Në kërkim të një libri të mirë Nga Valbona Nathanaili

Në kërkim të një libri të mirë

Nga Valbona Nathanaili

25 janar 2014

Kohë më parë, kur në mungesë të alternativave të shumta për të kaluar kohën e lirë lexonim çdo gjë që na binte në dorë, deri edhe recetën e ilaçeve të gjyshes, ishte më se e zakonshme të diskutoje rreth fabulës ose personazhit të një libri të preferuar me një shok a shoqe, ose të “përpije” në një a dy net një libër. Kultura e leximit ishte sa e nevojshme, edhe e domosdoshme! Sa kënaqësi, edhe mjet! Sasia e librave që kishe lexuar ose kishe në shtëpi përbënte, në një farë mase, një vijë ndarjeje ndërmjet të “kënduarve” dhe të “pakënduarëve”, ndërmjet intelektualëve të vërtetë dhe atyre pseudo (kam përdorur terminologjinë e kohës). Nuk di të them nëse të gjithë librat që kam lexuar më kanë vlejtur në të njëjtën masë, ose kanë qenë njëlloj të mirë, por duke qenë se janë bërë pjesë e punës time të përditshme, ose më mirë pjesë e profesionit tim (pavarësisht dashurisë së vjetër që ka emrin “mësimdhënie”), gjykimet dhe vlerësimet rreth tyre i vendos në një peshore shumë më të ndjeshme.

Në këtë kujdes, përpiqem të distancohem nga korri i thirrjeve se “librat dje ishin më të mirë se sot”, sikundër të mos bëhem pjesë e akuzave se “të rinjtë lexojnë më pak”. Vërtet, mund të thuhet se ekziston një dallim sa i takon tematikës së trajtuar nga krijuesit (autorë e përkthyes) të para viteve ’90 me ata të pas këtyre viteve. Krijimtaria e gjeneratës së djeshme lidhej, kryesisht, ose me të kaluarën, ose me përkthimin a shqipërimin e klasikëve të ndryshëm, ndërkohë që gjenerata e re e krijuesve merret jo vetëm me të kaluarën, por edhe me të sotmen, jo vetëm me klasikët, por edhe me shumë fusha të tjera të krijimit, në funksion të një kontributi të paçmuar në pasurimin e listës me autorë nga të gjitha vendet e botës dhe të rritjes së alternativave për zgjedhje. Sigurisht që vetëm zgjerimi i tematikës nuk i bën librat që botohen sot më të mirë, por shton gjasat të gjesh në treg më shumë libra të mirë. Nga ana tjetër, është e vërtetë që sot shiten libra më pak, por nuk mjafton për të pohuar se lexohet më pak, veçanërisht sa i takon të rinjve! Nëse në të gjithë pjesën tjetër të botës, botuesit, në përpjekje për të ruajtur çdo lexues, ka kohë që po përpiqen të ecin me të njëjtin hap me teknologjinë, duke e dhënë librin në formate nga më të ndryshimet, ne përsëri jemi një shans i humbur, sa kohë që internetin e përdorim akoma vetëm për të nisur e marrë e-maile ose për të bërë “gallatë” në rrjetet sociale.

Akoma, nuk është e drejtë, në ditët e sotme, shpesh tepër nostalgjikë dhe, akoma më shpesh, të paaftë për të kuptuar ose përligjur ndryshimet që kanë ndodhur, të gjykojmë për sasinë e librave që lexohen nga sasia e librave fizikë që shiten. Ka ardhur koha të riformulojnë edhe një herë jo vetëm “çfarë quhet libër”, por edhe “çfarë do të quajmë lexim”. Shqetësimi për konkurrencën që i bëhet librit nga mediume të ndryshme, ndonëse me vonesë, për shkak ndoshta edhe të prapambetjes së vazhdueshme ose problemeve të shumta sociale që kemi, ka filluar të vihet re edhe te ne, por kjo nuk do të thotë se libri po merr fund, por ndikimi që ka ai në jetën tonë, po zëvendësohet me ndikime të reja, të cilat më shumë se armiq, duhet t’i shohim si aleatë dhe, më tej, si mjet. Ndonëse një masë shumë e madhe të rinjsh, veçanërisht ata të shkolluar më së miri ose me kërkesa ndaj vetes, kanë filluar ta përdorin teknologjinë për të lexuar, sigurisht jo atë në gjuhën shqipe pasi nuk u ofrohet, kjo nuk mjafton sa kohë e-book shqip këtu te ne vazhdon të jetë “koncept” dhe pjesë e së ardhmes. Në pjesën tjetër të botës së botueseve dhe të lexuesve, e ardhmja është tani!

