Librat dhe leximi në rrëfimin e kuratores Eleni Laperi

Eleni Laperi

Ka kryer studimet pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe diplomuar në pikturë. Ka punuar si dizajner dhe kuratore. Eksperte në fushën e artit.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Eleni Laperi: Së fundmi po lexoj ‘Fascist virilities, rhetoric, ideology, and social fantasy in Italy’, të Barbara Spackman. Është një studim i cili po më ndihmon të kuptoj më mirë tiparet e artit të realizmit socialist te ne, si dhe lidhjet e tërthorta që ka me konceptin fashist të burrërisë.

Kur dhe ku lexoni?

Eleni Laperi: Zakonisht lexoj herët në mëngjes, në shtëpi. Një libër e mbaj në çantë dhe lexoj kurdo që kam kohë të lirë gjatë ditës apo në kafenenë time të preferuar, te hotel “Tirana”, rrethuar me erza prej Shqipërie, ku shkoj të pi një kafe në qetësi.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Eleni Laperi: ‘L’amica geniale’ e autores Elena Ferrante. Është historia e përpjekjeve për emancipim i dy vajzave dhe mjedisit ku ato jetonin në Italinë e pasluftës së Dytë Botërore. Është një histori që ka shumë ngjashmëri me Shqipërinë dhe përpjekjet e grave e vajzave shqiptare të fillimviteve ’90, përpjekje që ende nuk i gjen në letërsinë tonë.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Eleni Laperi: Në përgjithësi tani lexoj libra historikë, studime mbi artin, filozofi.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Eleni Laperi: ‘Aventurat e Çipolinos’ të Gianni Rodari dhe më pas ‘Zemra’ e Edmondo de Amicis. Janë libra që ndihmojnë një fëmijë të bëhet Njeri.

Personazhet -modele kanë qenë shumë, sepse ndryshonin me kalimin e viteve. Po më shumë ishin të fushës së artit, pasi më interesonte të mësoja si e organizonin ditën, si punonin.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Eleni Laperi: ‘Journal du regard’ i Bernard Noel. Janë poezi, përsiatje, vëzhgime filozofike të një poeti të njohur francez, si Noel, i cili me gjuhë të thjeshtë të zbulon çfarë fshihet prapa vështrimit.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Shqipërisë, cilin titull do zgjidhnit?

Eleni Laperi: Platonin, ‘Republika’. Nuk e di si do jenë presidentët e ardhshëm të Shqipërisë, po deri tani ‘etërve’ të kombit tonë u ka munguar Largpamësia. Për ne, që ndër shekuj kemi provuar vetëm shijen e diktaturave, demokracia është diçka e re, shije dhe dije e paprovuar më parë. Platoni te ‘Republika’ është i pari që zbulon embrionin e dijeve të ardhme, zbulon lidhjen e filozofisë me politikën. Ne kemi nevojë ta fillojmë nga ‘i pari’.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Eleni Laperi: Kur jam vetëm, kur është qetësi, kur është freskët, në kolltukun tim.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Eleni Laperi: Shkrimtari, kritiku dhe filozofi Umberto Eco. Gjatë leximit të krijimeve të tij gjithnjë më shoqëron habia, kënaqësia e zbulimit të sjelljeve e fenomeneve që i kemi para syve e nuk i dallojmë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Eleni Laperi: ‘Ushtari i mirë Shvejk’ i Jaroslav Hashek, por vetëm botimi i parë, i përkthyer nga Gezim Erebara dhe Tonin Bushati, përkthim në shqip i paarritshëm.

Kam derdhur lot ndërsa lexoja librin e Khaled Hosseini, i përkthyer me titullin ‘Gjuetari i balonave’. Nuk e di pse, ndoshta se në të gjej edhe pak ‘Shqipëri’, gjej vuajtje që i kemi kaluar edhe ne, gjej edhe një shpirtmadhësi para së cilës nuk mund të mos lotosh.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Eleni Laperi: Dëshira për të lënë të shkruar çfarë di për gjërat që dua shumë.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Eleni Laperi: Tani më tërheqin historitë e vërteta. P.sh. libri ‘Giuro che non avrò piu fame’ i Aldo Cazzullo. Mendoj se ne kemi nevojë për libra e filma, që të frymëzojnë për të gjetur energji pozitive, emancipuese, pasi shqiptarët sot kanë me tepri shembuj sjelljeje politikanësh, personazhe si tutorë, mafiozë apo prostituta.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Eleni Laperi: Mitrush Kuteli. Tregimet, përrallat e tij me një gjuhë të pasur shqipe, me fjalë aq të bukura, të zgjedhura me kujdes, që zbulojnë një dashuri të madhe për vendin e njerëzit, gjithnjë më kanë zgjeruar frymëmarrjen. Mendoj se vepra e tij duhej të studiohej në të gjitha nivelet e shkollës sonë pikërisht për këto tipare që mbart. Fatkeqësisht tekstet shkollore te ne gjithnjë i janë nënshtruar përzgjedhjes me frymë militantizmi: dje ai nuk studiohej në shkollë, pasi trajtohej si kundërshtar i regjimit; sot në shkolla studiohen autorë që kanë qenë kundërshtarë të regjimit të kaluar, edhe kur nuk kanë ndonjë vlerë në njohjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Eleni Laperi: ‘Honey from a Weed’, i Patience Gray. Është libër i një autoreje, që njihet pak. Është më e njohur në studiuesit e kulinarisë. Po për mua është një burim dijesh mbi rëndësinë e jashtëzakonshme të gjërave të thjeshta në jetën e njeriut, nevoja për të cilat po ndjehet gjithnjë e më shumë.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Eleni Laperi: E kam zgjedhur: Kolë Idromeno. Është shembulli i njeriut, i cili u përpoq të ndërtonte të bukurën në të gjitha fushat e jetës së një qyteti, të Shkodrës, në një kohë kur sundonte injoranca, varfëria dhe sundimi i huaj. Është një njeri i madh i kombit tonë, i cili ende nuk është vlerësuar, ndërkohë që kemi memorialë edhe për armiqtë e kombit.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Eleni Laperi: Nuk besoj se ka një libër, i cili do ishte njësoj i domosdoshëm për të gjithë. Po për shqiptarët e mbytur në letërsi politike dhe kujtime politikanësh, do sugjeroja të lexonin libra për ushqimin, për të kthyer vëmendjen e tyre nga vetja dhe nga pasuritë natyrore të vendit tone, nga puna dhe nga përkorja.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.