Loja artistike si frymë poetike Nga Riza Braholli

Loja artistike si frymë poetike

Analizë teksti: Është aq vonë” Olimbi Velaj

Nga Riza Braholli

 Poezia në fjalë është ndërtuar si një dialog i subjektit poetik me një personazh të munguar, i ligjëruar si një hapësirë e munguar e që shfaqet vetëm si refleks i përthyerjeve të ndjesive, gjykimeve, përsiatjeve të subjektit me … tjetrin. Përgjigjet e tij janë hapësira mungesore, që ne i lexojmë si përgjegjëse të të kundërtave: të thënat e subjektit poetik përkundruall heshtjes dhe hijes që ne krijojmë prej reflekseve të fjalëve të poetit. “Çdo shfaqje – thotë Greimas – është e papërsosur: ajo e fsheh qenien…”[1] Natyrisht, me shfaqje ai nënkupton tërësinë e një poezie si konkluzion të qenies poetike, por në rastin tonë mendojmë se na ndihmon për të kuptuar domethënien që rrjedh prej lojës poetike.

Ligjërimi është i ndërtuar me një ton bisedor e paksa pesimist, mllef e dhimbje. Mjetet artistike ndërtohen nga fjalë pa ngarkesa simbolike dhe në dukje të zakonshme, me një lloj defiguracioni, por që, në sajë të pranëvënieve alogjike të fjalëve, me ndërtime sintaktike ku i jepet përparësi mendimit poetik, fshehin gjendje e domethënie me artikulime situatash të befasishme e të freskëta, me një rrjedhë harmonike e të natyrshme.

Le të fillojmë së pari me titullin, të cilin e përcjell edhe te vargu i parë: “Është aq vonë,” që është dhe titulli i poezisë. Me këtë sintagmë poeti ndërton të gjithë kohezionin e logjikës përmbajtësore dhe artistike që është nënteksti “nuk mund.” Ky inversion me theksin ritmik te o-ja, (vonë); – vini re: shfaqet si një zanore e gjatë – mbart dhimbje, por ndërkohë është një pohim i mohimit dhe bëhet filli poetik me të cilin endet gjithë poezia.

Por le t’i marrim leksemat me radhë. Folja është, me të cilën fillon vargu, i përgjigjet një kryefjale të munguar që duhet të shprehë një kohë. Te ky përfundim na çon ndajfolja vonë, i cili përcakton një çast të caktuar kohor dhe, nga ana e tij, vendoset pas ngjarjes apo veprimit të ndodhur që ka lënë tërë këtë gjendje. Subjekti poetik tashmë shfaqet si një subjekt i gjendjes, dhe i tërë projekti poetik ndërtohet mbi këtë nëntekst mohues. Më tej, ndajfolja sasiore “aq”, e bën edhe më të thellë pamundësinë duke konkluduar një çast të papërcaktuar e dikotomik, jo aq kohor sa marrëdhëniesor. Pra ky titull kthehet në një lajtmotiv a fjalë kyç, siç pëlqejnë ta quajnë strukturalistët, (në të gjithë poezinë përsëritet katër herë) një deduksion rreth të cilit do të sillet e përsillet e gjithë materia poetike. Dhe, për të arritur deri te ky deduksion paraprak, ligjërimi kalon nëpër labirinthe e abstraksione të ngritura mbi lëndë fizike e metafizike, si reflekson i sendërtimeve që ndodhin në aktin dhënës, po dhe marrës.

Le të shikojmë strofën e parë,

Është aq vonë sa të të rilind / vetëm nëpër ngjyrën e plumbit / nëpër fletë që ti ndoshta kurrë s’i lexon / Është aq vonë sa për të të humbur / Në tingullin e harruar të sendeve…

