Marrëdhëniet etnike në historinë kineze Nga Qizhi Zhang

Marrëdhëniet etnike në historinë kineze

Nga Qizhi Zhang

Kina, për një kohë të gjatë, ka qenë vendi i shumë grupeve etnike, nga të cilët, më shumë se 50 prej tyre me paraardhës që kanë jetuar në këtë tokë për mijëra vjet. Me përjashtim të rusëve, si dhe të disa grupeve të tjera etnike me popullsi të vogël, pjesa më e madhe e tyre janë grupe etnike native që kanë ekskluzivitetin e të qenit nga Kina dhe me histori që mund të gjurmohet, për më tepër e shkruar, deri në 2 000 vjet më parë. Historia e këtyre grupeve etnike në Kinë është unike dhe e ndryshme nga historia e shumë prej vendeve europiane.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve europiane, të gjithë grupet etnike kineze kanë jetuar, për një kohë të gjatë, në një shtet të bashkuar. Shumë kohë më parë, konkretisht 2 000 vjet më parë, Kina ka qenë e bashkuar në një dinasti perandorake, pjesë e së cilës kanë qenë edhe këto grupe etnike.[1] Megjithëse populli kinez ka përjetuar ndryshimin e shumë dinastive, në pjesën më të madhe të kësaj historie 2 000 vjeçare bashkimi ka qenë gjithmonë normë, sipas parimit “sa më i fortë bashkimi, aq më e qëndrueshme shoqëria.”

Bashkimi i Kinës dhe vetë territori i saj i madh janë arritur dhe zhvilluar nga populli etnik kinez. Po ashtu, edhe kultura dhe historia kineze janë krijuar nga të 56 grupet etnike kineze dhe paraardhësit e tyre gjatë këtij rrugëtimi të përbashkët, nisur mijëra vjet më parë. Ndërmjet këtyre grupeve etnike, grupi etnik Han ka qenë, pothuaj gjithmonë, grupi dominues, duke shtuar në këtë vlerësim, kontributet e vazhdueshme të të gjithë grupeve të tjera etnike në minorancë.

Mjedisi gjeografik dhe marrëdhëniet etnike

Drejtimi që ka ndjekur procesi historik në Kinë ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me kushtet gjeografike të saj. Mund të themi se, sigurimi i një bashkimi të qëndrueshëm, sikundër edhe integrimi i grupeve etnike në një, deri në një farë mase ka ardhur edhe si rrjedhojë e mjedisit natyror që gjendet në përgjithësi në Azinë lindore. Falë këtyre karakteristikave gjeografike natyrore, Kina ka qenë pothuaj një rajon i izoluar dhe një vend gjysmë i mbyllur. Nga njëra anë, ky mjedis ka qenë pengesë për komunikimin me botën e jashtme, por në anën tjetër, ka mundësuar një kontakt më të ngushtë ndërmjet popullsive të grupeve etnike të ndryshme brenda të gjithë territorit. Pavarësisht ndarjes dhe copëzimit të vendit në kohëra shumë të hershme, Kina ka arritur të plotësojë me sukses misionin e bashkimit të plotë dhe, mbas çdo ribashkimi, territori i Kinës mbetej, në përgjithësi, i pandryshuar. Përsëri, kryesisht për shkak të mjedisit gjeografik. Situata e veçantë gjeografike e Kinës ka mundësuar në lindjen e një kulture me elementë të shumtë diversiteti, por njëkohësisht edhe kushtet që kjo kulturë diverse të zhvillohej drejt njehsimit.

Në veri të Kinës shtrihet rrafshnalta e madhe mongole. Peizazhi kryesor i kësaj rrafshnalte është stepa, e cila kalon përmes saj dhe e ndan, vetë Mongolinë, në dy rajone, Mongolia e brendshme dhe Mongolia e jashtme. Ajo kufizohet nga shkretëtira e madhe, shkretëtira e Gobi-t dhe malet Yinshan. Në veri të rrafshnaltës mongole gjenden male që shtrihen për mijëra e mijëra kilometra, nga lindja në perëndim; në veri të këtyre maleve, gjendet rajoni i ftohtë i Siberisë. Malet e Siberisë jugore të cilët kufizohen me rrafshnaltën mongole, kanë qenë shtëpia e disa fiseve të lashta, si Dingjing dhe Xiajiasi, por të shpërndarë nëpër luginat dhe pjerrësitë me diell të malit. Vit pas vit e brez pas brezi, këto fise kanë bërë të pamundurën për të migruar drejt jugut, në kërkim të tokave të mëdha e pjellore që gjenden në stepat mongole. Por në stepa ekzistonin e jetonin fise të tjera, nomadë, që pjesën më të madhe të jetës e kalonin mbi kalë, si Di-të veriorë, Hun, Xianbei, Turks, Huihe dhe Mongolë. Dëshira e tyre për mirëqenie e begati i shtyn edhe më në jug, në Kinën qendrore, në pjesën e brendshme të Murit të Madh dhe në krahët e kulturës kineze.

