Librat dhe leximi në rrëfimin e përkthyeses & autores Edlira Zhiti

Edlira Zhiti

Edlira Zhiti është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Fakultetit Filologjik, Universiteti i Tiranës. Ka përfunduar studimet Master për “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, në Universitetin San Bonaventura “Seraphicum” Romë, Itali, si dhe ka kryer shumë specializime, brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar në italisht antologjinë “Il giorno di Santa Madre Teresa”, në bashkëpunim me “Libraria Editrice Vaticana” LEV (2018); është bashkautore në librin “Të rritesh nga dashuria”, Tiranë: “Uegen” (2018). Ka përkthyer dhe përgatitur për botim librin “Rrethimi nga demonët dhe dashuria” poezi të Michela Miti, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Toena” (2010).

Ka pasion përkthimin dhe ka sjellë në shqip shumë autorë bashkëkohorë, nga anglishtja dhe italishtja, si Dacia Maraini, Leo Buscala. Ka përkthyer: libretin e operas së parë moderne bashkëkohore shqiptare “Oirat”, të Valerio Ferrarit, me muzikë të A. Peçit; libretin e operas “Turandot” të Xhiakomo Puçinit; libretin e operas “Aida” të Xhusepe Verdit; libretin e operas “Lucia di Lamermoor” të Gaetano Donizettit; ka përgatitur botimet historiko-etniko-kulturore të veprave “Lufta e Vlorës, 1920” dhe “Milloshi, Heroi i Kosovës, 1389”, të historianit në mërgim Ago Agaj. Hulumtuese në shkencat sociale, në fushën e kulturës shqiptare, traditës dhe bashkëkohësisë, diplomacisë e diasporës; boton artikuj të shumtë në shtypin periodik; ka marrë pjesë në konferenca dhe tubime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka organizuar veprimtari të ndryshme social- kulturore në vend dhe jashtë Shqipërisë.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Edlira Zhiti: Në komodinën time qëndron përherë libri i tim Biri, “Për atë që dua(m)”, dhe dëshiroj të falënderoj sërish Valbona Nathanailin dhe gazetarin Alfred Lela, si redaktorët e tij. Është përmbledhja me ese e një të riu, që më mrekullon, jo vetëm forca e mendimit, eleganca e gjuhës, por dhe fuqia për t’u rebeluar ndaj së keqes si dhe bindja e Tij sipërore se ai me shokët dhe shoqet, pra brezi i tij, studentë brenda dhe jashtë vendit, do të bëjnë ndryshimin e madh, të një Shqipërie Euro-Atlantike.

Leximin biblik të ditës e bëj zakonisht herët në mëngjes, edhe pse elektronikisht, ndërsa Bibla vetë si libër është mbi komodinën time si përherë. Librat e tjerë janë të ndërrueshëm, romane, poezi… Parapëlqej filozofinë.

Kur dhe ku lexoni?

Edlira Zhiti: Zakonisht lexoj në divan, në sallonin e shtëpisë, ose në studio, por dhe në ballkon, duke marrë pak rreze dielli. Më pas, kudo ku kam mundësi… duke udhëtuar është një mundësi që e shfrytëzoj më së shumti, veçanërisht këtë periudhë që na ka takuar të lëvizim shumë.

Pasdarka është koha më e mirë imja për lexim deri afër mesnatës.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Edlira Zhiti: Më qëllon të lexoj disa libra në të njëjtën kohë. Aktualisht, po lexoj Pedro Paramo “Rrafshina në flakë” nga Juan Rulfo. Kam shijuar artin e tij magjik plot simbole, me një fuqi shprehëse të jashtëzakonshme sa vetëm me dy libra ai autor ia arrin të bëhet përfaqësues i Realizmit Magjik për letërsinë latino-amerikane. Libri është sjellë në shqip me mjeshtëri nga Bajram Karabolli. Aty-këtu, në përkthim, ndjej nuanca të harruara të të folurës së qytetit nga unë vi, gjë që zgjon tek unë ndjesi të ëmbla fëmijërie. Lexova në dorëshkrim romanin “I keqi i vetes” i shkrimtarit dhe mikut tonë familjar, Gazmend Kapllani. I jam kthyer librit “Morfologjia e shpirtit”, të eseistit dhe kritikut të artit, Luan Topçiu, përsëri mik i yni. Kam lexuar poezitë e kolegut tim në punë, Ermir Nika, “Kuarteti Bohem”.

