Librat dhe leximi në rrëfimin e poetit Riza Braholli

Riza Braholli

U lind në Mborje, Korçë, më 1960. Ka botuar qysh herët në shtypin letrar dhe atë joletrar. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, Tiranë. Po pranë këtij fakulteti ka marrë titullin Master me temën “Tipologjia e poezisë së Frederik Rreshpjes”, si dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor” me studimin “Poetika e refuzimit estetik në poezinë tonë (Zef Zorba dhe Frederik Rreshpja). Ka punuar si redaktor letrar në disa shtëpi të ndryshme botuese. Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme profesionale Hoteleri Turizëm Tiranë. Ka botuar vëllimet me poezi “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”, “Letra për t’u djegur”; vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”; romanin “Djali i pëllumbave”; vëllimin me tregime “Nata e bardhë e Anës”.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Riza Braholli: Kam një shprehje që përkon me këtë pyetje, për librat që më rrëmbejnë mendjen e zemrën: “Këtë libër e mbaj te koka e krevatit”. Janë disa që s’i heq nga dora e nga sytë. I mbaj një kohë, i ndërroj, e u rikthehem prapë. Herë Ricosin e herë Camajn, herë Danten e herë Shekspirin apo Homerin e sidomos Frederik Rreshpjen, aq sa më duket sikur bisedoj me të. Para gjumit parapëlqej të lexoj kryesisht poezi, ose dhe ndonjë libër me ese mbi poezinë dhe, sidomos, kur i kanë shkruar poetë. Poezia, më shumë se çdo art tjetër, të çon në një realitet të panjohur, në një gjendje tjetër të ndjeri e të menduari, që shkon përtej sendeve dhe krijon brenda nesh atë kënaqësinë e çuditshme e të fshehtë të njohjes të së panjohurës.

Aktualisht mbi komodinë kam esetë e Seferisit dhe poezitë e Fatos Arapit. Herë më duken sikur mendojnë e ndjejnë të dy njëlloj dhe herë të tjera ndahen, marrin përkatësinë e vendit brenda hapësirës sonë ballkanike. Lexoj sipas gjendjes sime shpirtërore. Kur dua t’i iki realitetit lexoj poezi, kur ndihem i freskët dhe me energji lexoj ese. Kur jam shumë i lodhur, edhe nëse nuk i hap, i mbaj aty, vetëm për të ndjerë praninë e tyre. Mjafton që shoh kopertinën dhe emrin dhe pastaj zë mendoj sikur të jem duke kuvenduar me ta…

Kur dhe ku lexoni?

Riza Braholli: Kudo dhe kurdo që të më jepet mundësia. Lexoj më shumë në shtëpi dhe pasdite vonë deri në mesnatë, kur të tjerët kanë rënë për të fjetur. Ngelesh vetëm me personazhet, me ritmet apo mendimet dhe kalimi në atë gjendjen tjetër fluide e fluturuese, kur e humb ndjesinë e forcës së rëndesës… Në vetmi nuk të tremb askush. Janë çastet kur lexuesi vjen në gjendjen krijuese të shkrimtarit. Jo më kot teoritë receptive e konsiderojnë lexuesin si bashkautor të një vepre… Gjithsesi, edhe shkolla është vendi ku ulem shpesh të lexoj, në orët kur s’kam mësim, ndonjëherë dhe në udhëtimet e shkurtra në autobuzin urban. Madje, në këto raste, leximi më çlodh dhe më shpëton nga rrëmuja e zallamahia e autobusit. Sado e çuditshme të duket, por gjej përqendrim.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Riza Braholli: Libri i fundit që kam lexuar ka qenë “Kur sunduesit grinden”, i Ismail Kadaresë. Është libër mbi të cilin zbraza gjithë impresionet e deduksionet e mia, me leximin vetëm të faqeve të para! Shpresoj të dalë ndonjë shkrim nga e gjithë kjo!

