vendimi në pasojë të kërkesave publike, i marrë me shumicë votash, praktikisht mund të ndodhë që ideja teorike mund të mos realizohet dhe qeverisja aktuale e shtetit të kryhet nga një pjesë injorante e popullsisë, të cilët kanë mungesë aftësish në qeverisje. Historiani Leki, në veprën “Demokracia dhe Liria” argumenton, se në praktikë, demokracia është sundimi i injorancës dhe do të jetë shkatërruese e lirisë. Ai përpiqet ta vërtetojë këtë gjë duke treguar se në çdo vend injorantët dhe të varfërit përbëjnë shumicën e popullsisë dhe si rrjedhim, nëse çdo njeri ka të drejtën e një vote dhe çdo votë ka të njëjtën vlerë, qeveria do të simbolizojë detyrimisht sundimin e injorancës. Dhe duke e treguar këtë gjë në praktikë gjatë shekullit aktual, demokracia e ka dobësuar stabilitetin e qeverive, ka rritur pafund taksat dhe detyrimet publike, ka konfiskuar pronën e caktuar për përfitimet publike, ka kufizuar lirinë në interesat e caktuara për klasën punëtore dhe është munduar t’ia kalojë pushtetin në shoqëri individëve emocionalë dhe jo elementëve racionalë të popullsisë.

Kjo demokraci, jo vetëm që ka bërë gabime trashanike, por ka qenë fajtore për shumë politika të pajustifikueshme, të cilat nuk mund t’i marrin përsipër as përkrahësit e saj më të zjarrtë.

Gjithsesi, të deklarosh se ajo simbolizon tërësisht dhe domosdoshmërisht sundimin e injorancës dhe si rrjedhim do të sjellë shpërbërjen e popullsisë, do të thotë të kesh njohuri të pakta dhe të gabuara në lidhje me këtë temë.

Analiza e demokracisë

Demokracia është më shumë se një formë qeverisëse dhe ata që e shohin atë vetëm në këtë këndvështrim vështirë se e kuptojnë atë. Shkencërisht, demokracia është një formë qeverisëse, një formë e shtetit, një formë e shoqërisë ose një kombinim i të trejave.

Si formë qeverisëse, demokracia është administrimi ekzistues i çështjeve politike nëpërmjet të drejtës universale të votës. E zbatuar në formën e saj të plotë, demokracia do të ishte vendimi praktik i çdo çështjeje ligjore dhe ekzekutive, e çdo çështjeje politike dhe të së drejtës, nga një votë e drejtëpërdrejt e popullit. Një formë e përafërt me të u vendos në mbledhjen e qytetit New England dhe në disa nga qeveritë e kantoneve të Zvicrës. Megjithatë, nuk pati asgjë të ngjashme me formën e vërtetë demokratike të qeverisjes.

Demokracia si formë e shtetit është sovranitet popullor. Është një shpërndarje popullore e pushtetit formal politik. Është e drejta e masës së popullit për të marrë pjesë në krijimin e qeverisë ose makinerisë administruese. Ajo mund të veprojë nëpërmjet institucioneve përfaqësuese ose në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Demokracia si formë e shoqërisë është

  • 1. organizim demokratik dhe kontroll i formave jo politike të asociacionit. Në një shoqëri të plotë demokratike, nuk është vetëm shteti demokratik, por edhe kisha, organizimi industrial dhe organizimi edukativ.
  • 2. shpërndarje në radhët e popullsisë, e atij pushteti politik të papërcaktuar, të paformuar, por të pranishëm, që mban shënim procesin e votimit. Në kapitullin “Shoqëritë përbërëse”, u përmend një dallim midis bërësve të autoritetit ligjor dhe bërësve të autoritetit moral. Shteti është demokratik kur i gjithë populli, pa dallim prejardhjeje, klase apo rendi shoqëror, merr pjesë në krijimin e autoritetit ligjor. Shoqëria është demokratike vetëm atëherë kur i gjithë populli, pa dallim rendi ose klase, merr pjesë në krijimin e opinionit publik dhe të autoritetit moral.

