Në kërkim të një libri të mirë 2 Nga Valbona Nathanaili

Në kërkim të një libri të mirë 2

Nga Valbona Nathanaili

Kur digjen bibliotekat” (“Mapo”, 5 shkurt 2014) është titulli që ka zgjedhur Ardian Vehbiu për të komentuar shkrimin tim me titull “Në kërkim të një libri të mirë” (“Mapo”, 25 janar 2014). Dhe ia ka rritur qëllimit – i ka vënë flakën jo vetëm bibliotekës së krijuar nga tridhjetë njerëz të nderuar që patën mirësinë të bashkëpunojnë duke më dhënë zgjedhjet për tre librat më të mirë për shijet ose nevojat e tyre, por edhe çdo ideje, synimi, dëshire, interesi, dashurie të shprehur për to (librat) në atë artikull. Ia vlen të qëndrosh sepse bëhet fjalë për libra.

Synimi i artikullit ishte të ndërgjegjësonte rreth librit, jo të paragjykonte zgjedhjet rreth tij. Aq më pak “të krijonte listën me librat e botës ose të Shqipërisë” që duhen shpëtuar. Zoti mos na e dhëntë atë detyrë, se nuk e di si do ia dilnim! Dhe mos vëntë asnjërin prej nesh përpara sfidave të tilla! Akoma, sapo është mbyllur Panairi i Librit dhe shkëmbimi i mendimeve dhe i opinioneve rreth librave që kemi blerë së fundmi, çfarë kemi lexuar ose shpresojmë të gjejmë kohë të lexojmë, sa përputhet rekomandimi që i bëhet librit me atë që ka “brenda” ose çfarë e pse rekomandojmë për të lexuar, janë pjesë e punës dhe e interesave të mia. Por kur këto biseda ndahen mes miqsh e bashkëpunëtorësh është vërtet një kënaqësi. Në këtë këndvështrim, më shumë se një artikull, ishte një ftesë dashamirëse për të bashkëbiseduar rreth librit.

Në kërkim të një libri të mirë (1)

Gazeta të ndryshme, në botë, i kushtojnë një vëmendje të veçantë librit. Disa nga gazetat më të mira (lexo: të besueshme) bëjnë edhe listat e tyre me “Librat më të mirë që duhen lexuar”. Për shembull, New York Times ka krijuar listën me “100 novelat më të mira bashkëkohore që duhen lexuar” ose Huffington Post ka publikuar “30 librat më të mirë që duhen lexuar përpara se të mbushni 30 vjeç”. Por jo vetëm. Edhe shtëpitë botuese bëhen pjesë e kësaj sfide. Për shembull, Shtëpia Botuese “Cassell” ka publikuar librin me titull “1001 librat që duhet të lexoni përpara se të vdisni”. Sigurisht që lista të tilla mund të bëhen pafund, në varësi të kritereve ose synimeve që kemi, sikundër edhe jemi dakord që janë fleksibël ose dinamike.

Praktika e krijimit të një liste të tillë për lexuesin shqiptar mungon, pasi edhe politikat për librin janë më shumë fryt i iniciativave spontane ose fragmentare. Dëshira për të filluar e shndërruar në institucion një iniciativë të tillë ishte botimi i artikullit “Në kërkim të një libri të mirë”. Dhe mendova të përfshija një pyetje, që në fakt e bëjnë shumë shtëpi botuese: “Nëse do ju duhej të shpëtonit vetëm tre libra nga një bibliotekë që po digjet, cilët tituj do të zgjidhnit?” (në artikull, e sqaruar më së miri, se bëhej fjalë për librat e bibliotekës personale). Jo në formën e një sondazhi, sikundër e etiketon Vehbiu në komentin e tij, dhe as të një ankete. Sepse çdolloj sondazhi ka konfidencialitetin dhe/ose anonimatin pjesë të rëndësishme të tij, ndërkohë që në shkrimin tim të gjithë bashkëbiseduesit referohen me emra, shumë prej tyre të njohur në fushën e letrave, që pranuan të “shërbenin” si etalon referimi, jo për t’i gjykuar për zgjedhjet e tyre, se nuk besoj se do arrijnë të ndikohen ose ndryshojnë zgjedhjet nga vlerësimet e Vehbiut, por për të ndihmuar në krijimin e një peshoreje sa më të saktë për krijimin e një liste të munguar për lexuesin shqiptar me “Librat më të mirë që duhen lexuar”. Për më tepër, oferta me “librat që do shpëtonim” u krijua me vetëm tridhjetë persona – shumë pak jo vetëm për të nxjerrë trendin e leximit, sikundër orvatet të bëjë Vehbiu, por edhe për të arritur në konkluzionin se sa të prapambetur ose jo janë shqiptarët në lexime, ose sa ndikohen zgjedhjet e tyre në lexim sot nga zgjedhjet e detyruara të servirura në diktaturë dje.

Gjithsesi, duke qenë se edhe vetë Vehbiu nuk i shpëton ngasjes së formulimit të varianteve të tij të librave që duhen shpëtuar nga filan bibliotekë, nga filan vend apo nga filan periudhë, shpresoj që edhe zgjedhjet e tij t’i shërbejnë të njëjtit qëllim – atij pse u shkrua ky artikull. Sigurisht që do i kem në konsideratë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.