Në qytetin e vlerave dhe shoqërinë e njerëzve që i promovojnë ato Reportazh nga Berati, Valbona Nahanaili

Në qytetin e vlerave dhe shoqërinë e njerëzve që i promovojnë ato

Reportazh nga Berati, Valbona Nahanaili

Promovimi i librit të Preç Zogaj “Ushtrimet e melankolisë”

Për të tretin vit radhazi, me synimin për t’i dhënë një hov edhe më të madh jetës kulturore e sociale të qytetit, sikundër edhe për të influencuar pozitivisht në të ardhurat ekonomike të banorëve të saj, në qytetin e Beratit u zhvillua festivali multikulturor, një projekt i organizatës “Njerëz dhe ide”, në partneritet me shoqatën BID, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan dhe Bashkinë e Beratit, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë, z. Petrit Sinaj.

Në këtë edicion, festivali u zhvillua më dt. 21, 22 dhe 23 korrik 2016. Sipas organizatorëve, tema e Fest – 2016 ishte “Të promovojmë trashëgiminë kulturore të qytetit tonë”. Programi përmbante koncerte të shumta me muzikë popullore e xhaz, ekspozita artizanati, vizita në muzetë e ikonografisë dhe të etnografisë, shfaqje filmash vizatimore në ambientet e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, një panair libri dhe promovime libri në mjedise të ndryshme.

I ftuari i nderit për këtë vit, sa i takon krijuesve, ishte shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj, me vëllimin e fundit me poezi “Ushtrimet e melankolisë”, botim i UET Press.   Promovimi i librit u organizua nga stafi i bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qytetit të Beratit, me nismën dhe nën moderimin e drejtorit të saj, z. Arben Jaupaj dhe në prani të një publiku të gjerë, dashamirës të librit, poetë, kritikë.

Për poetin dhe mësuesin e letërsisë, Dr. Yzedin Hima, edhe në këtë prurje letrare Preç Zogaj është brenda shtratit të tij poetik të njohur, shtrat i formuar me kohë dhe i pandërprerë në kohë. Sipas Himës, poezia e Preç Zogaj është thellësisht njerëzore. Një nga fjalët çelës për të kuptuar poezitë e tij është ‘klepsidra’. “Jam ‘klepsidra’ e kohës sime që nuk kthehet – është vargu i një prej poezive të autorit. Nëpërmjet kësaj fjale çelës mund të depërtojmë në aksin kuptimor të tekstit dhe të vetë unit poetik të autorit. Uni poetik i Zogaj nuk është thjesht një kundrues, vëzhgues, soditës i kohës që rrjedh, por një matës, përftues, përjetues e konsumues i saj, ‘vjedhës’ i etshëm i çdo çasti të kësaj kohe. Dhe si rrjedhojë e funksionimit të këtij mekanizmi që quhet ‘klepsidra’ na shfaqet koha e përftuar estetikisht, e ndalur, e sendërtuar në tekstin poetik që formojnë këtë vëllim me poeziLeximi i librave të mirë, sikurse edhe libri poetik ‘Ushtrime të melankolisë’ i poetit Preç Zogaj të japin ndjesinë se libri ka shpirt”,  – e mbylli fjalën e tij Dr. Hima.

Për znj. Lumturi Shollaj, ekonomiste pranë Degës së Thesarit të qytetit dhe njëkohësisht poete, vija melodike në poezitë e Preç Zogaj është jo e njëtrajtshme. Ajo transmeton ndjeshmëri, parashikon fatalitet, bën premtime dhe shërben, në fund, si një kornizë e bukur për melankolinë. Në këtë vëllim me poezi Zogaj ka mall për vendlindjen, ndjen dashuri dhe dëshiron të ndreqë. Për poeten Shollaj, Zogaj është patriot e beson në zot dhe na nxit të mbartim mirësi e të duam të bukurën.

Shpëtim Dyrmishi, regjisor pranë Qendrës Kulturore dhe Xhovan Kaja, mjek e lexues kritik i letërsisë shqiptare e asaj botërore, kontribuuan me diskutimet e tyre gjatë promovimit të librit. Një surprizë e bukur ishte prania e vajzave nga gjimnazet “Bab Dud Karbunara” e “Kristaq Capo”, anëtare të klubit të poezisë pranë bibliotekës “Vexhi Buharaja”, të cilat lexuan disa poezi të zgjedhura nga vëllimi poetik i Preç Zogaj “Ushtrimet e melankolisë”.

Për bibliotekën “Vexhi Buharaja” të qytetit të Beratit, Shtëpia Botuese UET Press dhuroi një sasi titujsh.

Festivalet në qytete, një mundësi për më shumë dhe për më mirë

Në ditët e sotme, në shumë nga qytetet e Shqipërisë organizohen festivale. Por pavarësisht emrit që mund të shtohet mbas fjalës “festival”, synimet për organizimin e tyre janë pjesë, njëkohësisht, e tre grupeve kryesore, me natyrë kulturore, sociale dhe ekonomike. Nëse do të zbërthenim secilin prej këtyre grupeve, lista e synimeve do të zgjatej shumë, duke përfshirë, përpos atyre cituar në radhët e para të këtij shkrimi, por jo kufizuar, edhe promovimin e qytetit dhe të disa prej karakteristikave kryesore të tij, sikundër edhe kontribuar në shkëmbimin e ideve ndërmjet grupeve të ndryshme të komunitetit, zhvillimin e aftësive të tilla si të dialoguarit, organizimit, drejtimit etj. Festivalet janë një mundësi për më shumë dhe për më mirë. A i plotësoi Festivali multikulturor i qytetit të Beratit të gjitha synimet e pritshmëritë e organizatorëve? Trendi për zhvillimin e festivaleve nuk shoqërohet me një analizë të arritjeve/mangësive/dështimeve të tyre. Por kjo është për organizatorët, që kanë tjetër hapësirë vlerësimi të tij. Si konsumatore e Festivalit të Beratit 2016 në dy aktivitete, – panair dhe promovim libri, – më entuziazmon pasioni i një grupi njerëzish për të promovuar jo vetëm vlerat e qytetit, por për të sjellë vlera në qytet, dëshira e tyre për të dalë jashtë kufizimeve të së përditshmes, si dhe këmbëngulja për të shndërruar në traditë atë që është ndoshta vetëm një fillim. Është fat kur qyteti ka vlera dhe Berati pa asnjë dyshim është ndër qytetet që ka aq shumë për të treguar, por është akoma më shumë fat kur vlerave historike të qytetit i bashkëngjiten vlerat e njerëzve që punojnë për të.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.