Ludwig Heinrich Edler von Mises

Ludwig Heinrich Edler von Mises

Ludwig von Mises u lind më 29 shtator 1881 në Lemberg, kryeqyteti i provincës Galicia, në Perandorinë e vjetër Austro-Hungareze (sot Lvov, Ukraina perëndimore). Familja e të atit i përkiste aristokracisë vjeneze dhe merrej me ndërtimin e financimin e hekurudhave. Në moshë, 12-vjeçare fliste rrjedhshëm gjermanisht, polonisht e frëngjisht, lexonte tekste në latinishten e re dhe kuptonte ukranishten. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Vjenës, më 1906,  për ekonomi dhe, më vonë, edhe një doktoraturë në Jurisprudencë. Pas një eksperience të shkurtër si punonjës banke, më 1909, fillon punë pranë Dhomës Austriake të Tregtisë dhe Industrisë. Brenda pak viteve, Mises u promovua në pozicionin e njërit prej shefave analistë të ekonomisë në Dhomë. Studimet dhe botimet e bëjnë shumë shpejt të njohur si një nga mendjet më të mprehta në Austri. Më vitin 1912 boton librin “Teoria e parasë dhe kreditit” (Botimi i parë në gjermanisht me titull Theorie des Geldes und der Umlaufsmittel). Në këtë libër, një nga veprat fondamentale të shkollës austriake në teorinë dhe politikat monetare, Mises shpjegon origjinën e parave përmes “teoremës të regresionit”, e cila bazohet në logjikë dhe jo në shpjegime historike dhe u bë më pas e njohur si “Teoria austriake e ciklit të biznesit”. “Inflacioni dhe depresioni nuk i përkasin ekonomisë së tregut të lirë, – argumentonte Mises, por shkaktohen nga keqmenaxhimi qeveritar i sistemeve bankare e monetare”.

Më vitin 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, ndërpret punën studimore dhe i bashkohet ushtrisë. Për katër vjet rresht, Mises shërben si oficer në ushtrinë austriake, ku pjesën më të madhe të kohës gjendet në frontin e lindjes, kundër ushtrisë ruse. U dekorua tri herë për trimëri në betejë. Gjatë muajve të fundit të luftës, pak përpara armëpushimit, më mars 1918, merr detyrën e oficerit në kontrollin monetar, në atë pjesë të Ukrainës që ishte pushtuar nga ushtria austriake, sipas kushteve të traktatit të paqes, me qendër në qytetin e Odesës, në brigjet e Detit të Zi. Me mbarimin e liftës, më nëntor 1918, vendoset në Vjenë, duke shërbyer si analist ekonomie për Komandën e Lartë Austriake dhe në fund të vitit 1918, iu kthye detyrës së tij në Dhomën e Tregëtisë së Vjenës, me përgjegjësi shtesë në degën e Ligës së Komisionit Kombëtar të Dëmshpërblimeve. Deri në vitin 1920 merret me zgjidhjen e detyrimeve të borxheve të para luftës.

Në vitet pas Luftës, Austria ishte një shtet në kaos. Perandoria e vjetër Austro-Hungareze u shkatërrua, duke krijuar më vete një republikë të vogël, atë të Austrisë. Inflacioni i lartë dhe barrierat agresive tregtare që vendosën shtetet fqinjë ndaj saj, bënë që një pjesë e madhe e popullsisë të vuante për bukën e gojës. Gjatë kësaj periudhe, vendi karakterizohet nga shumë përpjekje për të vendosur, me dhunë, një regjim socialist revolucionar në Austri, madje pati edhe luftra ndërkufitare me Çekosllovakinë, Hungarinë dhe Jugosllavinë.

Nga pozicioni i tij në Dhomën e Tregëtisë vjeneze, Mises u përpoq për të parandaluar shkatërrimin e vendit. Në vitet 1918-1919, nën influencën  e tij, u bë e mundur ndalimi i kombëtarizimit të plotë të industrisë austriake nga ana e qeverisë. Ai luajti rol të rëndësishëm në uljen e  inflacionit gjatë vitit 1922; u bë zëri drejtues në riorganizimin e Bankës Kombëtare Austriake për një rivlerësim të standardeve të arit,  nën mbikëqyrjen e Ligës së Kombeve; kërkoi, me këmbëngulje, uljen e taksave mbi të ardhurat personale dhe ato të biznesit, të cilat po mbysnin aktivitetin e sektorit privat, si dhe dhënien fund të kontrolleve qeveritare në shkëmbimet me jashtë, gjë që po e rrënonte tregtinë austriake.

