Librat dhe leximi në rrëfimin e studiuesit Alberto Frashër

Alberto Frashëri

Kam lindur, rastësisht, në Berat, më 1945. Rritur në Tiranë. Fëmijëria, edhe pse me vështirësi ekonomike, rrodhi e pasur shpirtërisht, me lojëra në grupe fëmijësh në ajër të pastër, me libra e deri edhe me shahun e fushën e tenisit “Nallbani”, pranë shtëpisë sime. Këto e superonin vështirësinë e prindërve për të na rritur, ushqyer e veshur. Komshinjtë, tiranas nga Farka, ishin njerëz fisnikë e të paharrueshëm. Kur fillova universitetin, Ramizi, shoku dhe fqinji im, do të nisej ushtar dhe, siç ishte zakoni, të afërmit i dhuruan një sasi lekësh. Me to bleu një çadër, më të shtrenjtën, por në darkë erdhi e ma dhuroi: “Që të mos lagesh kur shkon në shkollë”, – më tha.

Universiteti kaloi fluturimthi me shokë të mirë, shumë prej të cilëve kishin vështirësi të mëdha ekonomike si edhe unë. Një grup profesorësh të aftë, po aq sa edhe njerëz të vyer, ndikuan pozitivisht formimin tonë kulturor. A. Minga, M.Naqo,  P. Pilika e A. Karçanaj ishin matematikanë me integritet e moral të lartë dhe njerëz të pavarur. Dolëm në jetë, në teatrin e hipokrizisë të një regjimi mizor. Pak prej nesh patën fatin të gëzojnë frytin e studimeve! Kemi punuar edhe në krah të ndonjërit që denonconte kolegët për herezi kundër partisë. Një shoqja ime pësoi një fatkeqësi të tillë dhe bëri shumë vite burg, edhe pse ishte e bija e një artisti të njohur. Beci, e quanim ne, shokët e saj. Këto janë të vërtetat që karakterizuan jetën tonë e që nuk duhen harruar. Të tjerat kanë më pak rëndësi…

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Alberto Frashëri: Vazhdimisht mbaj mbi komodinë Biblën (Ungjillin), një libër të historisë antike dhe një libër të tretë që e ndërroj herë pas here. Ky i treti zakonisht është mbi filozofinë e shkencave ose ndonjë ese mbi artin. Zakonisht shkoj në shtrat afër mesnatës, por gjithmonë lexoj ndonjë gjysmë ore. Natyrisht, leximet e mesnatës janë fragmentare. Bibla është një libër themelor për të kuptuar raportin e njeriut me fenë. Çuditërisht, në ato që tregon, shpesh herë gjejmë kohën tonë. Fjala vjen, Përmbytja Universale, Kulla e Babelit rrëfejnë korruptimin e cilësive njerëzore dhe dënimin e Perëndisë duke shpëtuar njeriun e thjeshtë Noè dhe speciet e botës së gjallë. Kjo është pikërisht dilema e madhe e njerëzimit e këtyre kohëve: babëzia dhe kotësia po rrezikojnë jetën e planetit! Por Natyra gjithnjë ka zgjidhje: zhduk nga faqja e Dheut shkakun, pra specien tonë, pikërisht si bëri Perëndia kur shpëtoi të urtin Noè bashkë me të gjitha speciet dhe dënoi vetëm Njeriun, fajtor i përmbytjes universale. Bibla është një libër i magjishëm.

Kur dhe ku lexoni?

