Librat filozofikë: sa rëndësi kanë në tregun shqiptar Intervistë me Valbona Nathanaili, drejtore UET Press

Librat filozofikë: sa rëndësi kanë në tregun shqiptar

Intervistë me Valbona Nathanaili, drejtore UET Press

Bisedoi për MAPO, Suadela Balliu

Janar, 2015

Sa rëndësi i japin shtëpitë botuese, sa tituj të tillë botojnë në një vit.

Interesi për librin filozofik nga shtëpitë botuese ka ardhur në rënie. Shkaqet mund të jenë të shumta, por mendoj se si kryesore mund të rendisja dy: kulturën e varfër filozofike në shtresën e gjerë të popullsisë, e kufizuar vetëm në njohjen e disa prej klasikëve të caktuar shumë prej të cilëve të përkthyer me kohë dhe tashmë gjenden në dorën e lexuesit; libri filozofik mendohet si një libër që kuptohet vetëm nga një shtrese shumë mirë e arsimuar, e cila pikërisht për shkak të arsimimit të mirë i lexon këta libra në gjuhën që janë shkruar.  Dikush mund të listojë edhe arsye të tjera, por përfundimi është po ai: botimet në fushën e filozofisë, që janë filozofi e mirëfilltë ose qasje të saj, janë të pakta. Në të njëjtin përfundim mund të arrish edhe duke konsultuar faqen online të Bibliotekës Kombëtare. Në motorin e kërkimit të librave të këtij institucioni, duke përdorur fjalën çelës “filozofi”, për tre vitet e fundit dalin këto përfundime: gjatë vitit 2012 janë botuar 34 tituj; më 2013 janë botuar 18 tituj dhe më 2014, vetëm 16 tituj. Filozofi më i përkthyer gjatë dy viteve të fundit është indiani Bhagwan Shree Rajneesh (botues Rexhep Hida), përkatësisht gjatë vitit 2013 me 5 tituj dhe gjatë vitit 2014 me nëntë tituj.

A ka interes për librin filozofik?

Interesi në rënie i shtëpive botuese për këtë lloj libri pasqyron kërkesat e pakta të lexuesit për të. Mendoj që nuk ka interes për librin filozofik nga lexuesi dhe shkakun kryesor e gjej, fillimisht, te shkolla. Filozofia për herë të parë studiohet në shkollën e lartë, në disa fakultete të caktuara, në kurse që nuk zgjasin më shumë se një semestër dhe, më tej, çdo gjë mbyllet. Mosstudimi i filozofisë dhe, bashkë me të, edhe i arsyetimit filozofik, është një nga shkaqet që studentët e kanë të vështirë të mendojnë në mënyrë kritike, të debatojnë e të mendojnë “me kokën e tyre”. Tek ta vihet re një nënshtrim ndaj autoritetit, janë të pandjeshëm ndaj dogmave dhe demonstrojnë mungesa të dukshme tolerance ndaj diversitetit. Duke cituar Russell, një autor që ne e botuam pak ditë më parë: “Filozofia duhet të studiohet jo për hir të gjetjes të ndonjë përgjigjeje definitive për një çështje të caktuar, sa kohë që një përgjigje e tillë, si rregull, nuk mund të thuhet se është e vërteta e vetme, por për hir të vetë çështjes. Diskutimi rreth çështjes zgjeron konceptin tonë për të mundurën, pasuron imagjinatën tonë intelektuale, redukton dogmat spekuluese.”

Kujt i targetohet kryesisht ky lloj libri, vetëm  botës akademike, – studentë e pedagogë, apo edhe më gjerë? 

Filozofia është synim dhe mjet. Librat filozofikë merren me çështje që lidhen me të vërtetën, shkakësinë e vullnetin e lirë, pluralizmin dhe monizmin, Zotin dhe besimin, hapësirën e kohën, materien e mendjen. Në vështrim të parë duket se subjekte të tilla mund të diskutohen vetëm nga akademikët, por Russell e filloi karrierën e tij profesionale si mësues matematike në shkollë fillore dhe, për një kohë, për të siguruar mbijetesën, jepte edhe shumë lëndë të tjera. Botimi i librit të Russell “Një përvijim i filozofisë (elementet bazë)”, përkthyer me mjeshtëri nga Daut Gumeni dhe me parathënie të Spartak Ngjelës është në vazhdën e disa librave të tjerë botuar nga UET Press. Po veçoj “Pasojat e modernizmit” të Anthony Giddens, i cili duke qenë sociolog, e sheh modernizmin si rrjedhojë e marrëdhënieve të reja që kanë fituar koha dhe hapësira në shoqëri dhe “Nocione të logjikës. Metoda në shkencat humane” me autor Philippe Thiry.

Kolanën e botimeve filozofike unë e shoh si një antidodë ndaj dogmatizmit dhe parokializmit, mënyrë për të hapur debate rreth pluralizmit, shkëmbyer pikëpamje nga studiues të fushave të ndryshme, inkurajuar kontribute nga një shtresë sa më e gjerë autorësh e lexuesish.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.