Në barkun e balenës Nga Valbona Nathanaili

Në barkun e balenës

Nga Valbona Nathanaili

Admirali William H. Mcraven, veteran i flotës detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe autor i librit “Nëse doni të ndryshoni botën…” beson, se çdo person është në gjendje të sjellë ndryshimin dhe ta bëjë vendin e tij shumë, shumë më të mirë: “Një amerikan ka mundësinë të takojë dhjetë mijë njerëz gjatë gjithë jetës. Nëse secili nga ne ka mundësinë të ndryshojë jetën e vetëm dhjetë personave, dhe secili nga këta të dhjetë, ndryshon jetën e dhjetë të tjerëve – vetëm dhjetë – atëherë përgjatë 125 viteve, do të kemi ndryshuar jetën e 800 milionë njerëzve!”.

Por jo të gjithë besojnë te ndryshimi nëpërmjet fjalës dhe te ndikimi që përçon ajo. Nëse lexon komentet që u bëhen artikujve të ndryshëm të botuar në mediat a portalet e shumta, nuk mungojnë komente të tipit: Pse shkruan? Kujt i flet!? Askush nuk të dëgjon!

Duket se efektet psikologjike të të jetuarit për një kohë të gjatë në një vend si i yni, me korrupsion, shitblerje vote dhe trafik parimesh, ku flitet për besën, por besë ka më shumë shitësi i domateve me hormone se sa pronari i një institucioni arsimor, kanë çuar në krijimin e një ndjenje shtypjeje dhe mungese dialogu, si dhe të një lloj mosbesimi ndaj fjalës së lirë, institucioneve dhe njerëzve që udhëheqin, pushtetarë a të zgjedhur qofshin dhe, të gjitha bashkë, në kultivimin e së ashtuquajturës “kulturë e autocensurës”. Fjala nuk është më e para!

Kjo kulturë autocensure, pavarësisht mënyrës se si paraqitet, naive ose jo, e paqtë ose jo, agresive ose jo, po forcohet përditë e më shumë dhe po ndikon, drejtpërdrejt, në ushtrimin e një censure edhe mbi të tjerët për të mos folur, nën moton “Për kë po e thua!” Duket sikur jetojmë në barkun e një balene, njësoj si Xhepeto te “Pinoku” i Kolodit! Në errësirë e të nënshtruar ndaj fatit, ushqehemi me mbeturinat e stomakut të kafshës së frikshme dhe ndriçohemi nga dhjami i saj, ndërsa shpëtimin e presim nga jashtë.

Nëse jemi të zhgënjyer nga politikanët, nga drejtimi i vendit, nga rruga që ka marrë zhvillimi, atëherë zgjidhja është te fuqizimi i institucionit të fjalës së lirë, të mendimit ndryshe, të shtimit të ndikimit. Nuk mund të thuash se jam edhe i lirë, edhe i vetëcensuruar; se jetoj në demokraci, dhe nuk kam besim te forca e fjalës dhe ndikimi që ka ajo

Pak… është më mirë se asgjë, thonë anglezët. Të flasësh… është më mirë se të heshtësh! Dështimi ose suksesi i demokracisë varet nga mundësia që u japim njerëzve që mendojnë në mënyrë të pavarur. Dështimi ose suksesi i demokracisë varet nga përkrahja dhe besimi që u ofrojmë njerëzve që kanë aftësinë të përmirësojnë cilësisht opinionin e përgjithshëm publik të thonë fjalën e tyre, nga përpjekjet e të gjithëve për të krijuar një shoqëri qytetare dhe të ditur. Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shtet demokratik, nëse shoqëria nuk është demokratike. Shoqëria nuk bëhet demokratike duke zhvilluar autocensurën dhe kultivuar censurën, por duke besuar në disa vlera të përgjithshme dhe një nga këto është besimi te artikulimi i të vërtetave.

Fenomeni merr përmasa të mprehta në shoqëri ku një masë e madhe qeniesh njerëzore nuk kanë arsimimin dhe edukimin e duhur. Në raste të tilla, shprehej njëqind vjet më parë Giddings, shumica (lexo demokracia) vërtet pohon politikën e liderëve të zgjedhur, por kjo nuk do të thotë se ata punojnë detyrimisht në interes të saj.

Demokracia vërtet është hipokrizi, shprehet Orwell, por sado hipokrite të jetë, janë disa vlera te të cilat duhet të kemi besim. Për anglezët, patriotizmi shërben si një fije lidhëse për të gjitha shtresat e shoqërisë, njësoj si mblidhet tufa e bagëtive kur i duhet të përballet me ujkun.  Koncepte si drejtësia, liria dhe e vërteta objektive vërtet mund të jenë iluzione, por janë iluzione të fuqishme dhe te të cilat duhet të vazhdojmë të besojmë. Dhe padyshim të flasim në emër të tyre!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.