Ngjela dhe refleksionet e tij për “Parkun shqiptar njerëzor, 1991-1996”

Valbona Nathanaili

Book review

“Librat, thotë poeti Jean Paul, janë letra të gjata që ndahen mes miqsh”, kështu e fillon esenë e tij Peter Sloterdijk me titull “Rregulla për parkun njerëzor”.

“Shkrimi, vazhdon më tej Sloterdijk në të njëjtën ese, jo vetëm që hedh një urë midis miqësish tashmë të lidhura, ndonëse gjeografikisht të largëta, por shpesh merr formën e një joshje – e cila në gjuhën e magjisë së Europës së vjetër quhet actio in distans – me synimin për ta ftuar që t’i bashkohet rrethit.”

Më duket se nuk mund të gjeja hyrje më domethënëse për këtë shkrim për refleksionet e autorit Spartak Ngjela rreth një prej periudhave më të dhimbshme e, njëherazi më dramatike, të historisë sonë moderne; dhe nuk mund t’i shpëtoja ngasjes për t’u bërë pjesë e rrethit! Nga ana tjetër, karakteri i veçantë që ka parku njerëzor i Sloterdijk duket se i përshtatet më së miri fabulës së librit të Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, volumi 3, sepse secili merr përsipër të analizojë zooparkun njerëzor, vetëm se me një ndryshim: Sloterdijk e shpall si synim analizën e tij, Ngjela e nënkupton ekzistencën, shpesh në mënyrë të padukshme, por më shpesh me dashje, kur herë merr rolin e zbutësit dhe herë atë të të zbuturit, kur herë është gjykatësi dhe herë i gjykuari. Gjithsesi, tema e fshehur jo vetëm e librit, por edhe e vetë ekzistencës së Ngjelës është ftesa për t’u ndarë nga një e kaluar për një të ardhme më të mirë dhe ajo e besimit të fitimit të luftës për njeriun ndërmjet “përpjekjeve për shtazërim me ato për shndërrimin në një kafshë të butë shtëpiake”.

Ngjela duket i vendosur për të dhënë ndihmesën e tij në ndriçimin e asaj periudhe dhe për këtë përdor një retorikë të thjeshtë e të qartë: ngjarjet fillojnë në vetën e parë njëjës e përfshijnë vetëm atë dhe përfundojnë në vetën e tretë shumës e na përfshijnë të gjithëve ne. Libri hapet me daljen nga burgu, kur i vetëm, në kërkim të miqve apo mundësisë për të patur të tillë, lëviz rrugëve të Tiranës dhe mbyllet me ngjarjet e dhimbshme të vitit të hidhur 1996. Ai akuzon: ne, shqiptarëve, koha e re, që po vinte, po na gjente të paaftë për të rikrijuar veten, edhe tani që kohën e kishim krejtësisht në favor; analizon: a do të mund, opozita e re, ta drejtonte Shqipërinë realisht drejt reformave demokratike? shtron pyetje të tipit: liderët e rinj të partive që po lindnin do orientoheshin nga absolutizmi apo pragmatizmi? Duke përdorur këto argumente, që në pamje të parë mund të duken shumë modeste, Ngjela është nxënës e mësues, lider dhe pjesë e tufës.

Parku ynë human 1991-1996 është nga më të diskutuarit e shqetësuesit dhe “funksionimi e mirëmbajtja e njerëzve në të” shpesh merrte trajtën e një misioni të pamundur. Sa është në gjendje libri i Ngjelës ta përshkruajë këtë fakt? Ndoshta duhet pritur libri i Preç Zogajt për të njëjtën periudhë për të përballur idetë e ndarë mendimet. Ose gjithkush ka perceptimet e tij që jo domosdoshmërisht mund të përputhen me ato të Ngjelës ose të Zogajt, për shembull sa i takon mënyrës së shpërblimit të “homo inhumanus-i të shfrenuar” në ngjarjet e asaj periudhe. E rëndësishme është të theksojmë se projektet intelektuale të Ngjelës gjithmonë hapin debate, pak rëndësi ka se çfarë forme kanë: libër apo bisedë e thjeshtë, drejtues partie apo institucioni. Sidoqoftë, në mënyrën si shtjellon ngjarjet duken të përziera ndenja e lirisë me atë të frikës nëse do mund të kapë ritmin; dhe maturia: e ka nisur shtruar, plot 1732 faqe në tri vëllime.

Nga ana tjetër, Ngjela është i vetëdijshëm për ato që pohon: vëllimi i tretë i refleksioneve të tij shkruhet afro 15 vjet mbas kohës së zhvillimit të ngjarjeve, gjatë të cilave e kemi parë jo vetëm të ndryshojë miqtë e armiqtë, por edhe të kalojë nga një grup në një tjetër, por gjithmonë pjesë e lidershipit. Mbi të gjitha, të bëjë zgjedhjen: t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve “të vjetra” që shumë nga ne kanë për ato kohë apo të devijojë, jo për të dizinformuar lexuesin, por për të ruajtur surpriza për një botim të ri.

Kërshëria për të lexuar librin e Ngjelës ka edhe një arsye tjetër. I izoluar për një periudhë afro 15 vjeçare, nga të cilat “për pesë vjet kisha ndenjur në një dhomë burgu me tim atë dhe sërish jeta më ishte dukur po e njëllojtë, sikur isha vetëm me veten time, edhe pse në fakt afërsia fizike me babanë tënd në një dhomë burgu është një përjetim i veçantë, që shumë pak njerëz e kanë përjetuar”, gjykimi i tij për ngjarjet bëhet nga një këndvështrim sui generis, i zhvilluar nga forma të ndryshme politiko-kulturore nga ato të “shumicës nga ne”, që periudhën e regjimit e kaluam kryesisht në bangat e shkollës. Për pasojë, është interesant sepse është ndryshe.

Leximet e mira i zbusin zakonet, thotë Sloterdijk. Arsyeja për të cilën vëllimi i tretë i autorit Ngjela vazhdon të ngjallë të njëjtin interes sikundër edhe dy të parët, është pikërisht sepse libri i Ngjelës është një libër i mirë!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.