Në dy vargjet e para: “Është aq vonë sa të të rilind / vetëm nëpër ngjyrën e plumbit…” shprehja figurative ngjizet me materie drejt një abstraksioni fin metonimik: …të të rilind / vetëm nëpër ngjyrën e plumbit… Zhvendosja kuptimore na çon drejt një hullie domethënëse që plotësohet me vargun pasues “nëpër fletë që ti ndoshta kurrë s’i lexon”; logjika mentale e poetike na çon pikërisht te përfundimi se gjithçka ka përfunduar, por që, me ndajfoljen ndoshta ajo lë një derë gjysmë të hapur, një deriçkë me shumë. Pasiguria këtu më tepër shfaqet si dëshirë, por njëherazi edhe si trishtim. Ndajfolja krijon një luhatje e dramacitet të brendshëm, që, siç do ta shikojmë edhe më poshtë, krijohet me prekje plot delikatesë, të denja vetëm për dorën e një qëndistareje. Poetesha, jo në modelin e reales, po e të modeluarës artistikisht, e profilizon veten si të tillë; ajo mund ta krijojë atë nëpër ngjyrën e plumbit, duke abstraguar metonimikisht me lapsin, mjetin e shkrimit e jo vetëm me mjetin…, me fjalën si frymë; ai mund të rilindë nëpërmjet artit; është arti që rilind realitete të tjera me të drejtën e rikrijimit. Mos harrojmë postulatin biblik: “E para ishte fjala”

Dy vargjet e tjera “Është aq vonë sa për të të humbur / Në tingullin e harruar të sendeve…,” vijnë si figurë-situatë. Loja artistiko – poetike është mjaft e sofistikuar dhe të vë para një labirinthi abstrakt e shumështresor: ndërtohet me një shtresim situatash, duke luajtur me mungesën si kontekst i saj. Situata e parë ndërtohet nga sintagma – kyç “është aq vonë” dhe “sa për të të humbur.” Sintagma e dytë i përgjigjet kësaj sintagme – kyç në logjikën e ndërtimit të raporteve e lidhjeve me shenjën “humbur.” Pra krijohet situata e një humbjeje. Nëse do ta ndërtonim mendimin sipas sintagmave “Është aq vonë…” dhe “…për të të humbur / Në tingullin e harruar të sendeve;” dhe, nëse sintagmën e dytë do ta shkëputnim nga konteksi kohor i së tashmes, – sepse ajo, në fakt, vjen si një situatë e së shkuarës, – atëherë, i tërë imazhi që na përfytyrohet, është një imazh që operon me të kundërtën e tij; humbja në vetvete shkakton dhimbje. Situata e dytë ndërtohet nga një metonimi – situatë gjithë lëvizje, “Në tingullin e harruar të sendeve…”, që njëkohshëm i përgjigjet pyetjes që rrjedh nga situata e parë. Ku? “Në tingullin…” që përceptohet nëpërmjet një përgjimi ku flasin tingujt, që natyrshëm duhet të jenë intime dhe heshtja bëhet e dukshme, pikërisht, në sajë të tingujve “të harruar.” Dhe nuk e di sa bindës jemi, por mendojmë se koherenca logjike, ndonëse e sofistikuar, ndërtohet mbi pohimin konkludues ”Është aq vonë”, si dhe dhimbjen ndaj harresës, duke i qëndruar besnik mungesës, fillit të nëntekstit mohues “nuk mund” dhe dhimbjes për këtë të mundshme, duke na tërhequr për dore nëpër honin e labirinthet e qenies, duke na treguar edhe plasat më të holla e më të thellë të dhimbjes të krijuara nëpërmjet një loje të ndërlikuar poetiko – psikologjike: e vetëdijshme për atë që po ndodh, e painteres, e gjendur midis njohjes të së vërtetës (së mundshme) dhe të pranimit të saj si të pashmangshme.

“Dyert u mbyllën /…” Ky imazh metonimik ndarës, me të cilin fillon strofa e dytë,

Dyert u mbyllën / xhamat vetëm nga jashtë po ngjiten me natën / ndërsa ti, ti se si je / në gjithë këtë përhumbje prej muzgu të athët…

 vjen si shprehje dikotomike, duke luajtur gjithmonë lojën e nëntekstit analogjik, mbështetur e potenciuar më tej me vargun në vijim: “… / xhamat vetëm nga jashtë po ngjiten me natën / …”  Le të marrim xhamin si materie e zakonshme; dihet për çfarë shërben: të izolojë, ndajë dy hapësira, por dhe t’i lërë ato të komunikojnë vizualisht, pra, të depërtojë drita. Këto dy cilësi kaq të rëndomta, në sajë të kontekstit, kthehen në mjete të holla shprehjeje artistike. Në një mënyrë, që ne do të thoshim naivisht, shohim një pohim të gjithëdijshëm që xhami ngjitet vetëm me një anë, “me natën nga jashtë,” duke pohuar e theksuar pikërisht ndarjen, që më nuk është një ndarje vetëm fizike, por më shumë shpirtërore, metafizike. Në fakt, nata, si imazh realist, është një “objekt,” arketip artistik i së keqes, që shërben për thellimin e domethënies drejt një kuptimësie koherente me përjetimin bosht, të shprehur që nga kreu e deri në fund: të ndarjes dhe të së pamundurës, për të rilindur atë që është e pamundur, se tashmë “Është aq vonë.”