Alberto Frashëri: Në familjen time shohim pak televizor. Kryesisht ndonjë film dhe programe të natyrës enciklopedike: natyrë, art, muzikë, shkenca dhe histori. Janë programe shumë të pasura dhe interesante. Për të lexuar zgjedh intervalet e ditës kur jam i qetë. Leximi është si ajo puna e verës që nuk të shijon në çdo rrethanë. Zakonisht lexoj ulur në një poltronë ose në tryezën e punës në studion time, – një studio e thjeshtë, por komode dhe e pajisur mirë. Dritarja e saj sheh parkun publik mjaft të gjelbëruar që kemi rrotull shtëpisë.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Alberto Frashëri: Para pak kohe, fundi i vitit 2017, historiania Fatbardha Demi më shkruante se i duhej një libër i shek. XVIII, të autorit arbëresh Nicolò Chetta (Nikolla Keta) me titull “Tesoro di notizie su de’macedoni” (Palermo, 1777). Bëra një kërkim dhe më së fundi e gjeta në Bibliotekën e komunës Piana degli Albanesi, afër Palermos. Ata kishin një ribotim të vitit 2007, sjellë nga Universiteti i Palermos. Këtë libër ma dërguan pranë Bibliotekës së Ternit ku unë jetoj. Më dërguan edhe një tjetër libër, “Lexicò”, të po atij autori arbëresh, të cilin ma dhuruan. E skanova vëllimin prej 560 faqesh të veprës së parë dhe ia dërgova Dr. F. Demit, bashkë me “Lexicò”, atje ku gjendej në atë kohë, në Paris. Më pas, në qershor 2018, e lexova veprën e Nikolla Ketës dhe mbeta pa fjalë. Titulli “Thesar njoftimesh mbi maqedonasit” dëshmon që ajo vepër është vërtet një thesar që duhet njohur nga shqiptarët dhe historianët. Autori, me një prozë elegante dhe logjikë bindëse, argumenton që maqedonasit janë ilirë dhe se gjuha e tyre ishte ilirishtja. Vepra më habiti për vlerën e madhe që shpreh dhe më ballafaqoi me varfërinë dhe pakujdesinë që tregojmë për çështjen kombëtare. Më bëri të ndjehem keq! Si është e mundur që një vepër të tillë madhore, ne, intelektualët, të mos e njohim dhe të mos kemi asnjë ide për ekzistencën e saj? Ky është libri i fundit leximi i të cilit më pezmatoi.  

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Alberto Frashëri: Në rininë time lexoja më shumë romane, tregime dhe poezi, por isha ambientuar edhe me lexime të natyrës historike apo që kishin lidhje me muzikën. Me kalimin e moshës leximi orientohet shpesh herë kah interesat që na dikton jeta. Në këtë orientim ndikon shumë edhe aftësia për të kuptuar, që sipas njeriut, me kalimin e kohës, mund të kufizohet ose, në të kundërt, të perfeksionohet. Sot unë lexoj më shumë libra me përsiatje, ese apo saggistica, siç quhet në italisht.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Alberto Frashëri: Nga më të preferuarit ka qenë romani “Djemtë e rrugës Pal”. Mbaj mend që një mbrëmje, rreth orës 19, prindërit më dërguan të prisja motrën time më të madhe që do të dilte nga shkolla ku kishin një lloj aktiviteti. Kjo detyrë më ndërpreu leximin e librit. Por unë mora librin me vete dhe e prita motrën buzë rrugës, duke lexuar në trotuar, nën dritën e një shtylle. Bota e fëmijëve të atij libri, nga më të lexuarit e të gjitha kohërave, i ngjante shumë fëmijërisë sonë: lodra në rrugicat dhe kopshtijet e lagjeve, në natyrë dhe me pasion, duke rrezikuar edhe të vriteshim. Krahasuar me fëmijët e sotëm mund të them se kemi qenë të privilegjuar, sepse u rritëm më pranë Natyrës.

Kam adhuruar shumë personazhe, si Andrew Manson (Çittadella, A. Cronin), Andrea Bollkonski (Lufta dhe Paqja, Tolstoj). Nga kohët më moderne do të citoja Winston Smith (George Orwell) apo personalitetin kompleks të Dorian Grey (OscarWilde) i aftë të fusë lexuesin në meditime të thella. Nuk di të përcaktoj ndonjë personazh që të më ketë shërbyer si model. Natyrisht, duhet të jem ndikuar nga jeta e personazheve të tillë. Kush lexon edhe bashkëjeton, në një farë kuptimi, me personazhet virtualë të librave.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Alberto Frashëri: Janë poezitë e Rilindjes Kombëtare, për vlerat universale që shprehin për botën shqiptare dhe të ardhmen e saj. Jo të gjitha kombet kanë patur një Rilindje të tillë, të ndritur, largpamëse e thellësisht europiane. Pra është aroma e përjetshme që sjellin “Lulet e Verës” ajo që ndjej të kem më pranë.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Italisë, cilin titull do zgjidhnit? Po për Presidentin e Shqipërisë?

