(Mos) Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë Autor Arsim Sinani 

“(Mos) Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë” Autor Arsim Sinani 

Me parathënie nga Prof. Dr. Blerim Reka

978-9928-190-60-1 Çmimi 900 lekë, f. 328, 140 x 200 mm Botimi i parë: nëntor, 2015 

Sipas autorit, kushtetuta e vitit 1991 e Republikës së Maqedonisë, një kushtetutë mono-etnike, e varrosi gjuhën shqipe dhe ndaj shqiptarëve është praktikuar një diskriminim i tmerrshëm. Në zbatim të kësaj kushtetute,  edhe vetë përdorimi i gjuhës shqipe ishte i atillë, sa edhe toponimet e qyteteve dhe të vendbanimeve të shqiptarëve duhej të shqiptoheshin sipas gjuhës maqedonase. Sipas së njëjtës politikë asimiluese, ekzistonte edhe lista e emrave të seleksionuar për pagëzim të fëmijëve shqiptarë. Çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë ka qenë dhe është jo vetëm e vështirë, por edhe mjaft e ndërlikuar. Ligjet e aprovuara kishin lëshime dhe mangësi evidente, rezultat i një rezistence të vazhdueshme nga pala maqedonase.

Në këtë studim gjen trajtim mënyra e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë, në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO). Sipas autorit, Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte “si të hapësh kutinë e Pandorës”, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë në ish-Federatën jugosllave u përdorën si subjekt eksperimentimi, në mënyrë që kjo doktrinë të zbatohej praktikisht në masë më të gjerë edhe në Kosovë.

Studimi merr në analizë përparësitë dhe mangësitë, sfidat dhe dështimet, interpretimet e gabuara dhe pengesat që ka sot gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare brenda institucioneve të Republikës së Maqedonisë (RM), sidomos në rajonet ku shqiptarët më së shumti janë diskriminuar, si në Manastir, Ohër, Krushevë, Veles, madje edhe në Kumanovë e Shkup.

Ka qenë një sfidë e vërtetë dhënia e vlerësimit për kapacitetin me të cilin po përdoret gjuha shqipe në institucionet shtetërore. Në këtë drejtim ka konfuzione dhe paqartësi, sepse në Maqedoni ka institucione që e përdorin gjuhën shqipe, ndaj dhe lehtësisht nënkuptohet se ato i drejtojnë shqiptarët, sikundër që ka institucione ku gjuha shqipe nuk përdoret, që dëshmon se ato drejtohen nga kuadro maqedonase, të cilat nuk pranojnë edhe pas MKO-së që kjo gjuhë të përdoret lirshëm, pavarësisht se këtë e garanton kjo marrëveshje që solli paqen mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Korniza analitike që përdor autori përbëhet nga këto çështje: Statusi politik dhe juridik i gjuhës shqipe në RM, lufta e vitit 2001 dhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit, gjuha shqipe në labirintin e pafund legjislativ dhe implikimet praktike të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Për të qenë sa më korrekt në trajtimin e tyre, autori ngre 8 pyetje:

  1. Cili ishte statusi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë në periudhën deri në shkatërrimin e Jugosllavisë?
  2. U avancua apo u reduktua gjuha shqipe pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë?
  3. Cilat ishin problemet praktike të reduktimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni?
  4. Lufta e vitit 2001 dhe, në kontekst të saj, cilat ishin kërkesat e shqiptarëve për gjuhën shqipe?
  5. Cili ishte statusi i gjuhës shqipe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO)?
  6. Rregullimi kushtetues i gjuhës shqipe sipas MKO?
  7. Në ç’masë u zyrtarizua gjuha shqipe pas konfliktit (MKO)?
  8. Sa përdoret konkretisht gjuha shqipe dhe cili është opinioni i qytetarëve?

 

Nga Blerim Reka (Pjesë nga parathënia)

Politika gjuhësore po bëhet temë e nxehtë politike në mbarë Europën. Sidomos në Ballkanin e përzier etnikisht dhe gjuhësisht të larmishëm, ku vazhdojnë diskutimet rreth asaj se sa norma kushtetuese e një shteti arrin t’a kornizojë juridikisht përdorimin zyrtar të një gjuhe, konform standardeve të Bashkimit Europian?

Këtë dilemë e shtjellon Arsim Sinani, në librin e tij të ri: “(Mos) Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”. Ky hulumtim i tij është fryt i tezës së doktoraturës të mbrojtur në Institutin për Studime Europiane të Unviersitetit të Tiranës, me titull “Zyrtarizimi i gjuhës shqipe konform Marrëveshjes- Kornizë të Ohrit: 2001-2013”.

Autori ballafaqon argumentet shkencore, të mbështetura në literaturën e pasur në lidhje me çështjen kyçe në këtë libër: a u zyrtarizua gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë pas 13 vitesh nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO)?