 ***

Çfarë e bën një libër të mirë? Fabula, personazhet apo mesazhi? Lloji i librit apo mënyra e përshkrimit? I shërben ngritjes profesionale apo pasurimit emocional? Vështirë se të gjithë do mund të futeshim në një emërues të përbashkët, pasi shijet dhe nevojat janë personale. Nga ana tjetër, një libër mund të jetë i mirë ose best seller për një kulturë, por jo për një kulturë tjetër, sikundër ka ndodhur me shumë të tillë të marrë nga ShBA dhe që kanë rezultuar të pasuksesshëm për lexuesin tonë. Por të gjesh një libër të mirë sot nuk është e thjeshtë, veçanërisht në një vend si ky i yni ku mungon kritika e mirëfilltë ndaj librit, libraritë e mira janë shumë të pakta në numër dhe botime të tipit “Book review”, që marrin përsipër të orientojnë lexuesin në morinë e botimeve të përditshme nuk njihen fare, një hendek që më shumë se botuesit duket se i intereson lexuesit ta mbushë sa më parë. Në mungesë të tyre përdorim burime të tjera.

  1. Panairet janë një vend i mrekullueshëm për të gjetur libra të mirë, pasi funksionojnë si një lloj thashethemnaje gjigante sa i takon se kë libër duhet të blejmë. Për më tepër, ke të gjithë kohën që të duhet për ta shfletuar librin, rrotulluar nëpër duar, pyetur për çmimin ose negociuar për uljen e tij. Personalisht, pjesën më të madhe të librave shqip i blej në panair. Nga panairi i vitit që sapo kaloi këtu në Tiranë do veçoja, fillimisht, dy përkthime: “Të bëjmë përpara” dhe “Dashuri dhe pushtet”, nga dy autorë të mëdhenj, e para një femër e suksesshme, Sheryl Sandberg, drejtore operative e Facebook, botim i Shtëpisë Botuese “Pegi”; libri i dytë është botim i UET Press dhe lidhet me Bruno Vespën, një nga njerëzit më popullorë këtu te ne. Besoj se nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e njeh Vespën, kështu që të lexosh një libër të shkruar prej tij, është një dëshirë më shumë se normale, përpos faktit që është një gazetar i mrekullueshëm dhe gjithmonë ka qenë pjesë e elitës në Itali, kështu ka çfarë të tregojë dhe, ajo që është më bindëse, di si të tregojë. Nga ana tjetër, në kohën e panaireve, edhe media është shumë më e ndjeshme ndaj librit dhe botimeve të reja – pothuaj përditë TV seriozë transmetojnë lajme që lidhen me librin.
  2. Një kriter tejet i rëndësishëm në zgjedhjen e një libri të mirë janë edhe çmimet e akorduara. Konkretisht, nga librat që zgjodha në panair mbi bazën e këtij kriteri ishte “Bretkoca”. Autori i saj është fitues i çmimit “Nobel” me këtë libër. Një poster i madh i Shtëpisë Botuese Onufri të vinte në dijeni për këtë fakt, edhe nëse nuk e dije ose e ke të vështirë të identifikosh emra kinezë! Të sjellësh në shqip nga gjuha mandarin një titull Nobel është një ngjarje dhe përkthyesi, Iljaz Spahiu, ka bërë një punë të shkëlqyer. Ndonëse ekziston një frymë e errët mosbesimi ndaj çmimeve që kanë marrë autorë e libra të ndryshëm dhe vetë dhënia e çmimeve shpesh është kritikuar për sfonde politike, vazhdoj të besoj se dhënia e një çmimi një libri të caktuar ose vetë autori ka marrë një çmim, është një filtër i mirë në zgjedhjen e librit.
  3. Emri i Shtëpisë Botuese. Këtu ka vend për të hapur një parantezë të vogël. Shtëpitë e mëdha botuese zakonisht punojnë me fondet e tyre, që do të thotë se për botimin e një titulli janë njerëz të specializuar që vendosin nëse ja vlen ose jo të botohet. Në këtë mënyrë jo vetëm i kanë mbijetuar tregut, por janë bërë edhe një pikë shumë e mirë referimi për këdo lexues. Polity Press, Shtëpia Botuese që ka të drejtat e autorit të “Pasojat e modernitetit” me autor Anthony Giddens, botim i UET Press, është themeluar më 1984. Po kjo Shtëpi ka të drejtat e autorit edhe për një libër tjetër të Giddens, në fakt shumë i njohur për lexuesin shqiptar “Sociologjia”, botimi i shtatë. “Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda” me autor Theodore Kaltsounis, botuar në shqip po nga UET Press, në anglisht është botuar nga Palgrave Macmillan, themeluar afro 170 vjet më parë. Në vendin tonë, në përpjekje për të mbijetuar, shumë shtëpi botuese punojnë me paratë e autorit – pra, mjafton të kesh para për të botuar një libër dhe nuk ka asnjë problem – hajde merr librin e botuar. Por që sigurisht nuk ka të bëjë shumë me cilësinë. Duke e kaluar këtë pikë pa komente të tjera, shkojmë te pika katër.
  4. “Pyet mikun se çfarë libri po lexon” është një formulë që funksionon, besoj, në të gjithë botën. Në fakt unë e zgjerova aksiomën jo me një libër, por me tre: “Nëse do ju duhej të shpëtonit vetëm tre libra nga një bibliotekë që po digjet, cilët tituj do të zgjidhnit?” – ishte pyetja që ia drejtova shumë prej bashkëpunëtorëve të UET Press. Ndërkohë që më vinin përgjigjet, e riformulova edhe një herë pyetjen, duke specifikuar se bëhej fjalë për librat e bibliotekës personale. Në të njëjtën kohë, përjetova edhe një herë, me ëndje, shumë nga emocionet e bukura që përcjell diskutimi rreth një libri të mirë, pasi secili prej tyre është një libër i mirë. Një falënderim të veçantë për të gjithë me radhë, që patën kohë të mendonin e t’i përgjigjeshin një pyetje të tillë, për hir të së vërtetës aspak të lehtë – tek disa prej tyre vendosa, me shumë dashamirësi, të bashkëngjis edhe komentet dashamirëse që i bënë pyetjes, thjesht sepse bashkohem me “sikletin” që përjetojmë kur të drejtohet një pyetje e tillë. Pasqyrimin e zgjedhjeve të bëra e quaj si pjesë të lidhjes që krijohet ndërmjet atij që rekomandon një libër të mirë dhe atij që është në kërkim të tij dhe përsëri faleminderit që pranuan të ndajnë me ne titujt e librave të tyre të preferuar. Secili prej librave (ose autori) mund të bëhet pjesë e një liste “must”, që në fakt ishte edhe ideja fillestare! Përgjigjet janë renditur, kryesisht, sipas radhës që kanë mbërritur.