Alberto Frashëri: Presidentit të Italisë do i këshilloja të lexonte historianin e epokës klasike të Romës në veprën “Natura – Storia, libri III, faqe 102-110) sipas të cilit, “Populli ilir është themelor për zhvillimin e popujve pre-historikë. Sipas legjendës, nga 9 të rinj ilirë e 9 virgjëresha ilire lindën 12 popuj.” [ Plinio, Natura, Storia, III, p.102 – 110 ] Popujt fqinjë duhet të njohin më mirë njëri tjetrin e jo të shprehin superioritete fiktive. Shqiptarët janë një komb i shquar, por ju mungon vetëdija për potencialet njerëzore që kanë… dhe ky është një problem i madh.

Ndërsa për Presidentin e Shqipërisë do rekomandoja të zgjohet nga gjumi një gjysmë ore më herët për të lexuar e mësuar përmendësh vargje të Naimit, Fishtës, Mjedës, Nolit dhe Migjenit.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Alberto Frashëri: Peter Cameron, pa tjetër, dhe romani i tij, “Një ditë kjo dhimbje do të jetë e dobishme”. Ky libër është shkruar në vetën e parë, pra komunikon mirë me lexuesin. Protagonisti, James Sveck, i rrëfen lexuesit jetën e vet dhe arsyen që e kanë shndërruar në një individ të paadaptueshëm, që unë e përkthej në njeri të lirë e të pakonformueshëm. Pikërisht pavarësia intelektuale dhe mendimi i lirë e bëjnë njeriun të paadaptueshëm. Ky argument është një nga problemet më të mprehta të kohës sonë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Alberto Frashëri: Një shoqe e Adelinës, gruas sime, na dërgoi si dhuratë nga New York-u librine Pëllumb Kullës, “Rrëfenja nga Amerika”. Adelina e lexonte dhe qeshte me shumëshpirt. E lexova edhe unë. Mendoj që është libri që shpreh më mirë se çdo tjetër komicitetin që fshihet në natyrën e kombit shqiptar. Një komicitet shumë origjinal dhe i natyrshëm.

Para 3 vjetësh më huazuan një libër pa kopertinë të Kristaq Mishës që denonconte, në Kongresin e Paqes në Paris, krimet e urryera kundër popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga Çamëria kah fundi i Luftës së Dytë Botërore. Libri ishte mjaft i dëmtuar, por lexohej qartë. Edhe pse e njoh relativisht mirë problemin çam, asnjë libër nuk më ka prekur sa ai. Shqiptarët duhet t’i njohin ato të vërteta tragjike dhe t’i vlerësojnë në kuadrin e historisë, pikërisht si ngulën këmbë armenët për gati një shekull deri sa ia arritën qëllimit. E gjithë bota e njohu dhe e dënoi gjenocidin turk kundër armenëve.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Alberto Frashëri: Më ka pëlqyer letërsia që në moshë të njomë, por për ne ka qenë e vështirë të shkruanim atë që mendonim. Shkruaja ndonjë poezi dhe pas pak ditësh e grisja. Një nga ato e pati ruajtur Rinush Idrizi, kritik i letërsisë dhe mësuesi i talentuar në gjimnazin “Sami Frashëri”. Idrizi ma dërgoi atë poezi aty nga viti 1994, nga ShBA, ku kishte emigruar. Më arriti me një postë speciale dhe, ndonëse e shkruar në vjeshtën e vitit 1966, përsëri lexohej mjaft mirë, edhe pse fija e letrës ishte zverdhur dhe dukej si relike. Poezia quhej “Natën e mirë”. E ruaj ende me një farë nostalgjie…

