Lidershipi i lëvizjeve sociale: kush e bën, nga vjen dhe pse. Teori  

Lidershipi i lëvizjeve sociale: kush e bën, nga vjen dhe pse. Teori  

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Sipas librit “Handbook of leadership. Theory and practice” Autorë: Nitin Nohria & Rakesh Khurana

A Harvard Business School Centennial Colloquium

Lëvizjet sociale kanë lindur si rezultat i përpjekjeve të aktorëve të ndryshëm (individë ose organizata) për të shpalosur vlera të reja publike, formuar marrëdhënie që burojnë nga këto vlera dhe për të mobilizuar fuqi politike, ekonomike dhe kulturore për t’i përkthyer këto vlera në veprime. Të iniciuara si përgjigje shpresëplotë ndaj kushteve të përcaktuara si të patolerueshme, pjesëtarët e lëvizjeve sociale kanë pretendime morale, bazuar në identitete personale dhe kolektive të rishikuara, si dhe në veprim publik. Në Shtetet e Bashkuara, lëvizjet sociale kanë qenë shkaqet kryesore të reformave sociale dhe politike që nga koha e Revolucionit.

Lidershipi është pranimi i përgjegjësisë për të krijuar kushte që u mundësojnë të tjerëve të arrijnë qëllimet e përbashkëta. Liderët pranojnë përgjegjësi jo vetëm për “pjesën” e tyre të punës, por edhe për “gjithë” kolektivin. Nevoja për lider (shpesh një nevojë që nuk plotësohet) është evidente kur përballesh me kërkesë për t’iu përgjigjur adaptimit, orientimit ose inovacionit: eksperienca e mëparshme nuk funksionon më, shfaqen kërcënime të reja ose një mundësi e papritur, kushtet sociale ndryshojnë, teknologjitë e reja kërkojnë rregulla të reja etj., por të gjitha janë të paqarta!

Roli i lidershipit në lëvizjet sociale shkon shumë më larg se stereotipi i personit publik karizmatik, me të cilin ata shpesh identifikohen. Lëvizjet sociale organizohen duke identifikuar, rekrutuar dhe zhvilluar lidership në të gjitha nivelet. Ky lidership krijon një komunitet në lëvizjen sociale, mobilizon burimet e saj dhe shndërrohet në një burim kryesor për të. Ndonjëherë, ata që bëjnë punën e lidershipit, sidomos kur punojnë me kohë të plotë, quhen organizatorë, ose për t’i dhënë më shumë ngjyra, lektorë, agjentë, udhëtarë, drejtues cirku, përfaqësues, ose sekretarë në bazë. Ndonjëherë ata quhen thjesht lider.

Një nga të paktët studiues që është marrë me sfidat e lidershipit në organizimet vullnetare, jo vetëm në lëvizjet sociale, është James Q. Wilson, Sipas tij “Në shumicën e organizimeve vullnetare, autoriteti është i paqartë dhe lidershipi është i dyshimtë. Për shkak se organizimi është vullnetar, shefi nuk ka as fuqi efektive, as të drejtën e njohur për të detyruar anëtarët, – pasi në fund të fundit ata janë anëtarë, jo të punësuar. E kundërta ndodh në një firmë biznesi, ku brenda disa kufijve, shefi mund të marrë në punë dhe të pushojë nga puna, të promovojë dhe të ulë në detyrë vartësit e tij… Në shumicën e organizimeve fuqia ose aftësia për të detyruar vartësin që të bëjë atë që do eprori është e kufizuar dhe autoriteti, ose e drejta për të ushtruar një fuqi të tillë, është e kufizuar dhe e pjesshme.” Por ndonëse autoriteti i liderëve në shumë organizime të tilla është i dobët, kërkesat ndaj tyre janë të mëdha. Shefi i një organizate vullnetare zakonisht duhet të kombinojë detyrat ekzekutive të ruajtjes së organizatës me detyrat e lidershipit, si për shembull përcaktimin e zbatimin e objektivave.

  • Ky artikull fokusohet në lidershipin e lëvizjeve sociale: një kontekst i paqëndrueshëm në të cilin aftësitë motivuese, racionale, strategjike dhe vepruese si dhe kapaciteti për t’i zhvilluar këto aftësi tek të tjerët, luan rol kyç. Sa më poshtë do gjeni shembuj nga lëvizja e parë sociale, – eksodi, lëvizjet për të drejtat civile, lëvizjet e punëtorëve të fermave, lëvizjet e grave dhe politikat amerikane.