 Rajmonda Troshku, drejtore e shitjeve & marketingut pranë “Botime Shqip”

  1. “Lidhja e Prizrenit”, botim i vitit 1939,  Xhafer Belegu
  2. “Ylli i shkrimtarit”, botim i vitit 2013, Ndriçim Kulla
  3. “Sekreti”, botim i vitit 2010, Rhonda Byme

Ben Andoni, Gazeta Shqiptare, kryeredaktor i Milosao. Pyetje e egër dhe e pamëshirshme! Në një fraksion sekonde, pothuaj në mënyrë instiktive (sikundër është situata), do zgjidhja:

  1. Vëllimin e plotë të Edgar Allan Poe (e kam të gjithin në një, në original)
  2. “Fjalori i Hazareve” Milorad Paviqin
  3. “Dervishi dhe vdekja” Mesha Selimoviç

Viola Gjylbegu, pedagoge, “Abu Dhabi” University, United Arab Emirates

  1. “Krim dhe ndëshkim” Fjodor Dostojevski
  2. “Një, asnjë dhe njëmijë” Luigi Pirandelo
  3. “Martin Eden” Jack London

Viola Dodmasej, nëpunëse

  1. “Konti i Monte Kristos” Aleksandër Dyma
  2. 1001 netë
  3. “Tre shokët” Erih Maria Remark

Ajola Xoxa, avokate

  1. “Vepra” Faik Konica,
  2. “Vepra” Eqerem Bej Vlora,
  3. “Idioti” Fjodor Dostojevski

Fjorda Peçi, financiere

  1. “Shtëpia e shpirtrave” Izabel Aljende
  2. “Dashuria në kohërat e kolerës” Gabriel G. Marquez
  3. “100 vjet vetmi” Gabriel G. Marquez

Iva Nathanaili, avokate

  1. “100 vjet vetmi” Gabriel G. Marquez
  2. “Gjuetari i balonave” Kahled Hossein
  3. “Për tregëtarët dhe shoqëritë tregtare”, përmbledhje legjislacioni