Pra, interpretimi na çon në konkluzionin se tjetri është pjesë e natës, apo nata vetë dhe loja e krijimit vazhdon po me ato mjete të imta nëntekstore e mungesore, për t’u hapur dhe shfaqur e drejtpërdrejtë, duke i dhënë një tonalitet më të lartë e duke e pasuruar edhe me një ritëm të ri. Po të shohim elementet e saj eufonikë, shikojmë që i-ja është artikuluar tri herë dhe e ndjekur gjithashtu nga gjysmëtingullorja j dhe me zanoren e zgjatur e, që i jep një ton trishtues e veleritës, si një rënkim të fshehur: …ndërsa ti ti se si je / në gjithë këtë përhumbje prej muzgu të athët…

Ndoshta mund t’ju duket një gjykim naiv, por askush nuk e kundërshton dot se iii… pra i-ja e zgjatur, për shembull: iii sa i lig…, sa i keq!!!, megjithëse duket si shprehje naive fëmijërore, në tekst, e potencuar me ndajfoljen sa, ajo rezonon, jo vetëm objektin të cilit i drejtohet thënia, por dritëson edhe subjektin. Pra, përsëritja e aliterative e eufonike e i-së, e shkrirë me përemrin ti të përsëritur, na çon drejt një përmbajtjeje dhe domethënieje sintonike e harmonike në koherencë me atë çka shprehet në vargjet më sipër, po dhe në vargun pasardhës.

Le të zgjatim pak lupën edhe mbi këtë varg, në dukje plotës i mendimit të mësipërm poetik. Ajo çka na del nga shqyrtimi i fjalëve që fshehin figurativitet: “përhumbje,” “muzgu të athët,” është plotës edhe i ndjenjës. Shqyrtojmë fjalën përhumbje. Ky emër shërben për të metaforizuar të gjithë situatën (pra, atë çka u tha më sipër). Ndërsa metafora “muzgu i athët” është pjesë e dekorit tjetër, shkaktarit të përhumbjes, muzgut të athët. Nuk biem ndesh nëse themi se i-ja neveritëse që thamë më lart është në sintoni kuptimore e konotative me të athtën, të papëlqyeshmen që e shkakton atë. Gjithashtu, pa harruar reticencën që përsëritet në të katër strofat, që, në poezi, qëllimisht apo jo, janë renditur si një e tërë. Kjo figurë, hapësirë mungesore e vendosur qëllimisht katër herë e me një rezonim ritmik, na jep mundësi ta plotësojmë edhe më tej me shenja përkuese të kodit tonë gjuhësor. Pa e tepruar do të thoshim se kjo mënyrë të shprehuri i jep një tis fisnikërie buzëhollë e plot elegancë të përmbajtur.

Në strofën e tretë,

E ndezën dritën/ për të shfletuar relievin letargjik të tipareve / po s’mund të gjykoj / sepse brenda meje ka terr / gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes / kur ti mbetesh një hije e bruztë ndajnate…