Të paktën që nga koha e Moisiut, lidershipi i lëvizjeve sociale, i përbërë si nga individë, ashtu edhe grupe, ka lindur në mjedise konfliktesh. Moisiu, një hebre i shtypur, u rrit në shtëpinë e Faraonit, shtypësit. Ai luftoi për të realizuar dëshirën për ndryshim (lirimin e njerëzve të tij), bazuar në kapacitetin për të bërë ndryshim (si një princ egjiptian). Reagimi i tij duke vrarë një mbikëqyrës egjiptian, nuk funksionoi. Për më tepër, rriti dozat e kritikës ndaj hebrenjve të tjerë. Moisiu u zhduk nëpër shkretëtirë (në Bibël është vendi ku mund të riorganizohesh) dhe mori një identitet të tretë, krejt pa domethënie, as si hebre, as si egjiptian, por si djali i birësuar i një prifti Median, i një bariu.

Duke qenë nga natyra kurioz, Moisiu një ditë devijoi nga rruga për të ndjekur një dritë të çuditshme (një shkurre që po digjej), ku doli që Zoti po e priste dhe e sfidoi për të pranuar kthimin në Egjipt, përballjen me Faraonin (ku u rrit), si dhe lirimin e njerëzive të tij. Ai e pranoi këtë detyrë vetëm kur Zoti i premtoi ndihmën e vëllait, Aaron dhe të së motrës, Miriam. Ai mësoi si të kombinonte dëshirën e tij për ndryshim me kapacitetin për të bërë këtë ndryshim, por vetëm duke u angazhuar me Zotin, familjen dhe njerëzit e tij. Në Exodus 18, pasi i kishte nxjerrë njerëzit e tij nga Egjipti, Moisiu u vizitua nga babai që e birësoi, Jethro, i cili i vuri në dukje dy gjëra: Moisiu nuk po i kushtonte vëmendjen e duhur familjes dhe se po rraskapiste veten e njerëzit, duke u përpjekur t’i bënte të gjitha punët vetë. Jethro i propozoi një strukturë ku në çdo dhjetë burra, një të angazhohej për të kryer lidershipin, pastaj në çdo dhjetë nga këta, një tjetër dhe kështu me radhë. Në këtë mënyrë, vëmendja e Moisiut u drejtua në rolin vendimtar që luan zhvillimi i lidershipit, një mundësi që do të fuqizon lëvizjen.

Për të qenë lider në lëvizjet sociale kërkohet të mësosh të menaxhosh një kombinim të të qenit kritik (eksperienca e dhimbjes së botës) me shpresën (eksperienca e mundësive të botës), duke evituar të qenit i mpirë nga dëshpërimi dhe i zhgënjyer nga optimizmi. Një dëshirë e madhe për ndryshim duhet të jetë e shoqëruar nga kapaciteti për të bërë këtë ndryshim. Duhet të krijohen struktura që krijojnë hapësirën brenda së cilës rritja, kreativiteti dhe veprimi mund të lulëzojnë, pa rrëshqitur në kaosin e mungesës së strukturave.

Liderët duhet të jenë të angazhuar, të trajnuar dhe të zhvilluar në shkallën e duhur për të krijuar marrëdhënie, për të mbështetur motivimin, për të ndërtuar strategjitë dhe për të kryer veprimet e duhura për të arritur suksesin.

Nevoja për të pasur një lidership gjerësisht të angazhuar dhe shpresëplotë është një nga arsyet pse lidershipi i lëvizjeve sociale është shpesh mes të rinjve (ndryshe nga Moisiu). Disa ia atribuojnë afrimin e njerëzve të rinj me lëvizjet sociale “aftësisë biografike”, pra të kesh kohë, por jo familje.

Ndërtimi i marrëdhënieve

Lëvizjet sociale nuk kanë struktura formale. Në mungesë të saj, angazhimet vullnetare të njerëzve që bëhen pjesë e saj dhe marrëdhëniet që krijojnë ndërmjet tyre, mund të krijojnë lëndën me të cilën strukturat formale krijohen dhe mund të vihen në lëvizje. Në këtë kontekst, marrëdhëniet mund të shihen si shkëmbim interesash dhe burimesh mes palëve, me kushtin që aspirojnë për një të ardhme të përbashkët.

Angazhimet për një të ardhme të përbashkët, si dhe pasojat e një të shkuare të përbashkët, transformojnë një shkëmbim të marrëdhënieve

Për arsye se marrëdhëniet janë “fillime” dhe jo “funde”, ato krijojnë mundësi për rritje, ndryshim dhe zhvillim të interesave. Në mënyrë të ngjashme, burimet pjesëmarrëse që s’kanë lidhje me shkëmbime fillestare mund të bëhen të përshtatshëm me kalimin e kohës dhe të formojnë bazat për forma të reja shkëmbimi. Pjesëmarrësit mund të zbulojnë, gjithashtu, interesa të përbashkëta, të paangazhuara më parë. Dhe ç’është më e rëndësishmja, pjesëmarrësit mund të zhvillojnë një interes në vetë marrëdhëniet, duke krijuar të ashtuquajturin “kapitali social”: një kapacitet “racional” që mund të lehtësojë veprim bashkëpunues të të gjitha llojeve.