Librave të miqve u kthehem vazhdimisht, sepse më duken si një bashkëbisedim i vazhdueshëm. Nuk më vjen keq kur i mbaroj librat, më vjen keq kur nuk i mbaroj dot, për shumë arsye…

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Edlira Zhiti: Tani jam duke lexuar në origjinal poezinë e Alda Merinit, teksa disa prej poezive i kam përkthyer për vete. Më pëlqen feminizmi i saj, i shprehur me inteligjencë, muzikalitet dhe pa atë bërtimën vulgare, që na sulet shpesh. Dua të nënvizoj se nuk kam parapreferenca për gjininë letrare, por për atë që do të më thotë dhe jap teksti.

Cili ka qenë libri më i pëlqyer për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Edlira Zhiti: “Zemër” i Edmondo de Amicis ka qenë libri që më ka prekur shumë e që më ka shoqëruar gjatë, edhe tani. Kujtoj se nga leximi i njërit prej tregimeve të atij libri, edhe gjyshen time në shtëpi e kam parë me më shumë dhimbsuri, por dhe fëmijërinë e botën përreth.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Edlira Zhiti: Natyrisht që kam të tillë, jo pak, por ngulmoj të lexoj libra të rinj. Ju tregova se çdo ditë lexoj biblën, kështu që ai mbetet libri që i kthehem vazhdimisht.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Shqipërisë, cilin titull do zgjidhnit?

Edlira Zhiti: Më befason kjo pyetje dhe s’di si t’ju them, se nuk para rekomandoj libra, për më tepër një presidenti, nuk ka pse… Pa patur parasysh ndokënd nga presidentët e vendit, do më pëlqente të lexonin dy librat e Visar Zhitit, tim shoqi, që ai i quan burgologji, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”. Nuk di sa kohë ka në dispozicion Presidenti për të lexuar libra të tillë, por le të lexonte të paktën faqen e fundit, ku njëri nga presidentët (personazh në libër) dekoron edhe ish të burgosur, pra jo vetëm të persekutuarit, por edhe persekutorët e tyre në të njëjtën kohë.

Ata që drejtojnë duhet të zgjedhin se nga duhet ecur, me dhimbjen dhe martirizimin, apo me ata që i shkaktuan ato. Më thuaj se çfarë lexon, të të them se çfarë mendon, njësoj si “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je”. Bota e qytetëruar është me dhimbjen dhe me të ardhmen njerëzore…

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale tuajën për lexim?

Edlira Zhiti: Vend dhe kohë ideale nuk ka, mendoj se ka një përditshmëri të pa mëshirshme jashtë, shqetësime, probleme etj., por gjithsesi, – kjo fjalë i pëlqente tim biri, – koha dhe vendi ideal janë më shumë brenda nesh. Të lexosh pranë atij që do është vendi më i mirë. Koha ideale për lexim është mbrëmja, kur i afrohesh vegimeve dhe ëndrrës… ke lënë pas punën e përditshme e gjithçka tjetër që është angari e domosdoshme dhe mund të rrish e qetë, në heshtje, me librin e radhës.

Kujtoj kohën kur i lexoja tim Biri librat me përralla dhe jo vetëm përpara gjumit. Dhe vazhdoj…

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Edlira Zhiti: Kam mjaft autorë që adhuroj, s’është veç një. Kam patur një periudhe kohe që isha mjaft e dhënë pas letërsisë hebreje. Kujtoj këtu librin “Eksodi” të Leon Uris, ”Certifikata” dhe “Shosha” të Isaac Singer, “A është vallë njeri” të Primo Levi-t, “Maikēlli im” nga Amos Oz e këtë të fundit do ta veçoja. Po kështu dhe poezinë e Yehuda Amichai-t. Hebre është dhe Franc Kafka.