Poezia, në dukje, si vijimësi e mendimit poetik të strofës më sipër, vazhdon të na flasë drejtpërdrejt. E nis me një varg të zhveshur, pa ngarkesë figurative, por në sintoni me gjendjen përjetuese e emocionale të subjektit poetik, gjithashtu dhe si një vetëfshikullim i përmbajtur. Më tej, nëse e marrim si një të tërë me vargun më poshtë “E ndezën dritën / për të shfletuar relievin letargjik të tipareve”, atëherë do të thoshim se ai e kryen më së miri rolin e dyfishtë: a. i zhveshur, dhe b. si mjet poetik, tashmë jo si dritë e zakonshme, por si dritë që ndriçon e hyn brenda qenies për të zbuluar thellësirat dhe majat, gjë që ajo na e shpreh figurativisht me “…relievin letargjik të tipareve”, duke parë veten si një qenie komplekse e universale. Kështu, loja metonimike, si shprehësi moderne e fjalës, përdoret me masë e në vendin e duhur, duke ruajtur edhe lojën ritmike, edhe lojën kuptimore, të kodifikuara harmonikisht në të gjitha shtresat. Po pse  “letargjik”? As këto vogëlsira në dukje, nuk i shpëtojnë penës intuitive. Sapo analizuam në vargjet më sipër “përhumbjen.” Po a s’është letargjia përhumbje, përgjumje? Besoj nuk gaboj nëse them se kjo qasje është tepër moderne; ka një pranim të vuajtjes, të dhimbjes, qetësisht, si një gjë e natyrshme, duke na paraqitur edhe norma të reja qëndrimi në marrëdhëniet sociale. Në vargjet më tej, këto marrëdhënie, përveçse formalizojnë një gjendje artistike, shtrihen edhe në planin ideor e përmbajtësor, si për të thënë se e vërteta është e thellët dhe e errët duke krijuar një dramacitet të brendshëm më shumë me veten se me “tjetrin”; dhe kjo errësirë vjen si një gjendje, rezultat i kësaj marrëdhënieje që ne e shohim në zgrip: “po s’mund të gjykoj / sepse brenda meje ka terr…”

Gjykoj… përse gjykoj? Po çfarë mund të gjykojë? Mund të kemi një veprim të gabuar, një situatë, rrjedhojë e këtij veprimi, hamendje pa fund. Po vetë folja gjykoj dhe modalja mohore s’mund, e ndriçuar nga ndajfolja e shkakut, sepse. Pra ajo ka të drejtën të gjykojë dhe as që e vë në diskutim këtë drejtë, megjithëse është e vetëdijshme për luhatësinë e vet, sepse, po të shprehemi me fjalët e vargut: brenda meje (saj) ka terr. Le ta marrim në shqyrtim këtë sintagmë. Është terri ai që pengon gjykimin. Po ç’është ky terr? Metafora na shpërfaq një ngjyrim dramatik, një kompleksitet dëshirash, ndjenjash e përjetimesh që thellohet më tej me vargun: “gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes.” Por le të hedhim dritë e të qartësojmë më tej sintagmën dëshirë e ngadaltë. Më sipër thamë se ndajfolja “ndoshta” krijon një luhatje e dramacitet të brendshëm. Mendojmë se ky dualitet përjetues shfaqet si një fill i hollë gjatë gjithë poezisë, duke krijuar një gjendje të trazuar e komplekse plot dramacitet. Pra e shikojmë edhe te kjo sintagmë që ftillohet edhe më shumë me fjalën “fundosje.” Kuptimi zhvendoset nga një zinxhir figurash abstraguese në të tre vargjet e strofës, sepse brenda ka terr, gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes, kur ai mbetet një hije e bruztë ndajnate. Shohim se ndërtohen dy raporte të ndërthurura pazgjidhmërisht me njëri-tjetrin: raporti me tjetrin dhe raporti me veten. Përgjigjja duket se na çon drejt një domethënieje mjaft të mjegullt, por po ta shohim nga këndvështrimi përmbajtësor dhe ideor, duket sikur na thotë se çdo ndarje i ka të dy anët, viktimat. “Terri” në vetvete duket si i papërcaktuar, por ai errëson gjykimin dhe ky “terr” mund të vijë nga përplasjet, zjarret, shuarjet e dilemat e brendshme. Ajo nuk merr përsipër të na rrëfejë një histori; ne shohim e ndjejmë vetëm tinguj e ngjyra, përjetime, gjendje, mendime, ndjesi që vijnë nga raporte e marrëdhënie të përcaktuara estetike. ka një prirje për nga perceptimi i përvojës estetike dhe vihet re ndërtimi i raportit të qenies me të vërtetën. Dhe Greimas thotë: (…) përvoja estetike ka një moment që i mundëson subjektit hyrjen, qoftë edhe në mënyrë kalimtare, te e vërteta e tij dhe e botës.[2]

Në strofën e fundit,

Tashmë të ikshëm si dita që/ Kthejmë kokën pas / Pa e ditur, pa e mësuar / Çastin e funeralit pa varr / Është aq vonë / Ka mbërritur koha e epitafeve…

 duket se ideja e subjektit poetik fillon të marrë formë. Koha kryesore mbi të cilën ndërtohet diskursi është e tashmja; vëmë re përsëritjen e shpeshtë të foljes është, por edhe tashmë, si konkludim e si fakt kohor prej nga bëhet gjykimi. Por edhe koha e foljeve të tjera është në të tashmen. Megjithatë, i gjithë ky rrafsh kohor ndërtohet përkundër një rrafshi tjetër kohor mungesor që është e kaluara, e cila ka sjellë këtë stad ku subjekti, që në titull, përsërit  e përsërit “Është aq vonë.”