Gjatë viteve 1920-1930 në Austri, Mises njihet si një nga mbrojtësit më të flaktë dhe pa kompromis i lirive individuale, i ideve për kufizimin e rolit të qeverisë dhe rëndësinë e tregut të lirë. Përveç punës në Dhomën e Tregëtisë, mbante leksione në Universitetin e Vjenës për aspekte të ndryshme të teorisë dhe politikës ekonomike. Kurset e tij jo vetëm tërhiqnin studentët më të mirë austriakë, por shumë prej tyre vinin nga vende të tjera të Evropës, ose edhe nga Amerika. Gjatë periudhës 1920-1934, nga tetori deri në qershor, dy herë në muaj, në kuadër të mësimdhënies si pedagog, drejtonte edhe një “seminar privat”  në zyrat e Dhomës, ku mblidheshin, rregullisht, mendjet më të shquara vjeneze në shkencat ekonomike e politike, në histori, filozofi e sociologji.

Më 1926 Mises themelon “Institutin Austriak të Studimeve të Biznesit”. Drejtor i parë i Institutit ishte i riu Hayek. Vetë Mises mbajti detyrën e zv.presidentit të institutit.

Fama e tij ndërkombëtar si kampion i liberalizmit klasik vazhdoi të shtohej gjatë kësaj periudhe, përmes një serie librash që sfiduan valën në rritje të socializmit dhe ndërhyrjeve të shtetit. Më 1919 Mises boton librin “Kombi, shteti dhe ekonomia. Kontribute në politikat dhe historinë e kohës sonë” (Nation, Staat, und Wirschaft). Por ishte artikulli “Kalkulime ekonomike për Comonwealth-in socialist”, më 1920, dhe libri “Socializmi, një analizë ekonomike dhe sociologjike”, më 1922, të cilët vendosën përfundimisht reputacionin e tij si kundërshtari kryesor i kolektivizmit të shekullit XX. Në veprat e tij Mises demonstron se me nacionalizimin e mjeteve të prodhimit dhe braktisjen e parave, konkurrueshmërinë e tregut dhe sistemin e çmimeve, socializmi do çonte në kaos ekonomik e jo në prosperitet. Kështu, përveç tiranisë që do krijonte socializmi në sajë të dominimit mbi gjithë aspektet e jetës njerëzore, ai ishte një sistem ekonomik tërësisht pa funksion. Idetë e tij pasurohen më tej më 1927 me botimin e librit “Liberalizmi”, ku mbron me forcë liritë individuale, pronën private, tregun e lirë dhe kufizimet qeveritare, një manifest për liberalizmin klasik dhe ekonominë e tregut. Më 1929, Mises boton një përmbledhje esesh me titull “Kritikë ndaj intervencionizmit”, në të cilën tregoi se ligjet e coptuara të qeverisë mbi çmimet dhe prodhimin të çojnë, në mënyrë të paevitueshme, në shtrëmbërime dhe keq-balanca që kërcënojnë funksionin efektiv të një shoqërie të tregu të lirë e kompetitiv. Plus kësaj, ai shkroi një sërë esesh mbi filozofinë e shkencës së tregut dhe natyrës së njeriut e rendit social, të cilat dolën në vitin 1933 nën titullin “Problemet epistemologjike të ekonomisë”.