Në organizatat e lëvizjes sociale, marrëdhëniet në mes kolegëve janë po aq domethënëse sa dhe ato në mes liderëve dhe në mes liderëve dhe anëtarëve. Dikush i bashkohet një organizate dhe hyn në marrëdhënie me një lider ose organizator dhe, dikush tjetër, krijon marrëdhënie me anëtarë të tjerë.

Në këtë aspekt, marrëdhëniet ndërpersonale bëhen baza për të ushqyer kuptim të njëjtë, angazhim dhe veprim bashkëpunues që caktojnë fatin e një lëvizje, ose ndryshimin e madh. Lidhjet e forta lehtësojnë besimin, motivimin dhe angazhimin, ndërsa lidhjet e dobëta zgjerojnë aksesin për informacion dhe kanë nevojë për aftësi dhe mësime. Lëvizjet e suksesshme i kanë të dyja: besim, motivim dhe angazhim & informacion, aftësi dhe mësime.

VLERAT, EMOCIONET DHE VEPRIMET

Enigma e lëvizjes sociale me të cilin u përballën akademikët ishte pyetja se si fyerjet, në disa raste, prodhojnë protestë dhe, në të tjera, jo. Studiuesit kanë bërë një klasifikim të fyerjeve. Fyerja është vepruese, kur përjetohet jo thjesht si padrejtësi, ose si papërshtatshmëri, por si një gjë e gabuar që kërkon drejtësi, por e kombinuar me shpresë. Kundër-veprimi ndaj një fyerje ka më shumë gjasa të ndodhë kur përjetohet si një padrejtësi, shoqërizuar me prezencën e sensit të efikasitetit, solidaritetit e shpresës së kërkuar për të ndërmarrë sakrificën, kryer punët dhe marrë përsipër riskun që sjell veprimi për të krijuar ndryshim. Fyerja çon në veprim kur është në gjendje të grumbullojë energji morale, veçanërisht shpresë. Një punë e tillë, shpeshherë, tentohet t’i atribuohet një lideri të vetëm, të dukshëm dhe karizmatik, pra gjykohet si praktikë lidershipi e kërkohet të lulëzojë në të gjitha nivelet e një lëvizjeje.

Studiuesit pohojnë se ne e interpretojmë botën në dy mënyra: analitike dhe narrative. Ne jemi në domenin e analizës kur kërkojmë të planifikojmë botën, të krijojmë modele ose të testojmë marrëdhënie, por edhe kur planifikojmë botën në mënyrë afektive, duke koduar eksperienca, objekte dhe simbole, të mira apo të këqija qofshin, të frikshme apo të sigurta, shpresëdhënëse apo dëshpëruese etj. Mënyra analitike na ndihmon t’i përgjigjemi pyetjes “si”: “Si të përdorësh me eficencë burimet”, “Si të kapësh mundësitë”, “Si të krahasosh kostot” etj.

Për t’iu përgjigjur pyetjes “pse”: “Pse ka rëndësi kjo”, “Pse na intereson”, “Pse vlerësojmë një synim më shumë se tjetri”, ne kthehemi tek narracioni. Pyetja pse nuk është ajo pse mendojmë se duhet të veprojmë, por, më tepër, pse veprojmë, pse aktualisht na bën të veprojmë motivimi ynë, vlerat tona. Pra, është diferenca mes “të njohësh” të mirën si një duhet dhe “të duash zotin” si një burim motivimi.

Martha Nussbaum argumenton se për shkak se zgjedhjet që bëjmë bazohen shpesh në vlerat që përjetojmë përmes emocionit, të bësh zgjedhje morale pa informacionin emocional është e kotë. Nussbaum e mbështet argumentin e saj në disa studime me njerëz të pikëlluar, me dëmtime në atë pjesë të trurit që lidhet me emocionet tona. Kur përballen me vendimet, këta njerëz mund të dalin me opsione të ndryshme, por nuk mund të vendosin të mbështetur në gjykimin e vlerave.

Nëse nuk mund të përjetojmë emocione, nuk mund të përjetojmë vlera që na orientojnë për zgjedhjet që duhet të bëjmë

Liderët e lëvizjes sociale mobilizojnë emocionet, që bëjnë të mundur veprimin. Kur përjetojmë “botën ashtu siç është”, në disonancë të thellë me vlerat që përcaktojnë “botën siç duhet të jetë”, përjetojmë disonancë emocionale, një tension të zgjidhshëm vetëm përmes veprimit. Organizatorët e quajnë këtë trazim.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.