Sa i takon librit të fundit që kam lexuar dhe më ka ardhur keq që e kam mbaruar, referoj përsëri Kadarenë, mbetem përsi te i njëjti autor. Të ndjekësh rrëfimin dhe hulumtimet, zhbirimet, analizat e deduksionet e Kadaresë mbi dy nga poetët më të mëdhenj të Rusisë, si dhe të ecësh bashkë me të nëpër labirintet e mendjes së diktatorëve, si Stalini dhe Enver Hoxha, përshkruar me një penë e gjuhë aq të hollë, depërtuese dhe analitike për çdo detaj, është përherë e panginjshme dhe të vjen keq që e mbaron pa mbaruar deri në fund.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Riza Braholli: Në fëmijërinë time kam qenë lexues që gëlltisja gjithçka që më binte në dorë: prozë, romane e tregime dhe të gjitha nga shumë. Dukej sikur i haja! Shpesh edhe nga një në ditë, aq sa një herë u bëra me dhimbje koke dhe përfundova te mjeku. Një nga këta libra ka qenë “E kuqja dhe e zeza”, e Stendalit. Poezi lexoja më pak. Ishin dhe më të rrallë si libra. Ishte koha kur identifikohesha me personazhet e heronjtë e romaneve. Në moshën njëzetvjeçare fillova të ndjej shumë etje për poezinë. Ishte koha kur rashë në kontakt me poezinë e Ricosit, Nerudës, Hikmetit. Poezia u bë prioritare. Pak nga pak, përveç leximit, fillova edhe të shkruaj poezitë e para. Por poezia është një Circe: të do vetëm për vete e të mban të burgosur në ishullin e saj. Me pak rreshta është e aftë të të çojë në hapësira të pafund të menduari dhe ndjesie… Poezi lirike, qoftë epikë apo baladë, po qe e thellë, nuk të nginj asnjëherë. Këtu është dhe e bukura e saj, ndaj dhe i kthehemi e i rikthehemi me etje pa fund. Me poezinë e mirë, ndodh si lulja me bletën: bleta shkon e kthehet te lulja e ngarkuar me pjalm, por nektari i saj s’ka mbarim. Për të shkaktuar të njëjtën ndjesi, një romani i duhen dhjetëra dhe, ndonjëherë, edhe qindra faqe. Përveç kësaj, nëse je poet, e ke të nevojshme të verifikosh veten, nivelin tënd ndër mijërat e qindra mijërat që shkruajnë. Sot shkruhet shumë poezi, – në të gjithë botën – dhe ti duhet të dish kush shkruan, si shkruan, konceptet format e reja të shprehjes poetike, teknikat që përdor, në çfarë qiej e ujëra fluturon e noton poezia bashkëkohore, sidomos, ajo përtej botës shqiptare.

Tjetër arsye është dhe koha. Në ritmin marrafrymës së përditshmërisë, midis punëve e ngutjeve pa fund që kemi, me shkurtësinë e thukësinë e saj, poezia është më e volitshmja. E lexon kudo e kurdo. Poezia të miklon me muzikë e me ngjyra, të robëron me lojën e të paimagjinueshmes e befasinë, të deh me thellësinë e naivitetit fëmijëror që të ofron. Nuk e di kush e ka thënë: “Poezia është një fëmijë i talentuar”. Arti, në fund të fundit, është një lojë e zemrës dhe e mendjes dhe kush di të luajë më mirë e më seriozisht se një fëmijë!?

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Riza Braholli: Do veçoja “Të vegjëlit”, një përmbledhje me vjersha, tregime e përralla e poetit tonë të madh me fytyrë, shpirt e mendje profeti, Naim Frashërit. Unë vij nga një familje e varfër e kohës së diktaturës. Jetonim në një dhomë të vetme. Deri sa u bëra 15 vjeç as që bëhej fjalë që prindërit e mi, përveç librave të shkollës, të mendonin se duhej të më blinin edhe ndonjë libër me vjersha apo përralla, siç ndodhi më pas me fëmijët e mi. Kontaktet e para me leximin, përveç abetares dhe këndimit, i kam me gazetat. Babai im, për të ma shkathtësuar leximin, më jepte t’i lexoja gazetën. Bënte sikur nuk shikonte mirë nga sytë e më thoshte: ma lexo, pak, Riza këtë artikullin. As që i bija hiles përse! Fluturoja! Isha i rëndësishëm, po ndihmoja babain tim të dashur. Sigurisht që ato që shkruheshin as që më hynin në kokë dhe i lexoja thjesht e mekanikisht, por synimi më frymëzonte e i jepte, deri edhe zërit tim, një tingull të veçantë, më burrëror.