Unë studiova matematikë dhe jam marrë gjithë jetën me të. Matematika dhe fizika janë dy shkenca të një bukurie impresionante. Natyrisht atë finesë e bukuri intrigante e perceptojnë ata që e kuptojnë thellë… pikërisht ashtu si ndodh me muzikën klasike. Muzika e Bach-ut, fjala vjen, dëgjohet thuajse prej 4 shekujsh. Por edhe në rastin e muzikës klasike, bukurinë e saj e perceptojnë vetëm ata që e kuptojnë atë, pikërisht si matematika apo fizika. Kur u nisa për në Itali u premtova miqve që do të shkruaja diçka për realitetin që njohëm e jetuam. Në të vërtetë kam shkruar e botuar shumë më tepër nga sa kisha menduar. Ishte një detyrë kundrejt vetes sime dhe njerëzve me të cilët kisha ndarë të mirën e të keqen në ato vite të errëta të totalitarizmit në Shqipëri. Mendoj që njeriu nuk mund ta kuptojë veten dhe as mund të shkojë kah e ardhmja, nëse nuk njeh dhe kupton të kaluarën. Kjo bindje përbën ndoshta forcën që më ka shtyrë të shkruaj e më ka frymëzuar.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?  

Alberto Frashëri: Pas mbarimit të studimeve universitare lexova shumë kujtime të figurave të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, nga mareshalët rusë deri te Winston Churchill. Autorët rusë na i sillte një shok i diplomuar në fizikë, e ëma e të cilit punonte në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës. Në Bibliotekën Kombëtare (e vjetra) disa vajza të reja kishin besim dhe na jepnin për në sallë ose në shtëpi libra si ai i volumeve të Churchill-it që porsa kishin hyrë në bibliotekë. Por pasioni im për historinë ka qenë dhe mbetet antikiteti dhe kultura e tij. Jo më pak më kanë tërhequr dhe interesuar evolucioni i shkencave dhe historia e muzikës, që mendoj që i njoh jo pak.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Alberto Frashëri: Gjuha shqipe ka bërë të mundur përkthime të jashtëzakonshme, si dhe ka prodhuar prozë origjinale dhe poetë të një cilësi të rallë, si Naimi, Fishta, Mjeda, Noli, Poradeci… Ata ishin lirikë e mendimtarë të shquar. Të gjithë! Por ka edhe një të jashtëzakonshëm: Migjeni. Ndjeshmëria e tij artistike dhe njerëzore janë të pakrahasueshme edhe në sfondin e letërsisë botërore. Unë e kam cituar në romanin “La Quinta” gjeninë e këtij artisti të madh me tre vargjet e famshme, me të cilat ai i lutet Zotit për një simfoni. Në italisht nuk ishte e lehtë, megjithatë përkthimi im ishte ky:

  • Ti prego o mio Signore, di una sinfonia,
  • dai suoni d’argento e accordi dorati,
  • piena d’amore e dai sogni celesti.

[Dalla poesia “Preghiera” di Migieni]

Nuk njohim një tjetër poet që t’i ketë kërkuar Zotit muzikën si natyrë të dytë të njeriut, që edhe në mjerim kërkon dhe gjen një mbështetje shpirtërore te muzika. Kjo ndjeshmëri e Migjenit shpreh, sipas mendimit tim, nivelin e lartë të krijimtarisë popullore të kombit që brenda kufijve të të folmes shqip ka pavdekësuar, në valle, këngë e kabà jetën me gëzimet, vuajtjet dhe forcën e tij. Këtë poet të rinjtë duhet ta njohin në të gjitha pamjet e krijimtarisë, si dhe të jetë objekt studimi dhe promovimi nga të gjitha instancat e botës kulturore të kombit. Krijimtaria e Migjenit dhe e poetëve si ata që citova më lart janë një monument kulture që shteti duhet t’i mbrojë si sytë e ballit. Ai duhet popullarizuar në nivelin që meriton.