Natyra demokratike

Kur këto dallime perceptohen, është e thjeshtë për të kuptuar se shteti mund të jetë demokratik ndërkohë që shoqëria është ende aristokratike, ose oligarkike. E drejta universale e votës mund t’i jepet çdo mashkulli të pjekur që është anëtar i komunitetit dhe ka mundësinë për të votuar. Dhe, përsëri, në të gjitha marrëdhëniet, përveç atyre politike, shumica e votuesve mund të jetojë nën një organizim shoqëror që në thelb është aristokratik, madje dhe monarkik. Në institucione industriale, në kisha dhe shkolla, votuesit mund të mos kenë të drejtën e dhënies së mendimit në përcaktimin e organizimit, ose politikës që duhet ndjekur. Veç kësaj, edhe pse votojnë në organizimin politik, ata mund të mos kontribuojnë aspak në lidhje me opinionin publik, ose edhe autoritetin moral, sepse zhvillimi i tyre intelektual është shumë i vogël për t’i shtyrë ata që të mbajnë një qëndrim të pavarur për një çështje të caktuar, ose t’i shtojnë diçka totalit të ideve të reja.

Prandaj, ndonëse është e kuptueshme që masat injorante, kur u jepet e drejta për të votuar, mund të përpiqen që me anë të votës së tyre të shprehin nocionet e tyre injorante, nuk duhet menduar aspak se zgjedhjet e përgjithshme nxjerrin në pah opinionin e vërtetë të popullsisë. Pothuajse në të njëjtën mënyrë, tradita, zakoni, imitimi, kushtet industriale dhe format e papërcaktuara të presionit ekonomik dhe shoqëror mund të komplotojnë që t’i kthejnë zgjedhjet në një konfirmim të politikës së disa individëve.

Për këtë arsye, nëse demokracia është sundimi i injorantëve ose jo, kjo është një çështje që varet nga lloji i qeverisë ndaj së cilës pjesa më e madhe e votuesve në një commonwealth kanë ofruar përkrahjen e tyre. Për sa kohë shoqëria është më demokratike se shteti, – një kusht ky që mund të ekzistojë vetëm kur të gjitha qeniet shoqërore janë njerëz të edukuar dhe të matur, – shumica nuk sundon aspak në mënyrë të pavarur, por thjesht pohon politikën e liderëve të tyre. Kur demokracia është sundimi i injorancës që, në fakt, ndonjëherë është, masat e njerëzve nuk sundojnë nëpërmjet injorancës së tyre, por nëpërmjet respektit që i bëhet mashtruesve batakçinjve, të cilët dinë mirë si të manipulojnë përkrahësit për të arritur suksesin e planeve personale. Përkundrazi, kur masat e njerëzve udhëhiqen nga burra shteti patriotikë dhe të mençur, siç ndodh në krizat serioze në të cilat shfaqen cilësitë më të mira të natyrës njerëzore, sundimi i shumicës bëhet sundimi i inteligjencës dhe moralit të komunitetit.

Dështimi ose suksesi 

Dështimi ose suksesi i eksperimentit demokratik në fazën e tretë të evolucionit qytetar varet, si pasojë, nga marrëdhënia e asaj shumice individësh që i kërkon e ofron drejtimin dhe përkrahjen, asaj pakice individësh që shpikin e mendojnë në mënyrë të pavarur, që kanë dhunti e aftësi drejtuese dhe organizative të anëtarëve të tjerë të komunitetit. Kjo marrëdhënie, e cila ka ekzistuar gjithmonë në shoqërinë njerëzore, duhet të vazhdojë të qëndrojë si një nga faktet më themelore të sistemit shoqëror, me përjashtim të rastit nëse njerëzimi i të ardhmes do të ndryshojë tërësisht nga njerëzimi i të kaluarës dhe i ditëve sotme. Thënë ndryshe, nuk duhet ta zhdukim atë aristokraci natyrore e cila përbëhet nga individë të talentuar, të mençur dhe bujarë, që kanë aftësinë dhe vullnetin për të planifikuar, organizuar dhe drejtuar. Nëse jemi të zgjuar nuk do të mundohemi ta zhdukim këtë aristokraci. E vetmja aristokraci të cilën njerëzit duhet të zhdukin është ajo që përbëhet nga dallime artificiale, nga tituj dhe nga privilegje të trashëguara. Gabimi më i rëndë që bëhet shpeshherë nga komuniteti është ngatërrimi i epërsisë natyrore me atë artificiale. Demokracia është fatale ndaj epërsisë artificiale. Por pa epërsinë natyrore, demokracia nuk mund të ekzistojë.

Shënim

Libri është botuar për herë të parë më 1913, nga MacMillan Company, New York dhe e ka “mbushur” 100 vjetorin, por ende është shumë i vlefshëm. Konceptet janë të trajtuara shumë mirë. Libri mund të shfletohet e lexohet me lehtësi online në linkun: https://archive.org/details/elementsofsocio00gidd Nga ana tjetër, libri gjendet në hapësirën publike, që do të thotë se mund të shfrytëzohet tërësisht, pa pasur frikë se cënohen të drejtat e autorit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.