Mësuesit që i duhen Shqipërisë Nga Valbona Nathanaili

Mësuesit që i duhen Shqipërisë

Nga Valbona Nathanaili

Tiranë, janar 2017

Ka disa kohë që Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka iniciuar nismën “Mësues për Shqipërinë”, një nismë e cila sipas faqes on-line të vetë MAS është “një kapitull i ri për reformën në Shqipëri”, ndërsa sipas një komentuesi të kësaj reforme në gazetën MAPO, – bërë 768 ditë më parë dhe, në fakt, i vetmi koment në gazetë deri më dt. 12.1.2017, – “kjo ishte reforma e domosdoshme në Arsim”. Sigurisht, të bësh publike ofertat për punë në mësuesi në të gjithë rrethet e vendit, sikundër të publikosh vendet bosh që ka secili rreth në këtë fushë është një nismë e mirë, por ta lartësosh në nivelin e një reforme është ambicie përtej normales, sepse për mësuesit e regjistruar në këtë portal MAS nuk ka investuar direkt asnjë qindarkë në përgatitjen e tyre. Thjesht janë mësues që kanë mbaruar një shkollë të lartë, kanë marrë një certifikatë dhe kërkojnë punë. Kaq. Ata bëjnë një konkurrim dhe në bazë të rezultateve iu bëhet një renditje. Për ta pasur edhe më të lehtë absurdin e kësaj pseudoreforme është njëlloj si të trumbetojë Ministria e Drejtësisë reformën “Juristë për Shqipërinë”, sepse kam kaq juristë që kërkojnë punë në institucionet e mia…

Gjithsesi, populli na këshillon “të nxjerrim dhjamë edhe nga pleshti” dhe në këto kohëra ku kemi mbërritur, ku kallp-izmi është tipar mbizotërues, konsultimi edhe me të dhënat që ofron portali “Mësues për Shqipërinë” është një zbatim shumë i mirë i mençurisë popullore, sepse është një mundësi për të skanuar gjendjen në të cilën ndodhet oferta për punë e mësuesve të përgatitur nga institucionet e arsimit të lartë në vend. Të dhënat i takojnë vitit 2015. Sipas tyre, në këtë vit, mësues të regjistruar për të fituar një vend pune në portal, por që përsëri gëzojnë statusin e të papunit janë 5,267, ndërkohë që sipas të dhënave të vitit 2014, numri i mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar publik është afro 35,000. Që të gjejnë punë këta mësues, duhet që po kaq të sëmuren, të marrin një leje lindjeje, të braktisin këtë profesion për një tjetër, të dalin në pension apo edhe të vdesin. Konkluzioni i parë është se oferta për mësues, në krahasim me vendet e punës që ofron sistemi ynë parauniversitar publik është shumë e madhe. Ndërsa po të kemi parasysh kuotat bosh në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në fillim të vitit shkollor 2016-2017, kjo ofertë është rrjedhojë vetëm e kërkesave të të interesuarve për të marrë një diplomë të shkollës së lartë, kryesisht në fakultete që kërkojnë pak përgatitje dhe investim. MAS nuk ka ndërhyrë me politika për të balancuar situatën. Në spektrin “Mësues për Shqipërinë” janë me pakicë mësuesit e shkencave të sakta.

Sipas të njëjtit portal, nga 5,267 të regjistruar për një vend pune në mësuesi, pra që kanë mbaruar një shkollë të lartë dhe kanë marrë certifikatën si mësues, vetëm 2100 ose 39.8% kanë arritur të kalojnë testin e MAS dhe mund të konsiderohen si “kandidatë për mësues”. Pra, në çdo dhjetë të regjistruar për t’u punësuar si mësues, vetëm 4 janë kandidatë realë për të fituar statusin “Mësues për Shqipërinë”. Vetëm në DAR Berat, në vitin 2015 nga 23 të interesuar për punë në arsimin fillor, vetëm 6 ose 26% e kalojnë testin dhe plotësojnë kërkesat e MAS, pra realisht mund të merret në konsideratë kërkesa e tyre për një vend pune; nga 46 të interesuar për punë në arsimin parashkollor, vetëm 21 ose 46% e kalojnë testin dhe plotësojnë kërkesat e MAS; nga 8 të interesuar për punë si mësues biologjie, vetëm 4 ose 50% e kalojnë testin dhe plotësojnë kërkesat e MAS; nga 11 të interesuar për punë si mësues të edukimit fizik, vetëm 1 ose 0.9% e kalon testin dhe plotëson kërkesat e MAS; nga 5 të interesuar për punë si mësues fizike, vetëm 2 ose 40% e kalojnë testin dhe plotësojnë kërkesat e MAS; nga 28 të interesuar për punë si mësues gjeografie, vetëm 13 ose 46.4% e kalojnë testin dhe plotësojnë kërkesat e MAS; nga 61 të interesuar për punë si mësues gjuhë-letërsie, vetëm 32 ose 52.5% e kalojnë testin dhe plotësojnë kërkesat e MAS. Situata nuk është më premtuese në rrethet e tjera, – kushdo mund të konsultohet në të njëjtin portal të faqes ueb të MAS. Konkluzion tjetër është cilësia e dobët e mësuesve që nxjerrin institucionet e arsimit të lartë. Investime në para, kohë e burime njerëzore që shkojnë dëm. Kush duhet të shtojë kërkesën e llogarisë kundrejt cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë?

Për një MAS vizionare, të dhënat nuk janë reforma, por përpunimi i këtyre të dhënave dhe ngritja e politikave të reja mbi bazën e tyre mund të shërbejë si shtrati i një reforme të re. Dhe ndoshta me një emër më pak patetik se ai “Mësues për Shqipërinë”, sepse na duhet të hapim edhe portale “Politikanë për Shqipërinë”, “Deputetë për Shqipërinë” etj. etj. Vetëm kur të fillojnë këto shtresa të punojnë për Shqipërinë, mund t’iu kërkojmë edhe mësuesve të njëjtën gjë. Për momentin le të kënaqemi me “mësues që edukojnë qytetarë”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.