Gjithashtu, vëmë re se sfondi që shoqëron perceptimin e subjektit është një tonifikim ngjyrash me rezonim përmbajtësor: metafora mbiemërore “të ikshëm” – diçka e paqëndrueshme; krahasimi “si dita që thyhet” – përforcim analog i të paqëndrueshmes. Dita që thyhet është një perëndim dhe në mungesë të hollësive na shërben metafora foljore dikotomike thyhet. Konotacioni i parë është ai i perëndimit të diellit, që vjen i shoqëruar me të ngjitha ngjyrat e një pasditeje. Konotacioni i dyti me thyhet shtreson një kuptim tjetër në sintoni me gjendjen marrëdhëniesore që dihatet nëpër rreshta, asaj që vdes e që përfundon. Vini re fjalët: të ikshëm, dita që thyhet, kokën pas, nëse ua nënshtrojmë grilave konceptuale do të shikojmë se çlirojnë të njëjtat ngjyra që përkojnë me një fund jo aq të pëlqyeshëm, për të përfunduar te nënteksti i “Është aq vonë”, – me përgjegjësen, nuk mund.

Por, duke qenë se na shërben për t’i shkuar hipotezës sonë deri në fund, le të  mbetemi te nocioni i kohës që, në këtë strofë, shfaqet i dukshëm në të dy planet: e kaluara e tashmja. “Kthejmë kokën pas / pa e ditur, pa e mësuar / Çastin e funeralit pa varr.” Janë këto vargje që më në fund na zbardhin e i hapin udhë imagjinatës sonë, për të tentuar drejt thellësisë, të vërtetës së mundshme: e shkuara, padija çfarë ka ndodhur, çastin e thyerjes, funeralit, që alogjikisht s’ka varr, etj. Atëherë le t’i marrim me radhë. Të kthyerit e kokës pas është një shprehje metonimike që e zhvendos fokusin e hulumtimit tonë për nga e kaluara; (mjafton ndajfolja e mënyrës pas). Por të kthyerit e kokës shpesh ka edhe dhimbjen për atë çka lënë pas e jo vetëm si dëftim. – Gjithmonë i mbetemi dualitetit ndjesor e kuptimor që mbart kjo poezi: dua, po nuk mund.

Më poshtë të dy sintagmat shugurojnë po këtë dhimbje; e dhimbja bëhet më e madhe kur s’dihet “çasti i funeralit.” Kjo figurë metonimike, përveçse na çon prapa në kohë, na thotë se ajo që ka ngjarë është një vdekje, që i bie të jetë edhe e pakthyeshme, duke qenë në sintoni me shprehjen – kyç që e kemi përsëritur kaq shpesh: “Është aq vonë”. Përveç këtyre hamendësimeve fjala “pa varr,” së bashku me “Çastin e funeralit” ndërton një sintagmë retorike alogjike që na çon drejt përfundimeve logjike: Dashuria, miqësia nuk prishen në një ditë të vetme, në një çast të vetëm.

Izotopia e kësaj poezie shfaqet nga fillimi në fund me “Është aq vonë”. Nuk mund të mungonte kjo sintagmë në mbyllje të poezisë, që së bashku me vargun tjetër metonimik të shoqëruar me retiçencë “Ka mbërritur koha e epitafeve…”, kthehet në një deduksion logjik, kuptimor e artistik. Vëmë re se të dyja kohët, porsi dy drejtëza jo paralele, vinë e priten te ky varg i fundit, te “…koha e epitafeve…” Ky është përfundimi i një marrëdhënieje: i asaj  që ka sjellë “vdekjen”, figurativisht “…koha e epitafeve…;” dhe, i rrjedhojës shkak – pasojë,  “Është aq vonë”.

[1] Maria Pia Pocato: Semiotika e tekstit, metoda, autorë, shembuj, Përkth. Dhurata Shehri, “Shblu”, Tiranë, 2001, f.151.

[2] Maria Pia Pocato: Semiotika e tekstit, metoda, autorë, shembuj, Përkth. Dhurata Shehri, “Shblu”, Tiranë, 2001, f.152.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.