Në udhëkryqin e botimeve universitare Nga Valbona Nathanaili

Në udhëkryqin e botimeve universitare

Nga Valbona Nathanaili

A e bën një tekst i mirë më të mirë mësimdhënien? Përgjigja më e shkurtër do ishte jo. Por të gjithë jemi pro se shqetësimi i përgjithshëm për cilësinë e ofruar në universitet, lidhet edhe me pasjen e një teksti të mirë.

Sot, në Shqipëri, veprojnë 59 institucione të arsimit të lartë, përkatësisht 15 publikë dhe 44 privatë. Pjesa më e madhe e pedagogëve, veçanërisht ata që kanë një përvojë të gjatë në këtë nivel, kanë botuar të paktën një libër, në mos edhe një tekst. Çfarë do bëjmë me to? Si t’i shndërrojmë interesat e përveçëm të një universiteti, ose të një studiuesi, në interes kombëtar? Si të rrisim sa më shumë aksesin në këto botime, shumë prej të cilave përfaqësojnë kërkimin shkencor dhe punën e përvojën e një klase tashmë të krijuar akademike shqiptare. Problemi bëhet më i mprehtë në fushën e shkencave sociale, për vetë natyrën dhe problematikën specifike që ka kjo degë e shkencës.

Është fakt që sot promovojmë dhe parapëlqejmë të përdorim si tekste shkollorë ato të autorëve të huaj. Konkurrenca që mbretëron ndërmjet universiteteve në tregun shqiptar të arsimit, veçanërisht ndërmjet atyre private, e ka bërë të vetën këtë filozofi, e cila për fat të keq ka krijuar një lloj kufizimi, e cila përkthehet në izolim dhe mospromovim të arritjeve, sado modeste të jenë, nga një autor në tjetrin, ose nga një universitet shqiptar në tjetrin.

Pra, nëse kemi rënë dakord për vlerat e pakundërshtuara që kanë shumë nga botimet e përkthyera, akoma jemi në udhëkryq me botimet e profesoratit tonë.

Shqetësimi lidhet me gjetjen e një ekuilibri të brendshëm ndërmjet teksteve të përkthyer, për rëndësinë e të cilëve kemi rënë dakord në terma absolutë, – dhe atyre të botuar nga profesorati shqiptar, – të cilët për të krijuar një lloj paralelizmi, por që i përshtatet më së miri realitetit, po i quaj me rëndësi relative. Në këtë teori ekuilibri, – nga fizika dimë se të gjithë sistemet e mbyllur tentojnë drejt gjendjes së ekuilibrit me energji minimale, – kërkohet t’u jepet vendi që u takon edhe botimeve të studiuesve shqiptarë, nëpërmjet gjetjes së një bashkekzistence ndërmjet absolutes dhe relatives, ose mekanizave në gjendje ta trajtojnë relativen jo si produkt që pasuron CV e studiuesit, – sikundër është parë deri më tani, por si monedhë e vlefshme për t’u shkëmbyer në tregun universitar të shkëmbimit të aftësive dhe të vlerave.

Procesi i gjetjes së këtij ekuilibri nuk mund të bëhet nga një individ, as edhe nga një institucion, por duhet të jetë rrjedhojë e përpjekjeve kolektive për të formalizuar më të mirët, mbi bazën e variablave të mirëpërcaktuar dhe hartimin e strategjive që do ndihmonin në përcaktimin e peshës që kanë botimet e ofruara.

Me këtë synim, qasja është edhe përjashtuese, edhe përfshirëse. Aspekti përjashtues, duhet të nxjerrë jashtë sistemit çdo botim që nuk ka vlerë. Aspekti përfshirës ofron një listë me botime që kanë vlerë dhe u jep mundësinë e zgjedhjes të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, të përftojnë nga arritjet e kontributet e njëri-tjetrit. Këtu nuk ka vend për argumentin se universitetet tentojnë drejt pavarësisë, por pavarësia të mos bëhet argument për përjashtim.

Sigurisht që jam krejtësisht e ndërgjegjshme për vështirësitë e këtij procesi, sikundër edhe për përcaktimin e variablave që e shndërrojnë një libër vërtet të mirë të një studiuesi shqiptar në një tekst të përdorshëm për studentët e shumë universiteteve, por ky investim i grumbulluar deri më sot duhet konvertuar. Nëse ka vlera, është e pafalshme që dija nuk shpërndahet me po atë shpejtësi që prodhohet. Nëse nuk ka vlera, është e pafalshme që botohet e serviret si dije.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.