Në pragun e një dhimbjeje  Autore Irma Kurti

Në pragun e një dhimbjeje  Autore Irma Kurti

Vëllimi poetik / Tiranë: Shtëpia Botuese ADA, 2016 

Libri është botuar për herë të parë në italisht, më janar 2016, me titull “Sulla soglia di un dolore“, Botues: Kimerik, Kolana: Karme, f. 88. Në të dyja gjuhët, si shqip, ashtu edhe italisht, libri ka të njëjtën parathënie, shkruar nga Adele Donini. Libri e ka marrë titullin nga një prej poezive.

Sipas botuesit në Itali: 

Questa nuova raccolta di poesie testimonia il binario su cui scorre il tempo della sua vita: un passato, un presente e un futuro filtrati dagli occhi dell’anima. Il lettore è un privilegiato, perché rappresenta colui al quale l’Autrice affida se stessa, a cui confida i motivi del suo dolore, della sua nostalgia e della sua inebriante percezione di felicità. Da una parte l’orizzonte dei suoi sogni, dall’altra la realtà della vita, nelle cui pieghe con fatica riesce a lasciare tracce di questi suoi grandi ideali. E, allora, i suoi sogni, con dissolvenza di colori e forme, li custodisce proprio lì, su questo crinale imperfetto, che la sua poesia è capace di rendere momento di grazia e meraviglia senza fine.

Parathënia për botimin shqip, nga Adele Donini,

Vëllimi përmban 60 poezi, të ndara sipas tematikës në dy pjesë, “Radiografia e jetës sime” dhe “Nëse dashuria është kjo”. Në pjesën e parë mbizotëron dhimbja, nostalgjia e malli për vendin e kujtimet, ndërsa në pjesën e dytë janë përmbledhur poezi kushtuar dashurisë, në kuptimin më të gjerë të fjalës: dashuria për prindërit, për njerëz të afërm të ikur pa kthim si dhe dashuria në çift.

Është e çuditshme të vësh re, çdo herë, se si shpirti i shkrimtares Irma Kurti është në dialog të vazhdueshëm me veten dhe gjithnjë gati për t’i lënë vend mahnitjes dhe mrekullisë brenda e jashtë saj. Kjo përmbledhje e re me poezi dëshmon binarin në të cilin lëviz koha e jetës së saj: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, të filtruara nga sytë e shpirtit. Motivet e poezive janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme; së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështira tenton t’i kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe këmbëngulës i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje dhe durimi. Kuptohet nga rrokëzimi i ndjenjave midis shpirtit të saj dhe natyrës që e rrethon: një lëndinë, një qiell me yje, dielli ose më mirë, mijëra diej të vegjël, retë e kuqe të perëndimit të diellit… Çdo gjë që i përket natyrës, në bukurinë ekstreme dhe efektive, krijon tek Irma një ankorim ndjenjash të mira, pozitive, që përfaqësojnë antitezën ndaj gërshetimit të marrëdhënieve humane, shpesh të rrufeshme dhe zhgënjyese.

Po çfarë përfaqëson poezia e Irma Kurtit?

Ajo mund të konsiderohet si një dhuratë e vetvetes që poetja i bën një miku ideal, një braktisje totale ndaj çdo rezistence të mundshme, një dialog i vazhdueshëm dhe ekstremisht transparent midis vetes dhe tjetrit. Lexuesi është i privilegjuar sepse përfaqëson atë të cilit Irma Kurti i beson veten, të cilit i konfidon motivet e dhimbjes së saj, të nostalgjisë dhe të perceptimit dehës të lumturisë. Ai ka në duar gjithë botën dhe autorja i drejtohet pa vello e pa asnjë frikë, me gjithë humanitetin dhe të vërtetën, në rolin e asaj që, duke lënë përpara një udhëtimi të gjatë në duart e një miku një të mirë të çmuar, kërkon prej tij përgjegjësi e kujdes.

Unë nis kërkoj me mendje një vend

pa njerëz, shtirje dhe pa intriga

ku mund t’i ujis ëndrrat e qetë

si lule të hedhin shtat çdo ditë.

Cilat janë ëndrrat e Irma Kurtit? Çfarë lulesh mund të rriten në kopshtin e saj, të mbështjella nga krahët e blerta të natyrës? Është ndoshta ky misteri i madh mbi kreshtën e të cilit Irma Kurti dëshiron “të jetojë”.

Nga një anë horizonti i ëndrrave të saj, nga ana tjetër realiteti i jetës, në rrudhat e së cilës me vështirësi arrin të lërë gjurmë të idealeve të saj të mëdha. Dhe, atëherë, ëndrrat e saj, me shkrirje ngjyrash dhe formash, i ruan pikërisht aty, mbi këtë kreshtë jo perfekte, që poezia e saj është e aftë ta kthejë në moment bukurie dhe mrekullie pafund.

Poezi nga libri 

Erërat e së kaluarës

Erëra të së kaluarës, merrmëni ju
e porsi një gjethe më hidhni larg,
më bëni që të fluturoj në kaltërsi,
më përplasni në Tokën mëmë pastaj.

Rrëzomëni në ballkonin e shtëpisë,
më lini ashtu, të dergjem në tokë,
dua të ndjej tingujt edhe zhurmat,
aromat, nëpër vite kam humbur plot.

Të jetoj prapë ato ditë të largëta,
dashurinë e pastër si uji në burime,
të shoh prindërit, dhurata më e bukur
që kam marrë deri sot në jetën time.

Tek e fundit, çomëni ku të doni ju,
si gjethe vjeshte do rri e bindur,
mbi sipërfaqen e një deti a liqeni,
në Atdhe do të jem gjithnjë e sigurt.

Erëra të së kaluarës, merrmëni ju
e porsi një gjethe më hidhni larg…

Kanë thënë për:

Francesca Ghiribelli:

Irma Kurti ka një stil që përshkruan një lloj “tregimi” brenda poetikës. Ajo rrëfen për veten, për të shkuarën e saj të trishtë, për nostalgjinë e fortë për tokën e saj shqiptare, përshkruan emocione me metafora që prekin zemrën dhe me terma ndjellës, ndërsa në disa në tekste të tjera përshkruhen shumë të vërteta, që autorë të tjerë nuk kanë guximin t’i prekin në shkrimet e tyre.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.