Mises e kishte kuptuar qartë në atë kohë se Socializmi Kombëtar i Hitlerit do ta shpinte Gjermaninë drejt shkatërrimit. Në fakt, në mes të viteve 1920 ai kishte paralajmëruar se shumë gjermanë e dinin se po ju vinte në krye një tiran që do sundonte e planifikonte jetët e tyre. Kur në Gjermani erdhën nazistët në pushtet në vitin 1933, Mises e kuptoi se e ardhmja e Austrisë po kërcënohej. Si një hebre dhe liberal klasik, Mises e dinte fare mirë se mund të arrestohej e të dënohej me vdekje. Më 1934 shpërngulet në Zvicës, pasi pranon pozicionin e profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Institutin Pasuniversitar të Studimeve Ndërkombëtare në Gjenevë të Zvicrës. Gjatë kohës së qëndrimit në Zvicër, Mises shkroi veprën më të madhe në gjuhën gjermane “Veprimi human: Një traktat mbi shkencën ekonomike”. Në një volum prej rreth 900 faqesh, Mises përmblodhi idetë dhe refleksionet e tij mbi problemet e njeriut, shoqërisë e qeverisë; mbi natyrën dhe funksionimin e tregut kompetitiv dhe pamundësitë e planifikimit të centralizuar socialist e të shtetit ndërhyrës; mbi rolin qendror dhe rëndësinë e një sistemi monetar të shëndoshë pë rtë gjithë aktivitetet e tregut dhe efektet e dëmshme që sjellin manipulimet e qeverisë mbi paratë dhe kreditë.

Në verën e vitit 1940, ndërkohë që ushtria gjermane pushtoi Francën, Mises dhe gruaja e tij Margit, largohen nga Zvicra neutrale, përmes Francës jugore, Spanjës dhe Portugalisë, për të lundruar drejt ShBA-ve. Duke jetuar në New York, mori grante kërkimore nga Fondacioni Rockfeller, që bënë të mundur realizimin e një sërë studimesh politike e ekonomike të pasluftës e të shkruante disa libra.

Në vitin 1945, caktohet profesor i jashtëm në Universitetin e New York-ut, pozicion që e mbajti deri sa doli në pension, në moshën 87 vjeçare, në vitin 1969.

Më 1949 Yale University riboton veprën “Veprimi human” që për shumë studiues është Magnum Opus, një zgjerim i disa prej ideve të shprehura më parë më 1940 në veprën me titull Nationalökonomie: Theorie des Handelns und Wirtschaftens. Historia e botimit nga Yale University la një shije të hidhur pasi libri kishte shumë gabime. Një botim i dytë i rishikuar doli më 1963, por edhe ai ishte përsëri plot me gabime. Botimi i tretë i librit bëhet nga Henry Regnery, një botues i ri dhe i fundit i këtij libri sa kohë ishte gjallë. Në këtë traktat, Mises adopton prakseologjinë, konceptin bazë themelor për shkencat sociale, si qasje metodologjike edhe për ekonominë.

Gjatë viteve në Amerikë, Mises vazhdoi karierrën e të shkruarit, duke botuar shumë libra. Disa nga botimet: Burokracia (1944), Qeveria e plotfuqishme (1944), Kaos i planifikuar (1947), Duke planifikuar lirinë (1952), Mentaliteti anti-kapitalist (1956), Teoria dhe historia (1957), Bazat e shkencës ekonomike (1962) dhe Kuadri historik i shkollës austriake të ekonomisë (1969). Shënime dhe kujtime (1978) dhe Intervencionizmi: Një analizë ekonomike (1998), të dyja të shkruara prej tij që në vitin 1940.

Ndërron jetë më 10 tetor 1973, në moshën 92 vjeç.

Nation, Staat, und Wirschaft

Botimi i plotë në pdf, përkthyer në anglisht nga Leland B. Yeager, mund të gjendet në linkun  https://mises.org/sites/default/files/Nation%2C%20State%2C%20and%20Economy_3.pdf).

Përmbajtja

Nation and State I. Nation and Nationality 1. The Nation as a Speech Community 2. Dialect and Standard Language 3. National Changes II. The Nationality Principle in Politics 1. Liberal or Pacifistic Nationalism 2. Militant or Imperialistic Nationalism A. The Nationality Question in Territories with Mixed Populations  B. The Migration Problem and Nationalism  C. The Roots of Imperialism  D. Pacifism 3. On the History of German Democracy  A. Prussia B. Austria War and the Economy 1. The Economic Position of the Central Powers in the War 2. War Socialism 3. Autarky and Stockpiling 4. The Economy’s War Costs and the Inflation 5. Covering the State’s War Costs 6. War Socialism and True Socialism Socialism and Imperialism 1. Socialism and Its Opponents 2. Socialism and Utopia 3. Centralist and Syndicalist Socialism 4. Socialist Imperialism.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.