Kam qenë në klasën e dytë apo të tretë kur, për herë të parë, më ka rënë në dorë libri “Të vegjëlit”, i Naim Frashërit. Nuk e di ç’botë mrekullish m’u hap! Më dha një si ëndje parajsore me ndjesi qielli e fluturimi. Është më shumë se të biesh në dashuri. Të mos flesh dot, ta mbash mendjen aty ditë e natë, të ndjesh në vete fatin që të ka rënë, që ti po zbulon botë, të cilat shokët e tu as që i imagjinojnë! Lexoja përrallëzat, por dhe vjershat e fabulat dhe sot them se ai njeri, poet apo profet, si ma ka ënda ta quaj, ishte i pari që hapi para meje livadhet e hapësirat e pafund të bukurisë së fjalës e të magjisë së artit. Aty u dashurova me fjalën, me përrallën, me mençurinë e fabulës dhe muzikën, por dhe me mirësinë, butësinë prej profeti. Nuk e di sa të drejtë kam, por e kam të ngulitur në mendje se po lexove Naimin me zemër të hapur, nuk mund të bëhesh kurrë i keq. Arti e fryma e poezisë së tij është si të ndjesh praninë e Zotit. Ëmbëlsia e tij rridhte nëpër vargje, nëpër rreshta dhe më s’u shkëputa dot… Tërë jetën kam mbetur rob i lojës magjike të tij me fjalën, me imazhet, mirësinë, butësinë, ngrohtësinë e lirinë e mendjes që kapërcen kohërat dhe hapësirat.

Personazhi që më ka mbetur në mendje e në zemër nga ajo kohë dhe që madje doja t’i ngjaja, ka qenë Edmond Dantesi. Kam qenë tek të trembëdhjetat kur e kam lexuar. Ishte koha kur kisha filluar të dashuroja. Një dashuri platonike dhe e njëanshme – vetëm nga unë dhe në heshtje. Më rrëmbeu dhe ato ditë të leximit të tij kam qenë vetëm i mahnitur dhe i dashuruar me figurën e tij dhe të Mercedesit. Unë isha një Edmond Dantes dhe ajo Mercedesi. Intriga e atij libri është kurthi më i bukur artistik që unë kam hasur ndonjëherë nëpër librat që kam lexuar. Nëpër tërë atë lojë marrëdhëniesh në rrafshin e veprimit, por sidomos atij psikologjik, lëviz figura e heshtur, e zgjuar dhe plot dramë e Edmond Dantesit. Gjithë ajo dramë, ku përzihet pabesia, erosi, pasuria përrallore, hakmarrja, ekzotikja dhe triumfi mbi ligësinë është sa joshëse, aq edhe frymëzuese për mendjen e një adoleshenti. Duke e lexuar kërshërohesha e vuaja, pastaj ngazëllehesha, derisa më në fund u realizua fundi i dëshiruar, por dhe i trishtueshëm i asaj aventure të bukur.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Riza Braholli: Hamletit! Hamleti i Shekspirit s’më ka lënë asnjëherë të qetë. E kam parë dhjetëra herë film, e kam lexuar disa herë, kam lexuar dhe mjaft studime për figurën e tij dhe përsëri nuk jam nginjur. Gjithmonë ka diçka që më thërret dhe më bën t’i bindem e t’i qasem me një lehtësi të përunjur e njëkohësisht me dëshirë të etshme… mbase tragjizmi i tij i komplikuar ekzistencial e moral, ose sepse më vjen keq për të, ose sepse shpesh e urrej që u bë shkak për vdekjen e asaj Ofelie të ëndërrt. Në tërë atë terr gjaku e pisllëku bashku, Ofelia është drita e kulluar që ndriçon dhe Shekspiri e bën kurban të makutërisë për pushtet, duke ndërtuar kontraste të fuqishme, për të theksuar dy anët e kundërta të atij realiteti që më së shumti se mesjetar është njerëzor.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Riza Braholli: Për të lexuar një libër, së pari, duhet gjetur vetmia. Është ajo që ta jep përqendrimin. Vetmia është një pikëprerje e qenies me kohën dhe hapësirën dhe do vendin dhe kohën e duhur.

Idealja për mua do të ishte një qoshk i ngrohtë, me aq dritë sa të mund të lexoja mirë, pa mu lodhur sytë e, natyrisht, larg zhurmave, aq sa të mund ta dëgjoj, kur më flet vetja ime e dytë. Dhe, për këtë më shërben dhoma e gjumit. Atje mund t’i përhap librat kudo, pa më thënë kush gjë dhe mbi të gjitha kam fatin të kem qetësinë e vetminë time të dëshiruar. Orët, deri në kapërcyell të mesnatës janë më produktivet, jo vetëm për lexim, por edhe për të krijuar.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Riza Braholli: Ismail Kadare. I veçantë e i diskutueshëm në tërë kompleksitetin e vet, arti i tij del mbi të zakonshmen dhe hyn te arti i madh botëror, duke zënë vend në polisistemin periferik të kulturës evropiane e, në një farë mënyre, duke u kthyer në një qendër që e krijon periferia. Është e para herë, mendoj, që letërsia shqipe arrin të krijojë një qendër të tillë, pikërisht në periferinë e saj. Nëse ka një autor që pohon këtë këndvështrim teorik, është ky shkrimtar.