Kina verilindore kufizohet, në perëndim, me stepën mongole, në lindje me oqeanin Pacifik, ndërsa në veri shtrihet deri në malet Outer Xing’anling, të cilët shërbejnë si kufi i saj me Siberinë. Në këtë pjesë të Kinës gjendet rrafshnalta qendrore dhe kodra pa fund. Me mijëra e mijëra kilometra katrorë tokë janë pjellore a të mbuluara me pyje të dendur, shumë të mira për gjueti në veri dhe akoma më të mira ato në jug për bujqësi. Për pasojë, ky është vendi ku në kohë të ndryshme vendosen fise të ndryshëm, si Dong Hu (barbarët e lindjes), Sushen (paraardhësit e Manchu-ve), Wuhuan, Xianbei (paraardhësit e Xibo-ve), Shiwei (paraardhësit e Mongolëve), Khitan dhe Jurchens. Kina verilindore ndahet nga rrafshnalta e Kinës veriore nga një territor i ngushtë malor, përgjatë linjës bregdetare të detit Bohai. Kalimi nga një rajon në tjetrin ruhet nga “Kalimi Shanhai”. Për mijëra vjet me radhë, grupe etnike si Xianbei dhe Shiwei, prejardhja e të cilëve është nga rajoni verilindor, kanë kaluar përmes maleve Xing’anling dhe kanë hyrë në stepat mongole, ndërsa shumë grupe të tjera i janë drejt jugut vetëm nëpërmjet këtij kalimi, në kërkim të rajoneve më të ngrohtë, më të pasur dhe më pjellorë të Kinës qendrore. Në kohët e lashta, Kina veriperëndimore është quajtur shpesh si “Rajoni perëndimor” (Xi Yu), një emër që në ditët e sotme referon, në lindje, rajonin autonom Xinjiang dhe Azinë e mesme, ndërsa në jug, liqenin Balkhash. Hyrja në Xinjiang është shumë e vështirë, sepse kërkon kalimin e një vargu malesh të pakapërcyeshëm dhe të një shkretëtire, të cilët të dy së bashku formojnë një barrierë të fuqishme natyrore. Në veri, malet Tangnu dhe Altai janë një pengesë natyrore, rezistente ndaj të ftohtit siberian. Malet Congling, si dhe rrafshnalta Pamir e cila gjendet në një lartësi 4 000 m shtrihen në perëndim. Malet Karakorum, në jug, bllokojnë tërësisht transportin ndërmjet Qinghai dhe rrafshnaltës Tibetiane. Thënë shkurt, Kina është një rajon i rrethuar nga male në jug, veri dhe perëndim, me të vetmen hapje, në lindje, në detin lindor. Në verilindje është hyrja në stepën mongole. Në juglindje gjendet korridori Gansu, nëpërmjet të cilit mund të mbërrihet deri në Gansu, Qinghai dhe në rrafshnaltën gjysmë-pjellore Shaanxi (Guanzhong). Në kohët e lashta, shumë fise, njëri pas tjetrit, vendosen në këtë zonë, si Sairen, Usun, Yuezhi, Huns, Turks, Huihe dhe Mongolët Zhungar. Disa fise zbritën nga stepa mongole (Huns, Turks, Huihe dhe Mongolët), të tjerë nga Gansu Corridor (Usun dhe Yuezhi), por të gjithë, ndërsa vinë këtu, kërkojnë të vazhdojnë edhe më, disa drejt rrafshnaltës qendrore të Kinës dhe, të tjerë drejt stepës mongole.