Angjelina Xhara, skenariste

  1. “Diplomatët” James Aldrige
  2. “Saga e Forsajtëve” John Golsworthy
  3. “Tre shokët” Erih Maria Remark

Deni Sanxhaku, financiere

  1. “100 vjet vetmi” Gabriel G. Marquez
  2. “Difficult loves” Italo Calvino (më vjen keq që nuk e kam lexuar në original, por gjithsesi përkthimi ishte i mirë)
  3. “The wind up bird chronicle” Haruki Murakami (në anglisht)

Mira Kallfa

  1. “Novela” Stefan Cvajg
  2. “Harku i triumfit” Erih Maria Remark
  3. “Tre shokët” Erih Maria Remark

Teuta Nasto, studente

  1. “Alkimisti” Paulo Koehlo
  2. “Vepra” Shekspir
  3. “Poezi” Lasgush Poradeci

Luan Brozi, Itali

  1. Bibla
  2. Bibla
  3. Bibla

Alfred Lela, zv.kryeredaktor, Gazeta “Mapo”

  1. “Iliada” Homeri
  2. “Poezi” Jorge Luis Borges
  3. “Kronikë në gur” Ismail Kadare

Kamber Velaj, kryeredaktor Gazeta “Shqip”. Pyetje shumë interesante dhe e vështirë. Fillimisht do shpëtoja, patjetër, një nga librat më të dashur të fëmijërisë. Pastaj edhe dy të tjerë.

  1. “Xhim Kopsa dhe Lukas Makinisti” Michael Ended
  2. “Poezi të zgjedhura” Lasgush Poradeci
  3. “Emri i trëndafilit” Umberto Eco

Arbër Zaimi, koordinator, lëvizja “Vetëvendosja, Prishtinë. Nëse po digjet vetëm biblioteka ime (pra nuk ekziston rreziku që po humbin librat), do zgjidhja të ruaja prej saj tri libra që ende nuk i kam lexuar, në radhën e listës së leximeve.

  1. “Shën Pali” Pier Paolo Pasolin
  2. “Kritikë e jetës së përditshme”  Henri Lefebvre
  3. “Altai” Wu Ming

Bruno Vespa, gazetar, shkrimtar

  1. “La Divina Commedia” Dante Alighieri
  2. “Don Chisciotte” Miguel de Cervantes
  3. ‘Tragedie” William Shakespeare

Brunilda Zyka, redaktore, Shtëpia Botuese “Pegi”

  1. “Ne të gjallët”, Ayn Rand
  2. “Ne jemi pafundësi” Stefen Chbosky
  3. “Mos dashuro kurrë një të huaj” Harold Robins

Eleni Laperi, kuratore arti

  1. “Le Musée imaginaire” André Malraux
  2. “Ronder des jours” Jean Giono
  3. “Tregime e novela” Mitrush Kuteli

Tedi Papavrami, violinist, pedagog, “Haute Ecole de Musique de Genève”. Në fakt e kam të vështirë të zgjedh tre, pasi për mua ndryshojnë me periudhat e jetës. Në këtë moment do zgjidhja:

  1. “Les essays” Michel deMontaigne
  2. “A la recherche du temps perdu” Marcel Proust
  3. “Shpirtrat e vdekur” Nikolai Gogol

Itena Ndroqi, avokate

  1. “Idioti” Fjodor Dostojevski
  2. “100 vjet vetmi” Gabriel G. Marquez
  3. “Foto di gruppo con signora” Heinrich Böll

Jana Nano, mjeke

  1. “Nineteen Eighty-Four” George Orwell
  2. “Ujku i stepës” Hermann Hesse
  3. “Tre shokët” Erih Maria Remark

Dorina Bebja, informatikë ekonomike

  1. “Nineteen Eighty-Four” George Orwell
  2. “Shkretëtira e tartarëve” Dino Buxati
  3. “Procesi” Franc Kafka

Isabela Çoçoli, gazetare, “Zëri i Amerikës”

  1. “Democracy in Amerika” Alexis de Tocqueville
  2. “The first nation” Seymour Martin Lipset (one of my greatest professors)
  3. “Eleanor and Franklin” Joseph P. Lash

Valbona Nathanaili, drejtore, UET Press

  1. “The idea of justice” Amartya Sen
  2. “Vepra” Fan Noli
  3. “Dashuria në kohërat e kolerës” Gabriel G. Marquez

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.