Arsye tjetër: ai është shkrimtari i gjuhës sime dhe unë vë re dhe marr nga tekstet e tij edhe vibrimin më të hollë mental, emocional e ndjesor, por edhe tehun më të hollë të thikës së sarkazmës e groteskut të tij. Gjuha e tij poetike, fjala e mendimi kanë dendësi e ngarkesë atomike, si art e si mesazh, në pikëpjekje me veprat më të mëdha artistike botërore me mesazhe universale si Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri apo Servantesi.

Gjithashtu, historia e vendit tim, në letrat e tij, rreket t’i ikë inferioritetit dhe kemi një rijetëzim, por modern, të ideve të mëdha të Rilindjes sonë kombëtare. Sepse veprat e tij, si rrallë shkrimtar tjetër të sotëm, mund t’i lexosh e rilexosh pa ua arritur dot fundin. Ato të grishin herë pas here, si çdo art tjetër i madh për t’i rilexuar.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Riza Braholli: Nuk kam as dilemën më të vogël: “Ushtari i mirë Zhvejk”. Është i pakrahasueshëm. Kur e kam lexuar për herë të parë kam qenë gjimnazist. E lexoja e qeshja me të madhe. Nëna ime, që shihte gjithë çudi nga unë, i thoshte tim eti: “Pupu! Do na shkallohet ky me këto libra”.

Gjuha e Zhvejkut kapërcen gati një shekull dhe ka mbetur në memorjen e njerëzimit për finesën e mençurinë e hollë që mbart. Gjuha e tij e shëndetshme e kapërcen të zakonshmen, duke zënë kryevendin e letërsisë botërore pranë Servantesit, Xhon Suiftit dhe Mark Tuenit.

Kam qarë, po, kam qarë shumë herë, për shumë heronj e personazhe. Madje edhe tashti që e di si krijohen figurat, heronjtë, nuk i shpëtoj dot kësaj gjëje. E dini që kam qarë dhe për personazhin tim te romani “Djali i Pëllumbave”? Djalit i vdes i ati dhe skena është shumë elegjiake. Ngjarjen po e trilloja vetë, por fill pas tri ditësh, kur e kisha ripunuar mirë, – mbase është për të qeshur… – fillova të qaj dhe vetë. Është fuqia e artit që të bën të lotosh; dhe është kaq çliruese! Nëna ime kur qante vëllain e saj, vdekur në moshë të re, kur donin ta pushonin, lutej: “Më lini ta dëfrej barkun…”! E pra, të qarët, është një lloj kënaqësie e trishtë e njeriut. Qan për fatin e një personazhi dhe e bën tënden dhimbjen e dikujt tjetër, qindra apo mijëra kilometra larg, në kohën tënde apo në të tjera kohë. Të qarit është një katarsis i vërtetë, – të bën më të mirë e më të dhembshur, ndonëse, në të njëjtën kohë, të mbush me zemërim për shkaktarin e atyre lotëve.