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Alberto Frashëri: Isha thuajse adoleshent kur babai më dhuroi veprën e plotë “Lufta dhe Paqja” (Lev Tolstoj). Ky autor i madh bashkon, në veprën e tij, thelbin njerëzor të jetës: miqësinë, mediokritetin, familjen, dashurinë, luftën dhe, bashkë me to, edhe rilindjen morale, shpirtërore të njeriut. Janë të rrallë personazhet e skalitur si Natasha Rostova, Andea Bollkonski apo Pjer Bezuhov. E kam lexuar edhe më pas dhe shumë herë i jam kthyer duke rilexuar pjesë të veçanta të kësaj vepre madhore. Dua të theksoj që në të gjitha klasifikimet “mbi 10 shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave” gjejmë, të paktën, një ose më shumë nga rusët Dostojevski, Tolstoj apo Nabokov.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Alberto Frashëri: Do të më pëlqente të analizoja figurën e qytetarit të madh të kohës sonë, Albert Einstein. Kjo dëshirë nënkupton raportin e veprës shkencore të tij me pikëpamjet që ai ka mbi shoqërinë. Njoh relativisht mirë krizën e shkencave, (fizikë e matematikë) nga gjysma e dytë e shek. XIX e më pas, përfshirë problemet që lidhen me lindjen e teorisë së relativitetit special; nga ana tjetër këto nuk janë krejt të pavarura nga botëkuptimi që Einstein shpreh për botën dhe shoqërinë. Einstein ka për botën (shkenca, shoqëria dhe liria e individit) një këndvështrim që karakterizon një nga mendimtarët më të thellë të historisë.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Alberto Frashëri: Varet nga mosha! Fëmija duhet të lexojë patjetër libra, si fjala vjen, “Zemra” (E. de Amicis), por edhe klasikë të tjerë, si “Djemtë e rrugës Pal” (Ferenc Molnàr – Neumann), “Bijtë e kapitenit Grant” (Jule Verne). Mendoj që edhe pse koha jeton evolucionin e vet, ajo lë pas, në kuptimin e vlerave edukative, një thelb universal: pamjet njerëzore të qenies sonë, si bujaria, miqësia, dashuria. Në moshë të rritur… ? Pyetje e vështirë, sepse janë shumë librat që njeriu duhet të lexojë patjetër për të kuptuar veten dhe kohën e tij. Kjo lyp leximin e autoreve të lashtë, klasikë e modernë. Pa njohur të kaluarën do të thotë të ecësh kuturù, pa një pikënisje, pa një origjinë. Njohja e të kaluarës është si një far që e kemi pas shpine e që na ndriçon udhën përpara, kah e ardhmja. Bibla, Omeri, Dante, Shakespeare, Goethe, Dostojevski, Tolstoi, Balzak dhe shkrimtarët e mëdhenj të shekullit të fundit duhen lexuar nga të gjithë. Për shpirtin kritik të shkrimtarit George Orwell do të rekomandoja si lexim të domosdoshëm librin e tij “1984”, që ndihmon mjaft për të kuptuar kohën tonë. Në jetën e protagonistit Winston Smith gjej shumë ide të përbashkëta me romanin “La Quinta”, edhe pse stilet dhe trajtimet janë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Mendoj që në kohën e propagandave të furishme të pushtetit e të publicitetit mediokër që dominojnë informacionin edhe në vendet demokratike, letërsia duhet të shprehë urtësinë dhe meditimin si një natyrë të dytë të saj. Sot për qytetarët është më i nevojshëm se kurrë një formim kulturor që ta plazmojë atë si një krijesë që mendon dhe ka pikëpamje të pavarura për botën, që zotëron bindje personale. Formimi i mirë kulturor bën që njeriu të mos jetojë nën ngasjen e impulseve të çastit, por ta ndërtojë të ardhmen me koherencë, sipas një projekti të qartë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.