Rajoni i Azisë së mesme, Hezhong, deri në perëndim të maleve Congling (sot, përfshin Uzbekistan, Tajikistan dhe Kyrgyzstan) ka qenë pjesë e territorit kinez, të paktën që në kohët e hershme të Dinastisë Qing. Ai shtrihet ndërmjet lumit Amul dhe lumit Syr Darya, – të dy lumenjtë derdhen në detin Aral. Ky rajon përbëhet nga basene e oaze dhe, kohët e lashta, banohet nga popullsia Sogdian, të cilët e sigurojnë jetesën duke u marrë me bujqësi dhe tregti. Për shkak të thatësirës së shkretëtirës në perëndim dhe veri, rajoni dominohet nga nomadët Sogdian, por qw gjithsesi, për të realizuar tregtinë, si dhe për të pasur një mbrojtje ushtarake janë të detyruar të lëvizin nëpërmjet stepës mongole dhe rrafshnaltës qendrore të Kinës.

Kufiri jugperëndimor i Kinës lidhet me vargmalin Himalayan dhe malet Hengduan, të cilët të dy së bashku formojnë barrierën natyrore më të pakapërcyeshme në botë. Në kohët e lashta, zona ka vuajtur pasojat e një sistemi transporti, ndër më të varfrit të të gjithë rajonit. Në rrafshnaltën Qinghai-Tibetan dhe rrafshnaltën Yunnan-Guizhou jetojnë shumë grupe etnike, si Tubo (paraardhësit e Tibetanëve), Menba, Qiang, Bai, Miao dhe Dai. Ndërmjet barrierës natyrore që kanë në jug  dhe karakteristikave të rrafshnaltës qendrore, këto fise zgjedhin rrafshnaltën dhe lëvizin drejt pjesës qendrore të Kinës.

Zona juglindore e territorit kinez ka një vijë bregdetare që shtrihet në mbi 1 000 km gjatësi, të cilën, për një kohë të gjatë, fiset e lashtë e referonin si fundin e tokës.

Mjedisi gjeografik kinez, me shumëllojshmërinë e klimës dhe të burimeve natyrore, ka ushtruar një ndikim të thellë mbi të gjitha grupet etnike, duke ofrur, në të njëjtën kohë, si diversitet të shumtë kulturor, ashtu edhe pabarazi në zhvillimin socio-ekonomik. Në një kategorizim të ri që mund të bëjmë, këto grupe përfshijnë: nomadët në veri, fiset gjuetare në verilindje, fiset e oazeve të shkretëtirës në jug të maleve Tianshan, si dhe fiset e rrafshnaltës në jugperëndim, ku këta të fundit praktikojnë një bujqësi të përzier. Duhet të theksojmë se secili prej këtyre grupeve, në përputhje me natyrën e rajonit në të cilin është vendosur, ka zhvilluar edhe kulturën e tij. Në anën tjetër, rrjeti ujor që mbulon të gjithë vendin, kalimet natyrore në stepa, si dhe shumë e shumë rrugë të tjera të hapura dhe përdorimi i mjeteve të transportit, i ndihmojnë të gjitha këto grupe etnike të lidhen ngushtë me njëri-tjetrin.

Por grupet etnike minoritare që u vendosën në pjesën e jashtme të rrafshnaltës qendrore kanë vështirësi në lëvizje, për shkak të barrierave natyrore dhe të mjedisit. Dëshira e tyre më e madhe është zhvendosja drejt qendrës së rrafshnaltës qendrore, falë motit të butë dhe tokës pjellore. Për këto arsye, për mijëra vjet me radhë, të gjitha aktivitetet e rëndësishme politike, ekonomike dhe ushtarake të të gjitha grupeve etnike janë orientuar drejt vendosjes në qendër të rrafshnaltës qendrore, – e thënë ndryshe, drejt basenit të lumit të Verdhë dhe rrjedhës së poshtme të lumit Yangtze. Për mijëra vjet me radhë, mjedisi gjeografik, me karakteristikat e përshkruara sa më sipër, ka qenë arsye për një kohezion gjithmonë e më të plotë brenda kombit kinez.

[1] Territori kinez bashkohet për herë të parë më vitin 221 p.e.s., në kohën e Dinastisë Qin.

Shkëputur nga libriHyrje në historinë dhe kulturën kineze”, autor Qizhi Zhang

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.