E kujtoj si sot “Lulet e mollës” të Xhon Gollsuorthit. Që në fillim të librit mbushesh me një dhimbje, që do të ndjekë gjatë gjithë leximit të tij. Braktisja, pastaj vdekja e Migenës, nën atë rrëfim poetik, të ëmbël e pranveror, plot aromë nën lulet e mollës, do ngashërrente në lot çdo zemër të re adoleshenti. Po kush nuk ka qarë për Migenën dhe dashurinë e saj të braktisur… Në adoleshencën time më ka dhënë aq dhembje, sa më ka bërë të qaj e të trishtohem, sikur të më kishte ndodhur mua. Kush i komandon ato lotë që nuk të pyesin? Arti, historia e rrëfyer me një gjuhë plot aromë.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Riza Braholli: Shumëçka, por më shumë dhimbjet dhe realiteti që më sjellin kujtimet dhe e kaluara. Ka një shprehje ndër poetë: “Vargun e parë e ulin zotat”. Sigurisht Muza, perëndesha e frymëzimit. Por ku e gjejnë vargun apo rreshtin (për prozën) që na e pëshpëritin në vesh? Ato/Ajo është sipër nesh, kudo, brenda nesh dhe merr prej pjalmit të imazheve e vogëlsirave që kemi mbledhur përditë nëpër ditët, orët, minutat; nga çdo gjë që ka zënë vend në qenien tonë të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme, në udhët ku shkelim, ku prekim, ku shohim, ku dëgjojmë e vuajmë e hidhërohemi e gëzohemi e lumturohemi. Mbushet si bleta me pjalmin e mbledhur nëpër këto ditë dhe na i pëshpërit me anën e pavetëdijes sonë, me një zë urdhërues e të pakundërshtues si një kumt. Ja, ky është frymëzimi. Ne nuk e dimë çdo të shkruajmë pas pak, sot, nesër, pasnesër. Është kumti që na pëshpërit e panjohura në vesh për një dhimbje që të vlon brenda e të duhet ta nxjerrësh jashtë. Të shkruarit është shpëtim, çlirim nga ajo që është akumuluar dhe çdo shkrimtar derdh pikërisht këtë akumulim, pra është realiteti, por janë dhe leximet. Format e të shkruarit s’kanë fund, kështu që dhe frymëzimet dhe mënyra e ardhjes së tyre s’kanë fund.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Riza Braholli: Kam qenë i vogël, kur rrija pas të mëdhenjve e dëgjoja historitë e tyre që më linin gojëhapur. Mbase ka filluar me përrallat. Mahnitesha pas tyre, i përpija. I lutesha xhaxhait tim që tregonte mjeshtërisht dhe ai nuk përtonte aspak. Tregon edhe sot. Ka rritur disa breza me rrëfenjat e përrallat e tij. Personazhet zbrisnin nga pyjet e qielli, dilnin nga uji, deti, lumenjtë apo nëntoka dhe endeshin e punonin e aventuroheshin nëpër mjedise që unë i njihja. Këtu qëndron dhe bukuria e artit: sa më shumë që ti ushqehesh me të, aq më shumë të shtohet uria. Sokakët e portat, çatitë e oborret apo të gjitha toponimitë e Mborjes sime i gjeje nën këmbët e në praninë e heronjve të këtyre përrallave. Dhe ato e bënin imagjinatën time të fluturonte dhe të ishte përherë edhe më e panginjur, edhe më e etshme.

Pastaj fillova të rritesha dhe shijet e mia u bënë gjithnjë e më të ashpra. Fundet e lumtura të përrallave nuk më linin më aq shumë mbresa. Ndodhi si me pijet: kërkoja të ishin më të hidhura, më të forta e më pak të ëmbla. Vëmendja e kureshtja ime donte të pinte ujë nga rrëfimet me ngjarje reale, që ishin të shumta e kishin të bënin me jetën: lindjet, martesat, vdekjet, heroizmat, tradhtitë apo besnikëritë që shpesh, përfundonin me ikje vajzash e grash, me ndarje apo rrëmbime, me heroizma, drama apo tragjedi.

Nëse më duhet të them se çfarë historish më pëlqejnë më shumë, janë ato që kanë në thelb të tyre drama komplekse, me përplasje të fuqishme shoqërore e erotike.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Riza Braholli: Do të veçoja Frederik Rreshpjen. Për interpretimin e poezisë së tij kam punuar disa vjet duke mbrojtur dhe tezën e doktoraturës me të dhe mendoj se figurës dhe poezisë së tij duhet t’i bëhet vend ndër poetët klasikë të poezisë shqipe. Ka disa studiues e poetë që janë marrë me Rreshpjen dhe nën zë të gjithë e duan, por duhet të studiohet edhe nëpër aulat e universiteteve. Jemi me fat që gjuha shqipe ka një poet si ai.

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Riza Braholli: “Meshari”, i transliteruar nga dora e Prof. “Eqerem Çabejt”, dhuratë për 7 Marsin, nga nxënësit e mi, klasa maturë 2013 e “Hoteleri-Turizmi”.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Riza Braholli: Ismail Kadarenë. Është një figurë e ndërlikuar, me plot mistere hijedritash, në marrëdhënie dashurie dhe akullsie me pushtetin, por dhe në një proces dramatik krijimi. Është një figurë që të tremb me lartësinë dhe vendin që ka fituar, por dhe që të josh duke të ftuar për sfida.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Riza Braholli: Nuk duhet të ketë lexues që të mos e kalojë nëpër sy, në mendje e në zemër “Iliadën”. Me të fillon dhe mbaron letërsia e madhe antike, klasike e moderne. Sidomos nëse aspiron të bëhesh shkrimtar apo poet…

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.