Marrëdhënia televizion – fëmijë. Sa punon media elektronike për edukimin e fëmijëve? Nga Andrea Nathanaili

Marrëdhënia televizion – fëmijë

Sa punon media elektronike për edukimin e fëmijëve?

Nga Andrea Nathanaili

Veprimtaria e medias elektronike, e cila përfshin prodhimin dhe transmetimin e programeve  në territorin e Republikës së Shqipqërisë, rregullohet me Ligjin nr. 8410, datë 30. 09. 1998, i ndryshuar, “Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë”, dhe me Ligjin nr. 9742, datë 28.05.2007 , “Për transemtimet numerike  në Republikën e Shqipërisë.

Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në transmetimet radiotelevizive në Shqipëri përfshin tre drejtime kryesore: ligjin organik, aktet nënligjore, kodet e etikës. Ligji Nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përcakton detyrimet  e transmetuesve lidhur me respektimin  e mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të shprehura në:

  1. Nenin 4, përcaktohen parimet themelore të zhvillimit të veprimtarisë radiotelevizive, ku, midis të tjerash theksohet se:
    • “Në këtë veprimtari respektohen në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.”
  2. Nenin 36, që përcakton se programet radiotelevizive duhet të respektojnë… “dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, dhe … të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve….”,
  3. Nenin 38, i cili sanksionon ndalimin e programeve që nxisin dhunën, si dhe “prodhimi dhe transmetimi i programeve pornografike”,
  4. Nenin 43 ku thuhet se filmat e ndaluar për fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk shfaqen në televizion, as pjesërisht, prej orës 06.00 deri në orën 02.00 të ditës tjetër.
  5. Nenet 56 dhe 57, që sanksionojnë ndalimin e reklamave që nxisin sjellje, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe zhvillimin normal psikik të fëmijëve, të reklamave të pijeve alkoolike që drejtohen në veçanti fëmijëve si dhe kujdesin e veçantë në reklamat e destinuara për fëmijët, ose kur realizohen me fëmijë,  për të  mbrojtur interesat dhe veçantitë e moshës së tyre.

Rregullorja e hartuar dhe e miratuar nga KKRT  me vendimin nr. 795 dt. 27. 03. 2009, “Mbi shenjat paralajmëruese për respektimin e normave etiko–morale në programet radiotelevizive”  është një akt  nënligjor i rëndësishëm që ka për qëllim “rritjen e përgjegjësisë së operatorëve radiotelevizivë, që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndaj zbatimit të kërkesave të ligjit për respektimin e normave morale dhe etike, veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në programet radiotelevizive.

Kodi Etik i Medias Shqiptare, përgatitur nga Instituti Shqiptar i Medias në vitin 2006 është njohur dhe pranuar nga Shoqatat e transmetuesve radiotelevizivë. Në këtë kod, mes parimeve e kritereve të përgjithshme etike, theksohet në pjesë të veçantë (“Fëmijët dhe njerëzit e dobët”) respektimi i Konventës së OKB-së 1989, mbi të drejtat e fëmijëve, norma e kërkesa etike lidhur me publikimin e informacioneve e fotove me dhe për fëmijët, ruajtja e besimit, dinjitetit dhe jetës private të tyre, intervistimi  me pëlqimin e prindërve për fëmijët nën 14 vjeç etj. Edhe në Kodet e Etikës të transmetuesve radiotelevizivë në Shqipëri, si organizma vetërregulluese, janë përfshirë në paragrafë të veçantë parime e norma etike që theksojnë domosdoshmërinë e respektimit e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në gjithë veprimtarinë e tyre radiotelevizive.

Nga analiza e programeve, vihet re se në vitet e fundit, si pasojë edhe e rritjes së numrit të operatorëve të licencuar kombëtarë e vendorë kemi një përmirësim në strukturë, krahas rritjes së ndjeshmërisë dhe ndërgjegjësimit  për domosdoshmërinë dhe cilësinë e programeve për fëmijë, të rinj dhe adoleshentë. Kjo shfaqet jo vetëm në hartimin e dokumentacionit përkatës për marrjen e licencës për programe radiotelevizive, por dhe në respektimin e kërkesave ligjore në vijueshmëri, gjatë transmetimit të emisioneve, për gjithë periudhën e licencimit. Është përmirësuar gama e shumëllojshmëria e programeve për fëmijë, duke tentuar drejt emisioneve me mesazhe edukative e formuese, me problematikë dhe target sipas grupmoshave. Veçanërisht televizioni publik i ka shfrytëzuar mirë potencialet dhe përvojën e vet në këtë fushë, duke realizuar programe dhe emisione të sukseshme për fëmijë, me nivel të arrirë, me gjuhë televizive të përshtatshme, që kanë rritur audiencën e teleshikuesve të vegjël. Ndërsa televizionet private kombëtare i janë drejtuar më shumë grupmoshave 12-18 vjeç, përmes programeve muzikore e argëtuese, që në thelb të konceptimit të tyre kanë garat dhe konkurset.

Por nuk mungojnë edhe përvojat negative, nga të cilat mund të listojë disa:

  • intervista me fëmijët pa pëlqimin e prindërve
  • intervistime të personave të përfshirë nga dhimbja
  • cenim i dinjitetit e privatësisë së adoleshentëve viktima të shfrytëzimit, në familje me probleme sociale.
  • përdorim i fëmijëve si mjet presioni, apo si “skupe” televizivë,
  • keqtrajtim e dhunim i personave e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve të braktisur, të sëmurë,  të abuzuar e të trafikuar
  • viktima të filmimeve të padëshiruara.
  • Përdorimin e  fjalorit vulgar që deformon formimin gjuhësor e shëndetin mendor të fëmijëve.

Në përfundim, televizioni duhet të paraqitet  si një plotësues i edukimit shkollor dhe familjar të fëmijëve, të nxisë një integrim sa më të plotë të fëmijëve në shoqëri, të mos bëhet arsye për shfaqjen e problemeve psikologjike dhe një zhvillimi të cunguar psikofizik apo në gjenerimin e konflikteve të reja.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.