Kam njohur në Prishtinë shkrimtarin Filip David, hebre nga Beogradi. Ai kërkoi falje për krimet e Serbisë në Kosovë. Unë dhe Visari, së bashku me atë, vizituam varrezat e hebrenjve, që shqiptarët i mbrojtën nga tanket…

Në këtë periudhë, nga letërsia jonë vlerësoj shumë ata që erdhën nga errësira e dhimbjes, e qëndresës dhe dinjitetit njerëzor. Më prek shumë zonja Musine Kokalari, mbase jo shkrimtarja e parë grua shqiptare, por disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur?

Edlira Zhiti: Ende s’e kam lexuar…

Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Edlira Zhiti: Unë mundohem shumë të mos qaj, dua të jem ashtu siç do të donin ata që më duan. Me romanin e Melody Beaty-t, “The lessons of love”, zbulova se ndaja thuajse çdo ndjesi. Është historia e një shkrimtareje të re, e cila ka humbur birin e vetëm dhe do të dijë si t’i kthehet jetës, falë dashurisë, shpresës qiellore, zemrës së hapur, këmbënguljes, miqësisë… Ky bestseller, aq sa është i bukur në vetvete, po aq është dhe prekës, sidomos rruga se si më ka gjetur ky libër, ma dërguan nga Amerika në Tiranë. Nuk mund të them më shumë, por është krijuar një traditë tashmë, ky libër pasi lexohet, dhurohet duke krijuar kështu një zinxhir të madh mbështetjeje e lehtësimi nëpër botë.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Edlira Zhiti: Të dashurisë dhe të vërtetës.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Edlira Zhiti: Besoj ka, por mjafton vetvetja edhe në kësi rastesh.

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Edlira Zhiti: Janë disa, libri i Visarit me poezi, përkthyer në rumanisht nga studiuesi dhe kritiku i artit Luan Topçiu, së bashku me bashkëshorten e tij Renatën, që përmban grafika origjinale brenda. Po kështu dhe një libër tjetër, i porsa dalë në Itali i Visarit dhe me piktura të djalit, Atjonit, “Dove e’ la vita?”, i punuar me dorë, ku secila nga kopertinat është e ndryshme nga të tjerat. Një libër i Eskilit (Orestiada), me pjesë në disa gjuhë të ndryshme, botuar në Milano nga Colophonarte, është vepër arti dhe vetë libri, ku pjesa në shqip është përkthimi im.

Kam një “Tarquato Tasso- Gerusalemme liberata” tejet të madh, me numër serie dhe një libërth të vockël, më të vockël se një kuti shkrepse, “Të drejtat e njeriut”. Çdo dhuratë është e bukur. Shenjtja Nënë Tereza thoshte se nuk ka rëndësi se sa e shtrenjtë është dhurata, por sa dashuri ke vënë në të.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Edlira Zhiti: Do të dëshiroja të shkruaja biografinë e dy gjyshërve të mi, atij nga babai dhe atij nga nëna. I pari kishte mbaruar studimet në Turqi, ndërsa i dyti në Itali. Të dy kanë qenë të pranishëm në momente të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Kanë luftuar dhe me armë, i pari në Luftën e Vlorës në 1920, kurse i dyti me kulturë, solli kinemanë e parë në qytetin e tij, si dhe hapi dyqanin e parë të modës në kryeqytet.

Dhe nëpërmjet tyre, në fakt, do të doja të zbuloja dy gjyshet e mia, si i bënë ballë jetës, fatit dhe vuajtjeve, qëndruan të denja dhe të bukura.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Edlira Zhiti: Sot them Lutjet e Shenjtës Nënë Tereza, cilido qoftë botimi apo gjuha, por dhe në shqip janë të mrekullueshme.

Foto kryesore

Edlira Zhiti në një intervistë për “Zërin e Amerkiës”, me gazetaren Laura Konda.

https://www.zeriamerikes.com/a/edlira-zhiti-mother-teeresa/4544962.html

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.