Duke iu përgjigjur kësaj pyetje bosht të këtij libri, autori elaboron zhvillimet dramatike historike për shqiptarët në vitet e shpërbërjes së ish RSFJ dhe pasojat politike për shqiptarët e Maqedonisë. Sidomos zhgënjimin e tyre me mos-avancimin e statusit të gjuhës shqipe pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 1991. Nga një e drejtë e fituar me Kushtetutën e vitit 1974, siç do e argumentoj Sinani, gjuha shqipe u bë një e drejtë e humbur. Nga një gjuhë së paku formalisht zyrtare gjatë Maqedonisë komuniste, shqipja u degradua në gjuhë pakice në Maqedoninë post-komuniste.

Hulumtimi i Sinanit për problemin e (mos) zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë përfshin: krahasimin historik dhe analizën kushtetuese para pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1945-1991); pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991-2001); si dhe gjatë trembëdhjetë viteve të implementimit të ngadalshëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001-2014).

Periudhën e fundit, trembëdhjetëvjeçare, autori e analizon në kuadër të tri problemeve kyç që ngadalësuan zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe. I pari është: mosimplementimi i plotë i Amendamentit të V të Kushtetutës së R.M. Problemi i dytë është interpretimi i ndryshëm dhe madje kundërthënës i kësaj dispozite kushtetutuese varësisht nga përkatësia kombëtare. Dhe i treti problem është zbatimi gjysmak i kësaj dispozite kushtetuese me ligjet e vitit 2008 dhe 2012.

Veç kësaj analize normative, autori shtjellon edhe problemin e implikimeve praktike të (mos) përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të RM-së, përkatësisht të mosrespektimit të përdorimit institucional të gjuhës shqipe.

Vlerë të shtuar librit i jep edhe analiza krahasuese e Sinanit e përvojave më të avancuara europiane dhe e statusit të gjuhëve, ku ai përmbys me argumente tezën e përsëritur me vite nga zyrtarët e Shkupit për “modelin më të avancuar europian të zgjidhjes së çështjeve kombëtare”. Autori, në këtë libër provon të kundërtën. Përveç politikave gjuhësore më të avancuara europiane, si në: Zvicër, Belgjikë, Suedi apo Finlandë etj., Republika e Kosovës, promovoi modelin më të avancuar të zyrtarizimit të gjuhës së pakicave, me serbishten si gjuhën zyrtare të cilën e flasin vetëm 5% të popullatës që ndodhet atje.

Si i tillë libri i Arsim Sinanit është një kontribut i rëndësishëm për analizën, jo vetëm të politikës gjuhësore në Republikën e Maqedonisë, por edhe më gjerë. Analiza e ngjeshur dhe e argumentuar komparative e tij në këtë libër, përmblidhet me dilemën e vetë titullit të tij. Edhe katërmbëdhjetë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gjuha shqipe mbetet gjuhë e pazyrtarizuar në Republikën e Maqedonisë.

Përmbajtja: Hyrja / Korniza analitike

Kapitulli I: Statusi politik dhe juridik i gjuhës shqipe në RM. Statusi i gjuhës shqipe në RM brenda ish RSFJ-së (1945-1991); Statusi juridik i gjuhës shqipe pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991); Problemet që dolën nga reduktimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (1991-2001); Sfidat e reduktimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (1991-2001); Praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese të RM-së lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe. Kapitulli II: Lufta e vitit 2001 dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Shpërthimi i luftës në RM dhe qëndrimi UÇK-së ndaj përdorimit të gjuhës shqipe; Diskutimi i statusit të gjuhës shqipe në negociatat që sollën MKO-të; MKO dhe statusi i gjuhës shqipe. Kapitulli III: (Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në RM. Konstitucionalizmi i MKO-së në lidhje me gjuhën shqipe; Interpretimet e ndryshme të amendamentit V të Kushtetutës së RM-së që e rregullon përdorimin e gjuhës shqipe; Interpretimi zyrtar rreth statusit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Kapitulli IV: Implikimet praktike të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të RM-së. Sa respektohet përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e RM-së; Ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe ( Ligji i vitit 2008 & Ligji i vitit 2011 (Plotësim).  Kapitulli V: Modele të përdorimit të dy gjuhëve në vende të ndryshme. Analizë komparative rajonale: përdorimi i gjuhës shqipe në RM dhe i gjuhës serbe në Kosovë; Gjuhët zyrtare-praktika të ndryshme (Modele shtetesh me dy gjuhë e më shumë, Përdorimi i gjuhëve në Serbi, Zvicra, model i përdorimit të katër gjuhëve, Spanja dhe kundërthëniet gjuhësore e kulturore, Modeli i Belgjikës i përdorimit të gjuhëve, Kanadaja mes anglishtes dhe frëngjishtes). Përfundime / Sugjerime / Literatura / Shtojca: Kronologji e ngjarjeve 1900-2001. Hulumtimi me qytetarë. Hulumtimi në administratën e Komunës së Tetovës. Dokumente nga arkivat.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.